Informacion mbi skemat e mbështetjes financiare për investimet në fermat bujqësore,
Roli dhe rëndësia e mbështetjes financiare për aktivitetet në fermat bujqësore,
Burimet kryesore të financimit për investimet në fermat bujqësore,
Skemat kombëtare të financimit (AZhBR, IPARD, etj.),
Procedurat dhe kriteret për aplikimin në skemat kombëtare mbështetëse,
Sfidat dhe problematikat për mbështetjen financiare të fermave bujqësore,
Raste studimore, rekomandime dhe këshilla praktike për fermerët për investimet e tyre në fermë.
Hyrje:
Sektori i bujqësisë në vendin tonë, po përballet me nevojën për modernizim, rritje të produktivitetit dhe orientim sa më të mirë të fermave bujqësore drejt tregut.
Investimet në serë, përfaqësojnë një nga aktivitetet më të rëndësishme, të zhvillimit të fermave bujqësore, pasi mundësojnë:
prodhim dhe punëzënie të fermerëve gjatë gjithë vitit,
rritje të ardhurave të fermave bujqësore,
rritje të produktivitetit dhe konkurueshmërisë,
përmirësim të cilësisë dhe standardeve të prodhimit,
mundësi më të mëdha për eksport.
🎯 Informacion dhe kuptimi mbi skemat e mbështetjes për fermat bujqësore
Investimet në sera, kërkojnë kapital të konsiderueshëm, planifikim të kujdesshëm të burimeve, kontroll të vazhdueshëm të kostove dhe menaxhim të të ardhurave.
Zhvillimi i fermave bujqësore moderne, kërkon jo vetëm aftësi profesionale dhe teknike për procesin e prodhimit, shërbimet agroteknike, por edhe mbështetje financiare.
Subvencionet dhe grandet si instrumente të mbështetjes financiare, u ofrohen fermerëve dhe fermave bujqësore nga agjensitë publike, organizatat ndërkombëtare, donatorë:
për të nxitur investimet në fermat bujqësore,
zbatimin e teknologjive dhe praktikave inovative në fermat bujqësore,
diversifikimin e aktiviteteve në fermat bujqësore,
rritjen e të ardhurave dhe produktivitetit të fermave bujqësore,
për nxitjen dhe mbështetjen e iniciativave sipërmarrëse të të rinjve në zonat rurale,
për përmirësimin e cilësisë së produkteve dhe standardeve të sigurisë ushqimore,
për të rritur konkurueshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit rural.
🎯 Skemat e mbështetjes dhe burimet e financimit, për investimet në fermat bujqësore përfshijnë:
Skemat Kombëtare të Mbështetjes – subvencione dhe grande direkte nga MBZHR, përmes Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZhBR),
Fondet IPARD – Programi i BE për zhvillim rural,
Kredi nga institucionet mikrofinanciare dhe bankat tregtare,
Fondet për Inovacionin, (në bashkëpunim me agjensi kombëtare, ndërkombëtare dhe donatorë të tjerë),
Start-up Albania, Programe të Ministrive (MBZHR, MFE, etj.).
🎯 Roli i mbështetjes financiare për aktivitetet e fermave bujqësore, synon:
Rritjen e investimeve, zbatimin e teknologjive dhe praktikave inovative në fermat bujqësore,
Diversifikimin e aktiviteteve në fermat bujqësore, rritjen e të ardhurave dhe produktivitetit të fermave bujqësore,
Mundësi punësimi dhe vetëpunësimi, për iniciativat sipërmarrëse të të rinjve në zonat rurale përmes njohurive dhe kapaciteteve të tyre profesionale.
Rritjen e konkurueshmërisë të sektorit rural, përmirësimin e standardeve të sigurisë ushqimoredhe rritjen e eksportit të produkteve bujqësore.
🎯 Skemat kombëtare për vitin 2026, informacion për aplikimin dhe dokumentacionin përkatës
Përfitues për masat mbështetëse të mësipërme mund të jenë fermerë individualë, grup fermerësh, persona fizikë, juridikë, SHBB.
Të gjithë aplikantët me status fermer ose person fizik/juridik që kryejnë aktivitet për prodhimin bujqësor dhe blegtoral, para aplikimit duhet të plotësojnë/përditësojnë Regjistrin e Fermës.
Aplikimet për masat mbështetëse, do të bëhen nga data: 25 Maj 2026 - 06 Korrik 2026.
Informacioni për mënyrën e aplikimit, kriteret e përfitimit dhe dokumentacionit, ofrohet pranë Agropikave, zyrave të AREB dhe AZHBR si dhe online: www.azhbr.gov.al.
Aplikimet për masat mbështetëse direkte, me nr. 1-9, do të bëhen online.
Aplikimi online, do të bëhet nga aplikanti në portalin e-Albania”, mbi bazën e parimit “zero dokumente” në momentin e aplikimit.
Procedura e aplikimit nga portali e-Albania, përfundon me dërgimin me sukses të formatit elektronik të formularit të aplikimit.
Aplikimet për masat mbështetëse të investimeve me nr. 10-12, do të bëhen me dosje fizike pranë zyrave të AZhBR.
Për qëllim indentifikimi, aplikanti sipas statusit përkatës (fermer individual/ person fizik/juridik, SHBB), duhet të paraqitet në zyrat e AZHBR me dokument identifikimi.
🎯 Skemat kombëtare për vitin 2026, kriteret e përfitimit:
Aplikanti duhet të jetë shtetas shqiptar ose person juridik ku të paktën njëri prej ortakëve/aksionarëve është shtetas shqiptar.
Përfitues sipas masave mbështetëse mund të jenë fermerë individualë, grup fermerësh, personat me status fizik, juridik, Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB)-të.
Fermerët individualë të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv.
SHBB-të dhe personat fizikë dhe juridikë të jenë të pajisur me NIPT/NUIS me status aktiv sipas fushës së veprimtarisë/aktivitetit që aplikojnë.
Për masat mbështetëse, 1-8, përfituesi me statusin fermer individual, duhet të këtë bërë shlyerjen e sigurimeve shoqërore.
Faturat për masat mbështetëse, në përputhje me kriteret përkatëse, duhet të jenë të lëshuara gjatë periudhës 2025-206.
Financimi i shumës së përfituar, bëhet në bankat e nivelit të dytë.
Përfituesi (ortakët, përfaqësuesi ligjor, anëtarët e SHBB-së), nuk duhet të jenë debitorë ndaj AZHBR dhe MBZHR.
Aplikanti angazhihet të përmbushë kushtëzimet/detyrimet e përfitimit të pagesave sipas masave mbështetëse.
Për masat mbeshtetëse të investimeve 10-12, ndërtimit, pajisjet, makineritë, faturat/aktet e zhdoganimit dhe transaksionet bankare, duhet të jenë pas datës së lidhjes së kontratës.
Të gjitha mallrat, materialet, makineritë, pajisjet të jenë të reja.
Përfituesi nga masat e investimeve, me statusin fermer individual, duhet të këtë shlyer detyrimet për sigurimet shoqërore.
Për investimet, ofertat/faturat në valutë të huaj do të zbatohet kursi i këmbimit të Bankës së Shqipërisë në ditën e hapjes së aplikimit.
Faturat/aktet e zhdoganimit, për masat mbështetëse direkte në përputhje me kriteret përkatëse.
I gjithë dokumentacioni i kërkuar të jetë në gjuhën shqipe ose në rast se është në gjuhë të huaj të jetë i përkthyer nga një përkthyes i autorizuar.
Për masat e investimeve, dokumentacioni i kërkuar (fotokopje), duhet të jetë i noterizuar.
🎯Kush do ta ndihmojë/asistojë fermerin/aplikantin për aplikimin për skemat mbështetëse?
Specialistët pranë Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB),
Specialistët, pranë zyrave të Agropikave,
Specialistët, pranë zyrave të AZhBR,
Bashkëpunimi dhe konsulencë nga ekspertë, ekstensionistë, akademikë, agjenci publike,
🎯 Skemat kombëtare për vitin 2026, dokumentacioni i nevojshëm për aplikimin.
Formulari i aplikimit për masën mbështetëse përkatëse;
Të dhënat e kartës së identitetit të aplikantit;
Dokumenti që vërteton statusin e aplikantit (fermer, person fizik/juridik, SHBB);
Konfirmimi që aplikanti (ortakët, përfaqësuesi ligjor, anëtarët e SHBB-së), nuk janë debitor ndaj AZHBR-së dhe MBZHR-së;
Dokumenti, “Për shlyerjen koherente të sigurimeve shoqërore”;
Dokumenti, që konfirmon shlyerjen e detyrimeve tatimore;
Leje apo licenca për masat përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi;
Regjistri elektronik i blegtorisë (Sistemin e Indentifikimit dhe Regjistrimit të Kafshëve/RUDA) dhe bletarisë;
Dokumentin e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
🎯 Masat mbështetëse dhe financimit, nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për skemën kombëtare për vitin 2026, janë si vijon:
Masa 1.Pagesa në vlerën deri në 12.000 (dymbëdhjetë mijë) lekë/krerë,për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermer/aplikant me jo më pak se 5 (pesë) krerë lopë dhe /ose mëshqera. Për pjesën mbi 50 (pesëdhjetë) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB)”.
Masa 2.Pagesa në vlerën deri në 1.500 (njëmijë e pesëqind) lekë/krerë,për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermer/aplikant me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) krerë dele dhe/ose dhi. Për pjesën mbi 300 (treqind) krerë masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “SHBB”.
Masa 3.Mbarështimi i bletarisë në vlerën deri në 2.000 (dy mijë) lekë për zgjua, për fermer/aplikant me jo më pak se 25 (njëzet e pesë) zgjoje. Për pjesën mbi 150 (njëqind e pesëdhjetë) zgjoje, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “SHBB”.
Masa 4.Pagesa për dosa dhe/ose paradosa të matrikulluara në vlerën deri në 7.000 (shtatë mijë) lekë/krerë dosë/paradosë, për fermer/aplikant me jo më pak se 5 (pesë) krerë dosa dhe/ose paradosa. Për pjesën mbi 100 (njëqind) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “SHBB.
Masa 5.Pagesa për kontrollin biologjik të dëmtuesve të perimeve (domate, speca, tranguj), në sera dhe/ose luleshtrydheve në tunele plastike. Masa e përfitimit është 70 (shtatëdhjetë) % e vlerës totale të faturave tatimore, për blerjen e materialeve biologjike, përfshirë insektet e dobishëm, por jo më shumë se 40.000 (dyzet mijë) lekë për dynym në rastin e dy mbjelljeve në vit. Për fermerët individual, që aplikojnë për mbështetje për kontrollin biologjik, sipërfaqja minimale e kultivuar është 1 (një) dynym, ndërsa për aplikantët me status “SHBB” sipërfaqja minimale është 1 (një) ha, për secilën nga mbjelljet.
Masa 6.Fermat organike për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100.000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë 150.000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, vitin e tretë 150.000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200.000 (dyqind mijë) lekë për fermë të certifikuar.
Masa 7.Implementimi dhe certifikimi global Good Agricultural Practices (GAP), përfshirë mbulimin e kostove të analizave të produkteve, në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, në masën 50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturës tatimore:
por jo më shumë se 175.000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha për certifikim individual;
por jo më shumë se 500.000 (pesëqind mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 (tre) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 (dhjetë) ha në fushë të hapur, për certifikim në grup me minimum 10 (dhjetë) fermerë të përfshirë;
por jo më shumë se 700.000 (shtatëqind mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 15 (pesëmbëdhjetë) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 30 (tridhjetë) ha në fushë të hapur, për certifikim në grup me minimum 20 (njëzet) fermerë të përfshirë.
Masa 8.Pagesa, në vlerën deri në 10.000 (dhjetë mijë) lekë për ha,sipërfaqe të mbjellë me kultura bujqësore. Sipërfaqja totale për të cilën aplikohet duhet të jetë jo më pak se 3 (tre) ha. Për sipërfaqe mbi 10 (dhjetë) ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “SHBB”.
Masa 9.Mbështetje për aktivitetin ripopullim peshkimipër ujërat e brendshme për blerje rasate peshku. Masa e përfitimit të jetë në 50 (pesëdhjetë) % e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 200.000 (dyqind mijë) lekë për subjekt.
Masa 10.Për fermerë të rinj, për investime në ferma bujqësore dhe blegtorale, masa e përfitimit është në 70% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1.000.000 (një milion) lekë.
Masa 11.Për ndërtimin/rikonstruksionin e staneve dhe/ose pajisjeve për përmirësimin e kushteve, masa e përfitimit është në 70% të vlerës së faturave tatimore, por jo më shumë se 3.000.000 (tre milionë) lekë për subjekt.
Masa 12. Për pajisje, makineri dhe mjete bujqësore për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në ferma bujqësore dhe blegtorale, masa e përfitimit është në 50% të vlerës së faturave tatimore, por jo më shumë se 500.000 (pesëqind mijë) lekë dhe jo më pak se 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë për subjekt.
🎯 Sfidat dhe problematika për mbështetjen financiare të fermave bujqësore
Mbajtja e rregullt e dokumentacionit nga fermerët, për aktivitetet në fermën bujqësore,
Plotësimi dhe përditësimi nga fermerët në mënyrë periodike i rregjistrit të fermës,
Konsulencë dhe assistencë nga zyrat përkatëse për plotësimin dhe përgatitjen e dokumentacionit, për aplikimin në skemat mbështetëse,
Ofrimi i ekspertizës profesionale për përgatitjen e planit të biznesit dhe pasqyrave financiare,
Bashkëpunimi me ekspertë, ekstensionistë, akademikë, agjenci publike dhe organizata profesionale për përgatitjen e dokumentacionit,
Trajnime dhe udhëzime për aplikimin, sesione informuese nga agjensitë përkatëse,
Informimi përmes platformave dhe faqeve të web, si e-Albania, AZhBR, etj.
🎯 Përfundime dhe këshilla praktike për mbështetjen financiare të fermerëve, për investimet e tyre në fermat bujqësore.
Skemat e mbështetjes financiare, luajnë një rol të rëndësishëm për aktivitetet e fermave bujqësore dhe blegtorale në drejtim të:
Rritjes dhe efektivitetit të kryerjes së investimeve në fermat bujqësore,
Zbatimit të teknologjive bashkëkohore dhe praktikave inovative në fermat bujqësore,
Diversifikimin e aktiviteteve në fermat bujqësore,
Rritjen e të ardhurave dhe produktivitetit të fermave bujqësore,
Nxitjen dhe mbështetjen e iniciativave sipërmarrëse të të rinjve në zonat rurale,
Përmirësim e cilësisë së produkteve dhe standardeve të sigurisë ushqimore,
Rritjen e konkurueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit rural.