REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.
Rigoni (Origanum sp. L) është bimë shumëvjeçare, me ngjyrë të gjelbërt, gjysmë shkurre e familjes buzore (Lamiace). Origjinën e ka nga Mesdheu, ku edhe sot rritet si bimë e egër. Rigoni është i njohur që nga epoka e grekëve të lashtë dhe romakëve. Rigoni kultivohet për masën e saj mbitokësore, gjethet dhe vajin eterik. Përqindja më e lartë e vajit eterik është në gjethe dhe lule. Vaji eterik vlerësohet shumë për erë të këndshme dhe efekt antiseptik. Vaji esencial i rigonit përmban timol dhe karvakrol dhe është shumë antiseptik dhe ka veti antioksidative. Përmban vitaminat A, C, E dhe K. Ai është gjithashtu i pasur me fibër, kalcium, niacinë, mangan, folat, magnez, hekur, kalium. Përdoret gjerësisht në mjekësinë popullore.
Ndër vetitë shëruese mund të përmendim: vetitë antibakterile, antivirale dhe antifugle; veti kundër alergjive; ndikimi në traktin respirator. Gjithashtu, vajrat përdoren në industrinë e kozmetikës dhe parfumerisë. Rigoni i bardhë përdoret në industrinë ushqimore si erëza.
Cilat janë kërkesat e rigonit për klimën e tokën?
Kërkesat ndaj klimës
Rigoni kultivohet në të gjitha zonat e ndikuara nga klima mesdhetare ose zonat fqinje me to. Ai shkon mirë në brezin e klimës së butë dhe nëntropikale të Evropës. Kohëzgjatja e ditës, intensiteti i dritës, temperatura dhe reshjet janë faktorë klimatikë të rëndësishëm për rigonin. Bima e rigonit pëlqen dritën e diellit të drejtpërdrejtë dhe i reziston kushteve të thatësirës. Është më i qëndrueshëm ndaj të ftohtit në krahasim me bimët e tjera mjekësore.
Kërkesat për tokën
Nuk ka kërkesa të veçanta sa i përket tipit të tokës, por megjithatë më së miri shkon në toka pjellore, të shkrift, të ajrosura mirë dhe të thella. Tokat e lagështa, të ftohta, ranore dhe të ngjeshura nuk janë të përshtatshme. Rigonit i përgjigjet reaksioni i tokës neutral deri acid lehtë.
Kur rritet në vende të thata dhe të ngrohta rigoni përmban më shumë aromë.
Kërkesat për ujë (lagështirë)
Rigoni nuk ka kërkesa të mëdha për lagështirë, prandaj ujitja nuk është e nevojshme, përveç në fazën e mbjelljes si dhe një ujitje emergjence në vitin e parë, në rastet e thatësirës së madhe. Në varësi nga niveli dhe shpërndarja e reshjeve, mund të nevojitet 1 – 2 ujitje, sidomos pas vjeljes së parë për të mundësuar një rritje vegjetative të mjaftueshme për vjeljen e dytë.
Kultivarët
Gjerësisht njihen dy lloje të rigonit, Rigoni europian dhe rigoni i bardhë.
Rigoni evropian është me lule të kuqe (që shpesh e quajmë rigon i kuq, çaj mali i kuq ose çaji i fushës) me emrin latinisht Origanum vulgare L.
Rigoni i bardhë (i quajtur edhe rigoni i kuzhinës, rigoni grek ose rigoni i ëmbël) me emrin latinisht nga O. heracleoticum L. ose O. creticum L. Megjithatë, në kuptimin e vërtetë të fjalës nuk ka lloje të përcaktuara të rigonit.
Llojet me lule të kuqe janë më të buta në shije, ndërsa ato me lule të bardha janë më pikante. Në treg gjenden edhe disa kultivarë komercialë ndër më të njohurit janë: ‘Aureum’, ‘Aureum crispum’, ‘Acorn Black’, ‘Album’, ‘Compactum’, ‘Compactum nanum’, ‘Gold Tip’, ‘Heiderose’, ‘Jim Best’, ‘Polyphant’, ‘Roseum’, ‘Santa Cruz’, ‘Thymoltype No.2’, etj.
Kërkesat për parabimën (qarkullimi bimor)
Rigoni si bimë shumëvjeçare nuk e duron monokulturën dhe parabimët që i takojnë të njëjtës familje (Lamiaceae/Buzore). Kultivimi pas bimëve të së njëjtës familje ka si pasojë rritjen e intensitetit të sëmundjeve dhe dëmtuesve si dhe shfrytëzimi i një-anshëm i lëndëve ushqyese. Në përgjithësi, parabimë më të mira janë drithërat dimërore, leguminozet për kokërr dhe bimët foragjere (jonxha, përzierjet foragjere etj.), të cilat lirojnë tokën shpejt dhe japin mundësi për përgatitjen në kohë të tokës dhe për mbjellje në afat të farës ose fidanit.
Teknologjia e kultivimit të rigonit
Njihen disa mënyra të kultivimit të rigonit. Shumimi mund të bëhet:
Secila metodë e kultivimit ka përparësitë dhe mangësitë e veta. Rekomandojmë mbjelljen me fidanë të prodhuar në fidanishte pasi vlerësohet të jetë më e mirë se mënyrat e tjera të shtimit.
Mbjellja e drejtpërdrejtë me farë
Mbjellja e drejtpërdrejtë me farë e rigonit konsiderohet si metodë mjaft e kushtueshme. Mbjellja me farë bëhet në fundin e muajit prill, kur temperaturat kanë arritur afërsisht 15°C. Norma e farës është rreth 4 kg/ha farë. Fara, meqenëse është shumë e imët (pesha e 1000 farave është 0.2 – 0.3 g), para mbjelljes përzihet me rërë ose lëndë të tjera inerte për ta bërë shpërndarjen e saj sa më uniforme. Fara duhet të jetë cilësore me aftësi të lartë mbirëse si dhe e certifikuar. Toka për mbjellje duhet e jetë e përgatitur shumë mirë me qëllim që thellësia e mbjelljes së farës të jetë e njëjtë. Thellësia e mbjelljes është 0.5 – 1.0 cm. Megjithatë, duhet theksuar se mbjellja me farë nuk është e garantuar. Kjo mënyrë e mbjelljes zbatohet në ato raste kur ka fuqi punëtore të mjaftueshme për herrje, pasi bima e rigonit zhvillohet shumë ngadalë në fazat fillestare.
Mbjellja me fidanë
Shumimi i bimëve me fidanë ka rezultuar të jetë më i suksesshëm dhe më i sigurt krahasuar me mbjelljen e drejtpërdrejtë me farë sepse fara e rigonit është shumë e imët edhe mbirja është shumë delikate, prandaj më i garantuar për zënie është kultivimi me fidanë. Fidanët përgatiten në fidanishte. Bimët e përftuara në fidanishte trapiantohen më pas në fushë. Para ndërrimit (trapiantimit) fidani duhet kalitur. Norma e farës së përdorur është 1g/m2. Fidanët janë të gatshëm për trapiantim kur ato arrijnë lartësinë rreth 10 cm, në fillim të muajit qershor. Kjo metodë e prodhimit të fidanëve njihet si prodhim i fidanëve rrënjë zhveshura, e cila ka disa të meta, prandaj vitet e fundit nuk po gjen zbatim të gjerë në praktikat bujqësore dhe është zëvendësuar me metodën e përgatitjes së fidanëve në kaseta/bigurina.
Disa nga të metat e metodës së përgatitjes së fidanit me rrënjë të zhveshura mund të përmendim:
Prandaj rekomandohet prodhimi i fidanëve në kaseta/bigurina apo siç quhet prodhimi i fidanëve me rrënjë të veshura. Një rekomandim i tillë mbështetet në avantazhet që ka prodhimi i fidanëve në kaseta/bigurina si:

Thellësia e mbjelljes së farës në kaseta duhet të jetë rreth 0.5 cm. Pas mbjelljes fara mbulohet lehtë dhe ujitet. Megjithatë, mbulimi i farës me substrat mund të mos realizohet sepse ngaqë fara është shumë e imët mbulimi i saj mund të realizohet thjeshtë nga ujitja. Gjatë ujitjes, pas hedhjes së farës presioni i ujit e fut farën në thellësinë e dëshiruar. Po ashtu duke u bazuar në faktin që fara e rigonit është shumë e imët dhe është vështirë për tu shpërndarë në kaseta/bigurina, përdoren shiringa apo mjete tjera me qëllim që numri i farave të rëna në vrimat e kasetave të mos jetë e madhe.
Pas shpërndarjes së farave në kaseta, bëhet një ujitje me një sasi të mjaftueshme uji për të siguruar lagien e plotë të substratit në thellësinë 1- 2 cm. Pak orë më vonë bëhet një ujitje tjetër me doza më të larta për të mundësuar lagien e plotë të gjithë substratit. Pas këtij momenti, në asnjë rast nuk duhet të lejohet tharja e sipërfaqes së kompostos, deri në mbirjen e plotë të farave. Kasetat e mbjella dhe të ujitura vendosen në fidanishte në mjedise të mbrojtura (serra) deri në përfundim të fazës së fidanit. Përgatitja e fidanit mund të bëhet edhe në fidanishte komerciale, të cilat posedojnë dhomat e mbirjes. Në këto ambiente mbahet temperatura optimale 18-21°C dhe lagështi relative deri 95% për një periudhë kohore 10-12 ditë derisa të fillojë inicimi i mbirjes, ku nga ai moment kasetat vendosen në serra për rritje dhe zhvillim të mëtejshëm të fidanëve.
Pas mbirjes, kur fidani është në fazën e kotiledoneve, duhet aplikuar herrje apo largimi/heqja e bimëve të tepërta në vrimat e kasetave. Numri i bimëve për vrimë të kasetës nuk duhet të jetë më shumë se 3 bimë. Harrja është një masë e domosdoshme sepse numri i madh i bimëve në vrima të kasetave rezulton me fidanë të brishtë dhe i cilësisë së dobët. Gjatë gjithë fazës së fidanit bimët e rigonit duhen ujitur, ajrosur dhe kontrolluar kushtet e kultivimit me qëllim prodhimin e fidanëve sa më cilësor. Fidanët e prodhuar në kaseta duhet të kaliten para trapiantimit. Kalitja siguron një lidhje më të shpejtë të bimës me tokën dhe pa stres të zënies.
Mbjellja me copa
Rigoni shumohet edhe në rrugë vegjetative, me copa të rrënjëzuara. Kjo metodë e shumimit kërkon kushte specifike, për një periudhë të caktuar kohore, si temperaturë dhe lagështi relative optimale për të rritur përqindjen e rrënjëzimit. Zakonisht, kjo metodë zbatohet në sipërfaqe të vogla për nevoja vetjake dhe qëllime zbukuruese. Nga bima mëmë priten me brisk të dezinfektuar disa copa me gjatësi 7 – 9 cm. Copat e prera mbillen në kaseta dhe ujiten rregullisht për të realizuar procesin e rrënjëzimit. Deri në nxjerrjen e rrënjës bimët mbulohen me plastmasë. Në temperaturën 18 – 20 °C dhe lagështi relative të lartë copat zakonisht rrënjëzojnë brenda 2 – 3 javësh. Gjatë rrënjëzimit të copave, sidomos në fazat fillestare dhe nëse rezatimi diellor është i lartë, kërkohet aplikimi i rrjetave hijezuese. Pas 3 – 4 javësh fidanët janë të gatshme për trapiantim.
Përgatitja e tokës për mbjellje
Plugim i tokës është një masë bazë agroteknike shumë e rëndësishme për prodhimin e suksesshëm të rigonit. Kur parabima ka qenë drithëra këshillohet një punim i cekët në një thellësi 10-12 cm. Një masë e tillë rekomandohet me qëllim të përmbysjes së lëndëve organike të mbetura pas korrjes si dhe provokohet mbirja e farave të barërave të këqija. Kjo masë e gjelbër e krijuar së bashku me plehrat e stallës përmbyset me punimin kryesor.
Punimi i thellë bëhet në vjeshtë ku paraprakisht shpërndahen 30 – 40 t/ha pleh stalle të dekompozuar mirë. Punimi i thellë i vjeshtës mbetet me brazda të hapura gjatë dimrit dhe punimi plotësues dhe përgatitja e tokës për mbjellje bëhet herët në pranverë. Në varësi nga struktura e tokës apo edhe nga cilësia e punimit bazë, punimet plotësuese realizohen me qëllim përgatitjen sa më të mirë të tokës për trapiantim të fidanëve. Përgatitja e shtratit të mbjelljes mund të realizohet me anë të nivelimit, frezimit, lesimit dhe rulimit.
Gjatë përgatitjes duhet pasur kujdes që të shmangen sa të jetë e mundur mundësinë e formimit të pellgjeve ujore sepse rigoni është shumë i ndjeshëm ndaj lagështirës së tepërt dhe në raste të tilla kalbëzimi i sistemi rrënjorë do të jetë i pa-evitueshëm.
Plehërimi i rigonit
Me anë të plehërimi ne duhet t'i sigurojmë rigonit nevojat për lëndë ushqyese të cilat janë: 60 – 80 kg/ha N, 80 – 100 kg/ha P2O5 dhe 80 – 100 kg/ha K2O. Plehërimi i mirë zgjat edhe jetëgjatësinë ekonomike të parcelës me rigon pasi rigoni është një bimë shumëvjeçare. Ushqimi me lëndë organike (plehu i stallës, komposto dhe plehërimi i gjelbër) është i rëndësishëm për një bimë 3-4 vjeçare, për më tepër në prodhimin organik. Rekomandohet të përdoren 30-40 t/ha pleh stalle, sasi kjo e mjaftueshme për të plotësuar nevojat e rigonit për lëndë ushqyese. Plehu duhet të jetë dekompozuar mirë. Analizat e tokës për elementët ushqyes do të jenë një pasqyrë mbi nevojën për elemente ushqyese të bimës, ku sipas nevojës, plehërimi shtesë mes rreshtave dhe përmbysja e tyre gjatë vjeshtës do të ndikojë në ruajtjen e rendimentit dhe cilësisë së rigonit të prodhuar në vitet pasuese.
Mbjellja apo trapiantimi i rigonit
Në varësi nga përdorimi i mjeteve të mekanizuara, distanca midis reshtave luhatet nga 60 – 70 cm dhe 20 – 25 cm midis bimëve në rresht apo 5 - 7 bimë/m2. Trapiantimi bëhet pasi materiali fidanorë është përgatitur dhe kalitur për mbjellje. Trapiantimi i fidanëve të rigonit në fushën e përgatitur mund të bëhet me mjete të mekanizuar ose me krah. Kur mbjellja realizohet me makina të mbjelljes së fidanëve ato duhet të përshtaten dhe fiksuar distancat e mbjelljes për rigonin. Mbjellja me krahë ose mbjellja me fuqi punëtore realizohet me kunja duke hapur vrima dhe vendosja e shtrëngimi i fidanit. Menjëherë pas mbjelljes (trapiantimit) është e domosdoshme ujitja me qëllim realizimin e një kontakti sa më të mirë të sistemit rrënjor me tokën dhe sigurimin e një zënie sa më të plotë.
Shërbimet dhe përkujdesja pas mbjelljes
Shërbimet intensive fillojnë që në vitin e parë. Rëndësi i kushtohet mbajtjes në gjendje të shkrifët të tokës dhe luftimit të barërave të këqija. Është shumë e rëndësishme që ngastra e mbjellë me rigon të jetë e pastër nga barërat e këqija pasi ato janë jo vetëm konkurrente në të ushqyerit e bimës por edhe krijojnë hijezim i cili është shumë i dëmshëm në rritjen dhe zhvillimin e rigonit. Pastrimi nga barërat e këqija mund të realizohet me mjete mekanike, me anë të moto kultivatorëve ose heqja me dorë (prashitja me krahë). Në vitet në vazhdim shërbimet fokusohen kryesisht në mbajtjen pastër të ngastrës nga barërat e këqija si dhe në përdorimin e dozave të ulëta të plehrave organike kryesisht gjatë kultivimit mes rreshtave edhe atë në vjeshtë.
Sëmundjet dhe dëmtuesit e rigonit
Edhe pse rigoni njihet si bimë mjaft e qëndrueshme ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve prapë se prapë nuk përjashtohet mundësia që disa agjentë patogjenë mund të shkaktojnë dëmtime në sezone dhe zona të caktuara. Shpesh masat agroteknike dhe luftimi i barërave të këqija nuk janë të mjaftueshme për zhdukjen e shpejtë dhe ndalimin e shtimit të sëmundjeve dhe dëmtuesve. Shpesh barërat e këqija janë mbartës ose strehë të dëmtuesve ose sëmundjeve të ndryshëm ku luftimi i tyre llogaritet si një masë preventive për mbrojtjen e rigonit të kultivuar. Në prodhimin organik, përdorimi i pesticideve është i ndaluar, prandaj edhe mbrojtja nga sëmundjet dhe dëmtuesit duhet të mbështetet në metodat agroteknike, fizike e biologjike.
Rigoni mund të preket nga Alternaria sp ku intensiteti dhe presioni i sëmundjes varet nga kushtet klimatike që mbretërojnë në sezone.
Ndër dëmtuesit kryesorë mund të përmendim ato të tokës si Scarabidae dhe Elateridae të cilët dëmtojnë sistemin rrënjorë të rigonit. Shkalla e dëmit të shkaktuar varet nga intensiteti i paraqitjes së larvave të dëmtuesve. Punimet e ndryshme të tokës, kanë rëndësi të veçantë për zhdukjen e shumë dëmtuesve dhe mikroorganizmave, të cilat dimërojnë në tokë.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Vjelja e rigonit.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Farat përmbajnë vaj esencial 0,5 – 1,6 % i cili përdoret në industrinë ushqimore dhe farmaceutike. Është përdorur si ilaç bimor për më shumë se 2000 vjet.
Lexo më shumë
Aronia është një superfrut i shëndetshëm, që ofron sasi jashtëzakonisht të lartë të vitaminave, mineraleve, antioksidantëve dhe fitonutricientëve të tjerë.
Lexo më shumë
Korrja e aronias zakonisht bëhet në gjysmën e dytë të gushtit. Data e saktë e korrjes varet nga varieteti, kushtet e motit të vitit dhe mund të ndryshojë me dy javë.
Lexo më shumë
Aguliçja (latinisht Primula officinalis) është bimë barishtore shumëvjeçare që rritet e lartë 10 - 30 cm. Aguliçja është ndër lulet e para që lulëzon para ardhjes së pranverës. Emri vjen nga fjala latine “primus”, që do të thotë “i parë”. Lulëzon në periudhën prill-maj.
Lexo më shumë