Melisa kositet 2 herë gjatë vitit dhe me zbatimin e plotë të masave agroteknike numri i kositjeve mund edhe të rritet. Duhet të kositet para se bima lulëzon dhe përpara se të bimët bëhen të drunjëzuara. Nuk duhet të vonojmë vjeljen (kositjen) deri në lulëzimin e plotë sepse çon në rënie të rendimentit të biomasës. Vjelja duhet bërë gjithnjë në ditë me diell pasi vesa është tharë. Lartësia e prejes duhet të jetë 4 – 5 cm nga toka, pra gati rrafsh me tokën. Parapëlqehet që prerja të bëhet rrafsh me tokën, sepse tek bari i bletës, organet që ripërtërijnë rritjen ndodhen brenda në tokë, kështu që kositjet sa më të ulëta stimulojnë zhvillimin e një numri më të madh të kërcejve.
Vjelja mund të realizohet me dorë ose e mekanizuar. Në parcela të vogla, vjelja realizohet me dorë, ndërsa në parcela të mëdha me makineri korrëse.
Në vitin e mbjelljes (pra viti i parë i kultivimit në vendin e përhershëm), është mirë të bëhet vetëm një vjelje në fazën e lulëzimit aty nga mesi i Korrikut (melisa ka një periudhë lulëzimi disi të gjatë, nga fillimi i Korrikut deri në fundin e Gushtit). Rendimenti luhatet nga 30 - 40 kg/100 m2.
Nëse kultura e melisës është mbjellë në fund të pranverës, në raste shumë të rralla mund të merren dy kosa.
Duke filluar nga viti i dytë e në vazhdim, melisa kositet dy deri tri herë në vit, në fillim (Qershor) dhe në fund të verës (fund Korriku - Gusht), por në kushte të favorshme (pranverë e hershme, vjeshtë e vonë, ujitje, etj.) mund të arrihet deri në 5 vjelje në vit (Tetor).
Bimët e vjela në Korrik, në krahasim me ato të vjela në fund të verës, përmbajnë një sasi substancash aromatike 20 – 25% më të lartë. Gjethet kulmore përmbajnë afro gjysmën e vajit eterik në krahasim me ato të poshtme, ndërsa ato që gjenden në mes kanë një përmbajtje të ndërmjetme.
Një vëmendje shumë të madhe i duhet kushtuar manipulimit të produktit të freskët sepse shtypja e ushtruar mbi gjethet dhe drita e diellit shkaktojnë nxirjen e gjetheve duke i bërë të pa tregtueshme. Veç kësaj vaji eterik, i barit të bletës, është shumë avullues (avullon lehtësisht edhe në temperaturë normale). Rekomandohet që vjelja të bëhet pasdite, që bima të mos ketë vesë dhe temperaturat të kenë rënë. Për këtë arsye, biomasa e vjelë duhet të dërgohet menjëherë për distilim ose tharje. Duhen marrë masat që mjeti i transportit të ketë vëllimin e duhur pasi produkti është voluminoz dhe nuk në asnjë mënyrë nuk duhet të ngjishet pasi nxehet shumë shpejt dhe prishet. Me të mbërritur në mjedisin e tharjes, produkti duhet të hapet dhe të nisë procesi i tharjes.
Tharja e melisës
Tharja realizohet menjëherë pas vjeljes. Melisa mund të thahet në mënyrë natyrore nëse prodhohet në sasi të vogël, në garazhe, tavane, në vendet ku nuk preket ga shiu. D.m.th bimët gjatë tharjes nuk duhet të ekspozohen direkt në rrezet e diellit. Kjo mënyrë tharje ruan cilësinë e prodhimit.

Temperatura e tharjes duhet të jetë 35 – 40°C dhe lagështia e mbetur pas tharjes duhet të jetë maksimumi 8%. Raporti i tharjes është 5 – 6:1. Produkti thahet relativisht shpejt dhe lehtë. Pas tharjes, produkti copëtohet duke ndarë gjethet nga kërcejtë. Sa i përket rendimentit, në vitin e parë mund të sigurohen nga 4 – 6 t/ha produkt i thatë. Duke nisur nga viti i dytë, prodhimi i biomasës i të dy vjeljeve është 5 – 8 t/ha. Raporti gjethe/ kërcell i produktit të thatë është 1:1,5. Rendimentet janë edhe më të ulëta (45% e peshës së thatë) nëse produkti është vetëm gjethe. Këto rendimente luhaten shumë në varësi të zonës së kultivimit, kultivarit, raportit gjethe – kërcell, temperaturës dhe reshjeve gjatë vegjetacionit, numrit të vjeljeve dhe mbetjes së kërcejve pas përpunimit. Pas tharjes dhe procedimit, ndarjes së gjetheve nga kërcelli, materiali i përzgjedhur ambalazhohet, etiketohet dhe dërgohet në magazinim në kushte të favorshme të ruajtjes deri te finalizimi në treg.
Gjethi i melisës, i cilësisë së mirë, duhet të ruajë ngjyrën e gjelbërt. Gjethet nuk duhet të imtësohen (të thërmohen shumë), paketohen në thasë letre dhe ruhet në vende të freskëta dhe të ajrosur.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Cilat janë disa nga sëmundjet kryesore të ftoit dhe Masat e parandalimit dhe kontrollit?
Lexo më shumë
Cilësia e prodhimit varet kryesisht nga kushtet e tharjes. Në asnjë rast tharja nuk mund të bëhet në dritë të madhe apo në diell.
Lexo më shumë
Kur është koha e korrjes së rozmarinës?
Lexo më shumë
Çfarë duhet të bëni me farat e lulediellit pas korrjes?
Lexo më shumë