Të ushqyerit ka një ndikim të theksuar mbi riprodhimin, sasinë dhe cilësinë e prodhimit të qumështit, gjendjen shëndetësore të tufës, si dhe rritjen e pasardhësve tek të imtat.
Periudha e fundit e barrsmërisë si dhe ajo e laktacionit, janë periudhat më kritike për ushqimin e deleve dhe dhive, ku pa dyshim periudha e prodhimit të qumështit ka kërkesën më të madhe për lëndët ushqyese. Kullota përbën burimin më kryesor dhe më ekonomik për të ushqyerit e të imtave, duke plotësuar njëkohësisht pothuajse të gjitha nevojat e kafshëve për lëndë ushqyese. Kullotat janë burime të pasura energjie dhe proteine kur ndodhen në fazën e vegjetacionit të tyre. Ndaj, qarkullimi i tufave duke synuar ruajtjen e masës vegjetative është një praktikë e këshillueshme për një ushqim efektiv të të imtave. Duke qenë nga natyra kafshë seleksionuese të vegjetacionit në kullota dhe duke përzgjedhur bimët në pikun e tyre të lëndëve ushqyese, të imtat shfaqin më pak probleme me parazitët e brendshëm. Kafshët që ushqehen në kullotë gëzojnë shëndet të mirë gjithashtu për faktin se ato janë të ekspozuara në ajër të pastër dhe nën rrezet e diellit. Një përparësi tjetër e kullotave është pikërisht përdorimi i tyre si bar i thatë në periudhën e dimrit kur kullotja direkte në parcelë është e kufizuar, duke përbërë kështu një burim të mirë proteine dhe enrgjie. Veçanërisht bari i jonxhës shquhet për përmbajtje të lartë të proteinës, vitaminave dhe mineraleve sidomos kalçiumit krahasuar me barërat e tjerë të zakonshëm. Por, niveli i duhur i proteinës dhe energjisë varet nga faza e pjekurisë në momentin e kositjes, nga manipulimi i duhur e magazinimi cilësor.
Rëndësia e kullotave, përtej të ushqyerit të të imtave
Kullotat karakterizohen nga një rol shumë funksionësh, së pari si prodhimi i masës së gjelbër për kullotje, si dhe ofrimi i disa shërbimeve në ekosistem.
Kullotat janë faktor i rregullimit të pranisë së Karbonit dhe Azotit, si dhe ruajtjes së biodiversitetit përmes menaxhimit të duhur të të ushqyerit, periudhës dhe shpeshtësisë së kullotjes, pasurisë së diversifikuar të bimësisë, pozicionit të kullotës në sipërfaqe të caktuara të terrenit, etj.
Krahas rolit parësor që kanë kullotat për ushqimin e blegtorisë, ato luajnë edhe rol në:
Nga varet vlera ushqyese e një kullote?
Së pari, ajo varet nga bimësia përbërëse, prania e bimëve që nxisin prodhimin e qumështit kryesisht ato bishtajore me vlera proteinike, si dhe kontrolli i bimëve të dëmshme e helmuese.
Së dyti, nga mënyra e menaxhimit të kullotjes
Së treti, nga fazat e zhvillimit të bimësisë
Së katerti, nga fertiliteti i tokës dhe faktorët klimatikë që ndikojnë në zhvillimin e bimësisë
Së pesti, nga prania e rezervave të mjaftueshme të ujit
Jonxha dhe Tërfili janë dy burimet kryesore të ushqimit në kullotat e pasura.
Jonxha – përbën bazën e ushqimeve të gjelbërta. Ajo është një burim i rëndësishëm proteinash dhe lëndësh minerale sidomos Kalçium dhe Fosfor.
Kujdes, jonxha e njomë shkakton fryrje e deri edhe në ngordhje të kafshëve.
Ju rekomandojmë që para kullotjes në jonxhishte, kafshët duhet të hajnë një ushqim të thatë. Po ashtu për të shmangur fenomenin e fryrjes, pas kullotjes në jonxhishte kafshët nuk duhet të lejohen të pijnë ujë.
Tërfili – përmirëson tretjen e proteinës, redukton fryrjet si dhe ul çlirimin e gazit metan që del në atmosferë përmes jashtëqitjes së kafshëve. Eshtë një ushqim i përshtatshëm sidomos në zonën e ulët dhe atë bregdetare të vendit tonë, por tërfilet gjenden në të gjithë tipet e kullotave deri në ato të zonave malore. Duke qënë se përdoret përgjithësisht si masë e gjelbërt, mundëson zëvendësimin e përdorimit të jonxhës si masë e gjelbër duke krijuar mundësinë e tharjes së jonxhës dhe përdorimin e saj si bar i thatë.
Gjithashtu, me vlerë kullosore janë edhe trëndelinat, bimë njëvjeçare që rriten shpejt edhe në toka të varfëra, si dhe bimët shumëvjeçare që pëlqehen shumë nga kafshët. Krahas bimësisë së dobishme, në kullota gjenden dhe bimët e këqija dhe helmuese, të pa preferuara nga bagëtitë, ato shpesh gjejnë terren të përshtatshëm për tu shtuar. Të tilla janë:
Anemonia e pyjeve që shkakton çrregullime të sistemit nervor të kafshëve që e konsumojnë, frymëmarrje të shpeshtë, diarre, paralizë, urinim të shpeshtë, e deri edhe në ngordhje.
Zhabinat (Ramunculus sp), të gjithë speciet e zhabinave janë helmuese nëse konsumohen të freskëta. Helmimi në blegtori ndodh kur zhabinat janë të pranishme në kullota të mbi kullotura dhe me pak bimësi të ngrënëshme dhe kafshët në mungesë të ushqimit tjetër janë të detyruara të konsumojnë zhabinat. Shenjat e helmimeve përfshijnë: diarre me gjak, pështymë e tepërt, dhimbje barku, shkumë nga goja.
Xhenokulli vjeshtor (Colchicum autunale), karakterizohet nga lulëzimi në vjeshtë, ku lulet shpërthejnë nga toka shumë kohë para se të shfaqen gjethet. Bima është rrezikshmërisht helmuese; ndonëse gjethet dhe frutat e saj kanë përmbajtjen më të lartë të toksinës, por e gjithë bima njihet si helmuese.
Fier shqiponja (Pteris aquiline), njihet si bimë helmuese e të imtave. Helmimi akut shkakton anemi dhe hemorragji e deri dhe ngordhje të kafshëve. Në kafshët e helmuara shfaqet verbim, tumorre në nofulla, në rumen, zorrë dhe mëlçi. Veçanërisht më të rrezikuara janë kafshët më të vjetra të cilat mund të kenë vite që konsumojnë këtë lloj fieri.
Qumështoret (Euphorbia sp). Kontakti krijon irritim të lëkurës. Konsumi i saj nga kafshët shkakton diarre, fryrje rreth zonës së gojës, dhimbje të barkut, dridhje të muskujve, ndërsa qumështi i bagëtive që kanë konsumuar qumështoren ka një ngjyrë të kuqërremtë dhe shije të hidhur.
Lulebasani (Hypericum perforatum), Kur konsumohet në sasi të mëdha, lulebasani është helmuese për blegtorinë. Shenjat kryesore të helmimit janë gjendja e shqetësuar dhe irritimi i lëkurës. Gjendja e shqetësuar shpesh shprehet me tundjen e kokës, fërkimin e kokës dhe dobësia e herëpashershme e gjymtyrëve, gulçime, konfuzion dhe depresion. Shpesh ndodh që kafshët vrapojnë në formë rrethore deri sa lodhen. Kur helmohen kafshët kërkojnë të vendosen në zona të hijezuara dhe ulin oreksin e tyre. Përgjithësisht refuzohet pirja e ujit. Shfaqet irritim i dukshëm i lëkurës, që pasohet me kruarje, fërkime, e inflamacion. Tek delet shfaqet fryrje e fytyrës, dermatit dhe rënie e leshit si rezultat i fërkimit. Gjatë periudhës së laktacionit ato ulin prodhimin e qumështit, ndërsa delet barrëse kanë rrezik dështimi.
Tatulla (Datura stramorium). Të gjithë pjesët e bimës e veçanërisht farërat përmbajnë lëndë toksike. Tharje e gojës, tharje e fytyrës, pezmim i stomakut, fryrje, humbje e oreksit si dhe etja e tepruar janë shenjat dominante të efektit të tatullës në blegtori. Në rastet e rënda shfaqen gjithashtu probleme me frymëmarrjen si dhe rrahje të shpeshta të zemrës.
Shtara (Veratrum lobelianum), e pranishme sidomos në kullotat verore. Ajo shfaq rrezikshmëri më të lartë gjatë periudhës së vegjetacionit, ndërsa bima e tharë nuk shfaq veti helmuese.
Lili i luginave (Convallaria majalis): Është bimë barishtore shumëvjeçare, e vogël rreth 20 cm lartësi, dhe shumë helmuese nëse konsumohet nga kafshët. Lulëzon në fillim të Majit ndaj quhet edhe Lulja e Shën Gjergjit. Lulet i ka në formë kambane të bardhë. Shenjat klinike zhvillohen shumë shpejt të tilla si diarrhea, dhe dobësimi i muskujve e deri edhe në ngordhje të kafshëve.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë lidhur me Përdorimin e Kullotave duke Ruajtur Vlerat e Tyre.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Çfarë duhet mbajtur parasysh gjatë hyrjes së kafshëve, materialeve riprodhuese si dhe produkteve me origjinë shtazore në vendet e BE-së nga vendet jashtë tij.
Lexo më shumëPër mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, Parlamenti Europian dhe Këshilli kanë përgatitur rregulla uniform për të siguruar mbrojtjen e konsumatorëve nga efektet potenciale të këtyre mbetjeve.
Lexo më shumëKeni hasur në vështirësi për depozitimin e bimëve pasi është vjelur produkti në sera? Ju shqetëson prania e jashtëqitjeve të kafshëve të fermës të papërpunuara?
Lexo më shumëPothuajse çdo lëndë organike në parcelat e mbjella, në stalla, në kopshtet tuaja, në anë të rrugëve të fshatit, mund të jetë një burim i mirë lëndësh për kompostim.
Lexo më shumë