Histori suksesi - Fotaq Bufi




Nga një dyqan i vogël në fillim të viteve '90 drejt zgjerimit të një biznesi familjar në zemër të Rivierës Shqiptare

Në Qeparo, një nga fshatrat më të bukur të Rivierës Shqiptare, ku deti Jon takon ullishtat shekullore dhe mikpritja është pjesë e traditës, historia e familjes Bufi është një shembull se si puna e ndershme, këmbëngulja dhe vizioni afatgjatë mund të ndërtojnë një biznes të qëndrueshëm. Gjithçka nisi në fillim të viteve '90. Në një kohë kur ekonomia shqiptare po hidhte hapat e parë drejt sipërmarrjes private, Fotaq Bufi vendosi të hapte një dyqan të vogël për t'u shërbyer banorëve të zonës. Ishte një biznes modest, por i ngritur mbi parimin se klienti duhet të largohet gjithmonë i kënaqur. Me kalimin e viteve, puna e palodhur, korrektësia dhe investimet e vazhdueshme e kthyen atë dyqan të vogël në Market Riviera, një supermarket familjar i njohur përgjatë rrugës kombëtare në Qeparo. Sot ai është një pikë referimi jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për mijëra turistë vendas e të huaj që vizitojnë bregdetin shqiptar gjatë sezonit veror. Por për familjen Bufi zhvillimi nuk ka ndalur kurrë. Kur vizituam Market Riviera, biznesi ishte në proces zgjerimi. Fillimisht menduam se po ndërtoheshin ambiente akomodimi për turistët, por djali i madh i familjes, Anastasi Bufi, na shpjegoi se investimi kishte një tjetër qëllim.

"Po zgjerojmë biznesin ekzistues. Babai ka vendosur të krijojë edhe një ambient të ri ku do të ofrojmë produkte të freskëta brumi, bukë dhe ëmbëlsira artizanale."

Për këtë projekt është angazhuar edhe djali më i vogël i familjes, i cili ndodhet në Greqi për të mësuar receta dhe teknika bashkëkohore të pastiçerisë, me synimin që eksperiencën e fituar ta sjellë në biznesin familjar. Edhe Anastasi ka provuar rrugën e emigrimit. Si shumë të rinj shqiptarë, ai shkoi në Greqi me dëshirën për të provuar jetën jashtë vendit.

"Qëndrova vetëm tre muaj," tregon ai. "E kuptova se e ardhmja ime ishte këtu, pranë familjes dhe biznesit që babai kishte ngritur me aq mund."

Sot ai është pjesë e përditshme e aktivitetit dhe beson se investimi më i mirë është ai që bëhet në vendin tënd. Në këtë rrugëtim më shumë se tredekadësh, një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe FED invest. Në momentet kyçe të zhvillimit të biznesit, institucioni ka qenë pranë familjes Bufi me financimin e nevojshëm, duke u dhënë mundësinë të realizojnë investimet sipas planeve të tyre. Edhe zgjerimi aktual i Market Riviera po mbështetet nga FED invest, duke dëshmuar edhe një herë misionin e tij për t'u gjendur pranë anëtarëve në kohën e duhur, me kredi që ndihmojnë zhvillimin e sipërmarrjeve familjare. Sot, Market Riviera nuk është vetëm një supermarket. Ai është historia e një familjeje që nuk u mjaftua me atë që kishte arritur, por vazhdon të investojë, të modernizohet dhe të krijojë mundësi të reja. Me zgjerimin e aktivitetit dhe hapjen e sektorit të produkteve të brumit dhe ëmbëlsirave, familja Bufi synon t'u ofrojë banorëve dhe turistëve një shërbim edhe më cilësor, duke shtuar vlerë në ofertën turistike të Qeparos.

Historia e Fotaq Bufit dëshmon se suksesi nuk ndërtohet brenda natës. Ai është rezultat i punës së përditshme, përkushtimit të familjes, besimit te vendi ku jeton dhe mbështetjes së partnerëve të duhur. Nga një dyqan i vogël në fillim të viteve '90, deri te një biznes i konsoliduar që vazhdon të zgjerohet, kjo është historia e një sipërmarrësi që ka zgjedhur të investojë në vendlindje dhe të ndërtojë të ardhmen aty ku nisi gjithçka.

Data e publikimit: 27/07/2026


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: