Dragush Dervishi, rikthimi te blegtoria dhe mbështetja e FED Invest
Që prej gushtit 2021, FED Invest ka hapur zyrën e saj edhe në Tepelenë, duke sjellë shërbimet më pranë anëtarëve dhe sipërmarrësve të zonës. Për të mësuar më shumë mbi aktivitetin e FED Invest në këtë territor, takojmë oficerin e kredisë, Kleida Mati. Ajo na tregon për numrin e anëtarëve, profilin e tyre ekonomik dhe aktivitetet kryesore, ku blegtoria zë një vend të rëndësishëm. Kleida na sugjeron të takojmë dy prej anëtarëve më të hershëm të zonës, të cilët ishin bërë pjesë e FED Invest që përpara hapjes së zyrës në Tepelenë, kur shërbimet mbuloheshin nga dega e Gjirokastrës.
Në Turan takojmë blegtorin Dragush Dervishi, i cili na tregon se merret me rritjen e bagëtive të imta që prej fillimit të viteve ’90. Në atë kohë kishte krijuar një tufë të konsiderueshme bagëtish, të cilën më vonë e shiti për t’u larguar drejt Maqedonisë së Veriut, ku vendosi të emigronte për t’i qëndruar pranë vajzës dhe për ta mbështetur gjatë shkollimit të saj.
Pas përfundimit të shkollës së vajzës, familja u kthye sërish në Turan të Tepelenës. Zona, me relievin e saj kodrinor-malor, hapësirat e gjelbra dhe kullotat natyrore, krijon kushte të përshtatshme për mbarështimin e bagëtive të imta. Për Dragushin, kthimi në vendlindje ishte edhe një mundësi për t’iu rikthyer profesionit që kishte ushtruar për vite me radhë.
“Blegtoria është i vetmi zanat që di”, shprehet Dragushi, i cili pas kthimit vendosi të rindërtojë aktivitetin e tij. Ai na tregon se, ashtu si në fillimet e aktivitetit të tij, edhe për krijimin e tufës së re është mbështetur me kredi nga FED Invest.
Sot, Dragushi mban bagëtitë në kullotë të lirë dhe aktivitetin e ka të orientuar si drejt prodhimit të qumështit, ashtu edhe të mishit. Ai përdor kryesisht racë vendi, duke ruajtur një mënyrë tradicionale të mbarështimit, të përshtatur me kushtet natyrore të zonës.
Për Dragushin, rikthimi te blegtoria nuk është thjesht rikthim te një aktivitet ekonomik, por te profesioni që ka njohur dhe ushtruar gjatë gjithë jetës. Mbështetja financiare e FED Invest ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi, si në krijimin e tufës së parë, ashtu edhe në rindërtimin e aktivitetit pas kthimit në Tepelenë.
Shpërndaj në rrjetet sociale: