Cili është ndikimi i ndryshimeve klimatike mbi shëndetin e kafshëve, mirëqenien e tyre, prodhimin dhe riprodhimin?
Cilat janë masat për përballimin e tyre? Si mund të ndodhin adaptimet ndaj efekteve negative shkaktuar nga këto ndryshime?
Rritja e popullsisë në nivel global ka sjellë një nevojë gjithnjë në rritje ndër të tjera edhe për produktet blegtorale, ndërkohë që blegtoria cilido qoftë sistemi i menaxhimit do të jetë gjithnjë e më shumë nën ndikimin e ndryshimeve klimatike, veçanërisht rritjes së temperaturave, rrebesheve të furishëm, përmbytjeve, etj.
Në vitet e fundit sektori i blegtorisë është fokusuar kryesisht më shumë në rritjen e prodhimit, si dhe përmirësimin e menaxhimit të të ushqyerit, se sa në rezistencën ndaj stresit shkaktuar nga ndryshimet klimatike. Ndonëse ka përmirësime në rritjen e prodhimit dhe menaxhimin e ushqimit, është rritur njëkohësisht edhe ndjeshmëria e kafshëve ndaj temperaturave të larta, veçanërisht valëve të të nxehtit me të cilat po përballemi.
Keni vënë re që gjatë periudhave me temperatura të larta ju keni një shtim të numrit të kthimeve në fermë? Kjo ndodh pasi temperaturat e larta prishin disa procese riprodhuese, sikurse është ulja e theksuar e shkallës së fekonditetit në lopë. Kur temperatura e trupit arrin 39.5 °C, ndodhin dëmtime të proceseve riprodhuese (ndërprerja e zhvillimit të vezoreve, frenimi i rritjes embrionale dhe vdekja e hershme embrionale, zhvillimi jo optimal i trupit të verdhë si dhe infeksione të mitrës).
A vini re ndryshime të adoptimit ndaj stresit nga vapa ndërmjet rracave të qumështit dhe atyre të mishit?
Në fakt, ndryshe nga rracat e gjedhit për qumësht, rracat e gjedhit për mish karakterizohen nga një shkallë më e ulët metabolike dhe nivel më i ulët i prodhimit të nxehtësisë së trupit. Për rrjedhojë, gjedhi për mish konsiderohet më pak i ndjeshëm ndaj stresit nga vapa krahasuar me rracat e qumështit. Gjedhi për mish përdor mekanizma adoptimi ndaj temperaturave të larta si rritja e nivelit të gulçimit, djersitja dhe urinimi i shtuar si dhe ndryshime të sjelljes (reduktim i aktivitetit, reduktim i konsumit të ushqimit dhe rritje e sasive të ujit të konsumuar). Pikërisht këto elementë sjellin një shkallë më të ulët ndikimi të temperaturave të larta ndaj fertilitetit si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat.
Stresi nga temperaturat e larta ndikon negativisht edhe në prodhimin e qumështit dhe mishit. Përveç sasisë, cilësia e këtyre produkteve ndikohet negativisht nga një mjedis me temperatura shumë të larta, veçanërisht ky ndikim shfaqet tek djathrat cilësorë e me reputacion të njohur për përsosmërinë e tyre duke sjellë humbje të ndjeshme ekonomike si për prodhuesit ashtu edhe për konsumatorët.
Mbani parasysh se gjatë përmbytjeve, shfaqen edhe rreziqet nga karkasat e kafshëve të cilat shndërrohen në vatra infeksioni.
Mbani parasysh! Nëse rrufeja godet tokën ose një zonë të pyllëzuar pranë së cilës mund të ndodhen tufat, rryma e çliruar nga rrufetë shpërndahet në tokë duke shkaktuar ndryshime të mëdha potenciale në një hapësirë të vogël. Në këtë rast, tensioni ndërmjet gjymtyrëve të kafshëve shndërrohet në kilovolt. Kjo është sidomos e rrezikshme për kafshët me katër gjymtyrë (si gjedhi, të imtat, derrat), pasi rryma kalon nëpër zemrat e tyre dhe shkakton vdekjen për shkak të këtij ndryshimi të madh potencial.
Bëni kujdes! Në mot me vetëtima, rrufetë mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme duke filluar nga humbja e jetës së njerëzve që kujdesen për fermën, humbja e jetës së kafshëve, prishja e strukturave të fermës, si dhe paisjeve të saj.
Po përse kafshët duhet të përshtaten ndaj ndryshimeve klimatike dhe cilat janë strategjitë më të mira për mbrojtje dhe përshtatje?
Përshtatja e kafshëve ndaj ndryshimeve klimatike realizohet duke ndërlidhur faktorë të ndryshëm me njëri-tjetrin, sikurse përmirësimet gjenetike me ato të sistemeve të menaxhimit (si menaxhimi i ushqimit, manipulimi i ekosistemit të rumenit, sigurimi i hijezuesve, strehimi dhe ventilimi i duhur natyral, ventilatorët dhe spërkatësit me ujë, etj). Është tashmë e provuar se lopët me prodhimtari të lartë janë më të ndjeshme ndaj sfidave shkaktuar nga ndryshimet klimatike. Nga ana tjetër, lopët me prodhimtari më të ulët janë në gjendje të ulin stresin nga vapa, por prodhimi i tyre nuk arrin të plotësojë nevojat e konsumit. Kjo do të kërkonte rritje të numrit të krerëve dhe për pasojë intensitetit të gazit serrë që ato do të prodhonin duke krijuar një ndikim edhe më negativ në ndryshimet klimatike.
Ndaj, për të përballuar sfidat e ndryshimeve klimatike edhe ju mund të ndihmoni sado pak me zbatimin e teknologjive që sjellin rritje të prodhimit për krerë.
Sigurimi i ushqimit dhe ujit do të jenë sfidat e rëndësishme të së ardhmes. Ndaj, marrja e të gjithë masave për uljen e temperaturave është një domosdoshmëri dhe një parakusht për të minimizuar stresin e kafshëve të fermës suaj nga nxehtësia. Por, për të ruajtur funksionin riprodhues edhe kur përfundon vala e të nxehtit, zbutja e stresit nga vapa nuk është e mjaftueshme. Me qëllim përmirësimin e fertilitetit, ju sugjerojmë që uljen e temperaturës ta kombinoni me trajtime të tjera. Në veçanti, duhet të konsideroni trajtimet për përmirësimin e kohës së ovulacionit, heqjen e folikulave të dëmtuara, nxitjen e ovulacionit të folikulave të shëndetshme, dhe përdorimin e progresteronit para dhe pas inseminimit artificial. Këto masa sigurojnë përmirësimin e pjellorisë së lopëve të stresuara nga të nxehtit.
Zhvillimi dhe zbatimi i metodave, mjeteve dhe teknikave të reja ka mundësuar lidhjen e të dhënave klimatike me sistemet që realizojnë mbikqyrjen e sëmundjeve, duke sjellë përmirësime në parandalimin e sëmundjeve, si dhe përmirësime në reagimet zbutëse dhe përshtatëse të kafshëve ndaj stresit të nxehtësisë.
Po në rastin e përmbytjeve, cilat mund të jenë disa masa që mund të ndërmerrni? Qëndroni gjithnjë të vëmendshëm ndaj parashikimeve të motit, duke reaguar menjëherë për të marrë masat për parandalimin e rreziqeve që mund të shkaktohen nga përmbytjet. Nëse ferma juaj ndodhet në një zonë me rrezik të lartë përmbytjesh, merrni masat e duhura për krijimin e rezervave të mjaftueshme ushqimore dhe magazinimin e tyre në vende të thata e të sigurta. Përmbytjet mund të shkaktojnë gjithashtu kontaminimin e ushqimit. Ndaj, është shumë e rëndësishme të kontrolloni ushqimin e kafshëve në mënyrë të vazhdueshme, pasi ushqimi i kontaminuar mund të shkaktojë probleme shëndetësore për tufën si nëpërmjet toksikacionit ashtu edhe infeksioneve.
Në një zonë të tillë, sa herë që është e mundur, zhvendoseni tufën në një vend të sigurtë përpara se të ndodhë përmbytja duke i lëvizur kafshët në një zonë me drenazhim të përshtatshëm, pa prani të baltës apo llucit. Tregoni veçanërisht kujdes nëse tufa juaj ndodhet në një zonë pranë një përroji ose lumi, pasi dalja e tyre nga shtrati mund të jetë fatale për jetën e kafshëve të fermës suaj.
Siguroni që kanalet kulluese të jenë të mirëmbajtur e funksionalë. Bashkëpunoni me veterinerin e zonës për vaksinimin në kohë të kafshëve për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve si dhe trajtimin e kafshëve të infektuara. Siguroni mbështetjen nga autoritetet përgjegjëse për zhvendosjen e karkasave të kafshëve që kanë humbur jetën gjatë përmbytjes.
Kujdes! Prania e karkasave të ngordhura shndërrohet në një vatër serioze infeksioni.
Bëni kujdes! Kafshët e uritura në mungesë të ushqimit nga përmbytja përpiqen të konsumojnë sa më shumë ushqim të jetë e mundur. Në mungesë të një kullote e cila është përmbytur, nëse ju ofroni ushqime të tilla si drithërat, bëni kujdes pasi ky ndryshim i shpejtë mund të shkaktojë ndryshime të shpejta në fermentim që ndodh në rumenin e kafshëve, gjë që shoqërohet me rrezikun e zhvillimit të acidozave e deri në humbjen e jetës së tyre.
Ndaj, ju këshillojmë:
1. të vëzhgoni dengjet e barit nga afër për shtresa të prekura nga lagështia dhe vrima të mundshme. Vlerësojini dengjet sa është moti i thatë, kështu që ju mund të planifikoni për të siguruar dengje shtesë nëse është e nevojshme.
2. Siguroni ujë të pastërt dhe ushqime energjitike për të parandaluar ketozat.
3. Ushqimet e reja duhet të përdoren nga kafshët në mënyrë graduale. Nëse tufën e ushqeni kryesisht në kullotë filloni të shtoni bar të thatë ose silazh fillimisht dhe më pas në mënyrë graduale shtoni ushqimet e tjera.
Në platformën ABA Online ju do të gjeni një artikull të plotë lidhur me mastitin, parandalimin dhe kontrollin e tij në gjedhë por, duke qenëse përmbytjet përbëjnë një rast evident për shfaqjen e mastiteve, ju sjellim në vëmendje se në rastin e përmbytjeve duhet që kafshëve t’ju siguroni një shtrat të pastërt e të thatë për të ulur rrezikun e zhvillimit të bakterieve dhe parandalimin e mastitit.
Ju duhet të lani duart vazhdimisht dhe mbani një veshje të pastërt pasi infeksionet mund të përhapen ndërmjet kafshëve përmes duarve apo rrobave të kontaminuara. Nëse kontrolloni gjirin e lopëve për praninë e qumështit, mos e derdhi atë mbi shtratin e kafshëve, por në një enë të përshtatshme. Lopët e prekura me mastit duhet të milen më vete dhe në fund të procesit të mjeljes.
Në rastin e rreziqeve nga rrufetë, ju këshillojmë të instaloni sisteme mbrojtjeje nga rrufeja (rrufepritëse). Ato mund të instalohen gjatë ose edhe pas ndërtimit të një stalle, hangari, etj. Kjo ju mundëson devijimin e rrufesë në një vend të caktuar në mënyrë të sigurtë larg strukturave ku qëndojnë kafshët ose paisjet që do dëmtoheshin nga rrufetë në mungesë të rrufe-pritëseve. Gjithashtu, sigurohuni që të gjitha strukturat dhe vend-strehimet, pemët e larta dhe gardhet metalike të jenë të tokëzuara siç duhet, pasi tokëzimi e devijon rrufenë duke i siguruar asaj një rrugë alternative dhe të parrezikshme.
Ndërtojini vend-qëndrimet dhe stallat në zona me lartësi më të ulët të mundshme. Kjo pasi rrufeja gjithmonë tenton të gjejë rrugën më të shpejtë drejt tokës me rezistencën më të vogël, e për rrjedhojë zonat në lartësi më të mëdha kanë më shumë gjasa të goditen nga rrufeja.
Bëni kujdes! Kur ndërtoni stalla apo objekte të tjera në shërbim të fermës suaj, sigurohuni që ato nuk po ndërtohen në vendet ku kalojnë linjat e energjisë elektrike, pasi sisteme të tilla mund të dëmtohen nga rrufetë dukë përbërë një katastrofë për ndërtesat dhe kafshët.
Vendosni gardhe rreth pemëve të larta dhe të vetmuara që janë objekt i rriskut të prekjes nga rrufetë. Duke patur parasysh se kafshët shpesh kërkojnë strehim nën këto pemë gjatë stuhive, rrethimi i mban ato larg nga vendet me rrisk të lartë.
Sigurohuni që portat, vend-strehimet dhe rrethimet të jenë të mbyllura mirë. Bubullima dhe rrufeja mund t'i trembin kafshët, duke i bërë ato të largohen drejt zonave më të rrezikshme.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Keni interes të njiheni me varietetet kryesore autoktone apo tradicionale të specieve të kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri si dhe me një informacion të shkurtër për kultivimin e tyre? Kërkoni të njiheni me vlerat dhe rëndësinë e tyre për tregun rajonal?
Lexo më shumëAguliçja (latinisht Primula officinalis) është bimë barishtore shumëvjeçare që rritet e lartë 10 - 30 cm. Aguliçja është ndër lulet e para që lulëzon para ardhjes së pranverës. Emri vjen nga fjala latine “primus”, që do të thotë “i parë”. Lulëzon në periudhën prill-maj.
Lexo më shumëCilësia e prodhimit varet kryesisht nga kushtet e tharjes. Në asnjë rast tharja nuk mund të bëhet në dritë të madhe apo në diell.
Lexo më shumëCilat janë vlerat e qiqrës?
Lexo më shumë