Teknologjia e kultivimit të dardhës




Teknologjia e kultivimit të dardhës

Frutat e kësaj peme zënë vendin e dytë në strukturën e konsumit të frutave. Ato përmbajnë shumë lëndë sheqerore, acide organike (acidi malik), lëndë azotike, lëndë minerale, vitaminat më kryesore A, B, C, E, B2, etj. Numri i madh i formave bimore si dhe ruajtja në dhoma të freskët a frigoriferike bën që frutat e kësaj pemë te gjejnë një përdorim të gjerë në pjesën më të madhe të vitit. Gjithashtu, frutat e kësaj pemë kanë gjetur një përdorim të gjerë edhe në industrinë përpunuese, si reçelra, marinada, lëngje, prevede, marinade. 

KËRKESAT PËR KLIMËN DHE TOKËN

Kërkesat për temperaturën 
Në përgjithësi dardhat janë të përshtatshme për vendet me klimë të freskët dhe temperaturat më të larta që mund durojnë pa strese, janë deri + 30°C, ndërsa mbi këto temperatura dardhat vuajnë shumë. Frutat ngelin të vogla dhe më pak lëng.

Temperaturat minimale të dimrit që ajo duron janë:

  • Në periudhën e qetësisë dimërore duron deri - 15°C;
  • Në periudhën e fryrjes së sythave vegjetativ duron deri në - 8°C;
  • Në periudhën e fryrjes se sythave frutore deri në - 4° C;
  • Në periudhën e skuqjes së gonxheve frutore deri në - 3,0°C;
  • Në periudhën e lulëzimit deri në - 2°C;
  • Në fazën e lidhjes së frutave nga - 1,1 deri në - 2,2°C;
  • Në fazën e frutifikimit nga - 1,0 deri në - 1,7°C.

Dardhat me pjekje të hershme janë të përshtatshme për zonat me klimë të ngrohtë, ndërsa dardhat me pjekje të vonshme nuk janë të përshtatshme, sepse gjatë dimrit nuk plotësojnë sasitë e ditëve të nevojshme me temperatura të ulëta. 

Kërkesat për tokën 
Në përgjithësi dardha nuk pëlqen toka të ngjeshura, argjilore të rënda, me shumë gëlqere dhe të papërshkueshme nga uji. Kjo bimë e jep potencialin e saj prodhues vetëm në toka të thella, të ajrosura dhe të kulluara mirë, pra në toka të drenazhuara. Armiku kryesor për dardhën është teprica e ujit në tokë. Ajo i përshtatet mirë tokave që për nga përbërja mekanike, janë të mesme me përmbajtje të fraksioneve të lymit ose siç quhen ndryshe tokat argjile-ranore. Në lidhje me përmbajtjen e kalciumit në tokë, dardha duron deri në 15-17%, por edhe në këto raste toka duhet të jetë e drenazhuar mirë.

Fazat kryesore të  zhvillimit të dardhës
Ashtu si shumica e pemëve frutore, te dardha dallohen qartë 11 faza zhvillimi.

  • Periudha e qetësisë dimërore;
  • Faza e fryrjes së sythave;
  • Faza e zbardhjes së sythave;
  • Diferencimi i gonxheve lulore;
  • Fryrja dhe zbardhja e gonxheve lulore;
  • Lulëzimi;
  • Rënia e petaleve;
  • Lidhja e frutave;
  • Fillimi i rritjes së frutave;
  • Rritja intensive e frutave;
  • Faza e fillimit të pjekjes.

Secila nga këto faza ka dallimet e veta dhe për secilën nga këto kërkohen nivele te ndryshme kushtesh klimaterike-tokësore, si dhe specifika në nivelin e kryerjes së shërbimeve agroteknike.

Varietetet kryesore të dardhës që kultivohen në vendin tonë
Sipas kohës së pjekjes së frutave, dardhat, klasifikohen ne 3 grupime kryesore që janë: 

  • Dardha verore;
  • Dardha vjeshtore;
  • Dardha dimërore.

Në grupin e dardhave verore të cilët piqen nga qershori e deri në fund të gushtit përfshihen:

  • Kultivarë të vendit: Elberore, Moskatelle, Verore, Kuqela, Dardha e bardhe, Gushtje, Herjanë, Bishtje, etj. dhe emrat më shumë i kanë marrë sipas zonave të kultivimit.
  • Kultivarë të huaj: Xhentile bianco, Coshia, Butira xhiraf, Butira prekoce, Wiliam, Moretini, Favorita, Kaizar, etj.

Në grupin e dardhave vjeshtore të cilët piqen nga shtatori e deri fund të nëntorit përfshihen:

  • Kultivarë të vendit: Shërbetlije, Gomare, Tepijanë, etj.
  • Kultivarë të huaj: Butira Hard, Buono, Liuza, Butira Diel, Abate fetel, Dukesha, Dekana conice, etj.

Në grupin e dardhave dimërore të cilët piqen nga dhjetori e deri në fund të shkurtit  përfshihen:

  • Kultivarë të vendit: Zigjela, Stambolli, Kajkusha, Zinurka dimërore, etj.
  • Kultivarë të huaj: Dekana dimërore, Bergamënto, Espëren, Oliver de ser, Angevina e bukur, Passa krasana, Butira Hardenpend, etj.

Përshkrimi i disa kultivarëve të dardhës që kultivohen në vendin tonë
Përshkrimi i kultivarit Abate Fetel 

Ky kultivar frutat i prodhon kryesisht në degëzat e shkurtra dhe ato të përziera të moshës mbi dy vjeçare. Numri i frutave të lidhura për çdo syth frutore është relativisht i ulet gati 1:1,1. Frutat piqen rreth 15-16 ditë më vonë se kultivari Williams. Ruhet për një kohë më të gjatë pas vjeljes. Lulet pllenohen mirë me kultivarët Coscia, Passa Crassana dhe Williams. Është i përshtatshëm për kultivimin në forma të detyruara si kordon dhe palmetë.

Përshkrimi i kultivarit Gentile Bianca (xhentilja e Verës) 

Fruti është mesatarisht i vogël rreth 6-8 cm, e rrumbullaket afër majës së frutit dhe më e ngushte afër bishtit. Lëkura e frutit është e lëmuar dhe me ngjyrë të verdhë në të gjelbër. Tuli është i bardhe, me lëng shumë të ëmbël, më erë dhe shije shumë të mirë. Nuk ruhet për një kohë të gjatë pas vjeljes, prandaj duhet të konsumohet shpejt. Piqet në gjysmën e parë te korrikut. Bima është e fuqishme dhe karakterizohet me një prodhim mesatar deri në të lartë. Lulëzimi është i hershëm. Ky kultivar është shumë rezistent ndaj parazitëve (sëmundjeve dhe dëmtuesve). Pllenohet shumë mirë në prani të kultivarit Coscia. Ky kultivar është shumë i përshtatshëm për kultivimin në formën piramidale edhe kupore.

Përshkrimi i kultivarit Coscia 

Frutat i prodhon kryesisht në degëzat e shkurtra dhe të përziera. Në fillim të jetës së saj, degëzat e përziera janë më pak të shfaqura në krahasim me degëzat e tjera. Numri i frutave te lidhura për çdo syth frutore është relativisht i ulet gati 1:1,5. Lulet pllenohen mirë me kultivarët Gentile. Piqet 25-27 ditë më parë se kultivari Williams. Ky kultivar është i përshtatshëm për kultivimin në të gjitha format:  kordon, palmetë, piramidale si dhe në formën kupore.

Përshkrimi i kultivarit Bella di Giugno 

Pema është e fuqishme me një prodhim të bollshëm dhe të qëndrueshëm. Frutat janë të vogla dhe në formë tipike  dardhe, lëkurë të verdhë, tul të butë të kuq dhe të bardhë, shije të mirë dhe e  ëmbël. Karakteristike është veshuli frytdhënës (frutat vendosen në grumbuj në formë veshuli). Pjekja: fundi i qershorit fillimi i korrikut

Përshkrimi i kultivarit Decana del Commizio
Fruti ka formë të rrumbullaket, me ngjyrë të verdhë në jeshile, me praninë e pikave të kuqe. Tuli është i bardhe, i ëmbël, i shijshëm, i butë, me cilësi të shkëlqyeshme dhe aromatik. Mund të thuash që është "dardha më pak dardhe" për shkak të formës sferike të frutit. Piqet vonë në shtator.

 Përshkrimi i kultivarit Falsa Recchia 

  • Pema ka zhvillim të fuqishëm.
  • Fruti ka përmasa të vogla, me një lëkurë jeshile me hije të kuqe.
  • Tuli i bardhë, me shumë lëng dhe e i ëmbël (përmbajtje të lartë sheqeri).

Përshkrimi i kultivarit Williams

Fryti ka formën e ziles, që në perëndim, konsiderohet forma tradicionale e dardhës. Lëkura e saj e gjelbër kthehet e verdhë pas pjekjes së mëvonshme, megjithëse ekzistojnë varietete që rrjedhin prej saj, me  lëkure të kuqe. Konsiderohet një dardhë verore, jo aq tolerante ndaj të ftohtit sa disa varietete. Shpesh hahet e papjekur, por e mban formën e saj mirë kur piqet prandaj është një zgjedhje e zakonshme për përdorime të konservuara. 

Pjalmimi (pllenimi) tek dardha

Shumica e kultivarëve të dardhës lulet i kanë me aftësinë e auto-fertilitetit. Kjo d.m.th. së poleni i të njëjtit kultivar nuk i pllenon vetë krezat e pistilave të luleve të veta. Për ta shmangur këtë mangësi është i nevojshme alternimi me kultivarë pjalmues. Kështu p.sh. për kultivarët Abate Fetel dhe Gentil Bianca një nga kultivarët më të rekomanduar dhe me aftësi të lartë pjalmuese (pllenuese) është Cosshia. Por jo çdo kultivar dardhe është i aftë të bëjë pllenimin e kryqëzuar të çdo kultivari tjetër. Ato janë specifike për grupe të ndryshme kultivarësh dhe specifika e tyre varet nga koha e lulëzimit, koha e pjekjes së polenit dhe aftësia e pistilit të një lloje për ta pranuar polenin e një lloji tjetër.

  • Në çdo syth frutor çelin 7-15 lule, por karakteristike është se lulesa lidh vetëm një frut dhe rrallë deri në 1,3 fruta.
  • Zakonisht mbjellja bëhet në raportin 8 deri në 10 bimë të kultivarit bazë me një bimë të kultivarit pjalmues.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Teknologjinë e ngritjes së pemëtores së dardhës

Data e publikimit: 08/09/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

Vjelja e prodhimit tek dardha

Vjelja e dardhëve është pak më ndryshe nga shumica e frutave të tjera, pasi ato duhet të vilen para se të piqen. Nëse piqen në pemë, ato piqen nga brenda jashtë, kështu që pjesa e brendshme bëhet e qulltë (shumë e butë) para se të piqet zona e jashtme. Në  këto raste ato dëmtohen lehtë dhe nuk i rezistojnë transportit.

Lexo më shumë

SHËRBIMET AGROTEKNIKE TEK DARDHA

Nga niveli i shërbimeve agroteknike varet koha e hyrjes në prodhim, jetëgjatësia e pemishtes (dardhave), koha e shfrytëzimit, prodhueshmëria e pemishtes së dardhave, cilësia e prodhimit si dhe kostoja e prodhimit.

Lexo më shumë

KRASITJA PRODHUESE TEK DARDHA

Nëpërmjet krasitjes synohet që pemës t’i sigurohet mundësia e rritjes dhe e zhvillimit të degëzave me sytha prodhues (frutorë).

Lexo më shumë

FORMAT E KULTIVIMIT TEK DARDHA

Të gjitha format bimore që kanë si nënshartesa dardhën e egër dhe gorricën, këshillohet forma e lirë e kultivimit dhe kryesisht ajo në formë kupore.

Lexo më shumë