Qiqra (Cicer arietinum L.) bën pjesë në familjen Leguminosae (bishtajore). Është bimë njëvjeçare, me sistem rrënjor boshtor, pak a shumë të degëzuar e të zhvilluar mirë, që shkon në thellësi rreth 70 cm, ndërsa rrënjë të veçanta edhe më thellë. Kërcelli është i drejtë ose pak i përkulur, pjesërisht i degëzuar, me lartësi nga 30 – 60 cm. Gjethet janë tek pendore, në formë vezake, me 11 – 13 gjethëza. Lulesa është si e bishtajoreve të tjera, me një ose dy lule, të veçuara e të vendosura në sqetullat e gjetheve. Ato kanë ngjyrë të bardhë, rozë, të kuqe ose të kaltër. Fruti është bishtajë në formë rombike apo elipsoide, që përmban brenda një deri në tre dhe rrallë katër kokrra. Bishtaja në pjekje nuk hapet. Kokrrat kanë forma të ndryshme ovale, të rrumbullakëta, sferike ose me qoshe, me një hundëz në majë e që në miniature i ngjan kokës së dashit. Kokorrat kanë ngjyrë të ndryshme, të bardhë, krem, të verdhë, kafe, tullë në të zezë dhe sipërfaqe të lëmuar. Pëlqehen më shumë ato kultivarë që kanë kokrra me ngjyrë krem e të bardhë.
Qiqra kultivohet për kokrrat e saj, të cilat përdoren kryesisht në ushqimin e njerëzve. Përdorimi si foragjere është i kufizuar sepse bari i njomë dhe kashta e saj përmbajnë shumë acid oksalik (i dëmshëm për blegtorinë), ndërkohë që edhe gjethet rrëzohen.
Këshillohet përdorimi i kashtës së përzier me atë të drithërave. Në ushqimin e njerëzve, në disa vende, përdoren kokrrat e freskëta.
Më gjerësisht përdoret mielli i saj, në përzierje me miell tjetër, duke rritur vlerën biologjike, për përgatitjen e majasë së bukës e simiteve, për ëmbëlsira, kafe etj. Kokrrat përmbajnë 19 – 28% proteina, 4 – 7% yndyrë, 47 – 60% l.e.p.a, 2.5 – 12.5 celulozë dhe 2.3 – 5% hi.
Cilat janë vlerat e qiqrës?
Vlerat ushqimore: Qiqra shquhet për vlerat ushqimore të saj sepse ajo është e pasur me kalium, fosfor, magnez dhe kalcium. Ato kanë edhe sasi të mëdha të hekurit, selenit dhe sasi më të vogla të bakrit, zinkut dhe manganit.
Përmbajtja e vitaminave: Qiqrat janë të pasura me vitaminat A dhe C. Në sasi të vogla gjenden edhe vitaminat E, K, B6 B1, B2, B3 dhe vitaminën B9.
Përfitimet shëndetësore të qiqrave: Qiqrat duhet të jenë pjesë e dietës për ata që duan të ushqehen shëndetshëm. Qiqrat ulin nivelin e kolesterolit, ndihmojnë me konstipacionin dhe probleme të veçanta me aparatin tretës. Konsumimi ditor i qiqrave ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe mungesën e hekurit, por edhe balancon nivelin e sheqernave në gjak.
Vlerat agronomike: Ashtu si dhe bishtajoret e tjera, qiqrat kanë një lidhje simbiotike me bakteret që fiksojnë azotin, prandaj, janë një parabimë shumë e miër për kultura me intensitet azotik si drithërat.
Kërkesat e qiqrës për klimën, tokën dhe lëndë ushqyese
Kërkesat për klimën:
Ndër bishtajoret qiqra është bima më e qëndrueshme ndaj thatësirës, kjo në saj të strukturës anatomike të rrënjëve dhe kërcejve e gjetheve të cilët janë të mbuluar push, si rrjedhojë, kërkesat ndaj lagështirës janë relativisht më të pakta. Por, mungesa e lagështirës në tokë, sidomos kur shoqërohet me lagështi të ulët relative të ajrit, ka ndikime negative në lulëzim.
Kërkesat për tokën: Qiqra kultivohet në toka të tipave të ndryshme. Në toka të lehta lulëzon dhe frutifikon para kohe, në krahasim me ato të rënda, por në këto të fundit si dhe në tokë të kripura dhe alkaline, nuk rritet e zhvillohet mirë, ndërsa në ato të thella, për shkak të zhvillimit më të madh të sistemit rrënjor, i qëndron më mirë thatësirës.
Kërkesat për lëndë ushqyese: Për lëndë ushqyese kërkesa më të mëdha i ka për azot e fosfor. Për 10 kv prodhim kokërr, bima tërheq nga toka 40 kg N, 12.5 kg P2O5 dhe 22 kg Ca, ndërsa për kalium nevojat plotësohen duke lënë kashtën në tokë që llogariten në rreth 35 kg K2O. Nëse kalciumi gjendet në sasi të mëdha në tokë, cipa e farës bëhet e fortë, e pa përshkueshme dhe koha e gatimit bëhet më e gjatë.
Agroteknika e kultivimit të qiqrës
Vendi në qarkullimin bujqësor: Në qarkullim bujqësor vendoset në renditje me të lashtat dhe bimët prashitëse. Si bimë pranverore, pas saj mbillen me sukses të gjitha këto bimë.
Përgatitja e tokës: Përgatitja e tokës është tipike si dhe për bimët e tjera bishtajore. Në varësi të tipit të tokës e parabimës, bëhen plugime të zakonshme në thellësi 26 – 30 cm, apo edhe më të cekëta 21 – 25 cm të shoqëruar me punime të tjera përgatitore para mbjelljes (nivelime, frezime apo diskime). Edhe në këtë bimë punimet më të thella ndikojnë në zhvillimin më të mirë dhe futjen më thellë të sistemit rrënjor. Koha e punimit varet nga koha e mbjelljes, por përparësi kanë punimet më të hershme, gjatë verës, vjeshtës dhe dimrit.
Në varësi të tokës dhe shkallës së pjellorisë së saj bëhet plehërimi organik dhe kimik. Në toka të varfëra rekomandohet përdorimi i plehut organik, ndërsa plehrat kimike hidhen para mbjelljes, gjatë mbjelljes dhe më vonë, në rreshta ose me shpërndarje. Si bimë bishtajore nevojat për azot i ka të pakta dhe hidhen në fazat e par të rritjes së bimës. Për fosfor rekomandohen të përdoren 30 – 80 kg/ha, ndërsa për potas në përgjithësi nevojat plotësohen nga toka sepse tokat janë më të pasura me këtë element ushqyes.
Mbjellja
Zgjedhja e farës: Për mbjellje duhet të përdoret farë me aftësi mbirëse e pastërti që përcakton standardi shtetëror. Jetëgjatësia e farës në kushte optimale ruajtje, sipas disa autorëve, është shumë e lartë, nga 7 – 10 vjet edhe pse ka një ulje të madhe në fuqinë mbirëse.
Koha e mbjelljes, distanca dhe norma e farës: Mbjellja e qiqrës bëhet në periudha të ndryshme, në vjeshtë dhe pranverë. Në vendin tonë kultivohet si bimë pranverore dhe mbillet gjatë muajt mars e fillimi i prillit.
Mbjellja bëhet me rreshta e veçantë ose në bashkëshoqërim me bimë të tjera. Mbjellja në rreshta bëhet në largësi të ndryshme 30 – 45 cm. Mund të mbillet edhe në fole në largësi 50x30 cm, me 3 – 4 fara në çdo fole. Për mbjellje përdoret një normë fare rreth 80 kg/ha. Fara hidhet në thellësinë 4 – 6 cm. Qiqra mbillet edhe në bashkëshoqërim me dru-frutorë, në pemëtoret, ullishtat, vreshtat dhe misrin.
Shërbimet agroteknike gjatë vegjetacionit
Pas mbjelljes dhe gjatë vegjetacionit, përkujdesjet synojnë në sigurimin e numrit të bimëve dhe zhvillimin e mirë të tyre. Krahas prishjes së kores, që mund të bëhet në ato rast kur pas mbjelljes bien shira, gjatë rritjes bëhen edhe 2 – 3 kultivime, ujitje me numër të ndryshëm që ndikon në biologjinë, rendimentin dhe peshën e kokrrave.
Tek qiqra nuk janë problem as sëmundjet dhe as dëmtuesit e bimëve.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Vjelja e qiqrës.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Cilat janë sëmundjet, simptomat dhe masat e kontrollit?
Lexo më shumëPërse ka rëndësi përhapja e Gojy berry në vendin tonë ?
Lexo më shumëLuledielli është një kulturë fitimprurëse për fermerët sepse ajo ka përdorime të shumta, nga vaji ushqimor, farat e deri tek ushqimi për bagëtinë.
Lexo më shumë