RACAT E GJEDHIT PËR QUMËSHT




Racat e gjedhit për qumësht shquhen për aftësitë e tyre të mira për shndërrimin e ushqimit të koncentruar dhe foragjereve në qumësht. Ato dallohen për finesë, si dhe një sistem të zhvilluar të gjinjve. Pjesa më e madhe e të gjithë Racave të qumështit e kanë origjinën e tyre nga Europa. 

Cilat janë disa nga Racat e qumështit më të përhapura në vendin tonë?

HOLSHTEJN

Raca Holshtejn e ka origjinën e saj nga Hollanda. Ajo karakterizohet nga ngjyra e mantelit bardhë e zi, me kombinime nga më të ndryshmet ku herë dominon ngjyra e bardhë dhe herë ngjyra e zezë. Përsa i përket madhësisë trupore Holshtejn renditet si Raca më e madhe e qumështit, ku një lopë e rritur ka një peshë mesatarisht 750 kg, me një lartësi rreth 145-150 cm në xhidavi. Holshtejn është Raca numër një për prodhimin e qumështit, dhe në vendet kampione të përmirësimit Racor e menaxhimit ajo arrin të prodhojë mesatarisht 12,000 litra qumësht në laktacion, duke prodhuar kështu më shumë qumësht krahasuar me çdo Racë tjetër. Mesatarja e yndyrës tek Holshtejn është 3.65% dhe e proteinës shkon në 3.2%. Pesha mesatare e viçave të Holshtejn në lindje është 38-40 kg peshë e gjallë.  

HOLSHTEJN I KUQ

Krahas Holshtejnit Bardh e Zi, Holshtejni Bardh e Kuq është përcaktuar si Racë më vete në vitin 1964, me karakteristika të ngjashme me Holshtejn Bardh e Zi. Holshtejni i Kuq gjithashtu karakterizohet nga sasi të mëdha të prodhimit të qumështit, shtati i lartë, por edhe një sistem i lartë imun si dhe tolerancë ndaj të nxehtit.  

XHERS

Origjina e Racës është ishulli Jersey i Anglisë. Ngjyra e mantelit tek Xhersi ndryshon nga një ngjyrë gri shumë e lehtë në një ngjyrë të errët të verdhë, ose një hijezim që është pothuajse i zi. Raca karakterizohet nga trupi i vogël me peshë rreth 450 kg. Mesatarja e prodhimit të Racës Xhers  është 8,000 litra në laktacion, me nivel yndyre 4.8% dhe mesatare të proteinës 3.7%, parametra këto që e bëjnë qumështin e Xhersit të preferuar për prodhimin e djathit dhe akulloreve. Xhersi konsiderohet si Raca më efiçente, ka shkallë të lartë fertiliteti dhe shkallë të ulët të vështirësisë në pjellje, por ka një shkallë të lartë të prekjes nga ethja e qumështit. 

BRUNA ALPINE

Origjina e Racës Bruna Alpine është Zvicra. Manteli i Brunës varion nga një ngjyrë e thellë kafe pothuajse e zezë drejt një ngjyre të lehtë kafe e përhimtë. Bruna karakterizohet gjithashtu nga një bisht i errët, thundra të errëta, sy kafe e thellë dhe hundë e zezë. Nga Racat e qumështit Bruna Alpine është e dyta për nga madhësia (pas Holshtejn) me një peshë prej rreth 650 kg. Prodhimi mesatar i qumështit shkon në mbi 9,500 litra me mesatare të yndyrës prej 4.0% dhe mesatare të proteinës prej 3.5%, duke e bërë një Racë perfekte për prodhimin e djathit. Bruna ka gjymtyrë shumë të forta, gjë e cila është e rëndësishme për terrene të vështira. Bruna ka periudhën më të gjatë të barrsmërisë nga të gjithë Racat e qumështit e cila shkon në 287 ditë, pra rreth 7 ditë më shumë se sa mesatarja prej 280 ditë. 

SIMENTAL

Raca Simental origjinon si një kryqëzim i gjedhit Gjerman dhe lopëve trupvogla lokale Zvicerane që ka ndodhur në zonën Simme të Zvicrës nga Raca ka marrë dhe emrin. Simentali ka një mantel që varion nga ngjyra e artë në të kuqe me njolla të bardha. Koka është e bardhë dhe shpesh një rrip i bardhë është i vendosur mbi pjesën e gjymtyrëve të përparëme. Pjesa më e madhe ka pigmente përreth syve. 

Simentali është një kafshë trup madhe me muskuj të zhvilluar mirë rreth 135-150cm e gjatë, me peshë që varion nga 600-700kg. Prodhimi ndikohet nga disa faktorë dhe shkon deri në 6,500-7,000 litra me rreth 3,9% yndyrë dhe 3.3% protein. Raca shquhet për jetëgajtësi, lehtësi në pjellje, intervale të shkurtëra ndërmjet pjelljeve, aftësi të mira për kullotje, maturim të hershëm, dinamikë të mirë rritjeje, efiçente në të ushqyer. Raca adoptohet lehtësisht si në rastin e fermave të vogla familjare ashtu edhe në fermat e mëdha e moderne.

TARANTEZE

Raca Taranteze e ka origjinën e saj nga zonat e Alpeve të Francës. I ka qëndruar kohës si një Racë pothuajse e pastër. E seleksionuar fillimisht për prodhim qumështi, por njëherazi edhe për muskulaturën, fortësinë si dhe adoptimin për të jetuar në zona të thella të alpeve, gjë që e ka shndërruar në një Racë me qëllim të dyfishtë pra qumësht - mish.
Taranteze dallohet për ngjyrën e kuqërremtë të mantelit me pjesë të errët përreth syve, hundë të zezë, ngjyrë të errët të gjinjve dhe pjesës së  poshtëme të gjymtyrëve. Sot Taranteze përdoret si një Racë qumështi për të prodhuar lloje të veçanta djathi. Prodhimi arrin në 5,500 litra në laktacion kryesisht përmes kullotjes së lirë. Karakterizohet nga muskulaturë e zhvilluar në pjesën e pasme, dhe gjatësi trupore. Taranteze njihet për madhësi të moderuar, pjekuri të hershme dhe lehtësi në pjellje. Gjithashtu Taranteze shpreh puberitet të hershëm, madhësi të mirë të legenit, efiçencë prodhimi, fertilitet të lartë, si dhe pjellje të pa asistuar.

MONTBELIARD

Raca është me origjinë Franceze, ka një mantel me ngjyrë të kuqe të lehtë kombinuar me të bardhën që e bën të përngjashme me Holshtejnin e Kuq për nga pamja. Ka një lartësi në vithe rreth 135-140 cm dhe mesatare të peshës rreth 685 kg. Shquhet për gjymtyrë të forta dhe gjinj të fortë. Prodhimi mesatar i qumështit arrin në 7,000 – 7,500 litra me 3.8% yndyrë dhe 3.3% proteinë, ku qumështi përdoret kryesisht për prodhimin e djathit të butë kaçkavall të njohur si Emmental. Raca shquhet për rezistencë ndaj mastitit, ka shkallë të lartë feriliteti, lehtësi në pjellje edhe në rastet e kryqëzimeve si në rastin e kryqëzimit me Racën Sharole. Këto karakteristika e bëjnë Monbeliart lehtësisht të menaxhueshme dhe me adoptime në mjedise të ndryshme, kryesisht ato kodrinoro-malore, në zona me klimë të ashpër.

Pesha, prodhimi i qumështit dhe % e yndyrës në Racat e qumështit

  • Holshtejni prodhon më shumë qumësht krahasuar me Racat e tjera të qumështit, por ka përqindjen më të ulët të yndyrës, Raca ka kafshët me trupin më të madh si dhe ka kërkesa për më shumë ushqim.
  • Xhersi ndonëse prodhon më pak qumësht, por ka përqindjen më të lartë të yndyrës dhe kërkon më pak ushqim për shkak të peshës së saj të vogël.
  • Bruna Alpine është e ngjashme me Holshtejn si nga madhësia trupore ashtu edhe nga kërkesa për ushqim, por prodhon më pak qumësht. Por Bruna njihet për gjymtyrë të forta dhe jëtë gjatësi produktive.
  • Monbeliard një Racë e përshtatur mirë në terrene të vështira, me prodhimtari relativisht të lartë qumështi si dhe konsum të lartë ushqimi.

KRYQËZIMET E RACAVE TE QUMËSHTIT

Përse i kryqëzojmë Racat? Zhvillimet dhe evolucioni gjenetik i Racave të qumështit e veçanërisht i Racës Holshtejn kanë diktuar nevojën për adoptime të mëtejshme të Racave, përmirësime të tyre dhe përputhshmëri me kërkesat e tregut. Kështu seleksionimi intensiv ka ulur nivelin e fertilitetit, ka rritur vështirësitë në pjellje, ka rritur nivelin e inbridingut (kryqezimit brenda llojit). Nevoja për tu adoptuar ndaj kërkesave të tregut, nevoja për një të ardhur më të mirë ekonomike në rastet e rënies së çmimieve të qumështit, gjen zgjidhjen gjithashtu përmes kryqëzimit të Racës. 

Por cilat janë disa nga kryqëzimet më të njohura dhe të aplikuara për Racat e qumështit? Rastet më të aplikuara janë:

HOLSHTEJN x XHERSI

XHERSI x HOLSHTEJN

XHERS-HOLSHTEJN x XHERS-HOLSHTEJN

HOLSHTEJN x SHAROLE

HOLSHTEJN x BLU BELGE

HOLSHTEJN x MONBELIARD

Data e publikimit: 30/09/2022


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

ÇFARË ËSHTË LIDHJA E PAISJEVE TEKNOLOGJIKE PËRMES INTERNETIT?

Çfarë ju mundëson Lidhja e Paisjeve Teknologjike Përmes Internetit?

Lexo më shumë

NGA PAISJET E THJESHTA TEK SISTEMET E LIDHJES SË PAISJEVE TEKNOLOGJIKE ME INTERNETIN

Aktivitetet që realizohen sot përmes sistemit të lidhjes së paisjeve teknologjike me internetin dhe përfitimet prej tyre.

Lexo më shumë

DEZINFEKTIMI NË FERMAT E GJEDHIT

Përse është i nevojshëm dezinfektimi në ambjentet e mbarështimit të kafshëve të fermës?

Lexo më shumë

KAFSHËT E FERMËS, PUNONJËSIT DHE PAISJET

Problemet kryesore me ndikim ekonomik që hasen në fermat blegtorale: mastiti, mungesa e fertilitetit dhe çalimet.

Lexo më shumë