Çfarë u konstatura gjatë intervistimeve dhe vizitave në ferma lidhur me analizën ekonomike?
Duke qenëse në rastin e fermave blegtorale kërkohet një sipërfaqe e konsiderueshme toke për prodhimin e ushqimit për kafshë dhe duke marrë parasysh se sipërfaqet e tokës në pronësi për familjet fermere janë të vogla, një pjesë e mirë e tokës që kultivohet merret me qera nga bashkëfshatarët. Përgjithësisht, marrëdhënia nuk është e ligjëruar, pra realizohet pa një marrëveshje noteriale me shkrim. Në raste të tilla, marrëdhënia është e brishtë dhe mund të prishet lehtësisht në mënyrë të njëanëshme. Kjo sjell që fermeri qeramarrës të ketë pa siguri në zhvillimin e biznesit të tij, ose dhe të humbasë investimet që kryen për përmirësimin dhe kultivimin e një toke. Veçanërisht kjo situatë është kritike në rastin e kultivimit të jonxhës e cila është një kulturë 4-5 vjeçare. Në këto kushte, ju rekomandojmë të mbani parasysh lidhjen e kontratave ligjore dhe afatgjata për qeramarrje të tokës. Sikurse dhe ju rekomandojmë që në asnjë rast të mos kryeni investime kapitale (ndërtim stallash, hangarësh, depo, zyra, etj.) mbi sipërfaqe toke të marra me qera.
Gjatë vizitave janë konstatuar probleme me të ushqyerit e tufës të cilat lidhen në rradhë të parë me të ushqyerit sipas kategorive dhe fazave të laktacionit. Natyrisht në fermat me numër të vogël krerësh nuk mund të diferencohen racionet ushqimore, por në fermat e mëdha me së paku 20 krerë lopë qumështi, ndarja e tufës sipas kategorisë së kafshëve dhe fazave të laktacionit dhe diferencimi i ushqimit janë domosdoshmëri. Njëkohësisht, gjatë vizitave në ferma u konstatua përdorimi i ushqimeve në mënyrë të pabalancuar. Raste të përdorimit të silazhit mbi normë (p.sh. raste të përdorimit edhe të 30 kg silazh për krerë në ditë nga 15-20 kg për krerë në ditë që është norma sipas rracës dhe kapacitetit prodhues). Kjo situatë ka krijuar shqetësime që lidhen me të ushqyerit e pabalancuar, duke shkaktuar probleme metabolike siç është acidoza.
Përdorimi i pabalancuar i koncentratës. U konstatuan raste të përdorimit të të gjithë sasisë së konsumit ditor të koncentratës në sasi të mëdha për vakt përdorimi (p.sh. një sasi koncentrate me total 6 kg përdorej në dy vakte me nga 3 kg për krerë). Në fakt kjo sasi koncentrate duhet të ndahet në tre vakte me nga 2 kg secila duke ndihmuar kështu në tretshmërinë e ushqimit dhe përthithjen më të mirë të tij. Adresohuni për asistencë lidhur me të ushqyerit e tufës pranë qendrës ABA me qëllim që të siguroni një ushqim të balancuar dhe të shmangni problemet me sëmundjet metabolike (sëmundjet që rrjedhin nga të ushqyerit e pabalancuar).
Uji i pijshëm është ushqimi kryesor për lopët e qumështit. Gjatë vizitave në ferma u konstatua se tufat nuk kanë në të gjithë rastet ujë të pijshëm në dispozicion përgjatë të gjithë kohës me qëllim që ato të konsumojnë ujë sipas nevojës, kategorisë, peshës trupore, stinës, fazës së laktacionit dhe nivelit të prodhimit. Gjithashtu, vlen të theksohet se jo në të gjithë rastet uji i pijshëm është i pastërt dhe servirej në enë të pastra. Mbani parasysh se viçat konsumojnë rreth 35-40 litër ujë në ditë, ndërsa lopët në fazë laktacioni konsumojnë rreth 110-120 litër ujë në ditë. Siguroni burime dhe enë uji të pastra.
Pavarësisht nga diferencat që shfaqën fermat përsa i përket përbërjes pedologjike të tokës, diferencat ndërmjet e tyre në përdorimin e plehrave kimike për kultivimin e foragjereve janë të mëdha. Kjo konstatohet si në përdorimn e DAP ashtu edhe të uresë e nitratit. E njëjta gjë konstatohet edhe lidhur me sasinë e përdorur të farës për njësi ku diferencat ndërmjet fermave janë të theksuara. Nga raportimet e fermerëve, përgjithësisht normat e përdorimit të inputeve, plehra, pesticide, herbicide, farëra, ata i marrin si rekomandime nga farmacitë bujqësore, të cilat është e kuptueshme, rekomandojnë mbi norma për qëllime të rritjes së shitjeve nga biznesi i tyre. Ky fenomen është kritik përsa i përket efiçencës së fermës, pasi fermeri nga njëra anë bën shpenzime të tepërta dhe të panevojshme dhe nga ana tjetër shkakton dëmtime në përbërjen kimiko – fizike të tokës dhe jetën e mikroorganizmave të saj aq shumë të nevojshëm për shëndetin e tokës. Në kushte të tilla ju rekomandojmë t'i adresoheni për këshillime ekspertëve të platformës ABA Online për të marrë një orientim të paanshëm.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Ofrimi i melasës shërben shërben si një prej mundësive për plotësimin e këtyre mungesave duke mundësuar përmirësime në drejtime të ndryshme të aktivitetit të lopëve, të cilat sjellin si rezultat shtimin e sasisë së qumështit të prodhuar.
Lexo më shumë
Cilat janë disa nga mënyrat e përzierjes së Melasës me drithërat që prodhoni vetë në fermë (ose blini nga ferma të tjera, ose furnizuesit e inputeve bujqësore)?
Lexo më shumë
Në ndërtimin e stallave mbani parasysh respektimin e normave bazë që lidhen me hapsirën e nevojshme sipas kategorisë së kafshëve, hapsirat për ushqim e ujë-pirje, për t'i siguruar atyre kushte të përshtatshme për prodhim e riprodhim si dhe mirëqenie të përgjithshme.
Lexo më shumë
Çfarë janë lythat dhe si mund t'i parandalojmë?
Lexo më shumë