Për të parandaluar dhe kontrolluar sëmundjen e murtajës së të imtave, së pari duhet të përgatiten dhe zbatohen strategji shumë dimensionale të cilat janë thelbësore për të arritur rezultate në uljen e ndikimit të sëmundjes dhe ç'rrënjosjen e saj.
Strategjitë nënkuptojnë marrjen e masave të ndryshme duke përfshirë të gjithë aktorët e mundshëm që nga fermeri, banori në zonat rurale, institucionet përgjegjëse, publiku i gjerë. Në mënyrë specifike në këtë artikull po listojmë për vëmendjen tuaj masat më të rëndësishme që duhen ndërmarrë për zbulimin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes.
Së pari, monitorimi dhe marrja e masave të shpejta.
Siguroni pastrim dhe dizinfektim të mjediseve të fermës. Në këtë rast ju këshillojmë të përdorni Hipoklorit Natriumi (zbardhues), acid citric, alkool, karbonat natriumi, hidroksit natriumi. Këta dizinfektantë mund ti përdorni për dezinfektimin e ambienteve të fermës, mjeteve, paisjeve dhe materialeve të tjera.
Për të arritur një efekt maksimal të këtyre dezinfektantëve, ju këshillojmë që paraprakisht të bëni pastrim përmes avullit, ujit me presion, si dhe fërkimin e sipërfaqeve të ndotura. Gjithashtu mbani parasysh se virusi shkaktar i murtajës së të imtave është i ndjeshëm edhe ndaj trajtimit termik, ose ekspozimit në temperaturë mbi 50°C për 60 minuta, sikurse edhe ndaj vlerave ekstreme të pH (gjendje acide ose bazike) sikurse janë vlerat nën 4.0 (gjendje acidike) dhe mbi 11.0 (gjendje bazike).
Kujdesi ndaj tufës është thelbësor, kushtojini vëmendje luftimit të infeksioneve sekondare bakteriale ose parazitare me qëllim që të ulni faktorët shtesë që shkaktojnë humbjen e jetës së kafshëve.
Si masë telbesore parandaluese është vaksinimi me vaksina specifike për murtajën e të imtave, efekti mbrojtës i të cilave është mbi një vit e shpesh edhe për të gjithë jetën.
Por kujdes! Mos përdorni vaksina që nuk janë të dedikuara specifikisht për murtajën e të imtave sikurse janë për shembull vaksinat e rinderpestit (ose murtaja e gjedhit), pasi nuk kanë efekt për parandalimin e murtajës së të imtave. Mbani parasysh që vaksinat në rastin e murtajës së të imtave aplikohen duke filluar nga mosha 3-4 muajsh. Në rastin e vaksinimit ai duhet të zhvillohet duke ndjekur strategjinë e zonës rrethuese apo kontaktit në formë rrethi, pra vaksinim i të gjithë kafshëve të dyshuara brenda një zone gjeografike përreth zonës së prekur, duke siguruar një rreth të imunizuar përreth zonës së infektuar dhe parandaluar përhapjen e mëtejshme në zonat e pastra.
Gjithashtu bëni kujdes, për përdorimin e antibiotikëve, të cilët mundet të ulin shkallën e humbjes së jetës duke kuruar shenjat sekondare të infeksionit bakterial, por ato nuk kanë efekt specifik mbi virusin e murtajës.
Krahas punës edukuese dhe sensibilizuese të aktorëve të ndryshëm sikurse dhe qendrës ABA, është e domosdoshme një rritje e mëtejshme e ndërgjegjësimit të fermerëve, si dhe veterinerëve, për tu angazhuar në zbulimin e shenjave të para dhe raportuar ato sa më shpejt të jetë e mundur.
Koha nuk pret! Sëmundja përhapet me shpejtësi dhe çdo vonesë është me pasoja të rënda ekonomike. Ndaj, ju bëjmë thirrje të synoni në një koordinim sa më efektiv ju si fermerë me veterinerët e zonës dhe autoritetet e tjera veterinare për të kontrolluar në mënyrë të suksesshme përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.
Bashkëpunimi në të gjitha nivelet është i domosdoshëm!
Ju bëjmë thirrje fermerëve gjithashtu ti kushtojnë rëndësinë e duhur matrikullimit të të gjithë kafshëve të tufës, gjë e cila ndikon në gjurmueshmëri, në përmirësim të monitorimit dhe kontrollit të efektshëm të sëmundjes.
Mbetemi në dispozicionin tuaj për informacione të mëtejshme!
Mos ngurroni të kontaktoni numrin falas 0800 3366 të vënë në dispozicion nga autoritetet për njoftime zyrtare dhe këshillime të tjera të nevojshme.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Rreziqet e mundëshme biologjike në një fermë përfshijnë rreziqet e shkaktuara nga viruset, bakteriet, parazitët, kërpudhat apo agjentë të tjerë biologjikë.
Lexo më shumë