Aguliçja (latinisht Primula officinalis) është bimë barishtore shumëvjeçare që rritet e lartë 10 - 30 cm. Aguliçja është ndër lulet e para që lulëzon para ardhjes së pranverës. Emri vjen nga fjala latine “primus”, që do të thotë “i parë”. Lulëzon në periudhën prill-maj. Aguliçja është me origjinë nga Evropa Lindore, por më shumë njihet dhe si bimë autoktone e zonave të freskëta që shkon 700, 800 m deri 2000 m lartësi.
Gjethet janë vezake, llapa e së cilës ngushtohet në drejtim të bishtit, me dhëmbëzim jo të njëjtë anash, me push ose pothuajse pa push në faqen e poshtme, e rrudhosur, me nervurat në formë rrjeti. Kërcelli lulembajtëse është më i gjatë se gjethet dhe mbulohet me një push të imët. Lulet kanë formë kambane me bisht të gjatë, me ngjyrë të verdhë squfuri, ndonjëherë të kuqërremta, me erë të spikatur, të vendosura në një lulesë shumëlulëshe me bishta të hollë, me push të imët e të harkuar nga e njëjta anë.
Cilat janë përfitimet mjekësore të aguliçes?
Aguliçja nuk njihet vetëm si lajmëtarja e pranverës, por edhe si një bimë me vlera të mëdha në mjekësinë popullore për kurimin ndaj ftohjes, kollës, bronkiteve, kundra gëlbazës etj. Tek aguliçja gjenden saponina, enzima, kripëra minerale, vitaminë C, vajra esencialë etj. Saponinet tritepenike (5-10%) që përmban, kanë veti ekspektorante dhe sekretolitike, për rrjedhojë kjo bimë përdoret si nxitës për nxjerrjen e gëlbazës, kundër ftohjes, bronkiteve akute, enfizemës së mushkërive, zbut lodhjen, marramendjen, pagjumësinë, depresionin, largon kollën etj. Përdoren të gjitha pjesët e bimës si lulet, rizomat ashtu dhe gjethet.
Nuk rekomandohet për gratë shtatzëna dhe nënat që ushqejnë fëmijët me gji, për shkak të saponinës, e cila mund të shkaktojë pasoja të padëshiruara.
Kërkesat për klimën e tokën
Aguliçja është bimë që u takon kryesisht zonave të freskëta dhe lagështi mesatare. Megjithëse ka kërkesa për dritë nuk ka nevojë që të ketë ekspozicion nga dielli. Mund të rritet dhe zhvillohet mirë edhe nën hijen e pemëve dhe i reziston të ftohtit. Në gjendje të egër më shumë zhvillohet rrëzë mureve, në skutat e pemëve dhe aty ku erërat grumbullojnë gjethe gjatë dimrit.
Në vendin tonë kjo bimë gjen kushte të përshtatshme zhvillimi dhe rritje në lartësi 800-1300 m mbi nivelin e detit. Nuk e duron thatësirën, preferon terrene livadhesh alpine, me një p.h. acid deri neutral dhe me një shtresë të mirë humusi. Tokat ku mund të mbillet dhe gjen përshtatshmëri aguliçja për zhvillim duhet të jenë të shkrifëta, të lehta, me lagështi normale, të pasura në humus, në lëndë organike, gjysmë të hijezuara dhe me kundër-drejtim verior.
Si shumëzohet aguliçja?
Aguliçja mund të shumëzohet me farë, me fidan dhe me bulbe me ndarje (me copa bimore).
Mbjellja me farë direkt në tokë nuk rekomandohet, por edhe nëse bëhet mbjellja realizohet menjëherë pas pjekjes së farave dhe duhet bërë mulçërimi i tokës.
Shtimi me fidanë i aguliçes
Si përgatiten fidanët e aguliçes?
Në rastet e shumëzimit me fidanë, ai mund të përgatitet në farishte, si të gjitha farishtet e perimeve me farë të imta, si dhe me bikerina, tava, tasa plastike etj.
Prodhimi i fidanëve të aguliçes në farishte
Prodhimi i fidanëve të aguliçes kërkon specifikë të veçantë. Gjatë mbjelljes në farishte duhet të kihen parasysh:
Toka duhet të jetë shumë e shkrifët, substrati (dheu) mbi të cilin do hidhet fara duhet të jetë i shkrifët ose dherishte e përgatitur me pleh organik të kalbur mirë plus humus në raportin 1:1.
Norma e farës është rreth 3 gr për m2 për të siguruar mbi 500 fidanë për m2. Për mbjelljen e 1 dynymi nevojiten 25 m2 farishte. Nga momenti i hedhjes së farës e deri sa fidani të qëndrojë në farishte nuk duhet të mungojë lagështira.
Shërbimet në farishte duhet të jenë shumë intensive për të garantuar fidanë të mirë dhe të shëndetshëm me qëllim sigurimin e një zënie sa më të plotë të fidanëve në fushë, sepse zënia e tyre është shumë delikate. Për këtë arsye fidani që mbillet në fushë duhet të ketë plotësuar 60-70 ditë vegjetative dhe të ketë këto parametra:
Mënyra më e mirë dhe me rezultat të lartë në zënie është përgatitja e fidanëve në bikerina, tava, tasa. Kjo mënyrë mund të realizohet në çdo kohë por, duhet pasur parasysh që gjatë mbirjes të ruhet një temperaturë 5-15°C. Materiali që përdoret për mbushje të jetë vetëm torfë. Është shumë e rëndësishme që qeskat, vazot, apo tavat, të vendosen në një ambient gjysmë errësire dhe rrezet e diellit të jenë jo direkt deri në mbirjen e farës. Norma e farës është 2-3 gr/m2 duke i shpërndare në mënyrë uniforme 3-5 fara për çdo ndarje.
Temperaturat gjatë dimrit kërkohen që të mos zbresin nën 5°C, dhe në verë të mos i kalojë 15°C. Farat kanë fuqi mbirëse të ulët dhe nuk i kalon 30-35%. Duke përdorur 5 fara për tavë, mund të sigurojmë rreth 700 fidanë të shëndetshëm për m2. Në këto raste duhet të bëhet kalitja e fidanit. Për këtë qëllim, rreth 10 -15 ditë para mbjelljes në vendin e përhershëm, fidanët nxirren jashtë për tu përshtatur me kushtet klimatike të vendit të përhershëm.
Përgatitja e tokës dhe mbjellja e fidanëve në fushë
Përgatitja e tokës: Nisur nga kërkesat për tokën, dhe nevojat që ka kjo bimë për një tokë të shkrifët, kërkohet që punimet bazë të saj të kryhen që në vjeshtë dhe bashkë me punimin të bëhen edhe plehërimet organike. Në pranverë herët bëhen punime të lehta, kryesisht frezime, në mënyrë që toka të jetë sa më e shkrifët.
Mbjellja: bëhet vetëm me dorë. Në rastet kur kemi fidan të përgatitur në farishte bëhet mbjellja me kunja, ndërsa kur kemi material mbjellës bimor me bukë dheu, mbjellja bëhet me gropë ose me vija të hapura me shatë. Në të dyja rastet përdoren marker (shënues) për të respektuar distancat e mbjelljes. Distancat e rekomanduara për mbjellje janë 30 x 20 cm ose 40 x 15 cm. Dendësia 15 – 16 bimë/m2.
Afati i mbjelljes: mbjellja mund të realizohet në vjeshtë, gjatë muajit tetor, ose në pranverë në muajin prill. Gjatë mbjelljes toka gjithmonë duhet të ketë lagështi të mjaftueshme për të siguruar një zënie sa më të mirë.
Plehërimi: Plehërimet me plehra organike bëhen në punimet bazë. Gjatë viteve në vazhdim rekomandohet plehërimi organik i lëngshëm. Për azotin nuk ka kërkesa të larta, ndërsa për fosforin dhe potasin kërkesat janë të larta. Prania e Mg, Fe, Cu, Zn, Mo, Bo, në kompleksin tokësor ndikon pozitivisht në vegjetacion dhe prodhimtari.
Ujitja: Është një bimë që ka kërkesa të mëdha për lagështirë sidomos në fazat fillestare të zhvillimit të saj. Ndërhyrjet me ujitje duhet të bëhen vetëm në fazat e përgatitjes së fidanit (gjatë kësaj periudhe toka në farishte duhet të mbahet në lagështirë të bollshme), kurse gjatë zhvillimit të bimëve në fushë të hapur ujitja pothuajse nuk është shumë e nevojshme sepse shumicën e fazave biologjike të zhvillimit dhe riprodhimit i kalon gjatë muajve prill, maj – qershor, periudhë e cila korrespondon me shira të bollshme në zonën e kultivimit të saj.
Përjashtim bëjnë rastet kur nga bimët duam të marrim farë, atëherë mund të bëhen 1-2 ujitje deri në vjeljen e farërave.
Çfarë shërbimesh i kryhen aguliçes gjatë vegjetacionit?
Si një bimë shumëvjeçare është e rëndësishme që të fokusohemi në vazhdimësi për mbajtjen e shkrifët të tokës nëpërmjet disa kultivimeve, prashitjeve si dhe luftimin e barërave të këqija ndërmjet bimëve e cila realizohet kryesisht nëpërmjet prashitjeve dhe tëharrjeve. Të tilla operacione kryhen sa herë që shihet e nevojshme për të evituar ngjeshjen e tokës dhe infeksionin nga barërat e këqija. Meqenëse është një bimë që prodhimi merret kryesisht në fillim të pranverës, të rëndësishme janë punimet në vjeshtë vonë para ngricave.
Aguliçja si një bimë shumë e hershme është edhe e fuqishme dhe rezistente ndaj dëmtuesve dhe sëmundjeve. Kalimi i fazave të zhvillimit dhe riprodhimit të saj në temperatura të ulëta e bën këtë bimë pothuajse të paprekshme nga sëmundje dhe dëmtues.
Gjatë prodhimit të fidanëve në farishtore ekziston mundësia e infeksionit nga kërpudha e gjinisë Phythium e cila është shkaktare e kalbjes së sistemit rrënjor dhe tharjes së bimëzave të reja. Për zhvillimin e infeksionit, temperatura optimale është 20 deri 30°C. Gjithashtu, kjo bimë mund të dëmtohet nga Botrytis cinerea që provokon shfaqjen e njollave të errëta në gjethe dhe lule në formë pluhuri ngjyrë kafe të errët. Në këto raste eliminohen pjesët e infektuara dhe evitohet lagështia e tepërt. Mund të trajtohen dhe me preparate kimike anti-kërpudhore.
Ndër dëmtuesit e aguliçes mund të përmendim:
Afidet, prekin gjethet dhe lulet duke deformuar daljet e reja dhe pamjen e gjithë bimës. Ato eliminohen duke larë bimët ose duke i trajtuar ato me insekticide specifike.
Merimanga e kuqe, zhvillohet në mjedise të ngrohta dhe të thata. Ky insekt mund të parandalohet përmes një sprucimi me ujë të gjetheve ose trajtimi me preparate akaricide.
Mund të dëmtohet dhe nga tripset në periudhën e verës, kur temperaturat janë të larta, gjatë ruajtjes në hangarë.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Vjelja dhe tharja e aguliçes.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Cilësia e prodhimit varet kryesisht nga kushtet e tharjes. Në asnjë rast tharja nuk mund të bëhet në dritë të madhe apo në diell.
Lexo më shumë