TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË BURXHAKUT




Burxhaku (Vicia sativa L.), në vendin tonë i njohur me emrat grashina dhe groshëza. Burxhaku është bimë  foragjere e cila mund të konsumohet e freskët, barë i thatë (sanë), silazh dhe si koncentratë. Burxhaku është bimë tradicionale për vendin tonë, e kultivuar që në kohë të lashta, veçanërisht në fshatrat e zonave jug-lindore. Përhapje ka marrë mbjellja e burxhakut e bashkëshoqëruara me tërshërë, thekër, egjrën italiane, etj.

Nga përmbajtja e lëndëve ushqimore, burxhaku dallohet për përmbajtje të lartë proteinash dhe përvetueshmëri nga organizmi i kafshëve. Masa e gjelbër përmban 19,7 - 24,2% protein, 45,5 - 135,8 mg/100 g vitaminë C, 2,9 - 7,8 mg/100 g karotinë dhe minerale. Përmbajtja e proteinave në fara është 29,1 - 34,9%. Është një parabimë e mirë për të gjitha kulturat bujqësore, sepse është bimë që e pasuron tokën me azot e lëndë organike. Gjithashtu, burxhaku mbron tokën nga erozioni dhe përdoret për plehërim të gjelbër në pemët frutore dhe vreshtat. Burxhaku është përdorur në mjekësi për trajtimin e ekzemës, acarimeve të tjera të lëkurës dhe si një antiseptik.

Cilat janë kërkesat e burxhakut për klimën (temperaturë dhe lagështirë)? 
Burxhaku preferon klimat e buta. 

  • Fara mbin në temperaturën 1-3°C, por temperatura optimale e mbirjes së farës është 14-15°C.
  • Bimët e reja tolerojnë një ulje afatshkurtër të temperaturës deri në -6°C.
  • Temperaturat mesatare ditore prej 18-20°C janë të nevojshme për pjekjen e farave.

Burxhaku e duron hijen e pjeshme, prandaj gjen përdorim si bimë për plehërimin e gjelbër. Dëmtohet rëndë nga lagështia e tepërt në tokë, prandaj ka rëndësi të veçantë kullimi i ngastrave duke bërë vija të thella kulluese njësoj si për grurin e të lashtat e tjera që mbillen në vjeshtë. Në fillim të vegjetacionit burxhaku është i ndjeshëm ndaj thatësirës, më vonë me rritjen e sistemit rrënjorë i duron thatësirat e përkohshme e të shkurtra. Rendimentet e larta në kokërr merren kur në muajt prill-maj bien shira periodike, kjo veçanërisht për zonat e larta. 

Cilat janë kërkesat e burxhakut për parabimën dhe tokën? 
Mbillet pas të lashtave, bimëve prashitëse, etj., ndërsa vetë është parabimë e mirë për të gjitha bimët. Ndaj llojit të tokës nuk ka shumë kërkesa, rritet e zhvillohet pothuaj në të gjitha llojet e tokave, me përjashtim të atyre me pH acid të theksuar. Në toka acide frenohet zhvillimi i baktereve azotofiksuese që jetojnë në simbiozë në rrënjët e bimës. Nuk toleron tokat e kripura.

Agroteknika e kultivimit të burxhakut
Burxhaku kultivohet për:

  • prodhim foragjer (si bimë e vetme ose e bashkëshoqëruar);
  •  prodhimin e farës. 

Për prodhim fare duhet ta mbjellim në toka të varfra, sepse në toka të shëndosha ka rritje të madhe vegjetative në dëm të farës. 
Përgatitja e tokës: Konsiston në plugimin dhe dhe 2-3 diskime apo frezime deri në përgatitjen e një shtrati sa më të mirë të farës. 

  • Në toka  kodrinore malore me shtresë aktive të cekët  të tokës thellësia e plugimit shkon 15-20 cm.
  • Në toka me shtresë aktive të thellë, thellësia e plugimit arrin në 21-25 cm.

Plehërimi: Shpesh kërkohet plehërimi me fosfor. Një aplikim prej 3,5-4 kv/ha superfosfat i thjeshtë, para plugimit e përgatitjes së shtratit të mbjelljes, është i domosdoshëm në rast se përmbajtja e këtij elementi në tokë është e ulët. 

Plehu potasik përdoret me dozën 2 – 3 kv/ha, kur përmbajtja e tij në tokë është e ulët. Megjithatë, aty ku analizat e tokës tregojnë më shumë se 25 deri në 30 ppm për fosforin (P) dhe 110 deri në 130 ppm për potasin (K) aplikimet mund të eliminohen. Kur mbillet si bimë e vetme, plehërat azotike nuk përdoret, pasi bima e merr azotin e nevojshëm nëpërmjet fiksimit simbiotik të azotit nga bakteret në nyjet e rrënjëve të bimëve. Megjithatë, nëse mbillet e bashkëshoqëruar me një bimë aplikoni azot në 75% të normave normale për graminoret.

Përgatitja e farës për mbjellje
Fara duhet të jetë e shëndoshë me aftësi mbirëse mbi 90%. Me anë të triorimit mënjanohen kokrrat jo të përshtatshme, të cilat i përdorim si koncentrat për blegtorinë.

Cilat janë afatet e mbjelljes së burxhakut?

  • Kur kultivohet për farë: 
  • Në zonat malore mbjellja fillon në fillim të mujit mars deri në dhjetëditorin e parë të prillit;
  • Në zonën bregdetare të vendit muaji shkurt deri në fillim të marsit.
  • Ndërsa burxhaku foragjer i bashkëshoqëruar me tërshërë, thekër dhe egjër italiane mbjellja bëhet:
  • Në zonat malore në të njëjtin afat me atë të farës;
  • Në zonën bregdetare në varësi të destinacionit të hasëllit mund të mbillet në muajin gusht, në mënyrë që të kositet në dhjetor-maj, kurse kur përdoret për silazh e barë të thatë afatet më të mira të mbjelljes janë muaji tetor e deri në dhjetëditorin e parë të muajit nëntor. Mbjellje në këto afate jep sasi më të madha të masës foragjere .

Cilat janë normat e farës dhe distancat e mbjelljes së burxhakut?
Si foragjer i bashkëshoqëruar me tërshërë, thekër, egjër italiane mbillet në raport 60% buxhak dhe 40% e lashtë. Mund të bashkëshoqërohet buxhak 33%, bizele foragjere 33%, elb me thekër 34% me normë totale fare 130-150 kg/ha

Në mbjelljet për prodhim foragjer (bashkëshoqërim me graminore) distanca midis rreshtave është 15 cm dhe mbjellja realizohet me makinat mbjellëse të të lashtave. Për prodhim fare mbillet në rreshta 40-60 cm, me normë fare 60-80 kg/ha. 

Përkujdesjet dhe vjelja e prodhimit tek burxhaku
Burxhaku nuk kërkon ndonjë kujdes të veçantë gjatë vegjetacionit. Vëmendje i kushtohet kryesisht ngastrave për prodhim fare.

  • Në ngastrat për farë, midis rreshtave, bëhet prashitje dhe tëharrje e barërave të këqija kur ato shfaqen;
  • Luftimi i kuskutës është masë e detyrueshme agroteknike;
  • Ujitja kur ka thatësirë të tejzgjatur.

Vjelja e farës bëhet kur bimët janë zverdhur dhe bishtajat e para kanë marrë ngjyrë kafe të çelur. Kujdes duhet treguar për korrjen e shirjen e shpejtë dhe pa firo. Shirat, në kohën e pjekjes, mund të dëmtojnë plotësisht farën po nuk u treguam të vëmendshëm për ta shirë sa më shpejt. Kashta, pas shirjes, grumbullohet, lidhet e kavealetohet dhe përdoret gjatë dimrit për bagëtitë.                

Kositja për masë të gjelbër e burxhakut të mbjellë me vete bëhet në fazën e gonxhimit, ndërsa në bashkëshoqërim me egjrën italiane, thekrën dhe tërshërën kur të fillojë lulëzimi i graminoreve, ndërsa burxhaku mund të ketë filluar lulëzimin në masën deri 20% të bimëve. Masa e njomë mund të përdoret si ushqim direkt për bagëtitë, mund të silazhohet ose thahet.

Data e publikimit: 08/06/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KUTIVIMIT TË KOÇKULLËS

Kërkesat e koçkullës për klimën dhe tokën

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË ELBIT

Kërkesat e elbit për klimën dhe tokën

Lexo më shumë

KULTIVIMI I PANXHARIT FORAGJER

Për një kultivim të suksesshëm të panxharit foragjer ju rekomandojmë të mbani parasysh:

Lexo më shumë

SHËRBIMET AGROTEKNIKE TË MISRIT

Cilat janë shërbimet agroteknike tek misri gjatë vegjetacionit?

Lexo më shumë