PËRGATITJA E SILAZHIT TË MISRIT ME KALLI DHE RËNDËSIA E TIJ




Silazhi është ushqim i domosdoshëm për plotësimin e nevojave të gjedhit si për nga volumi ashtu edhe përsa i përket vlerave ushqyese. Konsumi i tij varion sipas fazave të laktacionit nga 12-20 kg/krerë në ditë. Silazhi është i barabartë me qumëshin,  lopët të cilat trajtohen pa silazh, kanë njëanshmëri të plotësimit të nevojave ushqyese. Vlen të theksohet se silazhi është baza ushqimore me koston më të ulët prodhuar në fermë me 4-6 lekë/kg. 

Kujdes, cilësia e silazhit ndikon në shëndetin e gjedhit, si në riprodhim dhe prodhim. Çdo mykje e tij është premisë për praninë e aflatoksinës dhe ju penalizon në dorëzimin e qumështit në fabrikë. 

Firot e silazhit mbi 5% përbëjnë një problem ekonomik për fermën tuaj.

CILËSINË E SILAZHIT E KENI NËN KONTROLL JU SI FERMERË. 

Cilësia e silazhit fillon me momentin e përgatitjes së silazhit. Koha e korrjes është periudha qumësht-dyll kur sigurohet edhe piku i lëndës ushqyese.

 

Madhësia e copëtimit të misrit është po aq e rëndësishme. Ajo duhet të jetë 1,5 cm. Copëtimi më i imët prish strukturën e fibrës, ndërsa copëtimi mbi 2 cm krijon vështirësi në ngjeshje kompakte, për pasojë krijon vatra të depërtimit të oksigjenit dhe mykjes së silazhit. 

 

Ngjeshja e silazhit është një proces shumë i rëndësishëm, pasi siguron mos depërtimin e ajrit dhe ruajtjen e cilësisë së silazhit. Ngjeshja duhet të jetë e tillë sa të mos lejojë as edhe depërtimin e gishtërinjve në masën e përgatitur të silazhit. Mbyllja e gropës duhet bërë brenda 24-48 orë në varësi nga volumi i saj. 

Përdorimi i kripës në përgatitjen e silazhit është një shpenzim i panevojshëm, nëse ngjeshja bëhet më mënyrën e duhur. 

Nëse deshironi të mësoni më shumë për përgatitjen dhe vlerësimin e cilësisë së silazhit të misrit me kalli mund të ndiqni videon e përgatitur nga Qendra ABA duke klikuar këtu.

Data e publikimit: 22/09/2021


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: