Fara e zezë (Nigella sativa L.) është bimë barishtore njëvjeçare që i përket familjes Ramunculacea. Bima rritet në lartësinë rreth 40 – 60 cm. Gjethet janë të alternuara, të ndara imët dhe me ngjyrë të gjelbër gri. Lulet janë në formë ylli dhe kanë ngjyrë të bardhë - kaltëroshe. Petalet mungojnë. Fruti është kapsulë me fara të vogla të zeza.
Fara e zezë është një bimë e rëndësishme e erëzave me origjinë nga rajoni i Mesdheut dhe Azisë Perëndimore.
Farat përmbajnë vaj esencial 0,5 – 1,6 % i cili përdoret në industrinë ushqimore dhe farmaceutike. Është përdorur si ilaç bimor për më shumë se 2000 vjet.
Fuqia e përfitimit nga vaji i farës së zezë qëndron tek fitokimikatet (përbërës shumë të rëndësishëm bioaktiv) që ai përmban.
Cilat janë përfitimet e mahnitshme të vajit të farës së zezë?
Pra, ajo mund të përdoret si farë e tharë në ushqim, aromë, mjekësi, në industrinë farmaceutike dhe atë të parfumerive.
Cilat janë kërkesat e farës së zezë për klimën dhe tokën?
Kërkesat për temperaturën dhe lagështirën
Fara e zezë është bimë njëvjeçare dhe performon mirë pothuajse në çdo klimë. Rritja maksimale e bimëve dhe rendimentit kërkon klimë të freskët me një interval temperaturash 5 - 25°C, por lulëzon në temperatura midis 18 dhe 22 gradë C. Bima toleron ngricat, por nuk i mbijeton dimrave të ashpër. Ajo lëngon në mot jashtëzakonisht të nxehtë të verës. Gjatë mbjelljes e mbirjes ajo kërkon mot të ngrohtë me temperaturë 20 – 25°C. Moti i ftohtë është i përshtatshëm për periudhën e hershme të rritjes dhe bima kërkon mot të ngrohtë me diell gjatë formimit dhe maturimit të farës.
Një sasi reshjesh prej 400-500 mm ndihmon në rritjen e mirë të bimës. Uji i tepërt duhet të largohet (kullohet) nga fusha pasi bimët janë të ndjeshme ndaj përmbytjeve të ujit dhe të ndjeshme ndaj ngricave në çdo fazë të rritjes. Bimët fillojnë të lulëzojnë 80 - 100 ditë pas mbjelljes në varësi të temperaturës mesatare. Temperatura më e lartë përshpejton lulëzimin, por nëse zgjat, në përgjithësi zvogëlon numrin e luleve, ose lulet bien pas pjalmimit. Fara arrin pjekurinë fiziologjike pas 130 - 150 ditësh, përsëri në varësi të temperaturës.
Kërkesa për tokën
Fara e zezë mund të rritet në një gamë të gjerë tokash, të cilat janë të pasura me lëndë organike dhe pa përmbytje nga uji. Megjithatë, tokat e shkrifëta, mesatare deri në të rënda me nivel të mirë pjellorie janë më të përshtatshmet. Toka duhet të marrë rreze dielli të mjaftueshme dhe pa hije. Vendi duhet të jetë i ajrosur dhe me sigurim të mirë të ujit për vaditje. Kërkon toka me pH (pehash) neutral, por mund të rritet mirë në tokë me pH 5,0 - 8,5. PH (ose sodiciteti) më i lartë favorizon dhe shkakton sëmundjen e kalbjes së rrënjëve të bimëve.
Mbjellja dhe shërbimet agroteknike
Përgatitja e tokës për mbjellje
Farat e farës së zezë janë të vogla prandaj fusha duhet të përgatitet mirë për të siguruar mbirje, rritje dhe rendiment të mirë. Sipas kushteve mund të bëhen 2 – 3 ndërhyrje. Plugimi i parë realizohet me plugje kthyes të tokës i cili pasohet me ndërhyrje të lehta me lesë, disk apo frezë. Sipërfaqja e tokës duhet të jetë e niveluar mirë dhe e grimcuar e cila mund të ndahet në madhësi të përshtatshme në formë vllajash (lehe). Për mbirje më të mirë dhe uniforme të farave duhet dhënë ujitje para mbjelljes.
Cila është koha e mbjelljes dhe norma e farës për mbjellje?
Për zonën e ulët bregdetare, koha optimale për mbjelljen e farës është mesi i shtatorit deri në mes të tetorit si dhe në pranverë. Mbjellja në pranverë bëhet pasi ka kaluar rreziku i ngricave dhe kur temperatura e tokës arrin rreth 10 – 12°C.
Në vjeshtë, fara, mund të mbillet deri në nëntor. Sidoqoftë, rendimenti i mirë merret kur mbjellja kryhet në kohë. Mbjelljet e vona japin rendiment të ulët.
Norma e farës: Kur mbillet direkt me farë norma e farës është 5-7 kg farë për hektarë.
Trajtimi i farës: Për të kontrolluar përhapjen e sëmundjeve të shkaktuara nga toka, farat para mbjelljes duhet të trajtohen me captan ose orius 6 FS.
Metoda e mbjelljes
Fara e zezë mund të mbillet me dy mënyra, d.m.th. mbjellja me rreshta dhe me shpërndarje të lirë (me dorë). Megjithatë, mbjellja me rreshta është më e mirë sepse lehtëson shërbimet agroteknike dhe masat për mbrojtjen e bimëve. Farat mbillen 1.5-2.0 cm thellësi në distancën e rreshtit 30 cm dhe distancën midis bimëve 15 cm. Nëse lagështia fillestare nuk është e mjaftueshme për të siguruar mbirjen, mund të bëhet ujitje e lehtë dhe farat mbijnë brenda 10 ditëve pas mbjelljes.
Gjatë ujitjes duhet pasur kujdes që uji të mos rrjedhë shumë shpejt në sipërfaqe, përndryshe farat mund të merren dhe të grumbullohen në tufa duke rezultuar në shpërndarjen e pabarabartë të bimëve.
Plehërimi
Plehërimi duhet të aplikohen bazuar në raportin e testimit të tokës për pjellorinë. Në përgjithësi, rekomandojmë përdorimin e 5-10 ton pleh organik të dekompozuar mirë ose komposto përpara përgatitjes në tokës. Plehrat organike duhet të jenë të kalbura mirë pasi plehrat pjesërisht të kalbura bëhen shkak për infeksionin nga barërat e këqija dhe gjithashtu shkaktojnë sëmundje të ndryshme.
Përveç plehut organik rekomandojmë përdorimin e 40 kg N, 20 kg P2O5 dhe 20 kg K2O nëpërmjet plehrave kimike. Sasia totale e fosforit, potasit dhe 1/3 e dozës së azotit duhet të aplikohet si plehërim bazë (para plugimit ose përgatitjes së tokës për mbjellje), ndërsa pjesa tjetër e azotit përdoret në dy ndarje e barabartë, e para në 30 ditë pas mbjelljes, ndërsa dora e dytë në lulëzim.
Në tokat pak alkaline ose sodike, rekomandojmë përdorimin e mikro-ushqyesve (mikroelementeve ushqyes) të cilët ndikojnë si në rritjen e rendimentit ashtu edhe në cilësinë e prodhimit.
Kujdesi gjatë vegjetacionit (rritjes)
Menaxhimi i barërave të këqija
Farat e farës së zezë mbijnë brenda 10 ditëve dhe fillimisht toka duhet të mbahet e pastër nga barërat e këqija sepse ato konkurrojnë bimën në lëndë ushqyese dritë dhe ujë duke penguar rritjen normale të bimëve të reja. Fusha duhet mbajtur e pastër dhe pa barërat e këqija gjatë 30-60 ditëve të para të vegjetacionit. Barërat e këqija mund të largohen, manualisht, me anë të prashitjeve ose me herbicide. Për këtë qëllim mund të kryhen 2 – 3 prashitje, në varësi me shkallën e infeksionit nga barërat e këqija. Prashitja e parë duhet të bëhet në 30 ditë pas mbjelljes dhe e dyta 60 ditë pas mbjelljes. Nëse është e nevojshme, mund të bëhet edhe një prashitje e tretë.
Gjatë prashitjes dhe heqjes së barërave të këqija bëhet edhe rrallimi i bimëve duke i lënë ato rreth 15 cm larg njëra tjetrës. Gjatë rrallimit, me bimët që rrallohen, mund të bëjmë edhe zëvendësimin e bimëve në ato vende ku mbirjet janë shumë të rralla.
Ujitja
Fara e zezë është një bimë që duron thatësirën, por gjithsesi ka nevojë për ujitje të moderuar, sidomos në periudhën e mbirjes dhe kur bima është në fazën e rritjes aktive.
Nëse lagështia e tokës nuk është e mjaftueshme në kohën e mbjelljes, mund të bëhet një ujitje e lehtë menjëherë pas mbjelljes për të siguruar një mbirje të plotë. Ujitja e mëpasshme bëhet në intervale 15-25 ditë në varësi nga kushtet klimatike dhe tokësore. Gjatë gjithë ciklit jetësor, deri në korrje, 3-5 ujitje janë të mjaftueshme. Gjatë ujitjes duhet të merren masa paraprake që rrjedha e ujit duhet të jetë e ngadaltë për t'i shpëtuar gërryerjes së tokës dhe rrjedhjes së farës bashkë me ujin për vaditje.
Fazat më kritike për ujitje janë lulëzimi dhe formimi i farës. Prandaj, kultura nuk duhet të lejohet të përballet me stresin e ujit në fazat e lulëzimit dhe formimit të farës.
Ujitja nuk duhet të jetë e tepërt, pasi tokat me lagështi të tepruar mund të shkaktojnë probleme me rrënjët dhe zhvillimin e bimës.
Vjelja (korrja) dhe rendimenti
Korrja: Bima e farës së zezë, zakonisht, korret në periudhën e verës, rreth 135-150 ditë pas mbjelljes, kur farat janë të pjekura, kanë marrë ngjyrën e plotë kafe/e zezë dhe kapsulat kanë filluar të hapen. Faza e korrjes është e rëndësishme për të siguruar cilësinë e lartë të farës. Vonesa në vjelje shkakton humbjen e farave.
Metodat e korrjes: Pasi bimët të janë tharë dhe farat të jenë të pjekura, ato mund të shkoqen duke përdorur mjete manuale ose mekanike për të nxjerrë farat nga kapsulat. Pas shirjes, farat shoshen dhe thahen mirë për të ruajtur freskinë dhe cilësinë e tyre. Rendimenti mesatar i farave është 5-10 kv/ha.
Shpërndaj në rrjetet sociale: