Teknologjia e kultivimit të loliumit njëvjeçar




                                                                          REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.

Loliumi njëvjeçar i njohur edhe me emrin egjra shumëlulëshe (Lolium multiflorum) është bimë e rëndësishme foragjere sepse:

  • Dallohet për përshtatshmëri të madhe;
  • Shumëllojshmëri prodhimi (hasëlle, silazh dhe barë i thatë)
  • Prodhimtari të lartë (aftësia prodhuese është 600-1200 kv/ha njomishte me 12% lëndë të thatë, ndërsa rendimenti mesatar është 400-600 kv/ha);
  • Cilësi prodhimi, 100 kg njomishte përmbajnë 2,1 kg proteina të tretshme dhe 20 Njësi Ushqimore – NJ.Undërsa në barin e thatë këto vlera gati trefishohen;
  • Konsumohet nga të gjithë llojet e kategoritë e kafshëve;
  • Mund të mbillet si kulturë e vetme dhe e bashkëshoqëruar me tërfil gushtak.

Loliumi kur kultivohet për prodhim foragjer paraqet edhe vlera të tjera bujqësore si: pasurimi i tokës me lëndë organike (duke lënë në tokë sasi të madhe rrënjësh e masë bimore mbitokësore), luftim i barërave të këqija sepse kositet shpesh dhe është agresiv ndaj barërave të këqija.

Cilat janë kërkesat e loliumit njëvjeçar për klimën, tokën dhe parabimën?
Loliumi njëvjeçar e ka prejardhjen nga vendet e Mesdheut. Përhapja e tij është mjaft e gjerë dhe ai mund të kultivohet deri në 800 m mbi nivelin e detit.

Kërkesat për temperaturën: Loliumi njëvjeçar i qëndron mirë të ftohtit, por më pak se loliumi shumëvjeçar. 

  • Fara mbin në temperaturën 1-4°C, por temperatura më e përshtatshme për mbirje është 4-6°C. Në këtë temperaturë mbirja kryhet brenda 10 ditëve;
  • Temperatura optimale e rritjes është 25°C;
  • Bimëza e re i qëndron ngricave  -4°C deri  -5°C;
  • Bimë e rritur, kur është në vëllazërim të plotë, duron deri në - 10°C.

Kërkesat për ujin: Loliumi ka kërkesa të mëdha për ujë dhe nuk e duron thatësirën verore të tej zgjatur, sepse sistemi rrënjor vendoset cekët në tokë.

Cilat janë tokat më të përshtatshme për loliumin?
Loliumi njëvjeçar përshtatet mirë në toka pjellore e të kulluara, me përmbajtje të mirë gëlqereje ose me reaksion asnjanës. Loliumi shkon mirë edhe në tokat e kripura.          

Cili është vendi i loliumit në qarkullimin bujqësor?
Nuk ka kërkesa të veçanta për parabimën. Vlerësohet si parabimë e mirë në rastet kur përdoret (shfrytëzohet) për masë dhe kosa e fundit merret pa zënë farë sepse lë masë organike të madhe në tokë dhe lufton barishtet e këqija (me dendësinë e madhe të bimëve, shpeshtësinë e kositjeve dhe natyrën agresive) .

Si duhet të përgatitet toka për mbjelljen e loliumit njëvjeçar?      
Përgatitja e mirë e tokës për mbjellje është e rëndësishme për të garantuar mbirje të mira dhe rritje e zhvillim normal të bimësisë. Përgatitja e tokës për mbjellje fillon me:

  • Plugimin e tokës: kryhet me kujdes me qëllim të sigurohet nivelimi dhe shkrifërimi i mirë i saj meqenëse loliumi ka farë të imët e të veshur.
  • Plehërimin bazë: bëhet me plehra fosfatikë duke e shpërndarë në punimet bazë me dozën 2,5-3,5 kv/ha. Rekomandojmë shpërndarjen në dy duar, për të realizuar hedhjen e plehut në tokë në dy shtresa. Dora e parë 1/2 e sasisë shpërndahet para plugimit dhe 1/2 para përgatitjes së tokës për mbjellje (diskimit/frezimit) ose në bashkëshoqërim me farën gjatë mbjelljes. Një shpërndarje e tillë i siguron nevojat e bimës për elementin fosfor gjatë gjithë fazave të zhvillimit të saj.
  • Përgatitja e shtratit të mbjelljes: Fara e loliumit është e imët prandaj kërkon një përgatitje të shtratit të mbjelljes sa më të shkrifët. Për përgatitjen e shtratit të mbjelljes bëhen diskime e frezime deri sa toka të vijë në gjendje të mirë për mbjellje. 

Cilat janë afatet më të përshtatshme të mbjelljes dhe mënyrat e mbjelljes së loliumit?        

  • Afati më i mirë i mbjelljes është periudha gusht - tetor, kjo është e kushtëzuar nga zona ekologjike dhe parabima. Në zonat malore gjithmonë duhet mbjellë në afate më të hershme. Mbjelljet e hershme, si në zonat e ngrohta ashtu edhe në ato të ftohta, sigurojnë vëllazërim të mirë dhe rrisin qëndrueshmërinë ndaj dimrit. Në mbjelljet e hershme, në zonën e ngrohtë, para dimrit  mund të merren 1-2 kosë. Në zonën e ngrohtë mbjellja mund të kryhet edhe gjatë muajt dhjetor,  por mbjelljet e kryera jashtë afateve optimale shfrytëzohen (kositen) vetëm pas muajit prill.
  • Mbjellja bëhet më makinat mbjellëse të të lashtave në distancë 15 cm rreshti nga rreshti. Në zonat kodrinore e malore mbjellja mund të realizohet edhe me shpërndarje me dorë dhe mbulimi i saj bëhet me lesa të tërhequra nga kafshët e punës.

Çfarë norme fare duhet të përdorni në mbjellje?
Loliumi njëvjeçar mund të mbillet si kulturë e vetme ose e bashkëshoqëruar me një bimë bishtajore (kryesisht tërfili aleksandrin ose burxhakun). Mbjelljet e bashkëshoqëruara përdoren kryesisht për përgatitjen e silazhit pranveror, por mund të shfrytëzohen edhe për bar të thatë.

  • Norma e farës kur mbillet si kulturë e vetmerekomandohet 30-40 kg/ha ose 3-4 kg/dy. Mbjellja bëhet me makinat mbjellëse të të lashtave në thellësinë 1-2 cm.
  • Norma e farës për mbjelljet në bashkëshoqërim (loium + tërfil aleksandrin) caktohet duke u orientuar nga norma e farës kur ato mbillen si kultura më vete, duke shtuar rreth 10% më shumë. Në mbjelljet bashkëshoqëruese raportet e farës në mes të bimëve bashkëshoqëruese janë 40% e normës së farës lolium dhe 60% tërfil. Në rastet kur normat e farës si kultura të mbjella më vete për loliumin dhe tërfilin janë 30 – 40 kg, sasia e farës për mbjellje në bashkëshoqërim do të jetë 17 - 18 kg/ha lolium dhe 26 - 27 kg/ha tërfil ose gjithsej farë e përzier (lolium + tërfil) do të jetë 43 – 45 kg/ha. Mbjellja e bashkëshoqërimit mund të realizohet duke mbjellë çdo kulturë më vete, pra me kalimin dy herë të makinës mbjellëse ose me një kalim të makinës mbjellëse duke përzierë farën para mbjelljes dhe duke respektuar normat e mësipërme të farës.
  • Rulimi para e pas mbjelljes ndihmon shumë në mbirjen e shpejtë dhe uniforme. Rulimi bën lidhjen më të mirë të farës me tokën duke shfrytëzuar më mirë lagështirën e tokës për mbirjen e saj.

Cilat janë shërbimet agroteknike kryesore tek loliumi?
Ujitja dhe kullimi. Menjëherë pas mbjelljes vëmendja përqendrohet në ruajtjen e regjimit hidrik në tokë. 

  • Në mbjelljet e hershme të gushtit e shtatorit shpesh herë për të siguruar mbirje të shpejta e uniforme del e domosdoshme ujitja. Ajo duhet bërë gjithmonë në formë shiu.
  • Gjatë periudhës vegjetative, kujdes i kushtohet kullimit. Menjëherë pas mbjelljes bëhet hapja e vijave kulluese dhe gjatë vegjetacionit bëhet pastrimi i tyre i herëpashershëm.

Plehërimi plotësues. Loliumi është bimë e cila reagon shumë mirë ndaj plehut azotik. 

  • Gjatë muajve të vjeshtës e dimrit përdoren doza më të ulëta të plehut azotik rreth 0,7 kv/ha për çdo shpërndarje.
  • Gjatë muajve mars - maj mund të përdoren deri 1,5 kv/ha plehra azotike për çdo  shpërndarje, të cilat bëhen pas çdo kositje.

Para kosës së parë nuk rekomandohen doza të mëdha të azotit për dy arsye

  • e para, dozat e larta në fazat e para të zhvillimit rrisin sasinë e nitriteve në bimë dhe mund të shkaktojnë helmim në kafshë dhe
  • e dyta, shkaktojnë rrëzim e kalbje të bimës.

Cilat janë mënyrat e shfrytëzimit të loliumit si kulturë e vetme për prodhim foragjer?

Loliumi për prodhim foragjer mund të shfrytëzohet disa herë gjatë vitit. 

  • Në mbjelljet e hershme kosa e parë merret para dimrit. Kositja bëhet kur bima ka arritur lartësinë 30-40 cm dhe konsumohet si ushqim i njomë.
  • Kositjet e pranverës bëhen kur bimët sapo kanë filluar nxjerrjen e kallinjve të parë. Në këtë fazë sigurohet prodhim e cilësi më e lartë e masës foragjere. Gjithashtu, duke kositur  në këtë fazë mund të realizoni edhe tharjen e masës.

Këshilla për kositjen, për të realizuar sasi e cilësi të prodhimit foragjer. 

Mbani parasysh!

  • Kositja bëhet në lartësinë 3-4 cm nga toka;
  • Kositjet e pranverës vijnë zakonisht pas 25-35 ditësh nga njëra tjetra;
  • Kosat e para të pranverës konsumohen të freskëta ose silazhohen;
  • Kosat e fundit mund të lihen për barë të thatë (fundi i muajit prill fillimi i muajit maj deri në fillim të muajit qershor për zonat malore). Në këtë rast (për prodhim bari të thatë) kositja bëhet në fazën e kallëzimit të plotë.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Prodhimi i farës së loliumit njëvjeçar

Data e publikimit: 11/11/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË BURXHAKUT

Cilat janë kërkesat e burxhakut për klimën (temperaturë dhe lagështirë)?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KUTIVIMIT TË KOÇKULLËS

Kërkesat e koçkullës për klimën dhe tokën

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË ELBIT

Kërkesat e elbit për klimën dhe tokën

Lexo më shumë

KULTIVIMI I PANXHARIT FORAGJER

Për një kultivim të suksesshëm të panxharit foragjer ju rekomandojmë të mbani parasysh:

Lexo më shumë