SI TË GRUMBULLONI DHE TË RUANI KULLOSHTRËN




Grumbullimi dhe ruajtja e kulloshtrës në mënyrë sa më higjenikë, mundëson pastërtinë dhe cilësinë e saj. Për të garantuar një kulloshtër sa më cilësore grumbullojeni atë menjëherë pas lindjes së viçit. Ju rekomandojmë të testoni kulloshtrën për të përcaktuar nivelin e antitrupave që ajo përmban. Gjithashtu, është e rëndësishme të njihni mirë gjendjen shëndetësore të lopës nga meret kulloshtra. Mos grumbulloni dhe përdorni kulloshtër nga lopë që kanë simptoma të sëmundjeve bakteriale, ose që shfaqin probleme pas pjelljes. Garantoni që gjiri i lopës nga grumbullohet kulloshtra është i pastërt. Bëni dezinfektimin e gjirit para dhe pas grumbullimit të kulloshtrës. Shmangni ndotjen e kulloshtrës duke siguruar që duart tuaja janë të pastra, ju këshillojmë të përdorni doreza gjatë procesit. Pas çdo përdorimi, dezinfektoni gotat e mjeljes dhe tubacionin nga brenda dhe nga jashtë. Për të ruajtur kulloshtrën, përdorni një enë të pastër të mbuluar me kapak.

Si mund ta ruani sa më mirë kulloshrën?

Mbani parasysh! Kur kulloshtra është e ngrohtë, ajo krijon një ambjent për dyfishimin e numërit të bakterieve çdo 20 minuta. Ndaj, kulloshtra e freskët, pra e porsa grumbulluar duhet t’ju ofrohet viçave brenda një ore nga grumbullimi, ose duhet të pasterizohet (ngrohet në temperaturë 72°C për 15 sekonda për të vrarë bakteriet e dëmshme) dhe të ruhet në kushte të përshtatëshme. Mbani parasysh, për të ndihmuar në uljen e shkallës së shumimit të mikrobeve, mund të përdorni tre mënyra: ruajtjen në frigorifer, ngrirjen dhe pasterizimin. Në rastin e ruajtjes në frigorifer në pjesën ftohëse me temperaturë 4°C, kulloshtra mund të ruhet vetëm për 24 orë. Ajo vendoset në enë me kapacitet 1-2 litër. Në rastin e ruajtjes në ngrirje, në temperaturë -18°C deri në -20°C ajo mund të qëndrojë deri në një vit duke e vendosur në qeska ushqimore me kapacitet 1-2 litër të cilat zënë një hapsirë më të vogël në zonën e ngrirjes. Ju rekomandojmë që e gjithë kulloshtra që vendoset në ruajtje duhet të jetë me etiketë ku shënohet data e grumbullimit dhe numëri identifikues i lopës, pasi kështu mund të shmangni përdorimin e kulloshtrës nga lopë që shfaqin probleme. Mbani nën kontroll temperaturën e frigoriferit si në pjesën ftohëse ashtu edhe në atë ngrirëse.  

Si ta përgatisim kulloshtrën për ushqim. 

Siç e theksuam kulloshtra duhet ofruar në temperaturën e trupit, pra 38°C. Kulloshtra që është ruajtur në ngrirje, rekomandohet të vendoset në pjesën e ftohjes gjatë natës për shkrirje. Më pas, para se ta përdorni ngroheni atë në një banjo mari, pra duke e vendosur qenskën në një enë me ujë të ngrohtë në temperaturë maksimale 50°C, në mënyrë që vetë kuloshtra të arrijë temperaturën 40-42°C, e të përdoret nga viçi në temperature 38°C, duke siguruar kështu një ngrohje graduale. Pasi shkrihet e ngrohet, kulloshtra duhet përdorur brenda 30 minutave. Ju këshillojmë të përdorni termometër për kontrollin e temperaturës. Gjithashtu, bëni kujdes që të mos e tej ngrohni kulloshtrën, mos përdorni mikrovalë, pasi kjo do të sjellë shkatërrimin e antitrupave.  

Pasterizimi i kulloshtrës. 

Pasterizimi mundëson uljen e numërit të bakterieve të pranishme, por edhe pse e pasterizuar kur ajo do të shërbehet për përdorim të mëvonshëm, duhet patjetër të ruhet e ftohtë ose në ngrirje sipas kohës së syuar të përdorimit. Bëni kujdes! Pasterizimi nuk e bën të përdorshme kulloshtrën jo cilësore ose atë të kontaminuar me mikrobe.

Testimi i higjenës së kulloshtrës

Për tu siguruar se ju po përdorni për viçat një kulloshtër të pa kontaminuar, duhet ta testoni atë për nivelin e pranisë së bakterieve. Bashkëpunoni me veterinerin e zonës për këtë qëllim. Kjo ju mundëson të përcaktoni nëse duhet të ndryshoni mënyrën se si ju e grumbulloni ose ruani kulloshtrën. 

Data e publikimit: 10/06/2026


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

KULLOSHTRA DHE RËNDËSIA E SAJ PËR IMUNITETIN E VIÇAVE

Çfarë është kulloshtra dhe pse është kaq e rëndësishme për imunitetin e viçave të porsalindur?

Lexo më shumë

SI TË PËRDORIM NJË BRIX REFRAKTOMETËR

Kliko këtu!

Lexo më shumë

SI NDIKOJNË TEMPERATURAT E LARTA NË IMUNITETIN DHE SHFAQJEN E SËMUNDJEVE TEK VIÇAT

Temperaturat e larta nuk sjellin vetëm stres tek viçat — ato mund të rrisin ndjeshëm rrezikun për sëmundje.

Lexo më shumë

DIARREJA - SHKAQET, SHENJAT, PARANDALIMI DHE KURIMI

Si ta kuptoni nëse një viç me diarre ka nevojë urgjente për veteriner?

Lexo më shumë