VJELJA DHE TRAJTIMI PAS VJELJES I ROZMARINËS




Koha e vjeljes së rozmarinës mund të ndryshojë në varësi të pjellorisë së tokës, zonës gjeografike dhe kushteve të motit. Qëllimi i vjeljes përcakton edhe moshën e bimës për vjelje. Nëse lënda bimore kërkohet e freskët, atëherë vjelja bëhet gjashtë muaj pas trapiantimit, ndërsa për prodhimin e vajit esencial, vjelja bëhet duke filluar nga nëntë muaj pas trapiantimit. Bimët e rozmarinës mund të japin rendiment të mirë për 4-7 vjet, në varësi të menaxhimit të rregullt e të duhur të bimëve.

Kujdesi gjatë kohës së vjeljes

Mblidhni rozmarinën duke përdorur një mjet prerës, duke bërë kujdes maksimal që të mos prishni rrënjët e rozmarinës. Degë e rozmarinës priten rreth 15 cm mbi tokë duke lënë pikën e rritjes (nyjat) poshtë pikës së prerjes. Korrja jo e duhur do të çojë në tharjen e bimëve.

Përgatitja e gjetheve të freskëta të rozmarinës

Për qëllime të tregut të freskët, gjethet duhet të jenë të pastra nga materiali i huaj dhe të kenë pamje të freskët, ngjyrë dhe shije të mirë. Për të shmangur humbjet e tepërta të lagështisë, që do të ndikojnë në cilësinë dhe jetëgjatësinë e bimëve, korrni rozmarinë të freskët herët në mëngjes dhe dërgojeni menjëherë në treg ose ruajeni në një vend më të freskët ose nëse është e mundur në frigorifer në 5°C derisa të jetë dorëzuar në treg. Nëse ftohja nuk është e mundur, vendosja e pjesës së poshtme të degëve të korrura në një vazo që përmban ujë të kripur do të zgjasë jetëgjatësinë e gjetheve të rozmarinës për disa ditë.

Tharja e gjetheve

Pas korrjes së duhur, tharja e duhur e gjetheve të rozmarinës mund të bëhet para ose pas shkëputjes së gjetheve nga degët e korrura. Nëse gjethet përzihen me materiale të huaja, gjatë procesit të tharjes, cilësia e produktit përfundimtar do të ndikohet shumë dhe si rezultat do të ulë çmimin e tregut të produktit ose produkti mund të humbasë totalisht pranueshmërinë në treg. 

Gjatë tharjes, përdorimi i tabakave si tela rrjetë është i rëndësishëm për të lejuar qarkullimin e mjaftueshëm të ajrit. Procesi i tharjes duhet të bëhet me shumë kujdes. Përdorimi i metodës së tharjes në diell mund të rezultojë në cilësi të dobët. 

Metodat moderne të tharjes artificiale lejojnë marrjen e një produkti me cilësi më të mirë. Rozmarina duhet të thahet në një temperaturë më të ulët se 40°C për të reduktuar humbjen e shijes nëpërmjet avullimit të vajit esencial dhe për të mbajtur një ngjyrë të mirë jeshile. Pas tharjes, produkti i tharë duhet të përpunohet për të hequr gjethet nga kërcelli dhe më pas të sitet për të hequr papastërtitë, të klasifikohet në varësi të madhësisë dhe cilësisë së tij për të prodhuar një produkt uniform. Produkti përfundimtar do të dorëzohet në treg pas paketimit duke përdorur qese letre ose plastike.

Rendimenti – Në 2 vitet e para preferohet vetëm mirëmbajtja e rozmarinës kurse nga viti tretë fillon vjelja e domosdoshme. Rendimenti për bimë të freskët është 3-4 ton/ha kurse bimë të tharë është 1-2 ton/ha. Nëse distilohen merren 40-45 kg vaj eterik në hektarë.

 

Data e publikimit: 29/08/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: