CILA ËSHTË TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË MËLLAGËS SË BARDHË?




Për kultivimin e mëllagës së bardhë mund të aplikohen metoda ose praktika të ndryshme. Pra kultivimi i saj mund të bëhet:

  • mbjellja e drejpërdrejtë me farë 
  • me prodhimin e fidanëve nga fara 
  • me koka të prera të rrënjës. 

Secila praktikë e kultivimit ka përparësitë dhe mangësitë e veta gjatë kultivimit. Në rastin kur kultivohet me kokat e prera të rrënjëve, kokat e rrënjëve llogariten si mbetje pas zgjedhjes së rrënjëve. 

Mbjellja e drejtpërdrejtë me farë e mëllagës së bardhë

Për mbjellje të drejtpërdrejtë me farë, ajo duhet të jetë cilësore e pastër dhe me aftësi dhe energji të lartë mbirëse. Sasia e farës ose norma e farës  që përdoret për mbjellje duhet të jetë 5-6 kg/ha. Nëse gjatë mbjelljes përdoren makina mbjellëse me precizion të lartë atëherë cilësia dhe uniformiteti i mbjelljes do të jetë më i mirë si dhe sasia e farës për mbjellje është më e vogël. 

Toka për mbjellje duhet të jetë e përgatitur mirë me qëllim që thellësia e mbjelljes së farës të jetë uniforme dhe e njëjtë afërsisht 2 cm. 

Koha e mbjelljes: Mbjellja realizohet në vjeshtë ose në pranverë, me distanca 60 – 70 cm midis reshtave. Fara e mëllagës së bardhë ka  aftësi të ulët mbirëse, prandaj parapëlqehët dhe rekomandohet që mbjellja të kryhet në vjeshtë përpara ngricave

Mbjellja në pranverë duhet të bëhet në fillim të pranverës deri në mesin e muajit Prill. 

Mbirja dhe zhvillimi i mëtejshëm është përgjithësisht i ngadalshëm ndaj kërkon edhe përkujdesje më të shumta. Pas mbirjes dhe zhvillimit të 3-4 gjethe të vërteta bëhet rrallimi i bimëve. Dendësia përfundimtare nuk duhet të jetë më e madhe se 5 – 6 bimë/m2.

Distancat e mbjelljes caktohen edhe nga teknologjia që do të aplikohet pas mbjelljes për mirëmbajtjen e bimëve të mbjella. Mbjellja e drejtpërdrejtë me farë për shkak të vështirësive në mbirje dhe zhvillimit të ngadaltë në fazat e para rekomandojmë të zëvendësohet me metodën e kultivimit ose mbjelljes me fidanë. 

Mbjellja me fidanë e mëllagës së bardhë

Duke u nisur nga fakti i ndjeshmërisë në mbirje dhe rritjes fillestare, mbjellja e mëllagës me fidan e rrit sigurinë e kultivimit dhe rrit gjasat për rendimente më të larta. Shumimi i bimëve me fidanë ka dëshmuar të jetë më i suksesshëm dhe më i sigurt krahasuar me mbjellje të drejtpërdrejtë me farë. Është menduar që mbjellja me fidan ka kosto më të lartë ose rrit koston e prodhimit por praktika ka dëshmuar se nuk qëndron një dëshmi e tillë. Duke krahasuar koston e mirëmbajtjes së bimëve, sidomos pas mbirjes me mbjellje të drejtpërdrejte me farë, herrja e barërave të këqija ka një kosto shumë të madhe që shpesh tejkalon koston e prodhimit të fidanëve.

Mbjellja në fidanishte duhet të ketë përparësi ndaj mbjelljes së drejtpërdrejt sepse mund të ketë menaxhim më të mirë të kushteve të kultivimit (temperaturë dhe lagështi optimale) që mbirja dhe rritja fillestare e bimëve të jetë sa më e mirë. Bimët e prodhuara në fidanishte (afro 500 bimë/m2) trapiantohen më pas në fushë, pas 6 – 7 javësh nga mbjellja e farës. 

Fidanët mund të prodhohen në periudha të ndryshme kohore në varësi se kur planifikohet trapiantimi në fushë të hapur. Mbjellja apo trapiantimi i fidanëve në fushë mund të bëhet në fillim të vjeshtës apo në pranverë. 

Për mbjellje pranverore, trapiantimi bëhet nga fundi i prillit dhe fillimi i majit kurse mbjellja e farës në kaseta fillon nga fundi i muajit mars. Në rastin e  mbjelljes (trapiantimit) në vjeshtë fillimi i përgatitjes së fidanit fillon në muajin korrik

Përgatitja e fidanit mund të bëhet edhe në shtretër (vëllja) apo e ashtëquajtura prodhim i fidanëve me rrënjë të zhveshur, por kohët e fundit kjo praktikë po zbatohet shumë pak. Rekomandohet prodhimi i fidanëve në kaseta/bikurina. Një rekomandim i tillë mbështetet në avantazhet që ka prodhimi i fidanëve në kaseta: 

  • Eliminohet “kriza e zënies”; 
  • Prodhimi i fidanëve realizohet në një kohë më të shkurtër;
  • Bimët janë me zhvillim më uniforme;
  • Zvogëlohet mundësia e prekjes nga sëmundjet; 
  • Kostoja e prodhimit të fidanëve është më e vogël. 

Zgjedhja e kasetave  bëhet nisur nga lloji i bimës dhe nga përvoja e kultivuesit. Mëllaga e bardhë zakonisht mbillet në kaseta ku vrimat e tyre kane një vëllim nga 32 – 44 ml ose siç njihen nga prodhuesit kaseta me 84 – 104 vrima. Këto kaseta jenë të mjaftueshme sa i përket vëllimit për rritje dhe zhvillim normal të bimës. Kultivuesit me përvojë mund të përdorin kaseta me vëllime më të vogla duke pasur parasysh që zvogëlimi i vëllimit mos të ndikojë negativisht në rritje dhe zhvillimit të sistemit rrënjorë. 

Mbjellja e farave për nevoja të kultivuesit zakonisht bëhet me dorë kurse në fidanishte komerciale bëhet me makina mbjellëse speciale por në raste të tilla farat duhet të jenë të kalibruara. 

Thellësia e mbjelljes së farës në kaseta është rreth 1-1.5 cm. Pas mbjelljes fara mbulohet me substrat ose vermikulit. Menjëherë pas mbjelljes bëhet ujitje me një sasi të mjaftueshme uji për të siguruar lagien e plotë të kompostos në 1- 2 cm. Pak orë më vonë bëhet një ujitje tjetër me doza më të larta për të mundësuar lagien e plotë të gjithë kompostit. Pas këtij momenti, në asnjë rast nuk duhet të lejohet tharja e sipërfaqes së kompostos, deri në mbirjen e plotë të farave. Kasetat e mbjella dhe të ujitura vendosen në fidanishte në mjedise të mbrojtura (serra) me ose pa ngrohje deri në përfundim të fazës së fidanit. 

Fidanishtet komerciale posedojnë edhe dhomat mbirëse ku mbahet temperatura optimale 20-26°C dhe lagështi relative deri 95% për një periudhe kohore 7-10 ditë derisa të fillojë inicimi i mbirjes dhe pas këtij momenti kasetat largohen nga dhoma mbirëse dhe vendosen në serra për rritje dhe zhvillim të fidanëve. Pas mbirjes nëse në vrima të kasetave janë mbirë më shumë se një bimë bëhet herrja e tyre me qëllim të eleminimit të konkurrencës në mes bimëve dhe lihen vetëm një bimë për vrimë të kasetës. Është mirë që herrja e bimëve të tepërta të bëhet në fazën e kotiledoneve, kur sistemi rrënjor ende nuk ka filluar degëzimin intensiv, sepse shkulja e bimës është më e lehtë. 

Dy orë para herrjes apo rrallimit të bimëve rekomandohet një ujitje që bimët të shkulen me lehtë pa e dëmtuar bimën e mbetur. Një rrallim i tillë mundëson një rritje pa konkurrent, uniforme dhe cilësore të materialit fidanorë. Një fidan i prodhuar në kaseta duhet të jetë i zhvilluar mirë, sistemi rrënjor ta okupoj komposton dhe të jetë sa me uniform. Kjo varet nga kushtet e kultivimit dhe menaxhimi i mirë i fidanishtes gjatë prodhimit të fidanit. Para se fidani të jetë i gatshëm për trapiantim duhet kalitur me qëllim që t’i përshtatet kushteve të ambientit të jashtëm.

Mbjellja me koka të rrënjëve 

Kjo metodë e mbjelljes zakonisht realizohet në përfundim të jetës së plantacioneve të vjetra ose në rastin e vjeljes së rrënjëve, duke këputur kokat rrënjore. Këto koka rrënjore (pjesë e qafës së rrënjës bashkë me rrënjët), me 2 – 3 sytha, sa madhësia e gishtit të madh të dorës dhe rrënjë të paktën 3 cm të gjatë, vendosen në një shtrat 0.6 x 0.4 m. Për një hektar nevojiten afro 900 kg rrënjë. Kjo teknikë është e mundur vetëm në rajone me dimër të butë. 

Përgatitja e tokës për mbjellje 

Përgatitja e tokës për mbjellje është ndër masat agroteknike më të rëndësishme për prodhimin e suksesshëm të bimëve. Koha e përgatitjes së tokës varet nga parabima (kur e liron tokën) dhe nga koha e mbjelljes së kulturës. Meqenëse mëllaga e bardhë, në kushtet tona klimatike, mund të mbillet si kulturë pranverore, përgatitja e tokës ka një hapësirë kohore të mjaftueshme deri në mbjellje. Nëse mbjellja bëhet në vjeshtë punimi i thellë dhe punimet tjera plotësuese duhet të bëhen në një periudhë të shkurtër kohore. Nëse parabima ka qenë drithëra plugimit të thellë i paraprin një punim i cekët menjëherë pas korrjes së parabimës. Punim i cekët bëhet me qëllim të përmbysjes së lëndëve organike dhe farave të barërave të këqija. Nëse pas punimit të cekët 10-15 cm kemi reshje shiu ose mundësi ujitje farat e barërave të këqija do të mbijnë dhe pas punimit të thellë numri i bimëve të këqija njëvjeçare do të zvogëlohet dukshëm dhe toka po ashtu do pasurohet me lëndë organike si rezultat i përmbysjes së masës së gjelbër të mbirë pas punimit të ceket. Kjo masë agroteknike, para punimit të thellë, konsiderohet edhe si plehërim i gjelbër dhe luftim mekanik i barërave të këqija. 

Nëse mbjellja apo trapiantimi bëhet në pranverore, punimi vjeshtor bëhet në thellësi 30-50 cm dhe brazdat lihen të hapura gjatë dimrit. Punimet plotësuese dhe përgatitja e tokës për mbjellje bëhet herët në pranvere posa të lejojnë kushtet e motit. 

Gjate punimit të vjeshtës apo edhe punimeve plotësuese behet edhe shpërndarja dhe përmbysja e plehrave oraganike në masën 40 - 50 t/ha të cilët duhet të jenë dekompozuar (kalbura) mirë. 

Në varësi nga struktura e tokës apo edhe nga cilësia e punimit bazë, punimet plotësuese realizohen me qëllim përgatitjen sa më të mirë të tokës për trapiantim të fidanëve apo mbjelljes me farë. Nivelimi, frezimi, lesimi apo edhe rulimi, se cili do përdoret, vlerësohet nga momenti i përgatitjes së tokës ku një vlerësim të tillë e bën vetë kultivuesi.

Plehrat që përdoren dhe plehërimi i mëllagës së bardhë

Ekzistojnë metoda dhe doza të ndryshme sa i përket të ushqyerit apo plehërimit të mëllagës së bardhë. Por theksojmë se dozat e pleherimit duhet të llogariten nisur nga nevojat e bimës dhe shkalla e plotësimit të tyre nga toka, prandaj para hartimit të bilancit ushqyes rekomandojmë kryerjen e analizave agrokomike të tokës. Nevojat për elementë ushqyese të mëllagës së bardhë janë:  100 kg/ha N, 40 - 70 kg/ha P205 dhe 120 - 180 kg/ha K20. Plehrat e përdorur në prodhimin e mëllagës në përgjithësi duhet t’i referohet prodhimit organik. Këto nevoja është mirë të plotësohen nëprëmjet plehrave organike, kompostove, plehërimeve të gjelbra, etj. Nisur nga kërkesat për lëndë ushqyese të lartë përmendura, sasia e plehut të stallës prej 40 – 50 t/ha do t’i plotësonte kërkesat e mëllagës së bardhë për elementet ushqyese. Tejkalimi i këtyre sasive do të çonte në rritje të bujshme vegjetative. 

Mbjellja në vendin e përhershëm apo trapiantimi 

Mbjellja me farë, zakonisht, bëhet në mënyrë të mekanizuar me makina mbjellëse të bimëve bujqësore të përshtatura për kulturën e mëllagës së bardhë. 

Norma e farës dhe thellësia e mbjeljes: Kur përdoren makina mbjellëse pneumatike, me precizion të lartë norma e farës është 5 - 6 kg farë për hektar dhe thellësia e mbjelljes është rreth 2 cm.

Koha e mbjelljes: Për shkak të aftësisë mbirëse të ulët, parapëlqehet mbjellja në vjeshtë përpara ngricave. Mbjellja në pranverë duhet të bëhet në fillim të pranverës deri në mesin e muajit Prillit. Mbirja dhe zhvillimi i mëtejshëm është përgjithësisht i ngadalshëm ndaj kërkon edhe përkujdesje më të shumta. 

Distancat e mbjelljes: Gjerësia midis rreshtave është 60-70 cm, kjo varet nga planifikimi i kultivimit në mes rreshtave. Distanca e bimëve në rresht konsiderohet të jetë 30 cm ose 5-6 bimë/m2. 

Trapiantimi i fidanëve në fushën e përgatitur mund të bëhet:

  • e mekanizuar, me makina për mbjelljen e fidanëve të perimeve të adaptuara duke i fiksuar distancat e mbjelljes si dhe 
  • mbjellja me fuqi punëtore me kunja duke hapur vrima dhe mbjelljen e fidanit. 

Mbjellja e mekanizuar është më e shpejtë dhe më e sigurtë sa i përket dëmtimeve të fidanëve. 

Menjëherë pas mbjelljes është e domosdoshme ujitja me qëllim që sigurohet një kokntakt sa më i mirë i sistemi rrënjor me tokën, për të siguruar një zënjë sa më të lartë.  Distancat e mbjelljes luhaten në funksion të gjerësisë së punimit të makinave bujqësore dhe kushteve klimatike. Distancat e mbjelljes të këshilluara janë 60 - 70 x 30 cm (60 000 bimë/ha). Në rastin e përdorimit të mekanizimit, këto distanca mund të luhaten por sillen rreth 5 – 6 bimë/m2.

Cilat janë shërbimet dhe përkujdesja pas mbjelljes së mëllagës së bardhë?

Për rritje dhe zhvillim normal, të bimëve të kultivuara, përkujdesja pas mbjelljes është i domosdoshëm që nga mbjellja apo trapiantimi. Në varësi nga mënyra e mbjelljes pasojnë edhe masat agroteknike. Rëndësi i kushtohet mbajtjes në gjendje të shkrifët të tokës, luftimit të barërave të këqija, ujitjes dhe masave të tjera të nevojshme. 

Është shumë e rëndësishme që ngastra e mbjellë të jetë e pastër nga barërat e këqija pasi ato janë jo vetëm konkurrente në të ushqyerit e bimës por edhe krijojnë hijezime që janë shumë të dëmshme në rritjen dhe zhvillimin e mirë të mëllagës së bardhë. 

Pastrimi nga barërat e këqija mund të realizohet me anë të kultivimeve me moto kultivator  si dhe në mënyrë mekanike (me dorë). 

Në kushtet kur sigurohet ujitja, sidomos sistemi pikë - pikë, është mirë që ajo të realizohet sipas nevojës së bimës për ujë, ku sasia e ujit të harmonizohet me fazat e zhvillimit the kushteve të kultivimit. 

Ujitja dhe të ushqyerit plotësues të bimëve duhet të jetë në mënyrë të kontrolluar me qëllim që bima të mos ketë zhvillim të bujshëm vegjetativ. Prandaj, masat e përmendura duhet të ndikojnë në balancën e bimës duke llogaritur në produktin primar rrënjën. Një karakteristik të veçante duhet patur parasysh, që mëllaga e bardhe i duron përmbytjet 15 – 20 ditë, pa pasur ndikim në ulje të rendimentit apo humbje të bimëve. 

Përkujdesi në vitin e dyte është paksa më i lehtë duke llogaritur që bima e mëllagës do të jetë shumë e fuqishme dhe i konkurron barërat e këqija. Zakonisht janë të mjaftueshme  një deri dy frezime, sepse me pas masa vegjetative do e mbuloj sipërfaqen dhe do të frenojë zhvillimin e barërave të këqija.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Sëmundjet dhe dëmtuesit kryesorë të mëllagës dhe menaxhimi i tyre.

Data e publikimit: 29/08/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: