Në ndërtimin e stallave mbani parasysh respektimin e normave bazë që lidhen me hapsirën e nevojshme sipas kategorisë së kafshëve, hapsirat për ushqim e ujë-pirje, për t'i siguruar atyre kushte të përshtatshme për prodhim e riprodhim si dhe mirëqenie të përgjithshme.
Disa nga standardet minimale për ndërtimin e stallës përfshijnë:
- Stallat duhet të ndërtohen me material që nuk shkaktojnë dëme fizike tek kafshët si dhe të përmbajnë paisje që gjithashtu nuk shkaktojnë dëme. Si stalla dhe paisjet duhet të jenë lehtësisht të pastrueshme dhe të dezinfektueshme. Inspektoni paisjet si dhe mekanikën të paktën një herë në ditë, duke marrë masat për funksionimin e duhur të sistemeve si dhe parandalimin e dëmtimeve tek kafshët.
- Përmes sistemeve të ventilimit, ajrosjes dhe izolimit, stallat duhet të përbëjnë ambientin me mikroklimë të përshtatshme për mbarështimin e kafshëve. Vendosja e sistemeve të sinjalizimit në rastin e mosfunksionimit të paisjeve të ventilimit ju vjen në ndihmë në kohën e duhur për riparim ose zëvendësim të tyre.
- Siguroni të gjitha lehtësirat për ofrimin e vazhdueshëm e cilësor të ushqimit dhe ujit.
- Paisjet e ofrimit të ushqimit dhe ujit duhet të jenë të përshtatshme dhe të mundshme për tu pastruar e mirëmbajtur lehtësisht.
- Ndriçimi natyral dhe ai artificial duhet të sigurojnë kushte optimale, si për kafshët ashtu edhe punonjësit duke respektuar intensitetin e ndriçimit sipas kategorisë së kafshëve, dhe zonave të ndryshme të stallës.
- Të gjithë elementët e ambientit të brendshëm dhe të jashtëm, paisjet si dhe ndarëset duhet të jenë të tilla që të mos shkaktojnë dëmtime ose plagosje tek kafshët.
- Siguroni kushte të përshtatshme jashtë stallës për t'i mbrojtur kafshët nga kushtet ekstreme të motit, kafshët grabitqare si dhe rreziqet që dëmtojnë shëndetin e tyre.
Kriteret minimale për ndërtimin e një stalle
Përzgjedhja e vend ndërtimit. Për zgjedhjen e vendit të ndërtimit të një stalle të re duhet të mbani parasysh:
1. Largësinë e stallës nga banesa sipas rregullave të listuara në VKM nr. 373, datë 05.06.2024; ajo nuk lejohet të ndërtohet në pozicion mbi zonën e banesës, pasi jashtëqitjet, urina dhe ujrat e ndotura të stallës do të kontaminojnë mjediset rreth banesës, ujërat mbi tokësore si dhe ato nëntokësore.
- Zona e ndërtimit duhet të jetë e mirë drenazhuar dhe të kufizohet me kanale kulluese nga ana e sipërme e pjerrësisë.
- Për evitimin e daljes së kafshëve direkt në rrugë, stalla këshillohet të ndërtohet larg rrugës automobilistike.
- Krijoni lehtësi për transportin me mjete të bazës ushqimore, pa krijuar vështirësi në hyrjen dhe daljen e ushqimit përmes korridorit të ushqimit.
- Krijoni lehtësi në transportin e qumështit, vend grumbullimin si dhe trajtimin paraprak të tij.
- Siguroni që bazamenti i stallës të jetë së paku 20 cm i ngritur mbi nivelin e tokës për të shmangur lagështirën brenda ambientit ku qëndrojnë kafshët.
- Në konsultim me specialistin e blegtorisë siguroni mirqënien e kafshëve duke respektuar sipërfaqen dhe volumin për secilën prej tyre sipas kategorisë.
- Në varësi nga kategoria, hapsirat e nevojshme të rekomanduara për orientim janë: viça 0-2 muaj strehim individual 3 m²; viça 4-8 muaj sipërfaqe 2.4-2.7 m²; mëshqerrat barrëse sipërfaqe 3.2-3.5 m²; lopë në laktacion 3.0-3.3 m².
- Bëni kujdes me gjatësinë e grazhdit në dispozicion për secilën kafshë.
- Si orientim ju rekomandojmë 60-70cm gjatësi grazhdi për lopët në laktacion; 50-55 cm për mëshqerrat dhe 75-80 cm për lopët në tharje.