Një histori suksesi si ajo e vëllezërve Bullari




Sot vizituam një nga tetë fermat bujqësore, ngritur nga vëllezërit Bullari në Mollas, Cërrik. Pas kthimit nga emigracioni, falë përkushtimit dhe vizionit të tyre, vëllezërit Bullari shndërruan një sipërfaqe toke djerrë prej 250 ha, në tokë bujqësore pjellore. 

Këto janë plantacione me pemë frutore, agrume, vreshta, sera si dhe zotërojnë ferma për mbarështim gjedhi dhe bagëti të imtash. Të gjitha produktet bujqësore dhe blegtorale zhvillohen brenda një cikli të mbyllur të fermës. Për të mbjellat puna realizohet në fermë nga mbjellja tek tregtimi, kurse për tregtimin e nënprodukteve blegtorale, vëllezërit Bullari kanë ngritur një baxho me markën “Bullari Natyral Farm”. Aty realizohet përpunimi i qumështit dhe deri tek tregtimi në supermarkatat me të njëjtin emer. Në baxhon e tyre prodhohet rreth 300 kg djathë në ditë. Kërkesat e konsumatorit për këto produkte cilësore organike vetëm shtohen.

Pandemia nuk ndikoi aspak në aktivitetin bujqësor dhe blegtoral të vëllezërve Bullari. Fakti që kanë përvetësuar konceptin e ciklit të mbyllur, ka dhënë rezultatet e duhura. Duke qenëse mbarështojnë gjedh, dhi, lopë dhe madje edhe kuaj për pasion, plehun organik e sigurojnë vetë për të plehëruar të mbjellat. Kjo është një fermë vërtet ekologjike, me shfrytëzimin e dobishëm të të gjitha resurseve pa dëmtuar ambientin. 

“Ne gjithashtu tregtojmë inpute bujqësore cilësore për fermerët. Këto fidanë janë të importit dhe janë shartuar respektivisht.” Në këtë minipavion dukshëm shfaqet dhe promovimi i ABA Online për fermerët e zonës.

 “Informacioni në ABA online është me rëndësi të veçantë për fermerët e vegjël, sidomos informacioni për teknologjitë e prodhimit”. 

Teksa shëtisim plantacionet e pemëve frutore, një nga vëllezërit Bullari që na shoqëron, tregon me entuziazëm gjithë punën ndër vite për të arritur aty. “Pjesa më e madhe e pemëve frutore janë arra (42 ha, 14 500 rrënjë), shegë, lajthi, fiq, qershi dhe bajame. Varieteti i arrës franceze është shumë i kërkuar në treg sot. Është ajo arra që thyhet me dorë”, shprehet Gazi, më i vogli i vëllezërve, teksa na shoqëron.

 “Një rrënjë kivi prodhon deri në 300 kg frut/rrënjë, është prodhim i mbarë”. 

Në të ardhmen e afërt, vëllezërit Bullari gjithashtu po projektojnë të ngrenë një agro-turizëm me produkte bio të fermës së tyre. 

Duke ju uruar vëllezërve Bullari shumë suksese në punën e tyre, i falenderojmë për promovimin ABA. 

Data e publikimit: 23/06/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: