KRASITJA NË AGRUME




Krasitja në agrume është një ndër masat agronomike më të rëndësishme dhe të domosdoshme, e cila synon të ndryshojë rritjen natyrale të bimës duke drejtuar rritjen dhe prodhimin e saj.

Si ndikon krasitja në agrume?

  • Krasitja në agrume është një operacion që kryhet mbi organet e gjalla të bimës, ku çdo veprim jep një reaksion të caktuar.
  • Njohja e reaksioneve të mundshme nga operacionet e krasitjes është domosdoshmëri për të patur sukses me krasitjen.
  • Ndryshimet janë në drejtim të fuqisë së rritjes dhe natyrës së frutifikimit.
  • Krasitja ndihmon në balancimin e shpejtë të rritjes dhe formimit të elementëve të frutifikimit

Në rastin e rritjes pakësohet numri i përgjithshëm i sythave duke nxitur furnizimin më të mirë të tyre me lëndë ushqimore dhe hormonale të rritjes e për rrjedhojë favorizojnë rritjen dhe formimin e një kurore optimale në kohë të shpejtë.

Në rastin e frutifikimit lënia më shumë e sythave kërkon më shumë lëndë ushqyese dhe hormonale duke frenuar deri diku rritjen e fuqishme dhe favorizuar rritjen e elementëve frutifikues.

Niveli i krasitjes varet dhe nga faktorë të tjerë si: nënshartesa, lartësia e shartimit (bimët e shartuar lart rriten ngadalë) krahasuar me bimët që shartohen afër tokës, tipi i tokës dhe niveli i pjellorisë së saj.

Natyra e frutëzimit të species luan një rol të rëndësishëm mbi natyrën e krasitjes, kështu mandarina, konkuati frutifikojnë më shumë në degëzat e vitit të mëparshëm, kërkojnë krasitje më të fortë krahasuar me speciet që frutifikojnë mbi lastarët e vitit. Një veprim i kundërt pa dyshim të çon në prishjen e ekuilibrave biologjikë. Element tjetër i rëndësishëm është vendosja e një ekuilibri midis degëzave me zhvillim të ndryshëm brënda të njëjtës bimë.

Kujdes! Degët më të fuqishme krasiten më fortë se degët e dobëta.

Agrumet krijojnë një masë të madhe vegjetative e cila pengon depërtimin e dritës në brëndësi të kurorës. Një dukuri e tillë në shumë raste çon në formimin e frutave jo cilësore. Krasitja në agrume duhet të zgjidhë mirë problemin e ajrosjes dhe të dritës në të gjitha pjesët e kurorës, nga ku kurora duhet të ketë një zhvillim harmonik.

Të gjithë mjetet krasitëse duhet të dezinfektohen me lëng bordolez 2 %. 

Agrumet kërkojnë krasitje të përvitshme, por të moderuar. Një kujdes i veçantë e i domosdoshëm është dezinfektimi i plagëve, sidomos i atyre që janë me diametër mbi 1.5 cm. Në qoftësë nuk dezinfektohen ato janë porta hyrëse për patogjenët kërpudhore e bakterialë. 

KUJDES! Plagët e mëdha patjetër që duhet të izolohen me mastiç organik.
KUJDES! Koha e kryerjes së krasitjes pasi të jetë shmangur totalisht rreziku i ngricave.

Cilat jane llojet e krasitjes ne agrume?
Krasitja, që bëhet në agrume është një ndërhyrje e domosdoshme për të balancuar degët në  kurorë me fuqinë e sistemit rrënjor, për të krijuar hapësirat e mjaftueshme në kurorë, për të lejuar depërtimin e dritës së diellit, burimit të energjisë fotosintetizuese dhe për të lejuar qarkullimin e mirë të ajrit, pengues të zhvillimit të sëmundjeve e dëmtuesve. 

Me anë të krasitjes bima shëndoshet dhe formon kurorë të zhvilluar e të ekuilibruar. Ajo, si masë e rëndësishme agroteknike nis, që në fazën e prodhimit të fidanit me shartim, me heqjen e gjembave të trungut dhe të thithakëve që dalin nga sythat e trungut deri në lartësinë e shartimit, kushtëzuar nga nënshartesa e mbaron me plakjen e tharjen e bimës.

Krasitja rritëse e formuese.
Krasitja formuese është e domosdoshme të bëhet menjëherë pas shartimit e zënies së sythave apo kalemave, me prerjen e gjithë masës ajrore 1.5 cm mbi pikën e shartimit, kur nëpërmjet tëharrjes bëhet largimi i thithakëve e lastarëve dublues nga sythi, heqia e sqetullorëve të mbishartesës deri në lartësine e formimit të kurorës e pincimi i lastarit kryesor në lartesinë 50 - 60 cm, për formimin e 3 - 4 degëve skeletore.

Edhe pas mbjelljes në vendin e përhershëm, vazhdohet me heqjen e sqetullorëve, largimin e degëve të tepërta e formimin e kurorës së dëshiruar në bimë. Krasitja formuese vazhdon deri në kohën e futjes në prodhim të kultivarit. Pincimi i degëzimeve të ndryshme duhet të bëhet në mënyrë graduale çdo 10 - 15 ditë, duke pincuar më parë ato që konkurojnë udhëheqësin. 

Lartësia e trungut shkon 1.2 - 1.5 m dhe forma e përgjithshme e kurorës është globoze deri në konike.

Krasitja prodhuese.
Pas hyrjes në prodhim, përsëri punohet në kurorën e bimës agrumore për të nxitur rritjen bimore dhe atë gjenerative në proporcion të drejtë si dhe për të përmirësuar ajrimin e ndriçimin. Punohet me heqjen e degëve të qendrës, të degëve që kryqëzohen e fërkohen me njëra - tjetrën e të degëve që hijezojnë të tjerat, të thithakëve që dalin në trung e në vende të pa nevojshme të kurorës dhe mbi të gjitha të degëve të thata

Flitet me gjuhen popullore që,”agrumja vetëkrasitet’’. Kjo është pak a shumë e vërtetë, po të kemi parasysh që kurora vegjetative e gjenerative është e varur nga funksionimi i sistemit rrënjor dhe funksionimi i gjetheve e lëkurës së lastarëve të rinj si organe të fotosintezës. 

Janë një serë faktorësh që shkaktojnë tharje të lastarëve të rinj e të vjetër:

  • Së pari faktori ushqimor është kryesor.
  • Së dyti, tharje të degëzave e lastarëve shkaktohen dhe nga sëmundje virusale në bimët e paçertifikuara, gjë që vërtetohet pas ekzaminimeve nga specialistë të mbrojtjes së bimëve. Në të tilla raste mjetet e krasitjes dizinfektohen pas çdo prerje që bëhet në këto degëza të thara duke i futur këto mjete në tretësirë oksiklorur bakri 2-3% etj.

Krasitja e agrumeve me gjelbërim gjithëvjetor bëhet pas kalimit të rrezikut të ngricave e me fillimin e zhvillimit bimor, që përkon me gjysmën e dytë të muajit Mars. Krasitja mund të vazhdojë pa asnjë problem për shëndetin e bimës edhe gjatë muajve prill e maj. Të gjitha prerjet, që bëhen në kurorë, duhet të jenë të pjerrëta e të lëmuara dhe të dizinfektuara me pastë bordolezi 5% apo ndonjë fungicid tjetër. Krasitja prodhuese duhet t'i përshtatet natyrës së species dhe gjendjes së bimës. Bazuar në mënyren dhe fuqinë e zhvillimit të kurorës, forca e krasitjes në specie të ndryshme është e ndryshme. 

Bëhet më lehtë tek limonat, greipfrutet, mandarinat dhe portokalli “Valencia’’, më rëndë tek portokalli “Navel’’ e ”Jaffa’’ dhe mandarinat e tjera, e shumë më rëndë tek qitro, mandarina “Satsuma’’, “Kinoti’’ dhe” Kunkuati”.

Krasitja ripërtëritëse.
Bëhet kur duam që të sjellim një bimë të plakur në gjendje prodhuese. Kurrë nuk duhet të bëjmë prerje për të dobësuar gjithë bimën, por degët e dobësuara që duken me sy, të cilat nuk prodhojnë ose prodhojnë shumë pak.

Krasitja ripërtëritëse në agrume mund të jetë e rëndë ose e lehtë.

Krasitje e  rëndë mund të bëhet kur agrumet kalojnë moshën mbi 80 vjet e në trung krijohen gunga nga dalin thithakë, që duke u kultivuar mund të vlejnë për zëvendësimin e degëve kryesore. Prerjet bëhen diçka më lart se pika e daljes së degës së re, që do të bëhet kurorë në të ardhmen.

Krasitje e lehtë bëhet kur ndërhyhet në degët e dyta dhe të treta skeletore.

Krasitja ripërtëritëse në bimët që janë pak a shumë në gjendje të mirë nuk duhet të bëhet menjëherë, por gradualisht në disa vjet. E rëndësishme në këtë formë krasitje është zgjedhja e elementëve që do të zëvendësojnë degët përkatëse. Pas prerjeve të rënda, agrumet formojnë shumë thithakë, që duhen pastruar e lënë ata që janë më të nevojshëm për mbushjen e kurorës në vitet e ardhshëm.

Data e publikimit: 28/04/2023


Lini një koment


Komente të mëparshme
Faleminderit

-Agron Konda


Shpërndaj në rrjetet sociale:

KANCERI BAKTERIAL (XANTHOMONAS CITRI PV. CITRI) NË AGRUME DHE MENAXHIMI I SAJ

Cilat janë shenjat dalluese (simptomat) të sëmundjes dhe si bëhet parandalimi i saj?

Lexo më shumë

SI KONTROLLOHET DHE PARANDALOHET SËMUNDJA?

Si zhvillohet dhe përhapet sëmundja?

Lexo më shumë

KONTROLLI I TENJËS MINUSE TË AGRUMEVE PHYLLOCNISTIS CITRELLA

Tenja minuese e agrumeve këto vitet e fundit është kthyer në një problem shqetësues për agrumet që kultivohen në pellgun e mesdheut.

Lexo më shumë

CILA ËSHTË ECURIA BIOLOGJIKE E TENJËS SË AGRUMEVE?

Tenja minuese e agrumeve ka katër faza të jetës: veza, larva, pupa dhe insekti i rritur

Lexo më shumë