Jeni të interesuar të njheni me varietetet kryesore autoktone apo tradicionale të specieve të kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri ?
Dëshironi një informacion të shkurtër për kultivimin e tyre? Kërkoni të njiheni me vlerat dhe rëndësinë e tyre për tregun rajonal?
Vendi ynë, është një vend i pasur me resurse gjenetike bimore si dhe është vend origjinë për disa specie e varietete të kultivuara. Në kuadër të zhvillimit të agroturizmit, veçanërisht në zonat kodrinore malore, ato mund të kultivohen, të prodhohen dhe të përdoren produkte tipike të zonës.
Shtimi i kujdesit dhe ndërgjegjësimi për përdorimin e varieteteve tradicionale nga komuniteti i zonës dhe i mbështetjes nga organet lokale e qendrore, nga donatorët, akademikët dhe media, do të mundësojë rritjen e të ardhurave në ato zona si dhe do të shtohen resurset gjenetike të vendit.
Më poshtë po përshkruajmë disa nga varietetet kryesore autoktone të qepës sipas një studimi të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Qepa e Drishtit
Specia: Allium cepa L.
Përhapja: Në zonën e Drishtit të Shkodrës njihet e kultivohet për mbi 200 vjet. Kjo qepë kultivohet thuajse në gjithë qarkun e Shkodrës. Fara është mbajtur, ruajtur e trashëguar nga kopshtarët. Zë rreth 30-35% të sipërfaqes së qepës në zonë.
Përshkrimi: Është mesatarisht e hershme. Karakterizohet nga bimë me shumë gjethe. Janë të gjata, me ngjyrë të gjelbër të çelur dhe që mbulohen nga një shtresë e hollë dyllore. Bulbet kanë madhësi mesatare. Luspat e jashtme, mbështjellëse të bulbit, kanë ngjyrë tjegulle, me nuanca më të errëta ose më të çelura. Luspat e brendshme kanë ngjyrë të bardhë qumështi. Ato përmbajnë 12-16% lëndë të thatë. Janë djegëse.
Qepa e Drishtit gjendet në dy forma kryesore:


Kultivimi: Tradicionalisht kultivohet me qepujkë.
Teknologjia: Për prodhimin e qepujkës fara mbillet në vllaja në periudhën 1–15 mars dhe qepujkat janë të gatshme për vjelje në fillim të gushtit. Pas vjeljes, thahen dhe ruhen në hangarë. Në vitin pasardhës, për prodhimin e qepës së thatë, qepujkat mbillen herët në pranverë, në largësitë 20x10-20 cm. Kryhen ujitje, plehërime dhe prashitje e bimëve. Prodhimi vjen për tu vjelë në gusht-shtator. Pas vjeljes, qepët thahen dhe ruhen në hangarë.
Rendimenti: rreth 25-30 kv/dynym.
Veçantitë
Pozitive: Është mesatarisht e qëndrueshme ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm;
Përdorimi: Preferohet për konsum të freskët dhe gatim në familje.
Risku: Është në rrezik zhdukjeje; s’është punuar për seleksionimin e prodhimin e farës.
Qepa e Mirasit
Specia: Allium cepa L.
Përhapja: Në zonën e Korçës dhe Devollit njihet dhe kultivohet për më se 100 vjet. Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar ndër breza nga vetë banorët, me mbjellje të bulbeve më tipik e më të shëndetshëm. Aktualisht zë rreth 30-35 % tësipërfaqes së qepës në zonë.
Përshkrimi:
Bulbi ka formë konike. Pesha mesatare e tij rreth 250-300g. Luspat e jashtme e ruajnë kompaktësinë për një periudhë të gjatë. Ato kanë ngjyrë bezhë të zbehtë e deri në të verdhë. Luspat e brendshme mishtore me trashësi 4-5 mm, janë të lëngshme dhe me ngjyrë të bardhë e deri në të verdhë. Numri tyre ndryshon në varësi të madhësisë së bulbit. Ka shije të mirë, të ëmbël qepe, për rrjedhojë konsumohet gjerësisht e freskët në sallata.
Kultivimi: Tradicionalisht kultivohet me fidanë. Fara për prodhimin e fidanëve mbillet gjatë shkurtit dhe fillimit të marsit. Fidani bëhet i gatshëm për tu mbjellë në fushë në dhjetë ditëshin e tretë të majit e deri në dhjetë ditëshin e parë të qershorit. Ato mbillen në fushë në largësitë 20 x 10 - 20 cm dhe prodhimi i qepës së thatë merret në periudhën shtator-tetor. Pas vjeljes, qepët thahen dhe ruhen në hangarë.

Rendimenti: rreth 25-30 kv/dynym.
Veçantitë Pozitive: Është mesatarisht e qëndrueshme ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm;
Negative: Bulbet nuk ruhen për periudhë të gjatë.
Përdorimi: Për konsum të freskët dhe gatim në familje.
Risku: Është në rrezik zhdukjeje; në vite nuk është punuar për seleksionimin dhe prodhimin e farës.
Qepa e bardhë e Sukthit
Specia: Allium cepa L.
Përhapja: Në zonën e ulët e bregdetare kultivohet për më se 80-100 vjet. Mendohet se është me origjinë nga Italia, e mbjellë që në fillim të shekullit të 20-të në fermën e Sukthit (Durrës). Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar nga bahçevanët. Aktualisht zë rreth 10-15 % të sipërfaqes së qepës në zonë, duke qenë kështu kultivari autokton i rrallë.
Përshkrimi: Bulbi ka formë të rrumbullakët, plloçak nga ana e rrënjëve dhe eliptik nga ana e kërcellit. Diametri i bulbit rreth 8-10 cm. Pesha mesatare e tij rreth 200-300 g, por nuk përjashtohen rastet kur arrijnë deri 400g. Luspat e jashtme janë 2-3, me ngjyrë të bardhë në krem. Luspat e brendshme kanë trashësi 4-5 mm, janë të lëngshme dhe me ngjyrë të bardhë qumështi. Bulbet përmbajnë rreth 90-92% ujë. Ka shije të mirë, të ëmbël qepe, për rrjedhojë konsumohet gjerësisht e freskët në sallata. Ato nuk ruhen për kohë të gjatë.
Kultivimi: Tradicionalisht kultivohet me fidanë. Fara për prodhimin e fidanëve mbillet gjatë korrikut e deri në fillim të gushtit. Fidanët mbillen në fushë gjatë shtator–tetorit, në largësitë 20 x 15-20 cm. Prodhimi i qepës së njomë merret në periudhën shkurt-maj, kurse për gjysmë të thatë në qershor-korrik të vitit pasardhës.
Rendimenti: rreth 25 - 30 kv/dynym.
Veçantitë
Pozitive: Është mesatarisht e qëndrueshme ndaj sëmundjeve. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.
Negative: Nuk ruhet për kohë të gjatë.
Përdorimi: Për konsum të freskët dhe gatime.
Risku: Është në rrezik zhdukjeje; në vite nuk është punuar për seleksionimin dhe prodhimin e farës.

Qepa e kuqe e Dishnicës
Specia: Allium cepa L.
Përhapja: Sipas dokumenteve, bujqit e Dishnicës dhe fshatrat periferike të Korçës e kanë kultivuar për më se dy shekuj. Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar nga bahçevanët, me mbjellje të bulbeve më tipik e më të shëndetshëm. Aktualisht zë rreth 20-25 % të sipërfaqes së qepës në zonë.
Përshkrimi: Bima formon masë të madhe gjethore. Bulbet janë të rrumbullakët, plloçak në pjesën e rrënjëve dhe pak të zgjatur e konik nga ana e kërcellit (Indeksi H/D=0.6- 0.7). Ato kanë peshë mesatare 150-200 g. Luspat e jashtëm kanë ngjyrë të kuqe në tjegull. Megjithatë, nuancat e ngjyrës ndryshojnë në varësi të kushteve klimatike dhe të mjedisit të kultivimit. Luspat e brendshme janë me ngjyrë të bardhë qumështi dhe djegëse. Përmbajtja e lëndës së thatë në bulbe shkon nga 8 deri 14%. Kjo qepë dallohet për cilësi të mira konservuese, mund të ruhet normalisht për 5-6muaj.
Kultivimi: Tradicionalisht kultivohet me fidanë. Fara mbillet në vllaja në gjysmën e dytë të shkurtit. Fidanët bëhen të gatshëm për tu mbjellë në fushë në dhjetëditëshin e parë të qershorit. Mbjellja bëhet me rreshta në largësitë 20 x 10 - 20 cm. Kryhen ujitje, plehërime dhe prashitje e bimëve. Prodhimi vjen për tu vjelë në shtator-tetor. Në zonën e ftohtë (Korçë e Dibër), gjatë kultivimit me fidanë, prodhimi është i gatshëm për tu vjelë pas 200-210 ditë nga mbirja e farës. Në zonën e ngrohtë, kjo qepë mund të kultivohet me qepujkë, periudha bimore zgjat 90-120 ditë. Pas vjeljes, qepët thahen dhe ruhen në hangarë.

Rendimenti:rreth 25 - 30 kv/dynym.
Veçantitë
Pozitive: Është mesatarisht e qëndrueshme nga vrugu (Peronospora schleideni Ung.). Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.
Negative: Nuk ka.
Përdorimi: Për konsum të freskët dhe gatim në familje.
Risku: Është në rrezik zhdukjeje; në vite nuk është punuar për seleksionimin dhe prodhimin e farës.
Qepa e Bënjes
Specia: Allium cepa L.
Përhapja: Në zonën e Përmetit njihet e kultivohet për më se 200 vjet. Bujqit përmetarë i konsiderojnë këto qepë vendase, madje tregojnë se ishte pikërisht një fshatar i tyre, i cili duke mërguar aty nga fillimi i shekullit të 19-të, e përhapi qepën e Bënjës në disa vende të Evropës dhe Turqi. Aktualisht, zë rreth 30-35 % të sipërfaqes së qepës në zonë.
Përshkrimi:
Bimët formojnë masë të madhe gjethore, 10-12 gjethe me ngjyrë të gjelbër të errët. Bulbi ka formë të rrumbullakët-plloçake, me diametër 6.5-7.0cm dhe lartësi 3.5-4.0 cm. Luspat e jashtme kanë ngjyrë kafe të çelët dhe me nuanca të verdha. Ato janë shumë të forta dhe e mbështjellin plotësisht bulbin. Tuli ka ngjyrë të bardhë në qumësht dhe është pak djegës. Numri i luspave të brendshme, në varësi të madhësisë së bulbit shkon në 5-6. Trashësia e tyre rritet duke filluar nga qendra në periferi, por mesatarisht ky tregues është 4-6 mm. Bulbi i qepës së Bënjës ka peshë mesatare100-250g. Qepa e Bënjës dallohet për aftësi të mira konservuese. Prodhimi mund të ruhet për më se 6-7 muaj, ose sikurse thuhet në atë zonë “qepa zë qepën”.
Kultivimi: Tradicionalisht kultivohet me qepujkë. Fara mbillet në vllaja në periudhën 1 – 15 mars dhe qepujkat janë të gatshmepër vjelje në fillim të gushtit. Pas vjeljes, thahen dhe ruhen në hangarë. Në vitin pasardhës, për prodhimin e qepës së thatë, qepujkat mbillen herët në pranverë, në largësitë 20 x 10 - 20 cm. Kryhen ujitje, plehërime dhe prashitje e bimëve. Prodhimi vjen për tu vjelë në gusht-shtator. Pas vjeljes, qepët thahen dhe ruhen në hangarë.

Rendimenti: rreth 20-25 kv/dynym.
Veçantitë
Pozitive: Është e qëndrueshme ndaj sëmundjeve.
Negative: Jep prodhim relativisht të ulët.
Përdorimi:Për konsum të freskët e gatime.
Risku: Është në rrezik zhdukjeje; në vite nuk është punuar për seleksionimin dhe prodhimin e farës.
Qepa e Linit
Specia: Allium cepa L.
Përhapja: Sipas dokumenteve dhe kujtimeve të bahçevanëve, të trashëguara deri në ditët tona, në fshatin Lin të Pogradecit njihet e kultivohet që në fillimin e shekullit të 19-të. Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar nga banorët brez pas brezi, me mbjellje të bulbeve më tipik e më të shëndetshëm. Aktualisht zë rreth 30-35% të sipërfaqes së qepës në zonë.
Përshkrimi:
Bulbi ka formë të rrumbullakët në plloçake. Ato janë me përmasa më të mëdha. Diametri i bulbit shkon rreth 8-12 cm. Pesha mesatare e tij rreth 260-300 g, por nuk përjashtohen rastet kur arrijnë deri 600-700 g. Luspat e jashtme janë 2-3 dhe kanë ngjyrë rozë të errët në vjollcë. Luspat e brendshme kanë trashësi 4-5 mm, janë të lëngshme dhe me ngjyrë të bardhë. Bulbet e saj përmbajnë rreth 85-90 % ujë. Ka shije të mirë, të ëmbël qepe, për rrjedhojë konsumohet gjerësisht e freskët në sallata. Bulbet e kësaj qepe ruhen mirë deri në muajin shkurt të vitit pasardhës.
Kultivimi: Tradicionalisht kultivohet me fidanë. Fara, për prodhimin e fidanëve, mbillet gjatë shkurtit dhe fillimit të marsit. Fidani bëhet i gatshëm për tu mbjellë në fushë në dhjetë-ditëshin e tretë të majit e deri në dhjetë-ditëshin e parë të qershorit. Fidanët mbillen në largësitë 20 x 10 - 20 cm dhe prodhimi i qepës së thatë merret në periudhën gusht - shtator. Pas vjeljes, qepët thahen dhe ruhen në hangarë.

Rendimenti: rreth 25 - 30kv/dynym.
Veçantitë
Pozitive: Është mesatarisht e qëndrueshme ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.
Negative: Nuk ka.
Përdorimi: Preferohet për konsum të freskët dhe gatim në familje.
Risku: Është në rrezik zhdukjeje; në vite nuk është punuar për seleksionimin dhe prodhimin e farës.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Cila është Teknologjia e Kultivimit të Endivies?
Lexo më shumë
Dëshironi një informacion të shkurtër për kultivimin e kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri?
Lexo më shumë
Cila është struktura varietore e rekomanduar?
Lexo më shumë
Cila është struktura varietore e rekomanduar?
Lexo më shumë