FLUTURA E BARDHË NË PERIMET E SERËS




Flutura e bardhë është një insekt shumë i rrezikshëm që sulmon perimet e serës dhe mund të shkaktojë dëme shumë të mëdha për fermerin. Fluturat e bardha janë insekte të vogla me gjatësi deri në 1.5mm me trup të verdhë dhe krahë të bardhë.

Cikli i zhvillimit është nga vezë në insekt prej 15-70 ditësh, në varësi të llojit të bimës. Temperatura ku zhvillohet ky insekt është nga 10-33°C dhe ajo ideale 25-28°C.

Cikli i jetës së një insekti të rritur është 6-55 ditë në varësi të temperaturave. Shumimi i tyre është shumë i shpejtë dhe mund të fillojë vetem disa orë pasi insektet dalin nga faza e tyre pupale. Gjithashtu shumimi realizohet edhe pa çiftim, ku femra arrin të riprodhohet me anë të partenogjenezës vetëm insekte meshkuj. Një femër gjatë ciklit të jetës lëshon 80 deri në 300 vezë në varësi të bimës ku jeton

Fillimisht shenjat shfaqet në gjethet e reja dhe në pjesën e poshtme të tyre. Identifikimi i tyre në fazat e para është i vështirë por, me anë të prekjes së gjethes mund të dallojmë lëngun ngjitës që ato sekretojnë në gjethe, kryesisht në venat e saj.

Flutura e bardhë mund ta dëmtojë bimën në forma të ndryshme. Ajo shpon gjethen e bimës duke thithur prej saj limfën. Ky proçes i zbeh dhe i zverdh gjethet e bimë, duke bërë që ajo të mos realizojë fotosintezën, si pasojë e mungesës së lëndëve ushqyese. Bima bëhet më e dobët dhe mund të sulmohet më lehtë nga sëmundje te tjera.

 Rritja ngadalësohet dhe prodhimi mund të reduktohet në minimum

Një dëm indirekt është edhe ai i krijimit të mykut të zi nga lënda ngjitëse që krahëbardha prodhon. Ky myk prek gjethet dhe frutat duke i bërë këta të fundit të patregtueshme si pasojë e ngjyrës së zezë. 

 

Përveç dëmeve të mësipërme, flutura e bardhë është përgjegjëse për transmetimin e viruseve të grupimit Geminiviruses, ku mund të përmendim Tomato Yellow Leaf Curl (TYLC), i cili është një nga viruset më shkatërrues të domates.

 

Tre janë llojet kryesore të fluturës së bardhë që hasim në ditët e sotme:

Flutura e bardhë krah-argjendë (Flutura e bardhë e patates): Bemisia tabaci biotype B, është insekt në ngjyrë të verdhë me krahë të bardhë në të argjendë. Veçori e tyre është mbajtja e krahëve të ngritura vertikalisht në formë “V” të përmbysur dhe të ndara nga njëra-tjetra në kurriz. Ato kanë një hapsirë të vogël ndërmjet tyre. Ky është lloji më i rrezikshmi në ditët e sotme, pasi është  vektor për transmetimin e viruseve të përmendura mësipër.

Flutura e bardhë e serës: Trialeurodes vaporariorum është shumë e ngjashme me fluturën e bardhë krah-argjendë, por dallimi eshtë se krahët e tyre janë më të ulura afër kurrizit dhe takojnë me njëra-tjetrën duke mos lënë hapsirë në mes.

 

 

Flutura e bardhë me shirit në krahTrialeurodes abutilonia ka karakteristikë shirita ngjyrë gri ose kafe në krahët e saj.

 

 

Kontrolli i Fluturës së bardhë
Në ditët e sotme, luftimi i fluturës së bardhë sa vjen e bëhet dhe më i vështirë. Kjo si pasojë e aftësisë së fluturës që të zhvillojë shumë shpejt rezistencë ndaj pesticideve që përdoren për ta luftuar atë. Përveç kësaj, ndikojnë edhe faktorë të tjerë si riprodhimi shumë i lartë i këtij insekti apo mundësia për të jetuar në shumë lloje bimësh.

Mënyra më e mirë për të kontrolluar fluturën e bardhë eshtë një program i kombinuar që përfshin parandalimin, luftën biologjike dhe trajtimet me pesticide. 

Më poshtë janë disa nga këto mënyra që mund të përdoren:

  • Përdorimi i shiritave të verdhë ngjitës, të cilët kanë funksion të dyfishtë. Së pari, shërbejnë si monitorues, pra të identifikojë praninë e fluturës së bardhë në serë. Së dyti, ato ulin popullatën e saj duke i kapur në materialin ngjitës që këto shirita kanë.
  • Përdorimi i insekteve të dobishme të cilët ndihmojnë shumë në shkatërrimin e vezëve dhe insekteve në fazën pupale.
  • Përdorimi i plasmasit për mulçërim në ngjyrë argjendi, i cili ka aftësinë të mbajë larg fluturën e bardhë.
  • Sanitarizim maksimal që përfshin pastrimin sa më të mirë të ambienteve të serës nga mbetjet e sezonit paraardhës si dhe nga barërat e këqinj.
  • Qarkullim kulturash dhe kultivim në distancë të largët të kulturave në fushë si pjepri, pambuku, alfa-alfa.
  • Instalimi i rrjetave anti-insekt në serë.

Përdorimi i pesticideve të ndryshme sipas fazave të mëposhtme:

  • Në fazën e mbjelljes së fidanit - IMIDACLOPRID, DINOTEFURAN, ACETAMIPRID
  • Gjatë rritjes së fidanit - SPIROTETRAMAT, SPIROMESIFEN, BUPROFEZIN, PYRIPROXYFEN 

 

KUJDES! KUR PËRDORNI PESTICIDET, BËNI KUJDES TË MOS DËMTONI BLETËT PLLENUESE DHE INSEKTET E DOBISHME. 

KONSULTOHUNI ME AGRONOMIN PËRPARA PËRDORIMIT!

Data e publikimit: 23/09/2024


Lini një koment


Komente të mëparshme
Shkrim shume Interesante !

-Gazmir Toska


Shpërndaj në rrjetet sociale:

VARIETETET AUTOKTONE TË DOMATES

Jeni të interesuar të njheni me varietetet kryesore autoktone apo tradicionale të specieve të kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri si dhe me një informacion të shkurtër për kultivimin e tyre?

Lexo më shumë

Ndikimi i bujqësisë urbane në benefitet sociale

Si e mbështet komunitetin Bujqësia Urbane?

Lexo më shumë

NJOLLAT BAKTERIALE NË DOMATET E SERRËS (Pseudomonas Syringae pv tomato)

Mënyra e vetme e luftimit të kësaj sëmundje është parandalimi i saj

Lexo më shumë

VIRUSI TSWV NË PERIMET E SERËS

Virusi TSWV është një virus shumë i rrezikshëm dhe prezent në vendin tonë që prek kryesisht domaten dhe specin.

Lexo më shumë