SHËRBIMET AGROTEKNIKE TEK TËRSHËRA




Pas mbirjes, gjatë vegjetacionit, bimët e tërshërës kanë nevojë për një sërë shërbimesh. Kryerja e tyre në kohë dhe sipas nevojës, në faza të ndryshme të zhvillimit të saj, ka shumë rëndësi sepse nga ato varet prodhimi i pritshëm. 

Kullimi: Tërshëra e mbjellë në vjeshtë vuan nga lagështia e tepërt gjatë dimrit dhe herët në pranverë. Me gjithë se kjo kulturë dallohet për qëndrueshmëri më të madhe ndaj lagështirës në krahasim më të lashtat e tjera, qëndrimi i ujit në sipërfaqe gjatë mbirjes ose fill pas mbirjes së saj e dëmton rëndë tërshërën. Prandaj, largimi i lagështisë së tepërt është një ndër masat  e rëndësishme agroteknike. Largimi i lagështisë së tepërt arrihet nëpërmjet sistemimit sipërfaqësor të tokës para mbjelljes, drenazhimit dhe hapjes së vijave kulluese menjëherë pas mbjelljes dhe pastrimi i tyre gjatë vegjetacionit.

Luftimi i barërave të këqija: Barërat e këqija shkaktojnë dëme të konsiderueshme pasi ato konkurrojnë në mënyrë të ndjeshme bimën e kultivuar në shumë drejtime si: në lëndë ushqyese, në ujin, dritën etj. Njëkohësisht ato bëhen burim i përhapjes së shumë sëmundjeve e dëmtuesve në bimët e kultivuara. Disa prej tyre, duke pasur aftësi për t’u kacavjerrë, shkaktojnë rrëzimin e bimëve dhe pengojnë kështu në korrjen e mekanizuar duke ulur ndjeshëm prodhimin.

Pra, nëse nuk merren masa për luftimin e tyre, ato ulin ndjeshëm jo vetëm rendimentin por edhe cilësinë e prodhimit. Për luftimin e barbarëve të këqija përdoren një kompleks masash agroteknike si: qarkullimi bujqësor, plugimi në kohë e cilësi i tokës, përdorimi i farave të pastra nga barërat e këqija, lesimi si dhe harrja me dorë.

Lufta kimike me herbicide është shumë efikase dhe sot përdoret gjerësisht. Për ndërhyrjen me preparate kimike rëndësi ka përcaktimi i saktë i specieve (llojit) të barërave të këqija si dhe shkalla e infeksionit. Kjo ndihmon në përcaktimin e llojit të preparatit kimik që do të përdoret dhe doza e përdorimit të tyre

Kur duhet bërë ndërhyrja kimike për luftimin e barërave të këqija?
Ndërhyrjet kimike  mund të bëhet para mbjelljes, pas mbjelljes e para mbirjes  dhe gjatë vegjetacionit. Në ndërhyrjet para e pas mbjelljes por par mbirjes përdoren preparate të sistemit me veprim total, të cilat luftojnë barërat e këqija  gjethe ngushta dhe  gjethe gjëra. Preparatet kimike, me veprim total, që përdoren para mbjelljes dhe pas mbjelljes, por para mbirjes janë glyphosate dhe paraquat/diquat, të cilat përdoren me dozën 4-6 kg/ha (sipas shkallës së infeksionit).

Gjatë vegjetacionit, për luftimin e barërave të këqija gjethegjera, përdoren preparate selektivë. Preparati më i përdorur është sprichormidi ose 2,4 D, i cili përdoret nga faza e vëllazërimit deri në fillim të ngritjes. Përdoret në dozën 2 kg/ha tretuar në 400 litra ujë. Me qëllim që ky herbicid të ketë efekt sa më të lartë, trajtimi duhet të bëhet në kohë të mirë, pa vesë dhe kur temperatura e ajrit të ketë arritur 15 – 20°C. Koha që i duhet herbicideve për të vepruar mbi barërat e këqija është 4 – 6 orë dhe nëse pas spërkatjes brenda kësaj periudhe bien shira ajo duhet të përsërite.

Plehërimi plotësues (azotik): Tërshëra reagon shumë mirë ndaj plehërimit azotik, prandaj nuk duhet abuzuar me dozat e azotit. Doza e plehërimit si dhe koha e shpërndarjes janë dy momente kryesore që duhen pasur parasysh në plehërimin azotik.

Abuzimi me dozën dhe kohën e shpërndarjes së plehrave azotike sjell shumë pasoja në këtë kulturë.  Përdorimi pa kriter i plehut azotik çon në rritjen e shkallës së rrëzimit, ku në vite të veçanta ka çuar deri në komprometimin e plotë të prodhimit kokërr. Në përcaktimin e dozës së plehërimit azotik ashtu si edhe për plehërimin fosfatik bazohemi në këto tregues:

  • Rendimenti i planifikuar, mbi të cilat llogariten nevojat biologjike të bimës për azotin;
  • Përmbajtja e këtij elementi në tokë;
  • Parabima.

Doza e rekomanduar (orientuese) për toka mesatarisht të pasura me azot: 90-100 kg/ha l.a azot (afërsisht 3 kv/ha nitrat amoni)
Shpërndarja e plehut azotik rekomandohet të bëhet në tre duar dhe sipas këtyre fazave të zhvillimit:

  • dora e parë në fazën e 2 – 3 gjetheve, rreth 27 % të dozës;
  • dora e dytëvëllazërim të plotë, 33 % të dozës;
  • dora e tretëfazën e ngritjes intensive, 40 % të dozës.

Në rastet kur parabimë janë bishtajoret kjo normë e azotit reduktohet në 30%. 
Kujdes! Në tërshërën e kultivuar për kokërr doza e plehërimit me azot, për kushtet e vendit tonë, të mos kalojë 100 – 120 kg/ha l.a. azot.

SËMUNDJET DHE DËMTUESIT KRYESORË TË TËRSHËRËS
Sëmundjet dhe dëmtuesit e tërshërës ndikojnë në uljen e prodhimit dhe cilësinë e kokrrës, ndërsa në tërshërën e kultivuar për prodhimin e barit të thatë ulin karakteristikat që përcaktojnë cilësinë e barit, të tilla si ngjyra dhe tretshmëria.

Cilat janë sëmundjet kryesore të tërshërës?
Sëmundjet kryesore të tërshërës janë: 

  • sëmundjet kërpudhore: ndryshku i kërcellit, ndryshku i gjethes, bloza, hiri i të lashtave, septoriza, njollosja unazore;
  • sëmundja virusale: virusi i xhuxhizmit të verdhë i elbit);
  • sëmundjet bakteriale:njollosja në formë brezash, njollosja e artë.

Ashpërsia e ndikimit të tyre ndryshon sipas kushteve atmosferike në periudhën e rritjes. 

Ndryshku i kërcellit të tërshërës (Puccinia graminis var. avenae)
Ndryshku i kërcellit shkaktohet nga kërpudhat Puccinia graminis var. avenae. Simptomat: Sëmundja shfaqet si postula të zgjatur me ngjyrë të kuqërremtë-kafe kryesisht në kërcell, por mund të shfaqet gjithashtu edhe në gjethe dhe kalli. Shumohet me spore të cilat përhapen lehtë me anë të erës.

Kërcell dhe gjethe e prekur nga ndryshku i kërcellit

Të mbjellat janë më të rrezikuara për epideminë e ndryshkut nëse:

  • Ndryshku ishte i pranishëm në sezonin e kaluar;
  • Kemi prani të shirave të verës dhe të vjeshtës të cilët lejojnë mbirjen dhe zhvillimin e tërshërës së egër ose spontane, duke ruajtur (strehuar) dhe zhvilluar ndryshkun;
  • Kushtet atmosferike të pranverës janë me lagështirë të përshtatshme për zhvillimin e sëmundjes.

Kontrolli i sëmundjes: Një ndër masat kryesore, për mbrojtjen nga sëmundja, është shmangia e  varieteteve shumë të ndjeshëm në zonat e prirura për zhvillimin e ndryshkut. Metoda më efikase për luftimin e sëmundjes është ajo e trajtimit (spërkatjes) me fungicide. Trajtimi kryhet në ato raste kur kushtet atmosferike favorizojnë zhvillimin dhe përhapjen masive të sëmundjes.

Ndryshku i gjethes së tërshërës (Puccinia coronata var. avenae)
Ndryshku i gjethes së tërshërës njihet edhe si ndryshku kurorë. Fjala “kurorë” i referohet formës së një tipi të spores të prodhuar nga kjo kërpudhë dhe nuk është e lidhur me simptomat e sëmundjes. Sëmundja shkaktohet nga kërpudha Puccinia coronata var. avenae

Simptoma karakteristike është zhvillimi i postulave  me formë ovale të  zgjatura me ngjyrë portokalli  të verdhë,  kryesisht në gjethe, por edhe në kërcell dhe kalli. Masa e pluhurt e sporeve në pustulat përhapet (shpërndahet) lehtësisht me anë të erës. Zonat e postulës, me kalimin e moshës, bëhen të zeza.

Gjethe dhe bimë të prekura nga ndryshku i gjethes

Ndryshku i gjethes së tërshërës është potencialisht një sëmundje shumë e dëmshme, duke reduktuar prodhimin kokërr dhe atë foragjer. Kërpudha mbartet (transmetohet) nga mbirjet spontane të tërshërës dhe tërshëra e egër nga sezoni në sezon.
Kontrolli i sëmundjes: Kontrolli është i ngjashëm si për ndryshkun e kërcellit. Kur tërshëra kultivohet për cilësi të lartë foragjere, prerja e hershme duhet të merret parasysh përpara se sëmundja të avancojë dhe të shkaktojë dëme të dukshme në gjethe. 

Bloza e tërshërës (Ustilago avenae)
Sëmundja prek tërshërën e zakonshme, tërshërën e lartë dhe elbin. 
Simptomat e sëmundjes: zakonisht, vërehen si vende të grumbulluara të kokrrave boshe, në fazën e pjekjes së kokrrës, për shkak të zëvendësimit të tyre nga sporet e blozës. Panikuli/melthi i tërshërës me blozë nganjëherë dështon të dalë siç duhet nga mbështjellja. Në llapën e gjethes, gjithashtu, mund të shfaqë njolla të zeza .

Bimë të prekura nga bloza e tërshërës

Kontrolli i sëmundjes: Trajtimi i farës me fungicide para mbjelljes është një nga masat më efektive i cili ul në mënyrë të ndjeshme shkallën e infeksionit nga sëmundja. Fara trajtohet  me fungicide sistemi ku  përzierje të tilla si fuberidazol + triadimenol  japin kontroll efektiv të sëmundjes. Një ndër masat për mbrojtjen e tërshërës nga kjo sëmundje është edhe lufta biologjike me anë të bakterit Pseudomonas chlorophis. Nga të dhënat raportohet se kjo masë ofron kontroll efektiv pa efekte toksikologjike. 

Hiri i të lashtave (Erysiphe graminis)
Shkaktari i sëmundjes është kërpudha  Erysiphe graminis
Simptomat: Sëmundja shfaqet në formë njollash  të pambukta, me ngjyrë të bardhe në gri, të cilat rriten në sipërfaqen e sipërme të gjetheve dhe më vonë kthehen në ngjyrë gri-kafe, ndërsa në anën e kundërt të rritjes së kërpudhës trupat frutifikues të kërpudhës zakonisht duken si pika të zeza myku.

Hiri i të lashtave

Shfaqja e sëmundjes favorizohet nga plehërimi i bollshëm azotik, lagështia e lartë dhe temperaturat e freskëta.
Kontrolli i sëmundjes: Mbjellja e varieteteve rezistente është një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur bimët nga hiri. Strategji të tjera të kontrollit përfshijnë: aplikimin e fungicideve të përshtatshme me spërkatje në gjethe, largimin e mbeturinave bimore nga fusha pas korrjes (për të zvogëluar nivelin e kërpudhave që dimërojnë) si dhe  heqja e bimëve spontane të tërshërës të cilat mund të shërbejnë  si rezervuar për sëmundjen.                                                                                                                           

Dëmtuesit kryesor të tërshërës

Lema ose shushunja e të lashtave (Lema erythordera)
Përhapja: Ky dëmtues është i përhapur në të gjithë zonat e kultivimit të drithërave të vogla.
Përshkrimi: Insekti i rritur është një krahë fortë  me ngjyrë të gjelbër metalike. Insektet e rritura kanë një kraharor me ngjyrë portokalli dhe një madhësi rreth 5 mm në gjatësi. 

Shushunja e të lashtave: a) insekti i rritur; b) larva

Vezët, me ngjyrë të gjelbër të hapur, vendosen në afërsi të venës kryesore në anën e sipërme të gjethes. Pas çeljes, larvat janë të bardha, por shpejt bëhen me ngjyrë të zezë, kur ato mbulohen nga një substancë rrëshqitëse që  i jep  atyre një pamje si jargë (kërmill).
Simptomat e dëmtimit: Larvat ushqehen në anën e sipërme të gjethes midis venave duke rezultuar në vija të bardha gjatësore të dukshme.

Simptomat e dëmit nga larva e shushunjës

Kontrolli i dëmtuesit: Aktualisht nuk ka kimikate kundër lemës.

Krimbat tel 
Shenjat kryesore të dëmtimit janë: Tharja e filizave të mbirë, numër i reduktuar i bimëve të mbira, kërcej të zinj dhe kallinj të bardhë. Në këto raste larvat e krimbit mund të gjenden në tokë po të gërmohet rreth kërcellit. Ato janë me ngjyrë të verdhë në kafe, të hollë, me lëkurë të shndritshme. Faza larvore mund të zgjasë  nga 1 deri 5 vjet në varësi të specieve, pra ka 1 deri në pesë mosha.

Krimbi tel: a) insekti i rritur; b) larva

Kontrolli i dëmtuesit: Kontrolli kimik është i pamundur në një bimësi të instaluar, prandaj ai duhet të bëhet para mbjelljes duke trajtuar tokën ose duke trajtuar farën para mbjelljes. Nëse nga kontrolli konstatojmë praninë e krimbave tel, për të reduktuar numrin e tyre, duhet të zbatojmë qarkullimin bujqësore me bimë që nuk janë bujtëse për këtë dëmtues, nëse është e mundur, shmangien e mbjelljes së kulturave të ndjeshme ndaj infeksionit të këtij dëmtuesi pa qenë të detyruar të aplikojnë pesticide të përshtatshme.

Afidet 
Simptomat e dëmtimit: Në të mbjellat vihen re gjethe me vija të verdha ose të bardha. Gjethet flamur mund të përdridhen nga lart, bimët mund të mbesin me zhvillim të dobët dhe vëllezërit mund të shtrihen paralelisht me tokën. Bimët mund të kthehen në ngjyrë vjollcë në mot të ftohtë. Insektet janë të vegjël dhe të butë dhe mund të jenë me ngjyrë të verdhë, të gjelbër, të zinj ose me ngjyrë rozë në varësi të specieve. Insektet sekretojnë një substancë me sheqer të quajtur "mjaltë", e cila nxit rritjen e një myku të zi (blozës) në bimë.

                                 

Description: Image result for Bird cherry-oat aphid
Insekte afidesh 

Fushat duhet të kontrollohen për popullsinë e afideve periodikisht, menjëherë pas shfaqjes së insekteve të para, për të përcaktuar edhe pragun kritik të ndërhyrjes për luftimin e tyre.
Kontrolli i dëmtuesit: Bimët e tërshërës përgjithësisht tolerojnë infektimin e nivelit të ulët dhe të mesëm prandaj, rekomandohet që insekticidet të përdoren vetëm nëse infektimi është shumë i lartë. Numrat e afideve (shkalla e infeksionit) zakonisht mbahen në kontroll nga grabitqarët dhe armiqtë natyrore si shtatëpikëshi. Vlerësoni popullatat e insekteve të dobishme para se të ndërhyni me preparate kimike. Ndërhyrja me pesticide bëhet në ato raste ku nuk ka asnjë popullatë të insekteve të dobishme (që ushqehen me afide) dhe kur shikohet se afidet po shkaktojnë dëm të konsiderueshëm në të mbjellat. 

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Korrja, shirja, pastrimi dhe ruajtja  e prodhimit të tërshërës

Data e publikimit: 01/08/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË BURXHAKUT

Cilat janë kërkesat e burxhakut për klimën (temperaturë dhe lagështirë)?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KUTIVIMIT TË KOÇKULLËS

Kërkesat e koçkullës për klimën dhe tokën

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË ELBIT

Kërkesat e elbit për klimën dhe tokën

Lexo më shumë

KULTIVIMI I PANXHARIT FORAGJER

Për një kultivim të suksesshëm të panxharit foragjer ju rekomandojmë të mbani parasysh:

Lexo më shumë