Thjerrëza (Lens culinaris, sin Lens esculenta ose Ervum lens) bën pjesë në familjen Leguminosae (bishtajore) me origjinë Turqinë Lindore, Sirinë dhe Irakun. Është bimë njëvjeçare, me lartësi të kërcellit 25 – 45 cm, i drejtë ose lehtësisht ngjitës, i degëzuar dhe i dobët. Farat e thjerrëzës janë në formë lente, të cilat rriten në bishtaja, zakonisht dy fara në secilën. Fjala "thjerrëza" është marrë nga fusha optike duke iu referuar lenteve dy-konvekse. Ngjyra e farave mund të jetë kafe, jeshile, e verdhë (ose e artë), e kuqe dhe e zezë.
Në vendin tonë thjerrëza ka një traditë të hershme kultivimi, sidomos në shumë zona malore dhe kodrinore të rretheve Korçë, Skrapar, Përmet, Tepelenë, Kolonjë, Sarandë.
Përse paraqet interes kultivimi i thjerrëzës?
Thjerrëza kultivohet kryesisht për kokrrat e saj, të cilat janë të shijshme dhe të përvetësueshme nga organizmi i njeriut.
Cilat janë kërkesat e thjerrëzës për klimën dhe tokën?
Kërkesat për temperaturën
Ajo është përshtatur mirë në kushtet e vendeve rreth Mesdheut dhe të ngjashme me to, ku në zona të lartësive jo shumë të mëdha, mbillet në mes të muajit tetor për t’u korrur shpejt në fund të pranverës (maj – qershor), ose 2 – 3 javë më shpejt se të lashtat. Thjerrëza konsiderohet si një bimët bishtajore për kokërr më rezistente ndaj të ftohtit, por ajo nuk mbijeton në kushtet e zonave të larta malore, ku shpesh dhe kultivohet. Në kushte të tilla është më e preferuar mbjellja e saj në pranverë dhe prodhimi korret në verën e avancuar.
Thjerrëza në shumë raste kultivohet në kushte jo shumë të favorshme të temperaturës, në zona gjysmë të thata, ku në saj të ciklit të shkurtër bimor, pavarësisht nga thatësia që shfaqet hera herës, arrin të japë prodhim të kënaqshëm (edhe pse jo shumë të lartë), të një korre me vlerë të lartë ushqyese dhe një kashtë gjithashtu me vlerë të lartë foragjere.
Kërkesat për lagështi
Kërkesat për lagështi janë më të larta në fazat e para të rritjes, kurse më vonë i qëndron më mirë mungesës së saj, duke u renditur kështu në bimët me qëndrueshmëri të mirë ndaj thatësirës. Megjithatë, kur mungesa e lagështirës është e zgjatur, veçanërisht gjatë periudhës së lulëzimit dhe lidhjes së bishtajave, dëmet në rendiment janë të larta dhe të pariparueshme.
Kërkesat për tokën
Thjerrëza manifeston një shkallë të lartë përshtatshmërie për tipat e ndryshme të tokave, duke dhënë rendimente të pranueshme edhe në toka me pjellori mesatare dhe të ulët, por rendimentet më të larta i jep kur kultivohet në toka të shkrifëta me përbërje mekanike të mesme dhe lagështi optimale. Kultivimi i saj në toka me pjellori të lartë dhe lagështi të tepërt nxit masën bimore në dëm të prodhimit kokërr. Edhe për sa i përket reaksionit të tokës, thjerrëza mund të rritet në toka me reaksion nga lehtësisht acid deri në lehtësisht alkalin. Nuk janë të përshtatshme tokat shumë acide, ato kompakte dhe të ftohta. Gjithashtu në toka me përmbajtje të lartë të kalciumit ajo jep një prodhim me vlerë të ulët, për shkak të vështirësisë së zierjes së kokrrës.
Agroteknika e kultivimit të thjerrëzës
Vendi i thjerrëzës në qarkullimin bujqësor
Në të gjitha zonat e vendit tonë, ku kultivohet thjerrëza, si dhe në vende me klimë gjysmë të thatë (ku bien 250 – 350 mm shi në vit), thjerrëza si bimë përmirësuese e pjellorisë së tokës renditet me të lashtat, kryesisht grurë, elb, duke e bërë kështu një parabimë të shkëlqyer për këto.
Vetë thjerrëza nuk ka kërkesa të veçanta për parabimën dhe mbjellja e saj pas të lashtave është praktika më e zakontë dhe më efikase. Ajo shkon keq si monokulturë, prandaj nuk duhet mbjellë në të njëjtin vend për të paktën 3 – 4 vjet.
Punimi dhe përgatitja e tokës për mbjellje
Përgatitja e tokës për mbjelljen e thjerzës, duhet të bëhet sa më shpejt, menjëherë pas korrjes së parabimës (të lashtave). Pra afati më i përshtatshëm për këtë qëllim është vera dhe vjeshta. Thellësia e plugimit është 26 – 30 cm. Në periudhën e vjeshtës , kur mbjellja e saj bëhet në vjeshtë dhe gjatë dimrit ose herët në pranverë, kur mbjellja bëhet në pranverë kryhen punime tjera që synojnë përgatitjen e shtratit të mbjelljes, shkrifërimin e sipërfaqes, për të siguruar mbirje të shpejtë dhe uniforme të farës.
Plehërimi i thjerrëzës
Në plehërimin bazë përdoren kryesisht plehrat fosforike në sasinë 30 – 80 kg/ha P2O5 si dhe 50 – 80 kg/ha K2O në rast se toka është e varfër me këtë element. Plehrat organike në përgjithësi nuk përdoren direkt, për shkak të ndikimit që kanë në rritjen e tepruar të masës bimore në dëm të prodhimit kokërr, por përdorimi i tyre në parabimë është me ndikim pozitiv për rritjen dhe prodhimtarinë e bimës. Të gjitha plehrat e përmendura më sipër (fosforike, potasike dhe organike) hidhen përpara plugimit ose diskimit të fundit.
Plehërimi plotësues bëhet me plehra azotike në sasi të pakët,15 – 20 kg/ha azot. Plehu hidhen në kohën e mbjelljes ose menjëherë pas mbjelljes që bima ta ketë në dispozicion të saj në fazat e para të zhvillimit, kur akoma nuk ka filluar aktiviteti i baktereve azotofiksuese.
Cilat janë afatet e mbjelljes dhe norma e farës për mbjellje?
Mbjellja e thjerrëzës, në varësi të zonave të kultivimit dhe kushteve klimatike të tyre, bëhet në vjeshtë ose pranverë.
Mbjelljet e vjeshtës janë të përshtatshme për zonat e ngrohta, me dimër të butë, ku mbjelljet e muajit nëntor japin rendimente më të larta.
Në zonat më të ftohta, mbjellja bëhet në pranverë duke synuar mbjellje të hershme. Në vendin tonë, si për zonën e ngrohtë edhe atë të ftohtë, është traditë mbjellja e paranverës.
Afati i mbjelljes së saj në zonën e ngrohtë është 20 shkurt deri me 20 mars, kurse në zonën e ftohtë afati optimal është gjatë muajit Mars.
Distancat e mbjelljes midis rreshtave janë në vartësi të qëllimit të prodhimit. Për prodhim të zakonshëm përdoren largësitë 15 cm midis rreshtave, kurse për prodhim fare distancat rriten në 30 – 45 cm. Teknika më racionale e mbjelljes është ajo që siguron 300 – 400 bimë/m2. Kjo realizohet duke përdorur një normë fare 60 – 80 kg/ha për thjerzën kokërr vogël dhe 120 – 160 kg/ha për thjerzën kokërr madhe. Thellësia e mbjelljes është në varësi të përbërjes mekanike të tokës, përgatitjes së saj, kohës së mbjelljes, madhësisë së kokrrës dhe lëviz nga 4 – 6 cm.
Në vendin tonë, krahas mbjelljes së thjerzës si kulturë e veçantë, janë përdorur dhe mënyra të tjera mbjellje, siç është mbjellja në bashkëshoqërim me të lashta (grurë, elb, thekër, tërshërë) të cilat shërbejnë edhe si mbështetëse të bimës së thjerzës, mbjellja në pemëtore, ullishte dhe vreshta. Në disa zona mbjellja e thjerzës në pranverë bëhet në ngastrat me grurë. Në këto raste merren nga e njejta ngastër dhe në të njëjtën kohë dy prodhime.
Shërbimet gjatë vegjetacionit tek thjerrëza
Gjatë vegjetacionit vëmendja përqendrohet në luftimin e barishteve të këqija, të cilat përbëjnë një problem serioz për thjerzën, sepse në fazat e para ajo rritet ngadalë dhe ka aftësi të vogël konkurruese. Prashitja me kultivatorë është e pamundur për vetë distancat midis rreshtave, për këtë qëllim prashitja më krahë mbetet mënyra më efikase për luftimin e tyre. Rezultate të mira në këtë drejtim ka dhënë edhe përdorimi i preparateve kimike (herbicideve), para mbirjes dhe pas mbirjes kundër graminoreve të ndryshme.
Rëndësi ka edhe sigurimi dhe ruajtja e lagështirës, megjithëse rrallë lind nevoja e ujitjes për shkak të ciklit të shkurtër bimor dhe pjekjes së saj përpara fillimit të temperaturave shumë të larta.
Thjerrëza, në dallim nga bishtajoret e tjera për kokërr, nuk paraqet probleme të rënda fito sanitare. Pra sëmundjet dhe dëmtuesit nuk janë shqetësim në këtë kulturë, megjithëse ka disa sëmundje dhe dëmtues që e konkurrojnë atë dhe tentojnë të ulin prodhimin e saj. Nga sëmundjet kërpudhore që shkaktojnë dëme të shkallës së ndryshme mund të përmendim Fusarium spp, Sclerotina spp, Pythium spp. dhe ndryshku (Uromyces fabae).
Ndërmjet insekteve dëmet më serioze i shkakton një koleopter i gjinisë Sitona, insekti i rritur i së cilës ushqehet me gjethet, kurse larvat e saj ushqehen me rrënjët dhe veçanërisht me tuberkulet e saj. Dëme mund të shkaktojnë edhe afidet si dhe lepidopteri Etiella zinckenella larvat e së cilës brejnë bishtajat.
Farat e thjerzës në magazinë janë shumë të ekspozuar nga dëmtimi prej Bruchus ervi dhe Collosobruchus chinensis.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Vjelja, përpunimi dhe ruajtja e prodhimit të thjerrëzës.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Cilat janë vlerat e qiqrës?
Lexo më shumëMënyra më e zakonshme e vjeljes së tyre është të presësh që gjethet të thahen dhe të nxihen, pastaj të shkulni të gjithë bimën.
Lexo më shumëVjelja para kohe ul ndjeshëm cilësinë e prodhimit, kurse vjelja me vonesë çon në humbjen e tij, për shkak të hapjes së bishtajave dhe rënies së farës.
Lexo më shumëFasulja përmban më shumë proteina sesa të gjitha bimët e tjera – vetëm një filxhan fasule ofron 1/4 e proteinave për të cilat kemi nevojë çdo ditë.
Lexo më shumë