Pas një eksperience të suksesshme në emigracion, ku përvetësoi të gjitha teknikat greke lidhur me teknologjitë e prodhimit të pemëve frutore dhe vreshtave, Vlashi rikthehet në vendlindje dhe sot është një mjeshtër autodidakt për shartimin e pemëve frutore. “Kam dorën e mbarë, bima zë menjëherë”,- shprehet Vlashi.
Vendosur në Troshan të Lezhës, Z. Vlash Ndreca është një i ri fermer me shumë ambicie në sektorin e vreshtarisë dhe pemtarisë. Gjatë vizitës në pemtoren e tij me zerdeli, shegë, mollë, kumbulla dhe rrush të varieteteve të ndryshme, Vlashi tregon me shumë pasion se pas kthimit nga Greqia, vendosi të zbatojë njohuritë e fituara në pemtoren e tij. Vlashi, jo vetëm realizon me sukses të gjitha shërbimet agro-teknike të pemëtores së tij dhe madje ndihmon fermerët e zonës sa herë u nevojitet. Të gjitha punët në pemtore, si kultivimin, shartimin, krasitjen, vjeljen dhe tregtimin e prodhimit, ai i realizon së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët e tij. |
Vlashi na siguroi se çdo rrënjë peme apo hardhie është planifikuar të mbillet, duke respektuar nevojat për ujë, diell apo distancën e duhur për një prodhim të mbarë. Në planet e tij është gjithashtu zgjerimi i bllokut të tij të pemtores dhe vreshtit. Me ngritjen e vreshtit të ri, Vlashi është optimist se tregtimi i rrushit organik do të shtojë të ardhurat e biznesit të tij familjar. Vlashi, jo vetëm është regjitruar në platformën ABA Online, por shprehet se informacioni që ofron platforma mbi pemtarinë dhe vreshtarinë është shumë i vlefshëm për të. “Duhet të vini në Maj kur lulet e pemëve çelin duke krijuar një mozaik ngjyrash me aroma dehëse”,- shprehet Vlashi. |
Puna e tij e palodhshme dhe aktiviteti bujqësor i suksesshëm janë një vlerë e shtuar edhe për zonën.
I urojmë Vlashit dhe familjes së tij punëtore shumë suksese në punën inovative dhe plot pasion!
Shpërndaj në rrjetet sociale: