Në vijim të artikujve përmbledhës “Pyetjet më të shpeshta”, pyetje të cilat janë adresuar nga fermerë të ndryshëm në rubrikën “Pyet Ekspertin” të platformës ABA online, në këtë artikull do të pasqyrojmë një përmbledhje të pyetjeve dhe përgjigjeve që i përkasin periudhës së gjashtë mujorit të dytë të vitit 2024. Qëllimi i këtij artikulli si dhe çdo artikulli tjetër i kësaj natyre është pasqyrimi i një përmbledhje të pyetjeve më të shpeshta të adresuara nga fermerë të ndryshëm lidhur me mbarështimin e kafshëve të fermës së tyre me qëllim që ti paraprihet ngjarjeve të ngjashme në fermat blegtorale, sikurse fermerët të jenë të përgatitur për ti adresuar në kohë problematikat e fermës.
Për të ofruar një përgjigje sa më të qartë për pyetjet tuaja adresuar në rubrikën “Pyet ekspertin” të ABA Online, ju lutemi mbani parasysh:
Pyetje: Cila është sasia e koncentratit të sojës që duhet të konsumojë një dhi 5 vjeçare në prodhim qumështi, si dhe mënyra e përgatitjes së përzierjes. Në fermë kam edhe misër.
Përgjigje: Qëllimet kryesore të të ushqyerit në periudhën e laktacionit (prodhimit të qumështit), përfshijnë prodhimin e qumështit, mëmëzimin e kecave për aq kohë sa kecat ushqehen me qumësht, mirëmbajtjen e kondicionit trupor, si dhe përgatitjen për riprodhimin e rradhës.Në këto kushte ushqimi bazë dhe shumë i rëndësishëm është bari i thatë veçanërisht bari i jonxhës cilësor si dhe shfrytëzimi i terrenit me bimësi natyrore. Përsa i përket koncentratës, përzierja e sojës me misër është një kombinim i mirë dhe realizohet me lehtësi për faktin se të dy këta përbërës janë në gjendje të thatë. Në rastin e dhive në fazën e prodhimit të qumështit (në laktacion) që ushqejnë dhe të vegjlit nevojitet sasi më e madhe proteine ose 16%, në rastet e tjera nevojitet 14% proteinë.Për të siguruar 14% proteinë përzihen 3 pjesë misër me 1 pjesë sojë. Nëse nevojitet 16% proteinë përzihen 2 pjesë misër me 1 pjesë sojë.
Pyetje: Kam një shqetësim për një dhi të bardhë. Kemi tre ditë qe kur e mjelim në mëngjes qumështi ka trace gjaku, del pak si i turbullt, dhe kur e lemë në frigorifer, gjaku dekanton poshtë. Çfarë problem mund të jetë?
Përgjigje: Ju lutemi kontrolloni me kujdes nëse gjiri i dhisë është i skuqur, i fryrë mbi normalen dhe nëse dhija lejon ta prekni tek pjesa e gjirit, apo reagon nga dhimbja. Nëse ka shenja të fryrjes, përskuqjes së gjirit dhe dhimbje nga prekja, atëherë është shumë e mundëshme që kemi të bëjmë me mastit. Nëse këto shenja nuk shfaqen, duhet kryer analizë laboratorike e qumështit për të gjetur shkakun.
Pyetje: Kam disa lopë të cilat kanë pirë ujë në një burim ku ka patur shushunja. Si duhet t’ja heq nga gjuha dhe çfarë duhet të përdor për eliminimin e tyre, pasi lopët janë barrëse?
Përgjigje: Për heqjen e shushunjave mund të përdoret kripa duke e hedhur mbi trupin e tyre dhe çliruar nga gjuha, gjithashtu mund të përdoret uji i kripur, sikurse edhe uthulla. Si kripa, ashtu edhe uthulla ndihmojnë në çlirimin e shushunjave.Gjithashtu për çlirimin e tyre mund të tërhiqni gjuhën e lopës me dy gishta dhe të shkëpusni gojën e shushunjës nga gjuha e lopës me një kartë si ajo e celularit, kartë digital, ose kartë bankare. Normalisht mbas 20 minutave pasi kanë pirë mjaftueshëm nga gjuka e lopës, shushunjat tej ngopen, fryhen dhe vetë çlirohen nga gjuha e lopës, por me metodat e mësipërme ju mundësoni çlirimin e shpejtë dhe pa dëme.Përsa i përket ujit, mund të hidhni në ujë copa mishi ose pule të cilat i tërheqin shushunjat dhe me anë të një rrjete ju mund ti grumbulloni ato. Gjithashtu mund të përdoret solucion sulfat bakri në ujë, por kujdes, në këtë rast kafshët nuk duhet të pijnë ujë në atë burim.
Pyetje: Kam një dele që është dobësuar shumë dhe nuk ka më forcë të ngrihet në këmbë, është si formë paralize. Ndërkohë, ushqim ha në mënyrë normale. Për çfarë vaksine ka nevojë?
Përgjigje: Duhet të bëni një analizë gjaku tek ISUV (Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë) që të gjendet shkaku, pastaj percaktohet trajtimi. Ndërkohë delen me probleme duhet ta mbani të shkëputur nga tufa. Nuk duhet të kullosë në të njëjtin vend me delet e tjera. Nësë është në prodhim qumështi, duhet të milet e fundit, pra pasi të keni mjelur të gjithë tufën dhe mjelja duhet bërë më vete. Duhet të lani dhe dezinfektoni duart pas prekjes së saj si dhe të dezinfektoni çdo objekt që preket nga delja e sëmurë. Pra, izolim për mos përhapje të problemit. Mostrën e gjakut për ta dërguar në ISUV sipas rregullores duhet ta marrë veterineri i zonës.
Pyetje: A është i përshtatshëm ndërzimi i dhive në muajin Tetor? Pas muajit Tetor duhet të hiqet cjapi nga tufa?
Përgjigje: Sezoni kryesor i ndërzimit të dhive është vjeshta dhe fillimi i dimrit në varësi nga zonat ku ndodhen tufat. Kjo ndodh pasi dhitë janë kafshë që kërkojnë ditën e shkurtër për ndërzim. Cjapi është mirë të largohet nga tufa, veçanërisht kur kemi të bëjme me dhi të cilat kanë aftësi të riprodhohen gjatë gjithë vitit. Pasi kanë realizuar ciklin e ndërzimit për rreth 42-45 ditë, cjeptë duhet të largohen nga tufa, por mund të shfrytëzohen për dhitë që janë ende shterpa.
Pyetje: Si parandalohet çala tek delet?
Përgjigje: Për parandalimin e çalës është e rëndësishme të ndiqni udhëzimet si më poshtë:
Pyetje: Çfarë ushqimi më rekomandoni për mbarsjen e deleve?
Përgjigje: Në artikullin e publikuar në ABA Online, do të gjeni informacion për nxitjen dhe rritjen e pjellorisë tek delet nëpërmjet ushqimit ose siç quhet ndryshe dhe flushing.
Pyetje: Sa mund të shtojnë peshë brenda 1 dite kecat (racë Alpine) në moshën 3-4 muajshe?
Përgjigje: Rraca e pastër franceze Alpine peshon rreth 60- 70 kg femra e rritur (dhija) dhe rreth 80-90 kg mashkulli i rritur (cjapi). Pesha në lindje e kecave femra është rreth 3.5kg, ndërsa e meshkujve rreth 4-4.5 kg. Nëse janë dyjare pesha për sejcilin kec ulet në rreth 3.7 kg. Në moshën 3 muajshe ose rreth 100 ditëshe pesha shkon në 30-33 kg dhe në moshën 6 muajshe ose 180 ditëshe ajo arrin në 40-50 kg. Pra, pas moshës 3 muajshe gjatë 80 ditëve shtohen nga 10-17 kg, ose nga 120-150 gram në ditë. Shtesa e peshës varet nga shumë faktorë si: (i) rraca e pastër; (ii) të ushqyerit, pasi në periudhën për të cilën adresohet pyetja ka ndodhur shkëputja nga qumështi dhe është kaluar në ushqim me kullotë, bar e koncentratë (misër, etj); (iii) varet nga stresi, dendësia në stallë, dendësia në kullotë; temperaturat, si dhe (iv) prania e vazhdueshme e ujit për pirje.

Pyetje: Kam një lopë që i kanë dalë kokrra në qafë, po i dalin edhe nëpër fytyrë e trup. Çfarë është dhe çfarë mund të bëj?
Përgjigje: Nga pamja lopa ka shfaqur shenjat tipike të Lumpy Skin Disease ose Dermatozës Nodulare të Gjedhit.
Vaksinimi masiv është metoda kryesore si masë parandaluese, për të kontrolluar shpërthimet e mëtejshme. Por në rastin tuaj tani që kafsha është prekur, vaksina nuk ka efekt.
Masa të tjera përfshijnë biosigurinë (sikurse është izolimi i kafshës së prekur nga kafshët e tjera, si dhe dezinfektimi), vënia nën kontroll e vektorëve transmetues sikurse janë insektet si mushkonjat dhe mizat, dhe kufizimet në lëvizje. Gjithashtu, antibiotikët mund të ndikojnë nëse sëmundja është në fillesat e saj dhe kafsha nuk është në gjendje të rëndë. Antibiotiku përdoret për të mos lejuar krijimin e një infeksioni të dytë dhe shtim të mëtejshëm të noduseve. Duhet të përmendim se nuk ka një antibiotik specifik për këtë sëmundje. Por, në rastin e përdorimit të antibiotikëve duhet të përdoren ato me spektër të gjërë. Ndërkohë, ju rekomandojmë të kontaktoni veterinerin e zonës per të marrë udhëzime mbi trajtimin. Rekomandohen antibiotikë për infeksione bakteriale dytësore si oksitetraciklinë, anti-inflamatorë dhe analgjezikë si deksametazonë për ethe dhe dhimbje, rekomandohet spërkatje për plagët e nodulave në lëkurë, vitamina, lëngje dhe solucione kundër insekteve. Kafshën e infektuar duhet ta izoloni dhe monitoroni në bashkëpunim me veterinerin për përmirësim gradual të gjendjes që mund të zgjasë 1-3 muaj.
Pyetje: Kam një rast me një lopë që ka dy ditë ka pjellë. Si fillim nuk hante, sot në mëngjes e gjeta shtrirë. Mora veterinerin e zonës, erdhi i bëri një gjilpërë dhe një serum por, gjendja e saj është njësoj, dridhet dhe nuk tenton të ngrihet fare.
Përgjigje: Është shenjë tipike e damllasë së qumështit, ose ethja e qumështit. Duhet të thërrisni veterinerin urgjent për trajtim të ethes së qumështit. Duhet të përdoret shtesë kalçiumi, jo vetëm serum i thjeshtë. Për të parandaluar ethen e qumështit, lexoni artikullin në platformën ABA online lidhur me shkaktarin e sëmundjes, shenjat tipike, parandalimin e kësaj sëmundje, si dhe kontrollin e saj.
Pyetje: Çfarë përkujdesje duan lopët e rracës Holshtejn?
Përgjigje: Lopët e rracës Holshtein, sikurse dhe të gjithë rracat e tjera, kërkojnë një menaxhim të qëndrueshëm, duke marrë parasysh si më poshtë:
Pyetje: Jam interesuar për mbarështimin e racës së pastër Asaf në Shqipëri. Ku mund ta gjej në Shqipëri këtë lloj race?
Përgjigje: Ju rekomandojmë së pari që lidhur me rracën Asaf të lexoni artikujt përkatës në platformën ABA online. Një nga artikujt përshkruan dhe analizën ekonomike lidhur me këtë rracë. Bazuar në analizën ekonomike të fermës, kjo rracë rezulton me benefitin më të lartë krahasuar me rracat e tjera. Një tufë, por jo tërësisht racë e pastërt ndodhet në zonën e Lushnjes. Ndërsa ajo që mund të theksojmë është se rraca e pastër Asaf gjendet në dy vende, kryesisht në Izrael dhe Spanjë.
Pyetje: Çfarë të bëj me lopën e cila nuk mund të ngrihet në këmbë. Theksoj që pas 5 - 6 ditësh ndoshta mendoj se do të pjellë, ndaj doja të dija çfarë të bëjmë në këtë rast. Morëm një veteriner dje që është edhe inseminator i lopëve, ai i bëri një serum lopës, por që nga dje e deri më sot akoma nuk është ngritur në këmbët e veta. Do ju lutesha që të më udhëzoni se çfarë të bëj në këtë rast.
Përgjigje: Nëse po i ofroni bar jonxhe duhet t'ja ndërprisni dhe ti jepni bar jonxhe vetëm pas pjelljes. Jonxha ka predispozita ti krijojë probleme me ethen e qumështit. Zhvendoseni lopën në një vend të sigurtë duke qenë se është barrëse e rëndë. Të ketë ujë të freskët në dispozicion. Nëse lopa shfaq situatë të paralizimit të gjymtyrëve dhe menjanimit të kokës në njërën anë ka rrezik që po kalon ethen e qumështit. Duhet të merret veterineri me diagnostikimin dhe kurimin e mëtejshem. Mundet të ketë nevojë për përsëritje të mjekimit.
Shpërndaj në rrjetet sociale: