SHTIMI I PEMËVE FRUTORE ME ANË TË SHARTIMIT




Bimët e përfituara nëpërmjet mbirjes së farës së zakonshme, si rezultat i proceseve biologjike që ndodhin në kromozome gjatë procesit të pllenimit, ato humbasin pjesën më të madhe të cilësive më të mira prodhuese të bimëve mëma. Për të eliminuar këtë mangësi, filizave iu aplikohet mënyra e shtimit vegjetativ nëpërmjet shartimit.

Shartimi është arti i bashkimit të pjesëve të veçanta të bimëve të ndryshme në një organizëm të vetëm i cili rritet, jeton dhe prodhon për aq kohë sa vazhdon edhe bashkëjetesa e pjesëve të shartimit.

Cilat janë komponentët e shartimit vegjetativ?

  1. Nënshartesat: përfaqësojnë bimët e prodhuara nga fara (apo edhe nëpërmjet rrugëve vegjetative), por që nuk zotërojnë në nivelet e duhura vlerat ekonomike të dobishme sipas destinacionit të prodhimit;
  2. Mbishartesat: përfaqësojnë individë me vlera ekonomike të preferuara dhe që i zotërojnë faktorët e dobishëm ekonomik sipas destinacionit të prodhimit. Mbishartesat merren nga një bimë (ose grup bimësh mëma), që përputhen me destinacionin e kultivimit.

Shumëzimi i fidanëve të pemëve frutore me anën e shartimit vegjetativ bëhet me disa mënyra, që janë:

  • Shartimi me syth i cili aplikohet në dy forma: 

a) me syth të fjetur; 

b) me syth të zgjuar.

  • Shartimi me kalem, i cili aplikohet në dy mënyra: 

a) nën lëkurë; 

b) me çarje (diametrale, radiale dhe kryq);

Shumëzimi me anë të shartimit me sytha

Shartimi me syth është më i preferuari sepse:

  • Nëpërmjet kësaj metode një shartues mund të shartojë 250 – 300 bimë në ditë. 
  • Përqindja e zënieve është më e lartë, 
  • Kursehen materiale mëmë dhe kostoja e prodhimit të një fidani është më e ulët. 

Shartimi me syth të zgjuar

Shartimi me syth të zgjuar bëhet në fillimin e lëvizjes së lëngjeve në pemë dhe mund të vazhdohet deri në fund të muajit qershor

Me qëllim që sythat të mos jenë të çelur në kohën e shartimit, kalemat, për nxjerrjen e sythave, mund të merren në periudhën e qetësisë dimërore. 

Kalemat duhet të merren nga degë të shëndosha, njëvjeçare, plotësisht të pjekura, të pastra nga sëmundjet dhe dëmtuesit dhe të kenë rreth 8 – 12 sytha. 

Kalemat e prerë lidhen në tufa në rreth 25 – 50 copë së bashku dhe dërgohen nëpër magazinat e shtratifikimit. Shtratifikimi bëhet menjëherë në rërë të lagur me qëllim që kalemat të ruhen të freskët deri në momentin e shartimit. Temperatura e ruajtjes nuk duhet të kalojë 5°C dhe kurrë nuk duhet të zbresë nën zero.

Cilat janë etapat që ndiqen në shartimin me syth? 

  • Prerja e nënshartesës në 25 – 30 cm lartësi nga sipërfaqja e tokës;
  • Heqja e sythit te kalemi, i cili do të jetë mbishartesa;
  • Hapja ose prerja e lëkurës te nënshartesa në formën e germës “T’;
  • Vendosja e sythit te pjesa e lëkurës së prerë në formën e germës “T” te nënshartesa;
  • Lidhja e sythit; 
  • Zgjidhja e materiali lidhës pas zënies;
  • Lidhja e lastarit/mbishartesës në pjesën e kërcellit të mbishartesës mbi pikën e shartimit;
  • Prerja e nënshartesës mbi pikën e shartimit dhe vendosja dhe lidhja pas hurit mbështetës.

Heqja e sythit 

Bëhet me anën e një brisku të zakonshëm të shartimit dhe të mprehur mirë. Prerja fillon rreth 1.2 cm mbi sythin që do të hiqet dhe me kujdes ulet poshtë deri në 1.8 cm poshtë sythit. Sythi duhet të mbajë shumë pak elementë të drurit, sepse nëpërmjet saj krijohet mundësia e zënies pasi ajo pak shtresë kambiumi (pjesa më rigjenerative e kërcellit) që ndodhet te sythi shërben për t’u bashkuar me shtresën e kambiumit që ndodhet nën lëkurë te nënshartesa. 

Sythat e hequr për shartim vendosen menjëherë në një copë pëlhurë pambuku të lagura me ujë, me qëllim që ato të mos dehidratohen. Sasia e sythave të hequr duhet të konsumohet brenda ditës.

Preja e lëkurës në formën e germës “T” te nënshartesa 

Në fillin nënshartesa pritet në lartësinë 25 – 30 cm nga sipërfaqja e tokës. Diametri i nënshartesës nuk duhet të jetë më pak se 10 mm. Në rreth 12 – 15 cm mbi sipërfaqen e tokës fillon të bëhet prerja e lëkurës në formën e germës “T”. Vendi i prerjes duhet të jetë në ndërnyjën ndërmjet dy sythave dhe me drejtim nga veriu ose veri perëndimi me qëllim që të evitohet rrezatimi direkt nga dielli. 

Në fillim bëhet prerja horizontale me kujdes që brisku të presë vetëm lëkurën sëbashku me shtresën e kambiumit të nënshartesës dhe të mos presë pjesën drunore. Gjatësia e prerjes horizontale duhet të bëhet sa më e vogël (me qëllim që të ndihmohet zënia) në rreth 1.2 – 1.4 cm. Më pas vazhdohet me prerjen vertikale të lëkurës deri në gjatësinë 1.5 – 1.8 cm. 

Vendosja e sythit dhe lidhja 

Me anën e pjesës së prapme të briskut të shartimit bëhet shqitja e lëkurës nga pjesa e drunjtë, me kujdes që ajo të mos dëmtohet. Më pas vendoset sythi duke e futur në fillim nga sipër (te preja horizontale) dhe më pas shtyhet lehtësisht deri në fund. Pjesa e sipërme e sythit sipër prerjes horizontale  të T pritet horizontalisht dhe futet në brazdën e prerjes horizontale të T me qëllim që sythi të nivelohet (puthitet) me prerjen e nënshartesës. Lidhja fillon nga poshtë lart (me qëllim që lidhja të bëhet e fortë dhe uji i shiut të mos futet brenda), duke e xhiruar atë në anë të kundërt të lëvizjes së akrepave të orës. 

KUJDES!! Sythi nuk duhet mbuluar por, të lihet jashtë. Shartimi kurrë nuk duhet të bëhet me kohë me shi dhe duhet evituar orët e nxehta të ditës

Koha më e mirë janë orët e paradites dhe ato të pasdites sepse menjëherë vjen mbrëmja me lagështirën e zakonshme të natës.

Zgjidhja e shartimit dhe lidhja e lastarit të mbishartesës me pjesën e nënshartesës mbi pikën e shartimit

Sasia e ditëve për zënie varet nga gjendja e bimës, cilësia e shartimit, temperaturat dhe lagështira e ajrit apo e tokës. Ky proces mund të zgjasë nga 15 – 20 ditë. Kur lastari pas zënies ka arritur lartësinë rreth 12 – 15 cm, me anë të briskut të shartimit bëhet prerja e nyjës lidhëse të lidhëses dhe me kujdes bëhet procesi i heqjes së materialit lidhës. Pas zgjidhjes lastari tashmë si mbishartesë, lidhet më pjesën e kërcellit të mbetur të nënshartesës (rreth 12 – 15 cm) mbi pikën e shartimit. Kjo bëhet me qëllim që lastari të ruhet nga dëmtimet e mundshme gjatë shërbimeve agroteknike që do të jenë në vazhdimësi.

Gjatë periudhës së qetësisë dimërore bëhet prerja e nënshartesës rreth 1 – 2 cm mbi pikën e shartimit me pjerrësi nga ana e kundërt e sythit me qëllim që ujërat e reshjeve të mos dëmtojnë pikën e shartimit dhe bazën e mbishartesës. Më pas, pranë lastarit të mbishartesës, vendose huri dhe më pas lidhet me qëllim që mbishartesa të ruhet nga dëmtimet dhe fidani të krijojë një trup të drejtë. 

Shartimi me syth të fjetur

Shartimi me syth të fjetur kryhet po me ato procedura si për shartimin me syth të zgjuar, por me disa ndryshime: 

  • Kalemat/sythat merren tek degëzat e rritura brenda vitit;
  • Periudha më e mirë është fundi i muajit gusht deri gjysma e parë e muajit shtator. Në këtë rast zgjimi i sythave  të shartuara nuk bëhet brenda të njëjtit vit, por në fillimin e vegjetacionit të vitit të tjetër.

Pemët mëma të cilat janë planifikuar për prodhimin e sythave të fjetur krasiten me kujdes qysh në periudhën e qetësisë dimërore duke aplikuar rrallimin e degëzave të tepërta me qëllim favorizimin e lastarëve të fuqishëm dhe pjekjen e shpejtë të sythave, të cilat duhet të jenë të pjekura mirë në periudhën e marrjes së sythave.

Nënshartesës nuk i bëhet shkurtim para shartimit. Procedurat e tjera të shartimit bëhen ashtu si në rastin e shartimit me syth të zgjuar, por me një ndryshim që gjethit pranë sythit përkatës i lihet 1 – 1.5 cm pjesë e bishtit. Bishti në këtë rast shërben si nxitës në zënien e sythit. Shenja që sythi i shartuar ka zënë apo jo, është se në se pas 15 – 20 ditësh bishti i gjethes ka  rënë vetë, atëherë sythi ka zënë. Nëse sythi nuk ka zënë, atëherë bishti thahet në syth dhe ngelet ashtu për një kohë të gjatë.

Mosha e përgatitjes së fidanit nga fidanishtet është në varësi të mënyrës së shartimit. Kur shartimi bëhet më syth të zgjuar, fidani mund të jetë gati për në vendin e përhershëm për 2 vjet për farorët dhe brenda një viti për bërthamorët. Nëse shartimi bëhet me sytha të fjetur, në periudhën kur fidanët ndodhen në fidanishten e vitit të dytë, atëherë periudha e nevojshme është 3 vjet.

Shartimi vegjetativ me kalema

Shartimi me kalem bëhet në dy mënyra:

  • Shartimi nën lëkurë;
  • Shartimi me çarje. Shartime me çarje aplikohet në tre mënyra kryesore: a) me çarje diametrale; b) me çarje kryq dhe c) me çarje radiale.

Shartim me kalem nën lëkurë

Kjo metodë e shartimit bëhet vetëm atëherë kur nënshartesa të ketë hyrë në periudhën e fillimit të lëvizjes së lëngjeve. Quhet e tillë sepse kalemi (mbishartesa), vendoset ndërmjet drurit dhe lëkurës së nënshartesës. E gjithë procedura e marrjes së kalemave duhet të bëhet ashtu si metoda e shartimit me syth të zgjuar. Ato duhet të jenë të shtratifikuar në rëre të lagur ose të jenë marrë direkt nga pema mëmë por me sytha të pa çelura. Edhe ky lloj shartimi ka disa faza pune që janë: 

  • Prerja e nënshartesës;
  • Çarja e lëkurës;
  • Prerja dhe përgatitja e kalemit;
  • Vendosja e kalemit dhe lidhja;
  • Mbulimi me dhe të freskë, etj.

Prerja e nënshartesës dhe hapja e lëkurës së saj. Nënshartesa pritet në një pjerrësi të atillë, në mënyrë që niveli i pikës së takimit të kalemit të jetë 2 – 3 cm më lart se sa fundi i pjerrësisë. Kjo bëhet me qëllim që lagështia e reshjeve të largohet sa më shpejt poshtë. Prerja bëhet me brisk të mprehët me qëllim që në vendin e prerë të mos krijohen plagë. Në skajin më të lartë të pjerrësisë fillon çarja e lëkurës me drejtim vertikal, po në të njëjtën mënyrë siç është përshkruar në shartimin me syth. Gjatësia e prerjes së lëkurës duhet të jetë rreth  2.5 – 3 cm, ose pak a shumë sa gjatësia e prerjes së kalemit.

Prerja e kalemit dhe përgatitja e tij. Në kalemat e shtritifikuar, pasi hiqen nga vendi i ruajtjes, zgjidhen segmentet me sytha më të mirë dhe këto segmente priten me dy sytha. Gjatësia e prerjes sipër sythit të dytë duhet të jetë rreth 1.5 cm, ndërsa gjatësia e prerjes nën sythin e parë duhet të jetë 4 – 5 cm, me qëllim që kalemi me dy sytha të ketë vend të mjaftueshëm për tu futur te nënshartesa. Në pjesën e kundërt të sythit të poshtëm, paralel më të fillon prerja e kalemit me një pjerrësi të atillë që prerja të jetë e drejtë (në formë pyke në një anë) dhe të përshkojë trashësinë e kalemit me një pjerrësi të tillë që gjatësia e saj të jetë rreth 1 – 2 cm. Arsyeja pse prerja fillon në anën e kundërt të sythit të parë është se në afërsi të sythit ndodhet pjesa më aktive e shtresës së kambiumit e cila ka aftësi rigjeneruese dhe i siguron kalemit më shumë mundësi zënie.

Vendosja e kalemit, lidhja dhe mbulimi me mastiç. Vendosja e kalemit bëhet te lëkura e çarë e nënshartesës, pasi lëkura e nënshartesës të shqitet lehtë me anën e kundërt të briskut të shartimit. Kalemi shtyhet lehtësisht deri në fundin e çarjes aq sa niveli i sipërm i prerjes  se nënshartesës të jetë paralel më sythin e parë i cili është në pozicionin nga jashtë kalemit dhe paralel me skajin e prerë të nënshartesës. Pastaj bëhet lidhja e cila fillon nga poshtë lart. 

Pas rreth 20 ditësh fillon zgjimi i sythit të sipërm. Kur lastari i dalë nga sythi të ketë arritur lartësinë 12 – 15 cm bëhet zgjidhja e saj. Në afërsi të lastarit vendoset huri mbështetës më qëllim që ta mbrojë atë nga shqyerja dhe lastari të qëndrojë vertikalisht drejtë.

Shartimi me kalem me çarje diametrale

Kjo formë shartimi zakonisht nuk aplikohet në fidanishte sepse ky lloj hartimi bëhet në rastet kur trashësia/diametri i nënshartesës është mbi 2.5 cm. Në fidanishte kjo madhësi nënshartese pothuaj nuk takohet sepse aplikohen dy format e mësipërme të shartimit të cilat bëhen më shpejt kur fidanët janë me diametër nën 2 cm.

Ky shartim bëhet vetëm kur nënshartesa të ketë hyrë në periudhën e fillimit të lëngjeve. Pasi nënshartesa pritet horizontalisht, në lartësinë 12 – 15 cm, çahet diametralisht me anë të një thike deri në gjatësinë 5 – 6 cm (fig). Me qëllim që çarja të mos bëhet më gjatë se 5 – 6 cm, poshtë prerjes horizontale, më parë bëhet lidhja e trungut/nënshartesës 5 – 6 cm më poshtë se pika e shartimit dhe kështu mund të eliminohet çarja e mëtejshme.

Puna fillon me  çarjen e nënshartesës. Ruajtja e kalemave dhe përgatitja/prerja e tyre priten në të njëjtën procedurë ashtu siç u shpjegua në mënyrën e shartimit me kalem nënlëkurë. Pas përgatitjes së kalemave bëhet vendosja e tyre me kujdes që shtresa e kambiumit të nënshartesës të korrespondojë me shtresën e kambiumit të mbishartesës (fig). Mbishartesa përgatitet në formë pyke dhe bëhet lidhja dhe dezinfektimi ashtu siç u shpjegua te forma e shartimit me kalem nën lëkurë. Pas zënies zakonisht dalin dy lastarë (nga dy sythet) dhe kur të jenë rritur në lartësinë 12 – 15 cm njëri eliminohet (zakonisht lihet më i zhvilluari).

Shartimi me kalem me çarje kryq

Edhe kjo formë shartimi, zakonisht, nuk aplikohet në fidanishte, sepse ky lloj shartimi bëhet në rastet kur trashësia/diametri i nënshartesës është mbi 6 – 7 cm dhe përdoret vetëm në rastet kur një pemë është e rritur, por që duhet të zëvendësohet me anë të shartimit, me një formë bimore me veti më të mira prodhuese.

Edhe kjo formë shartimi bëhet vetëm kur nënshartesa të ketë hyrë në periudhën e fillimit të lëvizjes së lëngjeve. Quhet me çarje kryq sepse nënshartesa pasi pritet horizontalisht (zakonisht në degët skeletore fig.) çarja bëhet 2 herësh në formë kryqi dhe në vend të dy kalemave vendosen 4 copë. Të gjitha procedurat e tjera të shartimit bëhen ashtu siç janë shpjeguar më sipër.

Mjetet e shartimit

Për të realizuar sa më mirë shartimin, një rëndësi të veçantë marrin edhe mjetet e shartimit. Ato duhet të mbahen në gjendje teknike të mirë, të jenë të pastra, të mprehura mirë dhe të dezinfektohen herë pas here me solucione të ndryshme dezinfektuese. Arsyeja pse ato duhet të jenë sa më të mprehta është se ato gjatë operacioneve të prerjes duhet të dëmtojnë sa më pak inde të gjalla dhe ta lënë sa më të pastër pjesën e prerë nga indet e dëmtuara. 

Mjetet kryesore të shartimit janë: gërshërët, thika e shartimit, sharra e dorës, thika e lëmimit, dalta në formë pyke, gurët mprehës etj.

Data e publikimit: 03/11/2025


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË NESPULLËS

Nespulla është shumë e pasur me ujë, fibra, minerale, vitamina si dhe acide organike. Mineralet që përmban e bëjnë këtë fryt shumë të çmuar. Elementët aktivë të nespullave përbëhen nga një pasuri e larmishme me Vitamina A, Vitamina B dhe C.

Lexo më shumë

VJELJA DHE RUAJTJA E PRODHIMIT TË NESPULLËS

Është e rëndësishme që çdo frut të piqet plotësisht në pemë para vjeljes. Duhen rreth tre muaj nga koha kur lulet hapen deri sa frutat të piqen.

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË GËSHTENJËS

Vendi ynë ka kushte shumë të mira klimatike e tokësore për rritjen dhe prodhimin e gështenjës. Gështenja mund të konsiderohet si “bimë bamirëse” për njeriun dhe faunën e egër.

Lexo më shumë

SHËRBIMET AGROTEKNIKE TË GËSHTENJËS

Çfarë shërbimesh i kryhen gështenjës pas mbjelljes?

Lexo më shumë