TEKNOLOGJIA E KUTIVIMIT TË KOÇKULLËS




Koçkulla (Lathyrus sativus L.) vlerësohet si një bimë bishtajore me nivel të lartë të proteinës në kokërr, barin e thatë dhe mjaft e përshtatshme ndaj kushteve të ndryshme klimatike-tokësore. Si e tillë, koçkulla përbën një burim ushqimi  për popullsinë por kryesisht për blegtorinë, sidomos në zonat kodrinore – malore, të thata e temperatura të larta. Në kushte të tilla,  koçkulla është një bimë alternative për plotësimin  nevojave të blegtorisë për bazë ushqimore në sasi e cilësi (koncentrat, barë i njomë e i thatë). 

Në miellin e kokrrave ajo përmban 25-30% proteinë, 1,9% yndyrë, 4 – 5% celulozë, 3% hi, ndërsa në barin e thatë koçkulla përmban 15-17% proteina. Në fillim të lulëzimit është më e pasur me karotinë. Kjo e bën atë një bimë për barë të thatë shumë të mirë, që konsumohet gjatë periudhës së dimrit nga të gjitha kategoritë e gjësë së gjallë. Kokrrat e  bluara përzihen me koncentratet e tjera në masën 20 – 25% të racionit ushqimor. 

E rëndësishme! Përdorimi i tepërt dhe i njëanshëm nuk rekomandohet, sepse koçkulla  përmban një substancë e quajtur acidi oksalil diaminopropionik “ODAP” nga i cili shkaktohet sëmundja e quajtur latirizëm, që jep paralizë të gjymtyrëve të poshtme e sistemit nervor. Përmbajtja e këtij acidi  është e pranishme në masën e njomë, kokërr dhe është më e lartë në vite të thata, në varietet me kokrra me ngjyrë të errët dhe më e pakët në ato me ngjyrë të bardhë-krem.

Kërkesat e koçkullës për klimën dhe tokën

Kërkesat për temperaturë

  • Fara fillon të mbijë në temperaturë 2-3°C dhe kur ka thithur lagështirë 65-80% të peshës së saj. 
  • Temperatura më optimale për mbirje është 20-25°C, ku filizat dalin mbi tokë për 12-15 ditë pas mbjelljes së farës.
  • Bimët e reja i durojnë temperaturave të ulëta të ajrit deri -7°C deri -10°C dhe 
  • Bima, gjatë periudhës bimore lulëzim lidhje bishtaje, duron temperaturat e larta 30-33°C, për shkak të mbulesës bimore që krijojnë duke ruajtur lagështirën dhe duke krijuar një mikroklimë mbrojtëse  për bimët në fazën e lulëzimit, lidhjes së bishtajave  dhe mbushjes së kokrrës.

Cilat janë kërkesat e koçkullës për tokën dhe parabimën?
Koçkulla dallohet për kërkesa të pakta të tipave të tokave si dhe sasive të lëndëve ushqyese dhe si e tillë kultivohet me sukses si në toka të rënda, të lehta e skeletike duke dhënë një prodhim të kënaqshëm. Nuk paraqet kërkesa të veçanta për parabimën dhe është parabimë shumë e mirë për të gjitha bimët që mbillen pas saj. 

Agroteknika e kultivimit të koçkullës
Përgatitja  e tokës për mbjellje kryhet si të gjitha bimët e tjera të arave  duke krijuar një shtrat sa më të mirë për farën. Meqenëse është me interes të mbillet në zonat kodrinore malore, ku shumica e tokave është me taban të cekët dhe me pjellori natyrale të ulët, për një prodhim 220-250 kv/ha masë të njomë dhe 12-15 kv/ha kokërr është e nevojshme që në diskim, para mbjelljes, të përdoren 50-60 kg/ha fosfor (P2O5), 70-80 kg/ha potas (K2O) dhe gjatë periudhës vegjetative 70-80 kg/ha azot (N).

Cilat janë afatet e mbjelljes së koçkullës?
Koçkulla mund të kultivohet për foragjere (e vetme ose e bashkëshoqëruar) dhe prodhim kokrre, prandaj edhe afatet e mbjelljes janë në varësi të qëllimit të përdorimit. Gjithashtu afati i mbjelljes varet edhe nga zona e kultivimit. 

Afatet e mbjelljes në zonën e ulët bregdetare

  • Në rastet kur koçkulla mbillet për masë të njomë dhe barrë të thatë (e vetme ose e bashkëshoqëruar), afati më i mirë i mbjelljes është fundi i muajit tetor dhe muaji nëntor. 
  • mbjelljet për kokërr afati më i përshtatshëm i mbjelljes është dhjetëditori i parë i muajit shkurt (1-10 shkurt). Mbjelljet e vonuara ndikojnë në uljen e prodhimit.
  • zonën kodrinore malore afati i mbjelljes është 20-30 marsi.

Cilat janë normat e farës dhe distancat e mbjelljes të koçkullës?
Norma e farës dhe distancat e mbjelljes janë në varësi të destinacionit të kultivimit (për prodhim foragjer apo prodhim kokërr). 

  • Norma e farës në mbjelljet për prodhim foragjer (kulturë e vetme dhe E bashkëshoqëruar):
  • Norma e farës kur mbillet si kulturë e vetme është në varësi të madhësisë së kokrrës dhe varjon nga  90-120 kg/ha;
  • bashkëshoqërim me bimë graminore (tërshërë, tritikale etj.) përdoret formula 60% bishtajore (koçkull) dhe 40% graminore. Norma e farës e përzier koçkull + tërshërë është 150 kg/ha, nga e cila koçkull 80 kg/ha dhe tërshërë 70 kg/ha dhe koçkull + tritikale norma e farës është 175 kg/ha, nga e cila koçkull 80 kg/ha dhe  tritikale 95 kg/ha.
  • Në mbjelljet për prodhim koncentrate (kulturë e vetme) 110-120 kg/ha.

Distancat e mbjelljes tek koçkulla: 

  • Në mbjelljet për prodhim foragjer (e vetme dhe e bashkëshoqëruar) distanca në mes rreshtash është deri 30 cm;
  • Në mbjelljet për prodhim kokërr distanca në mes të rreshtave është 40-45 cm.
  • Thellësia e mbjelljes është 4-5 cm.

Shërbimet gjatë vegjetacionit tek koçkulla

  • Shërbimet gjatë vegjetacionit janë shumë minimale. Në mbjelljet për prodhim foragjer pothuaj nuk bëhet asnjë ndërhyrje, përveç plehërimit plotësues me doza minimale të azotit deri 1kv/ha pleh azotik në fazat e para të zhvillimit dhe kur mbjellja është kryer në toka të varfra.
  • Në mbjelljet për prodhim kokrre plehërimi plotësues shoqërohet me prashitje për luftimin e barërave të këqija.
  • Me shumë interes është mbjellja në ullishta, vreshta dhe në bashkëshoqërim me tërshërën.

Vjelja e prodhimit tek koçkulla
mbjelljet për prodhim foragjer (për masë e thatë ose silazh pranveror), kositja bëhet në fazën e lulëzimit të plotë të koçkullës, ndërsa bimët graminore janë në fazën e daljes së kallirit. Kur koçkulla kultivohet për prodhim kokërr korrja e shirja e saj bëhet kur 90-95% e bishtajave kanë marrë ngjyrë gri në të zezë. 

Shkulja ose korrja e bimëve kryhet herët në mëngjes dhe shirja bëhet me kombajnë. Pas shirjes prodhimi kokërr pastrohet e thahet deri sa lagështia në kokërr të arrijë 13-14%. Prodhimi ambalazhohet në thasë dhe ruhet në depo të ajrosura dhe të thata. Rendimenti kokërr arrin në 12-15 kv/ha dhe 60-70 kv/ha bar i thatë.

Data e publikimit: 22/04/2022


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I LAKRËS VERZA

Cila është struktura varietore e rekomanduar?

Lexo më shumë

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I NENEXHIKUT

Cila është struktura varietore e rekomanduar?

Lexo më shumë

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I LËPJETËS

Cila është struktura varietore e rekomanduar?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË BURXHAKUT

Cilat janë kërkesat e burxhakut për klimën (temperaturë dhe lagështirë)?

Lexo më shumë