Në varësi nga proceset dhe aktorët e përfshirë, Zinxhiri i Vlerës mund të jetë i ndryshëm.
Zinxhir Vlere i gjatë, që nënkupton një proces të gjatë dhe kompleks me shumë aktorë të përfshirë. Një zinxhir vlere i tillë është ai që mund të përfshijë për shembull ofrimin e lëndës së parë dhe shërbimeve, prodhimin, përpunimin, transportin, tregtimin, ofrimin e shërbimeve financiare, ofrimin e shërbimit të marketingut, etj. Secili nga proceset e përshkruara realizohet nga individë ose grupe të veçantë të cilët rrisin më tej vlerën e produktit në secilën hallkë të zinxhirit. Natyrisht në këtë rast përfitimet që krijohen nga i gjithë zinxhiri i vlerës ndahen ndërmjet aktorëve të secilës hallkë të zinxhirit në mënyrë jo proporcionale.
Në këtë rast ju si fermer jeni pjesë e hallkës së prodhimit, ju blini inputet nga hallka të tjera dhe shisni produktin në hallka të tjera, ku secila prej tyre krijon një vlerë të caktuar mbi produktin. Në këtë rast ju ndodheni nën presionin e çmimit të dy-anshëm, si presionin e ushtruar nga tregtuesit e inputeve dhe shërbimeve ashtu edhe nën presionin e blerësit të produktit tuaj.
Zinxhir Vlere i shkurtër nënkupton një proces të shkurtër dhe të thjeshtë, ku pjesa më e madhe e vlerave realizohen brenda një hallke të zinxhirit. Një rast i tillë mund të jetë një fermë blegtorale që zhvillon për shembull aktivitet agro-turizmi. Ferma shkurton zinxhirin e vlerës duke u shndërruar në prodhuese të qumështit dhe mishit, prodhuese të nënprodukteve të tyre si dhe garanton konsumin brenda njësisë agro-turistike si për produktet e freskëta ashtu edhe për ato të përpunuara. Vlera e produktit shtohet brenda për brenda vetë njësisë prodhuese-përpunuese-konsumuese që është ferma agro-turistike. Një rast i tillë i zinxhirit të vlerës njihet edhe si kilometri “0”, pra produkti i prodhuar, përpunohet dhe konsumohet në zonë pa patur nevojën e transportit të mëtejshëm dhe kalimit nga njëri operator i hallkave të zinxhirit në një operator tjetër. Në zinxhirin e shkurtër një vlerë e konsiderueshme e fitimit qarkullon dhe mbetet brenda fermës agro-turistike.
Përgjatë zinxhirit të vlerës ndodh përmirësimi i produktit dhe procesit. Ky përmirësim nënkupton kryerjen e më shumë operacioneve dhe kryerjen e tyre me një cilësi më të lartë, duke rritur efiçencën e proceseve të prodhimit si dhe cilësisë së produktit e duke mundësuar përmbushjen e kërkesave të blerësve. Kështu ju si fermer i prodhimit të qumështit duke e ftohur qumështin në tankun ftohës menjëherë pas mjeljes mundësoni prodhimin e një produkti më cilësor.
Përgjatë zinxhirit të vlerës ndodh gjithashtu përmirësimi i funksioneve. Kështu në fermën tuaj duke prodhuar një bar jonxhe më cilësor ju keni përmirësuar sasinë e prodhimit dhe efiçencën e tij.
Ekonomia lineare është pjesë e një zinxhiri linear, ku burimet shfrytëzohen për të krijuar produkte që shndërrohen në mbeturina të pa-përdorshme. Produktet dhe materialet përgjithësisht nuk përdoren në potencialin e tyre të plotë duke lëvizur në të njëjtin drejtim nga lënda e parë në mbeturinë. Ekonomia lineare shoqërohet me degradim të burimeve natyrore. Rast i ekonomisë lineare janë degradimi i tokës nga mbi-shfrytëzimi i saj, ose jashtëqitjet e pa-përpunuara dhe të papërdorura të kafshëve në fermën tuaj.
Ekonomia qarkulluese. Në ekonominë qarkulluese produkti mund të ndahet, të ripërdoret, të riparohet, të riciklohet për aq herë sa është e mundur. Rast i tillë është për shembull kompostimi i jashtëqitjeve të kafshëve si dhe mbeturinave të ushqimeve të pa konsumuara nga kafshët. Produkti i kompostimit, pra plehu i përpunuar që përftohet mund të riciklohet duke u përdorur si një burim organik për rritjen e pjellorisë së tokës.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Ofrimi i melasës shërben shërben si një prej mundësive për plotësimin e këtyre mungesave duke mundësuar përmirësime në drejtime të ndryshme të aktivitetit të lopëve, të cilat sjellin si rezultat shtimin e sasisë së qumështit të prodhuar.
Lexo më shumëCilat janë disa nga mënyrat e përzierjes së Melasës me drithërat që prodhoni vetë në fermë (ose blini nga ferma të tjera, ose furnizuesit e inputeve bujqësore)?
Lexo më shumëNë ndërtimin e stallave mbani parasysh respektimin e normave bazë që lidhen me hapsirën e nevojshme sipas kategorisë së kafshëve, hapsirat për ushqim e ujë-pirje, për t'i siguruar atyre kushte të përshtatshme për prodhim e riprodhim si dhe mirëqenie të përgjithshme.
Lexo më shumëÇfarë janë lythat dhe si mund t'i parandalojmë?
Lexo më shumë