Në fund të periudhës së dimrit dhe gjatë pranverës familjeve të bletëve duhet t’u sigurohen konditat e nevojshme për zhvillimin normal të tyre. Kjo duhet bërë duke patur parasysh fuqinë e familjes si dhe periudhën në të cilën bëhen punimet përkatëse.
Kontrolli kryesor pranveror Ka për qëllim vendosjen e familjeve të bletëve në kushte më të mira që ato të zhvillohen shpejtë dhe në kohën e kullotës kryesore të jenë sa më të forta. Që familjet e bletëve të arrijnë një zhvillim të mirë duhet të kenë:
Mëmë të cilësisë së mirë
Rezerva ushqimore të mjaftueshme
Një sasi të mjaftueshme mize të dalë nga dimri
Hoje të cilësisë së mirë, zgjoj të mirë që evitojnë humbjen e ngrohtësisë.
Kontrolli kryesor kryhet kur temperatura në hije nuk është më e ulët se 14°C. Është një nga kontrollet më të rëndësishme që bëhet në familjet e bletëve, nga mënyra dhe kujdesi se si kryhet si dhe nga masat që merren pas kryerjes së tij, varet jo vetëm zhvillimi i këtyre familjeve por edhe prodhimtaria e tyre.
Në këtë kontroll, për çdo familje vlerësohen:
Gjëndja dhe zhvillimi i përgjithshëm i familjes
Prania e mëmës dhe cilësia e saj
Prania dhe gjëndja e gjeneratës
Sasia dhe cilësia e rezervave ushqimore
Gjëndja e hojeve dhe e folesë
Gjëndja shëndetësore e folesë në tërësi dhe si banesë
Mëma dhe cilësia e saj. Pasi gjendet mëma pa e kapur atë shohim së mos ka ndonjë të metë trupore, këmbë ose krahë të thyer ,etj. Për cilësinë e mëmës gjykojme nga mënyra e vendosjes së pjelljes. Kur ka shume pjellë dhe është e shpërndarë uniformisht, mëma konsiderohet e mirë në të kundërtën kur në fole ka ushqim mjaftueshëm dhe pjella është e pakët dhe e çrregullt, çka flet për një mëmë jo të mirë, ajo duhet zëvendësuar.
Përcaktimi dhe vlerësimi i rezervave ushqimore. Gjatë dimrit bletët ndodhen në një gjëndje qetësie dhe konsumi i ushqimit nga ana e tyre është shumë i pakët, kurse me shfaqjen e vezëve dhe larvave të para temperatura në fole rritet. Në këtë periudhë çdo familje e mirë bletësh duhet të ketë rreth 8 kg mjaltë. Dhe në asnjë mënyrë kjo sasi nuk duhet të bjerë nën 6 kg deri në fillimin e kullotës. (Nje kornizë e madhe e zgjoit tonë e mbushur nga të dy anët përmban 2-2.5 kg mjaltë). Në qoftë së familjet e bletëve nuk i kanë rezervat ushqimore në sasinë e duhur atëhere ato patjetër duhen ushqyer për t’i plotësuar ato.
Përcaktimi i forcës së familjes. Kjo gjykohet nga sasia e bletëve që janë në fole e konkretisht nga numri i rrugëve të mbushura me bletë. Forca e folesë vlerësohet si më poshtë:
Familje të dobëta kur kanë më pak se 4 rrugë mizë.
Të mesme kur kanë 5-6 rrugë mizë
Të forta kur kanë 6-7 rrugë mizë
Shumë të forta kur kanë 9-10 rrugë mizë
Familjet e dobëta duhen bashkuar.
Gjëndja e folesë dhe e zgjoit si banesë. Në këtë kontroll rëndësi i kushtohet cilësisë së hojeve që janë në zgjua. Që t’i jepet mundesi mëmës të pjellë sa më shumë vezë, gjë që do të ndikojë në formimin e familjes në këtë periudhë vendosen hoje me qeliza që kanë përmasa për bletë punëtore e hiqen hojet e bardha të lëna në vjeshtë me mjaltë si dhe largohen hojet e vjetra. Rëndësi në këtë periudhë ka ruajtja e ngrohtësisë së brendëshme të familjes. Të gjitha familjet që kanë deri në 5 rrugë mizë ngushtohen me anën e dërrasave ndarëse dhe lihen vetëm kornizat me mizë (që mbulohen me mizë).
Hiqen kornizat me hoje të vjetra e të mykura, të dëmtuara, të ndërtuara keq, me shenja diarreje etj. Ndërmjet tavanit dhe kornizave vendosen tabakë fibrash sintetike që nuk lejojnë hyrjen e lagështirës dhe që e mbajnë ngrohtë folenë dhe në kufijtë anësorë të kornizave të zgjoit vendosen dërrasa ndarëse. Gjatë ngushtimit të zgjoit duhet që pjesa ku spostohet miza të mos jetë e ekspozuar nga veriu. Me ngrohjen e kohës masat e marra për sigurimin e ngrohtësisë ndërpriten. Vëmendje duhet t’i kushtohet dhe vetë zgjoit si banese. Zgjoi i vjeter hiqet dhe zëvendësohet me një tjetër të cilit i është pastruar dyshemeja a grimcat e dyllit dhe bletët e vdekura, si dhe i është kryer dezinfektimi me flakë blu ose dezinfektantë specifikë.
Të ushqyerit e bletëve është padyshim një nga operacionet më të rëndësishme të kryera në praktikat e bletarisë. Krahasuar me kafshët e tjera të kultivuara, bletarët kanë një avantazh të padiskutueshëm në atë që kolonitë nuk duhet të ushqehen rregullisht.
Rriqnat e rritura të Tropilaelaps spp. janë në gjendje të lëvizin shpejt nga bleta në bletë dhe brenda kosheres. Ato gjithashtu mund të lëvizin nga një familje bletësh në tjetrën, duke përfituar nga fenomenet e zhvendosjes ose plaçkitjes.