Konkursi i FED invest dhe UBT-së për Zhvillimin Rural dhe fuqizimin e sipërmarrjeve për profesionistët e rinj




Në përfundim të Konkursit të organizuar nga FED invest dhe UBT, me fokus “Zhvillimi Rural dhe fuqizimi i sipërmarrjeve për profesionistët e rinj”  organizuar të Hënën, u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve për studentët fitues. Ceremonia u zhvillua në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës. 

Në këtë ceremoni morën pjesë: Kryetarja e Këshillit Drejtues të FED invest, Znj. Zana Konini, Administratori i FED invest, Z. Perlat Sulaj, Drejtori i Biznesit të FED invest, Z. Behar Gjoni, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, Prof. Dr. Drini Salko, Përgjegjës i grupit kërkimor shkencor në  Financë si dhe Anëtar i Këshillit Drejtues të FED invest, Znj. Eda Luga, Zv. Dekane për Shkencën dhe Projektet, si dhe pedagogë e studentë të tjerë. 

Komiteti Organizativ i Konkursit të Studentëve të UBT-së shpalli 10 studentë fitues të Konkursit dhe nderoi me çmime edhe pedagogët mentorë të studentëve për projektet që u vlerësuan si fitues.

Kryetarja e Këshillit Drejtues të FED invest, Znj. Zana Konini, duke u ndalur në rolin e bashkëpunimit midis dy institucioneve  tha se “ndihemi të nderuar që kemi filluar bashkëpunimin me UBT, një institucion me histori 70 vjeçare, të mbushur me suksese e vlerësime në fushat e kërkimit për një bujqësi moderne; Historia e FED invest është e lidhur pazgjidhshmërisht dhe modestisht me zhvillimin e fshatit dhe të fermës gjatë këtyre 30 viteve. tha Znj. Konini.

Rrugëtimi i FED invest, vijoi Znj. Konini, nis që prej vitit 1992, menjëherë pas ndryshimit të sistemit duke u bërë mbështetje e vazhdueshme e fermerëve për t’u përshtatur me ekonominë e tregut  ndryshimet pasuese.  “Ne shohim me shumë respekt nivelin e përgatitjes dhe kompetencat shumëfishe të studentëve të këtij universiteti dhe presim me ngazëllim të shtojmë rradhët e stafit të FED invest me ish studentë të këtyre bankave, të sigurt që janë profesionistët e së ardhmes”. – deklaroi Znj. Konini.

Z. Perlat Sulaj, Administratori i FED invest, e vuri theksin në faktin se sot, fuqizimi i fermave dhe sipërmarrjeve, ka nevojë në shumë drejtime për kapitale, për teknologji, për zgjerimin e tregjeve dhe për profesionistë të mirëfilltë .  “Nisur nga ky stad zhvillimi dhe pozicionimi i FED invest, ne besojmë se kemi mundësi të luajmë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e këtij sektori”- tha Z. Sulaj.

“FED invest ka një zhvillim në rritje; dhe gjatë vitit që lamë pas u shtuan një sërë shërbimesh të reja financiare dhe jo financiare. Gjatë 2021 ne synojmë të zhvillojmë shërbimet e reja financiare në të gjitha degët e rrjetit FED invest, si pagesat utilitare, shërbimi  i internet banking  dhe shërbimet jo-financiare të cilat do të ofrohen përmes qendrës ABA – Agro Biznes Asistencë, si partner i përhershëm në zhvillim rural të vendit”- siguroi Z. Sulaj.

Drejtori i Biznesit të FED invest si dhe Administrator i Qendrës ABA, Z. Behar Gjoni, përgëzoi studentët për pjesëmarrjen e lartë dhe punimet e prezantuara në Komitetin Organizativ të Konkursit dhe falenderoi mentorët që inkurajuan studentët në përgatitjen e projekteve, Artikujt shkencorë, rastet studimore dhe esetë  kreative. “ABA është Zëri i Fermerëve Shqiptarë qendra më e re e informimit inovativ në sektorin rural që i përgjigjet përgatitjes së profesionistëve të rinj në fushën e bujqësië, ku padyshim edhe studentët mund të gjejnë vetën”- shprehu Z. Gjoni.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku e cilësoi këtë nismë të iniciuar nga FED invest si një frymëmarrje të re pas një viti të vështirë në masat e kufizimit të lëvizjes që kaloi vendi nga situata e pandemisë Covid -19.

“Konkursi i shërben promovimit të vlerave të këtij universiteti. Falenderoj Drejtoreshën Znj. Konini, për bashkëpunimin që ka zgjedhur me UBT-në, ku para disa muajsh është konkretizuar edhe një marrëveshje bashkëpunimi me FED invest dhe Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit “- tha Sallaku.

Z. Sallaku,  theksoi se, “ky Konkurs është vetëm fillimi i një impakti pozitiv, që merrni si pasojë e punës tuaj dhe stafi akademik i UBT-së do t’ju mbështesë edhe më shumë në të ardhmen”, teksa informoi se, “brenda muajit Shtator, studentët e UBT –së, do të kenë në dispozicion dy qendra; njërën për kulturën dhe gjuhën Gjermane dhe tjerën për kulturën dhe gjuhën Angleze”.

Pedagogë dhe profesorë që morën fjalën në këtë ceremoni vlerësuan anagazhimin e studentëve në këtë konkurs gatishmërinë e mjaft pedagogëve, mentorëve të studentëve në punimet e tyre”.

Pedagogu Ilir Kristo, duke marrë fjalën tha se, Konkursi vjen në një moment të rëndësishëm, pas periudhës së vështirë që kaluam nga pandemia dhe pati një interes te lartë nga Studentet. Aktiviteti vijoi me shpërndarjen e çmimeve për studentët fitues.

Data e publikimit: 21/06/2021


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: