“ABA Online është një themel për të ngritur bujqësinë moderne në vend.”
Vendosur në Shirgjan të Elbasanit, Z. Ramazan Hoxha është një fermer i cili merret me rritjen e pemëve frutore dhe vreshtari. Z. Ramazan ka mbaruar studimet e larta për agronomi dhe ekonomi, por ndër vite është specializuar edhe në fushën e menaxhimit dhe financave.
Gjatë viteve të komunizmit në Shqipëri, Z. Ramazan na shpjegoi se familja e tij ka kaluar një periudhe të veshtirë. Pavarësisht aftësive të tij menaxheriale dhe profesionit si agronom, regjimi komunist nuk i ofroi mundësi për tu rritur. Gjatë këtyre viteve, z. Ramazan na tregoi se bashkë me bashkëshorten zhvilluan në fshehtësi pasionin e tyre për rrobaqepsinë. Gjatë atyre viteve, Z. Ramazan, me mjeshtërinë e tij krenohet se ka trajnuar kaq shumë të rinj, shumica e tyre me emër sot në fushën e modës në Shqipëri. |
Me ardhjen e demokracisë, pasioni për të bukurën, bujqësinë, vendin ku jetonte dhe disiplina e Z. Ramazan në punë, u zhvilluan me shpejtësi. Fillimisht, z. Ramazan ndërtoi një pemishte pranë shtëpisë dhe u mor me aktivitet tregtar. Njëkohësisht, shërbeu në komunitetin e tij si Sekretar Komune dhe mbajti funksione të tjera në administratën shtetërore, për plot 12 vjet.
Me iniciativën dhe këmbënguljen për të investuar në komunitet, z. Ramazan u përzgjodh President Shoqate për menaxhimin e ujësjellësit për vaditje për të gjithë fushën e Elbasanit. “Të gjitha kanalet vaditëse janë hedhur me beton, u bë një punë shembullore. Ende dhe sot ato kanale janë funksionale dhe në gjendje shumë të mirë pune”, krenohet z. Ramazan gjatë rikujtimit të punës së tij ndër vite. Kishte shumë emocion tek kujtonte ekipin e punës dhe shprehte një vlerësim dhe mirënjohje për punën e gjithësecilit.
Sot ai zotëron parcela me agrume dhe vreshta. Falë profesionit të tij si agronom, Z. Ramazan gjithashtu tregton inpute bujqësore dhe këshillon të gjithë fermerët e zonës ndër vite lidhur me përdorimin e duhur të farave, fidaneve apo plehërave organike apo pesticideve.
Me angazhimin e tij professional prej 22 vitesh si Kryetari i Bordit për rrethin e Elbasanit ndër vite në SHKK FED invest, Z. Ramazan njeh mirë fermerët e zonës dhe problematikat e tyre të ditës. Ky jetëshkrim i shkurtër, por shumë njerëzor për historinë e suksesit të z. Ramazan Hoxha na bën të gjithëve krenarë për punën e tij të palodhur ndër vite. Falë kësaj eksperience pune shumëvjeçare, edhe në fusha të ndryshme, Z. Ramazan është anëtar i Ekipit të Opinionisteve të Qendrës ABA. Ai përfaqëson rajonin e Elbasanit, shpreh gjatë takimeve me Ekipin ABA të gjitha kërkesat dhe nevojat e fermerëve nga terreni dhe është promotori më i zjarrtë i ABA Online në zonë.
Duke i uruar shumë suksese Z. Ramazan, e falenderojmë për gjithë angazhimin e tij me Qendrën ABA dhe ABA Online.
Shpërndaj në rrjetet sociale: