Fasulja e zakonshme (Phaseolus vulgaris) është bimë njëvjeçare nga familja e bishtajoreve me origjinë nga Amerika Jugore dhe Qendrore, e cila përmban shumë përbërës ushqyes, prandaj edhe duhet të jetë pjesë përbërëse e ushqimit tonë. Fasulja është një ndër ushqimet më të dobishme, është burimi i proteinave, si dhe është ushqim që i takon kuzhinës tradicionale. Nutricistët theksojnë se fasulja është ushqim kalorik dhe se në 100 gramë fasule gjenden 282 deri 302 kalori.
Fasulja ka edhe vlera të veçanta agronomike sepse duke qenë binë azoto fiksuese ajo e lë tokën të pasur me lëndë organike dhe azot duke e bërë atë një parbimë shumë të mirë.
Pse janë të mira fasulet për shëndetin?
Fasulja përmban më shumë proteina sesa të gjitha bimët e tjera – vetëm një filxhan fasule ofron 1/4 e proteinave për të cilat kemi nevojë çdo ditë.
Cilat janë kërkesat për klimën dhe tokën të fasules?
Kërkesat për temperaturë
Fasulja ka kërkesa të konsiderueshme për ngrohtësinë sepse origjina e saj janë vendet tropikale.
Ndikim të fuqishëm tek bima kanë temperaturat gjatë fazës së lulëzimit.
Fasulja ka ndershmëri të lartë edhe ndaj luhatjeve të theksuara të temperaturës dhe diferencave të mëdha midis temperaturës së ditës me atë të natës. Kur këto diferenca janë 10°C, bima formon më shumë degë dhe vonon lulëzimin disa ditë në krahasim me rastin kur diferenca e temperaturave është vetëm 5°C.
Kërkesat për lagështirë
Fasulja e zakonshme gjen kushte të përshtatshme rritje në zonat me sasi mesatare të reshjeve vjetore. Ajo nuk pëlqen zona tropikale të lagështa dhe me reshje të shumta. Në kushte të reshjeve të tepërta ajo rrëzon lulet, bishtajat dhe preket nga disa sëmundje kërpudhore.
Gjatë periudhës bimore, fasulja ka dy momente shumë të rëndësishme në lidhje me nevojat e saj për ujë.
Për të mbirë, fara ka nevojë të thithë rreth 105% ujë të peshës së saj. Teprica e ujit gjatë mbirjes shkakton kalbjen e farës, mbirje të dobëta dhe të rralla, sidomos kur kjo shoqërohet edhe me temperatura të ulëta. Në kushte të tilla, të tepricës së ujit në mbirje, bimët preken nga një numër sëmundjesh të ndryshme si antraknoza, bakterioza dhe veçanërisht fusarioza. Pra, fasulja nuk i ndjen mangësitë ujore në fillim të vegjetacionit.
Me rritjen e bimës dhe sidomos kur ajo arrin në fazën reproduktive (fillim lulëzimi – pjekje), nevojat për lagështirë rriten progresivisht dhe mungesa e saj bëhet faktor i rëndësishëm kufizues i prodhimit. Mungesa e lagështirës në fazën e lulëzimit shkakton rënien masive të luleve, përqindje të ulët të lidhjes së bishtajave e për rrjedhojë dëmtim të njërit prej elementeve kryesor të prodhimit, numrit të bishtajave.
Kur mungesa e ujit është e pranishme edhe në fazat e mëvonshme (atë të lidhjes së bishtajave), do të kemi pasojë rënien e tyre dhe lidhje të pakët të kokrrave në to. Në këtë mënyrë do të kemi mangësi dhe në elementët e tjerë që përcaktojnë prodhimin si numri i kokrrave për bimë dhe pesha e tyre. Në situata të tillë rënia e prodhimit është e ndjeshme në qoftë se nuk merren masa të ndryshme agroteknike si ujitja, plehërimet optimale apo zgjedhja e kultivarëve me karakteristika të tilla si që e bëjnë bimën më të qëndrueshme ndaj thatësirës.
Pra si përfundim mund të themi se, për fasulen, një deficit ujor gjatë periudhës vegjetative, megjithëse vonon zhvillimin e bimës dhe shkakton një rritje jo uniforme të saj nuk sjellë ato pasoja negative që shkakton mungesa e ujit në fazën e lulëzimit dhe atë të lidhjes së bishtajave.
Kërkesat për dritën
Fasulja e zakonshme është me origjinë nga Amerika tropikale, prandaj ajo është bimë e ditës së shkurtër. Megjithatë janë seleksionuar dhe tipa të pa ndjeshëm ndaj foto periodës, të cilat mund të lulëzojnë shpejt edhe në ditë të gjata. Fasulja konsiderohet bimë dritëdashëse,që rritet mirë në kushtet e një ndriçimi të plotë diellor, por kur temperaturat nuk përbëjnë stres për rritjen normale të bimës.
Disa kultivarë të fasules, kryesisht ata me rritje gjysmë të pakufizuar dhe të pakufizuar, kanë aftësi të rriten mirë edhe në kushtet e dritës difuze ose në hije. Kjo tolerancë ndaj dritës shfaqet më tepër gjatë periudhës reproduktivë të bimës (lulëzim – lidhje e bishtajave). Një karakteristikë e tillë ka krijuar mundësinë e kultivimit të fasules në bashkëshoqërim me bimë të tjera, kryesisht me misër. Këto dy bimë përbëjnë komponentë të përshtatshëm bashkëshoqërimi sepse në kohën kur misri është rritur shumë, fasulja shfaq tolerancën maksimale ndaj hijezimit.
Kërkesat për tokën
Toka më të përshtatshme për fasulen janë tokat e lehta, të freskëta dhe të pasura me lëndë organike. Këto toka nuk zënë kore të fortë dhe në këtë mënyrë nuk vështirësojnë daljen e kotiledoneve mbi sipërfaqe. Ato nuk duhet të kenë përmbajtje të lartë kalciumi sepse farat që merren janë të forta dhe vështirësojnë zierjen e tyre.
Fasulja nuk pëlqen tokat e rënda deltinore me ajrim të keq dhe ujëra nëntokësorë afër sipërfaqes, toka të cilat mbajnë shumë lagështirë, janë të ftohta dhe ta pa përshkueshme. Gjithashtu nuk shkon mirë në toka acide. Vlerat më të përshtatshme të pH janë 6 - 6.8. Fasulja nuk është tolerante ndaj pranisë së kripës në tokë, megjithëse disa kultivarë me kokrra të zeza janë më të qëndrueshme ndaj kripëzimit.
Kërkesat për lëndë ushqyese
Nevojat e fasules për elemente ushqyes janë pothuaj të njëjta me bimët e tjera të familjes leguminoze (bishtajore) që ngjajnë me të. Për prodhimin e 10 kv lëndë të thatë, fasulja tërheq nga toka 62 kg N, 40 kg P2O5 dhe 50 kg K2O. Mbështetur në këto të dhëna për të marrë një rendiment 30 kv/ha fasule kokërr së bashku me masën tjetër të bimësisë nevojiten 180 kg N, 120 kg, P2O5 dhe 150 kg K2O.
Nevojat për azot të fasules janë të larta për shkak të prodhimit të lartë të proteinës që krijon në kokrrat e saj. Si të gjithë bimët bishtajore, fasulja ka aftësi të fiksojë azotin atmosferik me anë të simbiozës bakteriale (baktereve azotofiksuese që jetojnë në simbiozë me bimën në rrënjët e saj). Në saj të simbiozës bakteriale, ajo mund të sigurojë 80% të nevojave të bimës për këtë element, kurse pjesa tjetër plotësohet nga azoti mineral i tokës ose nga azoti organik pas mineralizimit si dhe nga përdorimi i plehrave kimike në rastet kur është nevoja.
Në rritjen normale të bimës dhe në shtimin e prodhimit të saj rol të veçantë ka fosfori i cili ndikon pozitivisht në rritjen e qëndrueshmërisë ndaj sëmundjeve.
Mungesa e tij është me pasoja gjatë fazës së lulëzimit dhe lidhjes së bishtajave. Fasulja reagon mirë edhe ndaj plehrave potasike, por meqenëse tokat janë të pasura me këtë element nevoja e përdorimit të tyre lind rrallë.
Përvetimi i lëndëve ushqyese nuk kryhet me të njëjtat ritme gjatë gjithë periudhës bimore. Me ritme të larta këta elementë tërhiqen në periudhën e parë të rritjes deri në lulëzim. Brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohe (50 – 60 ditë pas mbirjes)bima ka tërhequr 70 – 90% të nevojave për P, K dhe Ca.
Nga mikroelementet më të rëndësishme për fasulen konsiderohen molibdeni, bori, mangani etj.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Agroteknikën e kultivimit të fasules.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Cilat janë vlerat e qiqrës?
Lexo më shumëCilat janë sëmundjet, simptomat dhe masat e kontrollit?
Lexo më shumëThjerrëza kultivohet kryesisht për kokrrat e saj, të cilat janë të shijshme dhe të përvetësueshme nga organizmi i njeriut.
Lexo më shumëPërse ka rëndësi përhapja e Gojy berry në vendin tonë ?
Lexo më shumë