VJELJA E MËLLAGËS SE BARDHË




Në kushtet tona klimatike, mëllaga e bardhë konsiderohet si bimë dyvjeçare. Edhe pse konsiderohet si e vetmja bimë mjekësore dhe aromatike që përdoret si e tëra, megjithatë, rrënja konsiderohet si produkt primar

Lulet, gjethet dhe masa mbitokësore (herba) në tërësi llogariten si nën produkte apo prodhim sekondar. 

Lulet vilen gjatë gjithë periudhës vegjetative. Gjethet vilen jo më shumë se 1/3 e sasisë së tyre duke pasur në konsideratë mbajtjen e një balance në mes masës vegjetative dhe sistemit rrënjor, sepse rritja dhe zhvillimi i sistemit rrënjor përveç lëndëve minerale ka nevojë edhe për lëndë organike që sintetizohen gjatë procesit të fotosintezës nga gjethet.

Vjelja e luleve dhe gjetheve bëhet me dorë me angazhimin e fuqisë punëtore. 

Vjelja e rrënjëve të mëllagës së bardhë mund të bëhet në dy periudha kohore. Ajo mund të bëhet në vjeshtë (vjelja vjeshtore), në muajin tetor, kur bima kalon në qetësi relative ose herët në pranverë. Vjelja e rrënjëve bëhet duke përshtatur plugun të cilit i hiqet veshi kthyes dhe me plorin e plugut zhvendoset rrënja e bimës dhe punëtoret pastaj nxjerrin lehtësisht bimët. Rrënjët e mbledhura pastrohen nga dheu me një shoshë vibruese dhe më pas nga koka e rrënjës hiqen pjesët e kalbura. Rekomandojmë dhe është mirë që kjo të ndiqet nga një larje më ujë të rrjedhshëm për një periudhë të shkurtër dhe më pas rrënjët lihen të thahen për 2 – 3 orë. Rrënjët nuk duhen lënë asnjëherë në ruajtje të njoma sepse formohen myqe.

Tharja dhe ruajtja e produktit

Tharja e luleve të vjela duhet të jetë e shpejtë me qëllim ruajtjen e karakteristikave, vlerave dhe ngjyrës së tyre. Lulet pas vjeljes është mirë të thahen në tharëse në temperaturë deri në 50°C. Në kushte natyrore tharja duhet të bëhet në hapësirë të mbyllur dhe me dritë të mbyllur. Për 1 kg lule të thata janë të nevojshme 7 - 8 kg lule të njoma. 

Edhe gjethet thahen në temperaturë 60°C. Raporti masë e njomë me atë të thatë  është 5-6:1 (pra nga 5-6 kg gjethe të njoma përfitohet 1 kg gjethe e thatë). Vjelja dhe tharja duhet të jetë e shpejtë me qëllim ruajtjen e  ngjyrës natyrale. 

Tunelet e mbuluara me plastmasë të zi, të pajisura me rafte do ishin të përshtatshme për njësi të vogla të kultivimi si për lule e po ashtu edhe për masën gjethore. 

Rrënjët qërohen, ndahen në rriska (thela), nëse trashësia është mbi 1.5 cm kurse rrënjët më të holla priten në copa 15 – 20 cm dhe thahen. Mënyra më e mirë, për tharjen e rrënjëve, është tharja artificiale. Temperatura e këshilluar në fillim të procesit të tharjes është 50 - 60°C, për të zbritur më pas në 40 - 50°C. Rrënjët lihen në tharje deri sa të thyhen me lehtësi. Procesi i tharjes mund të zgjasë deri 75 orë. Raporti i tharjes është 3 – 4:1. Për të përftuar 1 kg rrënjë të thata nevojiten 4 – 5 kg rrënjë të freskëta.

Rendimenti mase e thatë e mëllagës së bardhë është: 

  • Rrënjë të thata: 1.2 – 2 t/ha
  • Gjethe të thata: 0.5 – 0.6 t/ha dhe
  • Lule të thata: 0.1 – 0.15 t/ha

Produkti i thatë rrënjë, lule apo gjethe i ambalazhuar duhet të ruhet në ambiente të veçanta të thata dhe të errëta me qëllim ruajtjen e cilësisë së realizuar gjatë prodhimit dhe pas vjeljes. 

Data e publikimit: 29/08/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

VJELJA DHE KORRJA E HITHRËS

Tharja jo cilësore mund të ndikojë në uljen e cilësisë së produktit.

Lexo më shumë

VJELJA E KAMOMILIT

Një nga kushtet e prodhimit me efek­tivitet ekonomik të kamomilit, në sipërfaqe të mëdha, është vjelja e mekanizuar me makineri vjelëse që mbledhin vetëm pjesën e lulesës së bimës.

Lexo më shumë

VJELJA DHE PËRPUNIMI PAS VJELJES

Si mblidhet kalendula?

Lexo më shumë

VJELJA E RIGONIT

Rekomandohet që vjelja të kryhet kur gjysma e bimëve janë në lulëzim. Gjithashtu, afati i vjeljes përcaktohet nga rrëzimi i gjetheve dhe nëse gjethet fillojnë të thahen herët rekomandohet një vjelje e hershme.

Lexo më shumë