VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I GRURIT




                                                             REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.

Kushtet e vendit tonë karakterizohen nga ndryshueshmëria e madhe klimatiko-tokësore, jo vetëm nga njëra zonë në tjetrën por, edhe brenda të njëjtës zonë klimatike. Kjo dikton nevojën e studimit më të thelluar për të përcaktuar një strukturë kultivarësh sa më të përshtatshëm për kushtet konkrete të zonës apo nënzonës.

Kultivarët e grurit që po përshtataten mirë, për kultivim në vendin tonë janë:

  • Adelajda
  • Viktoria
  • Solehio
  • Nogal
  • Pobjeda
  • Renesansa
  • Cosmic

Por, akoma janë në përdorim dhe varietetet “Lvs”, “Sagitario”, ”Enesco”, ”David x Mec”, ”Centaura”, etj.

 

Cila është Teknologjia e Kultivimit të Grurit ?

Gruri mbillet drejpërdrejtë me farë me makinë mbjellëse gruri. Fara e cila do të përdoret për mbjellje duhet të jetë e kontrolluar dhe në çdo rast para mbjelljes duhet bërë dezinfektimi i saj për të shmangur shfaqjen e sëmundjeve të tilla si: urthi i grurit, bloza, fusarioza, kalbëzimi rrënjor etj.

Teknologjia e kultivimit të grurit është mjaft e gjerë dhe  specifike për zona, nënzona dhe deri në ngastra të veçanta. Përmirësimi dhe zbatimi i teknikave të avancuara të kultivimit, do të bëjë të mundur të kalohen nivelet aktuale të prodhimit duke synuar në kufinj të pretendueshëm dhe plotësisht të arritshëm. Studimet tregojnë se 50% e shtesës së prodhimit të grurit në shkallë botërore, ka ardhur si rezultat i faktorit gjenetik, pra i futjes në prodhim të kultivarëve të rinj me aftësi të larta prodhuese dhe 50% si pasojë e faktorit agroteknik, domethënë e zbatimit të teknologjive bashkëkohore.

Mbështetur në një konkluzion të tillë vetëkuptohet që, për të ecur në rrugën e rritjes së rezultateve, duhet të kihen në konsideratë dy faktorët e mësipërm që në fund të fundit përbëjnë edhe objektivat e “revolucionit të gjelbër”, që gjatë shekullit të kaluar përbënte strategjinë kryesore të rritjes së prodhimit. 

Përvoja e deritanishme dhe rezultatet e provave shkencore tregojnë se atje ku është zbatuar teknologji e përparuar, në përputhje me veçoritë biologjike të grurit dhe kushtet konkrete të zonës, është arritur të merren rezultate të larta e të qëndrueshme, pavarësisht nga ecuria e kushteve klimatike. Po ashtu, janë të shumta rastet e dështimit të prodhimit kur janë zbatuar skemat standarte që injorojnë kushtet konkrete.

Megjithëse struktura varietore është përmirësuar vazhdimisht me kultivarë me aftësi të larta prodhuese, përshtatshmëri të gjerë dhe qëndrueshmëri të lartë ndaj streseve ambientale, rendimenti i grurit ka pësuar lëkundje, si rrjedhojë e moszbatimit të elementëve të teknologjisë së kultivimit në nivelin e kërkuar.

Cilët afate mbjelljeje të grurit rekomandohen në fushë?

Afati optimal për mbjelljen e grurit në vendin tonë është 20 tetor-20 nëntor. Fara duhet të jetë cilësore e cila është garanci për prodhimtari të suksesshme duke siguruar një rendiment 20% më të lartë në krahasim me mbjelljet e farës së zakonshme. 

Në mbjelljet shumë të hershme dëmtohen më shumë kultivarët e tipit biologjik të hershëm, ndërsa mbjelljet e vona dëmtojnë prodhimin e të gjithë kultivarëve, veçanërisht ato të tipit biologjik të vonshëm - të hershëm dhe akoma më tepër ato që ngrihen dhe piqen vonë. Për të përcaktuar afatin e mbjelljes së grurit, duhet të nisemi edhe nga elementet meteorologjikë që zona i ofron grurit. Temperatura më e përshtatshme për mbirjen e grurit është 6-12 °C me një kohëzgjatje rreth 10-15 ditë. Kjo temperaturë, në lartësinë  mbi 800 m mbi nivelin e detit arrihet në 10 ditëshin e fundit të shtatorit dhe gjatë  tetorit.

Duke mbjellë në këto afate në këto zona sigurohet mbirja e plotë, vëllazërim i fuqishëm aq i nevojshëm për qëndrueshmërinë e lartë ndaj ngricave. Në këtë zonë mbjelljet pas 15 nëntorit e veçanërisht në dhjetor japin mbirje të rralla e të vonuara pas 30-50 ditëve. Për zonën nga 500-800 m mbi nivelin e detit temperaturat dhe lagëshira optimale për mbirje sigurohet që në ditët e para të tetorit.

Mbjelljet e bëra gjatë tetorit në këto zona sigurojnë 30-60% prodhim më tepër se ato pas 15 nëntorit dhe gjatë dhjetorit. Në zonën mesdhetare fushore afati më optimal është muaji nëntor.

Sa duhet të jenë distancat e mbjelljes së grurit?

Largësia e mbjelljes midis rreshtave është 12.5-15 cm.Thellësia e mbjelljes është 3-5 cm, në varësi të përbërjes së tokës dhe nga lagështia e tokës në momentin e mbjelljes. Mbjellje të mira për grurin konsiderohen mbi bazë të numrit të farave për m2, me normë prej 350-700 fara të mbira/ m2.

Çfarë shërbimesh agroteknike kryhen për grurin në fushë?

Shërbimet agroteknike më të rëndësishme për grurin janë: 

  • Plehërimi plotësues i bimëve
  • Kullimi 
  • Luftimi i barërave të këqija

Bilanci ushqyes: Si të gjitha kulturat e tjera edhe gruri ka nevojë për lëndë ushqyese që në fazat e para të rritjes dhe zhvillimit të tij, të cilat i siguron një pjesë nga rezervat që ka toka, ndërsa pjesa tjetër nëpërmjet plehërimit bazë dhe atij plotësues. Plehërimi i grurit përbën një rregullator të fuqishëm në marrjen e prodhimeve të larta e të stabilizuara.

Për të përcaktuar llojin dhe sasinë e plehut që duhet hedhur gjatë plehërimit bazë është e nevojshme që paraprakisht të përcaktohet gjendja e elementëve ushqyes në tokë, sasia e plehut të lënë nga parabima si dhe rendimenti që do të merret në përputhje me kultivarin dhe kushtet klimatiko-tokësore. Nga plehërat kimike gjatë plehërimit bazë më i domosdoshëm është superfosfati dhe plehërat potasike. Plehërat fosfatike dhe potasike të cilat janë më pak të lëvizshëm në tokë preferohen të shpërndahen në shtresën e tokës ku shtrihet sistemi rrënjor. 

Superfosfati ose DAP mund të hidhet para plugimit ose para diskimit, kjo varet nga tipi i plehut dhe sasia që do të përdoret. 

Përdoren rreth 70-80 kg/ha lëndë aktive fosfor e mjaftueshme për një riintegrim të plotë të sasisë që nevojitet për një prodhim të lartë. Superfosfati duhet hedhur 2/3 para plugimit  dhe 1/3 para diskimit të fundit, ndërsa kur përdorim DAP atëherë ai do të përdoret vetëm në një dorë në sasi 15-20 kg/ dy. Të dhënat tregojnë se për 1 kv grurë nevojiten mesatarisht 1. 2 – 1. 4 kg fosfor. Koeficienti i shfrytëzimit të tij është rreth 25-30% në vitin e parë dhe ky koeficient ka vlerë më të lartë kur zbatohen në një nivel më të mirë masat e tjera agroteknike.

Gruri ka nevojë edhe për plehërat potasike, sidomos në tokat e lehta e të varfëra me këto elemente. Përdorimi në plehërimin bazë të plehërave fosforike e potasike rrit qëndrueshmërinë nga sëmundjet, gruri rrëzohet më pak dhe merret jo vetëm rendimenti i lartë por edhe me cilësi më të mira teknologjike. Në praktikën e prodhimit gjatë plehërimit bazë përveç fosforit dhe potasit janë përdorur edhe plehërat azotike. Hedhja e plehërave azotike (kryesisht ure) në sasinë rreth 1 kv/ha është përdorur në zonat e ftohta në pamundësi të përdorimit të plehërave azotike në fazën e parë tre gjethe deri në vëllazërim për arsye të mbulesës së sipërfaqes së tokës nga dëbora.

Plehu azotik përbën instrumentin më të fuqishëm për të manovruar me bimën e grurit. Plehu azotik luan një rol të rëndësishëm në rritjen dhe zhvillimin e bimës së grurit veçanërisht kur kombinohet në raporte të drejta me plehërat e tjerë fosfatike dhe potasike. Kur azoti mungon në tokë bimët mbetën të dobëta, gjethet marrin ngjyrë të verdhë sistemi rrënjor është i dobët dhe i cekët gjë, e cila ndikon në rritjen dhe zhvillimin jo uniformë të bimës në fazat e mëvonshme. Jo vetëm mungesa e azotit por edhe sasia e tepërt e tij ndikon negativisht mbasi rritet në mënyrë të panevojshme vëllazërimi jo produktiv i bimëve duke krijuar dendësi të madhe, gjë e cila favorizon rrëzimin dhe prekjen nga sëmundjet. Në kushtet e përdorimit në sasira më të mëdha të plehërave azotike kemi mpirje të kokrrave dhe uljen e prodhimit. 

Sasitë optimaletë plehut azotik luhaten nga 120 – 180 kg/ha lëndë  aktive. 

Në sasitë e plehërave azotike që do të përdorim orientohemi edhe nga infeksioni nga barërat e këqija. Në prezencë të barërave të këqija (graminore), sasitë e mëdha të plehërave azotike të përdorura do të ndikojë në dëm të grurit, sepse favorizojnë zhvillimin e barërave të këqija të cilat e konkurojnë mjaft mirë grurin. Në të tilla raste është e dobishme të përdoren 30-40 kg/ha më pak plehëra azotike.Përkundrazi në prezencëtë dykotiledonëve dozat e larta të plehërave azotike pakësojnë zhvillimin e këtyre barërave sepsekonkurohen nga bima e grurit.

Në cilat faza dhe sa për secilën nga fazat hidhet plehu azotik?

Dora I: 3 gjethefillim vllazërimi 15-20% të sasisë totale.

Dora II – vëllazërim të plotë 25 % të sasisë totale.

Dora III – fillim ngritje 30-35 % të sasisë totale. 

Dora IV – ngritje në masë20-25 % të sasisë totale.

 

Si bëhet kontrolli i barërave të këqija?

Një nga faktorët që ka ndikuar në uljen e rendimentit të grurit ka qenë edhe mosmarrja e masave të duhura për mbrojtjen nga barërat e këqija mono dhe dy kotiledone. Barërat e këqija i bëjnë një konkurencë të madhe bimës së grurit duke marrë lëndë ushqyese, pengojnë ndriçimin dhe proçesin e fotosintezës, krijojnë kushte të favorshme për prekjen nga sëmundjet, insektet dhe rrëzimin duke bërë që prodhimi të ulet në masën 10-30%, e më shumë. Nga barërat që ndikojnë më shumë në uljen e rendimentit janë bishtmiu, tërshëra e egër, kokmadhja, grashina, sinapi etj. Infeksione më të larta nga barërat e këqija janë vërejtur në ngastra të mbjella grurë pas gruri,si dhe kur është mbjellë farë e patrioruar (farë pa pastrimin e lëndëve të huaja dhe me madhësi jo të njëjtë).

Për luftimin e barërave të këqija gjethengushta përdoren preparate si Dikuran forte 80 WP pas mbjelljes para mbirjes së grurit në dozën 2 kg /ha të holluara në 300-400 litra/ha ujë, ku fara duhet të jetë e mbuluar mirë. Në rast se nuk kemi arritur të bëjmë trajtimin pas mbjelljes mund të bëhet trajtimi pas mbirjes kur gruri ka tre gjethe deri në fund të vëllazërimit.

Puma super e cila përdoret në dozën 0. 7-1. 5 litra/ha të tretur në 200-300 litra ujë nga faza e tre gjetheve deri në fund të vëllazërimit.

Për luftimin e barërave të këqija dykotiledone përdoret preparati 2-4 D (Spritz’hormit) që ka veprim selektiv. Në 1ha përdoret 2 kg i tretur në 400 litra ujë. Shkalla e veprimit të preparatit është më e lartë në temperaturë mbi 14 °C. 

Për kontrollin e Barërave të këqija monokotiledone, më efikase është përdorimi i preparateve selektive si Hussar off  i cili lufton një numër të madh të barërave të këqija mono dhe dikotiledone. 

 

 

CILAT JANË SËMUNDJET DHE DËMTUESIT E GRURIT?

Në vendin tonë, gruri preket më tepër nga këto sëmundje kërpudhore: 

  • Hiri (Erizife graminis),
  • Ndryshqet (Pucciniasp. ),
  • Bloza (Ustilagotritici),
  • Fuzariozat (F. culmorum, F. avenacum),
  • Urthi (Tilletiasp),
  • Septorioza (Septorioza tritici),
  • Kalbëzimi i qafës (Ophiobolus graminis),
  • Helmintosporioza (Helminthosporium sativum).

Pse përbëjnë problem sëmundjet?

  • Shkaktojnë ulje të ndjeshme të prodhimit
  • Ulet vlera tregtare
  • Ulen të ardhurat për njësi prodhimi

Kalbëzimi i rrënjëve të të lashtave

Është shumë i përhapur në tokat e mbjella me grurë. Shkakton kalbëzimin e rrënjëve dhe bazës së kërcellit të bimës së grurit. Indet e prekur marrin ngjyrë të zezë të shëndritëshme. Patogjeni ruhet në tokë në formën e micelit në mbeturinat bimore për një periudhe 1-2 vjet. Prekjet nga kjo sëmundje kryhen gjatë gjithë ciklit të zhvillimit të grurit por ajo favorizohet nga temperaturat e freskëta të tokës (12-18° C) ose nga mungesa e elementëve ushqyes.

Kontrolli i sëmundjes

Parësore është qarkullimi bujqësor si dhe plehërimi i ekuilibruar i grurit, punimi i thellë i tokës, kullimi sa më i mirë i ngastrës së grurit, përdorimi i llojeve rezistente të grurit etj. Trajtimet kimike kundër këtij paraziti bazohen në dizinfektimin e farës para mbjelljes së grurit me preparate të tillë si baytan, frumidor 200 gr/kv fare.

 

 

Hiri

Është ndër sëmundjet më të përhapura të grurit, sidomos në zonat me klimë të lagësht dhe ku temperaturat mesatare variojnë nga 15-22 °C. Prek gjethet, kërcellin dhe kallirin e grurit. Sëmundja shfaqet në formë pushi karakteristik me ngjyrë të bardhë, më vonë merr ngjyrë kafe ose gri. Infeksionet e rënda të hershme mund të ulin numrin e vëllezërve të bimëve të grurit, e si pasojë ulet numri përfundimtar i kallinjve. Prekjet e vona ulin sipërfaqen e gjelbërt të gjethes në kohën e mbushjes së kokrrës, si pasojë kemi dhe ulje të prodhimit.

Kontrolli i sëmundjes. Masat agroteknike ndikojnë mjaft në luftimin e patogjenit. Gjithashtu edhe përdorimi me kriter i plehrave azotike ndikon në kufizimin e sëmundjes pasi plehërimet e tepërta me këto plehra favorizojnë mjaft zhvillimin e këtij paraziti.

Përveç masave agroteknike një ndikim mjaft të mirë në kontrollin e sëmundjes së hirit, japin trajtimet kimike me preparate me bazë squfuri.

 

Urthi i grurit

Kallinjtë e prekur njihen lehtë, në qoftë se shtypen me gishta ato lëshojnë masën e pluhurt të zezë e cila vjen erë si ajo e peshkut të prishur. Në pjekje, kallinj të tillë njihen që larg sepse qëndrojnë drejt ngaqë janë të lehtë ndërsa ato të shëndoshë përkulen nga pesha e kokrrave. Zakonisht kërcelli i një bime të infektuar është më i shkurtër se ai i një bime të painfektuar.

Humbjet në prodhim si pasojë e prekjeve nga ky parazit në përgjithësi janë 10-15%, por në rast të prekjeve të rënda mund të arrijnë deri 70%. Sëmundja ndikon sidomos në cilësinë e kokrrave të grurit.

Kontrolli i sëmundjes. Ndër masat agroteknike më të efektshme kundër këtij patogjeni janë: qarkullimet bujqësore, mbjellja e farës së pastër, etj. Dezinfektimi i farës me preparate të tilla si baytan, frumidor 200 gr/l kv farë etj, vincid 200 gr/l kv farë etj. 

Bloza e grurit

Simptomat e para të sëmundjes duken në fazën e kallzimit të grurit. Patogjeni prek bimën e grurit në fazën e lulëzimit me anën e klamidosporeve nga të cilat zhvillohet miceli i kërpudhës që qëndron në embrionin e kokrrës së grurit. Gjatë mbirjes së farërave të tilla të infektura nga sëmundja, njëkohësisht zhvillohet edhe miceli i parazitit i cili pushton të gjithë organet vegjetative të bimës së grurit. Disa ditë para daljes së kallirit nga miceli zhvillohet masa e zezë e përbërë nga klamidosporet të cilat të shpërndara nga era kryejnë infeksione të reja. Kontrolli i sëmundjes. Si mënyrë më e mirë për kontrollin e kësaj sëmundje rekomandohet përdorimi i varieteteve rezistente si dhe dezinfektimi i farës me preparate si baytan, frumidor 200 gr/kv farë.

Fuzarioza e grurit

Sëmundja e fuzariozës së grurit, prek grurin menjëherë pas mbirjes duke çuar deri në shkatërrimin e filizave të sapombira. Patogjeni mund të prekë edhe kallirin (në lulëzim) duke shkaktuar rrudhosjen e kokrrave ku prodhon micelin ngjyrë trëndafili të kërpudhës.

Kontrolli i sëmundjes. Përdoren masat me karakter agroteknik si qarkullimi bujqësor, punimet e thella, kullimet e ngastrës së grurit etj.

Rëndësi të veçantë në kontrollin e këtij paraziti ka dezinfektimi i farës me preparate të tillë si baytan, frumidor etj, 200 gr/kv farë pasi ai transmetohet edhe nëpërmjet farës.

Ndryshku i zi

Është specia më e rrezikshme se dy speciet e tjera të ndryshqeve. Njëkohësisht është më ngrohtësi-dashëse se dy ndryshqet e tjera. Temperatura optimale e zhvillimit është 20°C. Mbi këtë kufi, uredesporet e humbasin fuqinë mbirëse të tyre. Simptomat janë tipike, përsa i përket ngjyrës së njollave të cilat në fillim janë në ngjyrë rozë e më vonë në të zezë. Ato kanë një gjatësi nga 0.8-25 mm dhe mund të bashkohen në mes të tyre në formën e zgjatur paralel me nervaturat.

Kontrolli i sëmundjes. Një rëndësi të veçantë në kontrollin e parazitit, ka përdorimi i varieteteve rezistente. Ndikim të mirë kundër këtij patogjeni kanë dhe trajtimet me fungicide.

Septorioza e grurit

Simptomat e para në gjethe duken që në fazën e 3-4 gjetheve në formën e njollave të rrumbullakta deri eliptike në ngjyrë të gjelbërt deri në të verdhë të hapët, të cilat më vonë kthehen në kafe të hapët. Këtu formohen trupat frutore të kërpudhës, piknidet. Moti i freskët dhe me reshje të zgjatura janë favorizuese për përhapjen e sëmundjes. Në prekjet e hershme ulet numri i kokrrave ndërsa në ato të vonshmet pesha e 1000 kokrrave.

Kontrolli i sëmundjes. Rëndësi kanë masat agroteknike si plugimi i thellë i tokës në ngastrat që një vit më parë kanë qenë të prekura nga ky parazit, plehërimi i balancuar duke evituar dozat e tepërta të azotit. Rëndësi të veçantë në kontrollin e këtij paraziti ka dezinfektimi i farës me preparate të tillë si baytan, frumidor etj, 200 gr/kv fare.

 

KORRJA, SHIRJA DHE RUAJTJA E PRODHIMIT TË GRURIT

Korrja dhe shirja e grurit, është ndër momentet më të rëndësishme i cili kërkon organizim e vëmendje të veçantë, me qëllim grumbullimin e prodhimit me sa më pak firo.

Në varësi të terrenit, të sheshtë ose të pjerrët, korrja bëhet :

  • Me dorë (në fazën e pjekjes së dyllit) dhe pas tharjes së plotë bëhet shirja me kombajnë ose makinë shirëse.
  • Me kombajnë (në fazën e pjekjes së plotë).

Pas korrjes e shirjes, prodhimi i nënshtrohet një sërë proceseve siç janë : tharja, ventilimi, pastrimi, ambalazhimi dhe magazinimi.

Ruajtja e prodhimit të grurit bëhet në depo, hangarë të mbuluar etj. Që prodhimi i grurit të ruhet pa humbje, në momentin e depozitimit, nuk duhet të ketë më shumë se 13-14% lagështi, e cila kontrollohet paraprakisht me anë të analizës laboratorike.

Data e publikimit: 01/06/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË GRURIT

Përse gruri meriton të përhapet më shumë në vendin tonë?

Lexo më shumë