PROCEDURAT PËR LEJE NDËRTIMI




Çertifikata e pronësisë si kusht për Lejen e Ndërtimit
Pronësia e tokave, vërtetohet përmes çertifikatave të pronësisë që lëshohen nga Zyrat Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP).

Në rastet kur ju nuk e keni rregjistruar ende pronën tuaj, përmes Bashkisë ju mund të filloni praktikat e paraqitjes së kërkesës për leje si:

  • Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), ose kopje e noterizuar e tij;
  • Çertifikatë familjare e datës 01.08.1991 e lëshuar nga Gjendja Civile pranë Bashkisë përkatëse;
  • Çertifikatë e statusit aktual familjar nga Gjendja Civile pranë Bashkisë (ose mund të shkarkohet nga portali “e-Albania”;
  • Deklarimi i pajtueshmërisë me master-planin komunal. Kjo realizohet përmes kontrollit në terren nga ana e inxhinierit të ngarkuar nga Bashkia për të verifikuar nëse prona sipas regjistrimit në AMTP pëputhet me atë që gjendet e regjistruar në kadastrën e Bashkisë si dhe me realitetin. Pas këtij verifikimi Bashkia lëshon deklaratën e konformitetit. Kjo mundëson që zyrtarët e Zyrës së Planifikimit të Territorit të kërkojnë njohjen e pronësisë pranë ZVRPP duke e kaluar atë në sistemin online. Për rregjistrimin e pronësisë së tokës ju nevojitet një periudhë prej 1-3 muaj me një kosto prej 4,000 lekë për çertifikatë, tarifë kjo që duhet ta paguani pranë zyrave të ZVRPP-së.

Leja e ndërtimit
Me qëllim marrjen e lejes së ndërtimit ju duhet që së pari të keni bërë planet tuaja mbi madhësinë e fermës dhe perspektivën e saj. Projektin e ndërtimit duhet ta përgatisni me anë të një inxhinieri ndërtimi të licensuar pasi të jeni konsultuar me një specialist të blegtorisë (zooteknik) lidhur me përmasat dhe kërkesa të tjera si ndriçimi, volumi, hapsira, ventilimi, etj. Ky plan si dhe dokumentacioni i lartëpërmendur ju mundësojnë të procedoni me kërkesën për leje ndërtimi. Kjo konsulencë me specialisin e blegtorisë dhe inxhinierin e ndërtimit ju nevojitet si në rastin e ndërtimit të një stalle të re apo edhe në rastin e rikonstruksionit apo adoptimeve të një stalle ekzistuese.

Ndaj, në varësi nga ndërhyrja që do të bëni ju mund:

  • të kërkoni një leje ndërtimi nëse do të ndërtoni një stallë të re;
  • të bëni një deklaratë paraprake punimesh ose ta deklaroni punën që po bëni pranë Bashkisë përkatëse, në rastin e riparimeve.

Leja e ndërtimit është e nevojshme për ndërtime në rastin e stallave me themele betoni, sikurse dhe në rastin e modifikimeve të theksuara në një strukturë ekzistuese siç mund të jenë zgjerimi i një stalle, ndryshimi i fasadës, ndryshimi i çatisë. Ndonëse procedura e aplikimit për lejen e ndërtimit është tërësisht on line përmes e-Albania, fillimisht duhet të siguroni nënshkrimin dixhital të inxhinierit të Bashkisë përkatëse mbi dokumentin e planit të stallës. Marrja e lejes së ndërtimit realizohet brenda dy muajve nga data e paraqitjes së kërkesës suaj në portal.

Por cilët janë dokumentat që duhet të përmbahen në aplikimin tuaj për leje ndërtimi?
Dokumentat e nevojshme për leje ndërtimi përfshijnë:

Çertifikatën e pronësisë

  • Leje Zhvillimi (në rastin e një ndërtimi stalle të re) e cila është dokumenti i lëshuar nga Bashkia (Drejtoria e planifikimit te territorit) që vërteton mundësinë për ndërtim në një zonë të caktuar sipas parashikimeve të bëra në masterplanin e zonës. Ky dokument mund të merret falas me një kërkesë e cila duhet të përmbushet brenda 20 ditësh.
  • Projekti teknik i ndërtimit i përgatitur nga një inxhinier ose arkitekt me të gjitha detajet strukturore dhe teknike.
  • Letër delegimi e noterizuar për të bërë kërkesën online. Kjo letër shërben për të autorizuar një inxhinier të aplikojë në emrin tuaj pasi aplikanti pra inxhinieri ka nënshkrimin elektronik të nevojshëm për të hyrë në portalin e-Albania. Kjo letër delegimi zakonisht kushton rreth 3,500 lekë.
  • Preventiv për kostot e ndërtimit nga kompania që do të kryejë punimet, kjo me qëllim përllogaritjen e taksës së infrastrukturës që do të paguhet pranë Bashkisë. Kjo taksë paguhet çdo vit dhe përgjithësisht llogaritet sa 4% e kostove të përcaktuara në preventiv.

Si duhet të veproni në rastin e ndryshimeve të brendëshme?
Në rastin kur ju duhet të bëni ndryshime të brendëshme në stallë pa patur nevojë të bëni ndryshime në perimetrin e saj ose karakteristika të tjera strukturore, atëherë ju duhet të dorëzoni një deklaratë paraprake punimesh. Këto ndryshime mund të përfshijnë: hapjen ose zgjerimin e dyerve të brendëshme, ndërtimin ose eliminimin e mureve të brendshme; përforcim të strukturave të brendshme mbajtës si kolonat; ndërtimin e sistemeve të reja higjeno-sanitare, vendosjen e ventilatorëve, vendosjen e paneleve diellore, etj. Kjo deklaratë mund të përdoret edhe në rastin e ndryshime të vogla jashtë një ndërtese si modifikimin e fasadës, ngjyrës së saj, karakteristikat e suvatimit, etj.

Klikoni këtu në se dëshironi të dini më shumë lidhur me Standarded Minimale të Ndërtimit të Stallave

Data e publikimit: 11/11/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

PËRFITIMI NGA SHËNDETËSIMI I TUFËS

Indeksi i Përfitimit nga Shëndetësimi i Tufës (PShT) është nga indekset më gjithëpërfshirës dhe me tregues ekonomikë të matshëm, kjo pasi përfitimi ekonomik i nje ferme vjen vetëm nga një tufë e shëndetshme.

Lexo më shumë

VLERA E NJË TUFE TË SHËNDETSHME

Ne të gjithë duam të kemi një tufë të shëndetshme, por a keni menduar ndonjëherë, se cila është vlera e vërtetë e një tufe të shëndetshme?

Lexo më shumë

PËRSE NDRIÇIMI ËSHTË I RËNDËSISHËM PËR KAFSHËT E PRODHIMIT?

Ndjeshmëria dhe reagimi ndaj ndriçimit ndodh kudo dhe ka ndikim mbi çdo specie, ndërsa në botën e kafshëve kjo ndjeshmëri është më e theksuar në gjedhë, të imta dhe një-thundrakë.

Lexo më shumë

STRATEGJITË PRAKTIKE MBI NDRIÇIMIN

Duke ofruar intensitetin e duhur të dritës, ju do të ndikoni drejtpërdrejt në rritjen e përformancës së lopëve, si dhe do të lehtësoni aktivitetin e njerëzve që punojnë në stallë, pasi për ata do të jetë më e lehtë të kontrollojnë tufën.

Lexo më shumë