TI PËRDORIM KULLOTAT DUKE I RUAJTUAR VLERAT E TYRE




Shfrytëzimi i kullotave duhet bërë në mënyrë të kujdesshme e të qëndrueshme, për ti shërbyer brezave të sotëm e atyre të së nesërmes. Ju jeni ata që drejtoni dhe menaxhoni tufat duke u përkujdesuar njëkohësisht edhe për ruajtjen e pasurimin e kullotave. 

Cilat janë disa nga masat që ju mund të merrni për ruajtjen dhe përmirësimin e kullotave?

Së pari, pastrimi i kullotave nga bimësia e pa dëshiruar. Bëni kujdes të pastroni kullotat nga barërat helmuese, barërat e këqija si dhe ato pa vlera në të ushqyerit e kafshëve.  Shkulja e bimëve të këqija e atyre helmuese duhet të bëhet me rrënjë e në mëyrë të kujdesshme, para pjekjes së farërava të tyre me qëllim mos përhapjen e mëtejshme. Krahas shkuljes mekanike mund të aplikohen edhe herbicidet gjatë periudhës së vegjetacionit të bimëve, por kujdes në varësi nga herbicidi dhe periudha e efektit të tij, kafshët nuk duhet të lejohen të kullosin në parcelat e trajtuara. 

Së dyti, përkujdesi për garantimin e burimeve të ujit të pijshëm. Shpërndarja jo e duhur e burimeve ujore në një kullotë sjell përformancë të dobët të tufës. Sa më pranë burimeve ujore të jetë një tufë aq më i lartë është intensiteti i saj i kullotjes, sa më larg burimit ujor aq më i ulët kohë qëndrimi në kullotë. Përgjithësisht në varësi nga shumë faktorë distancat optimale në kërkim të burimeve ujore variojnë nga 2.5 – 3.5 apo 4 km. Prania e burimeve ujore ndihmon në ruajtjen e kondicionit të kafshëve dhe siguron një kullotje uniforme në terren.  Nëse tufa do të jetë në lëvizje në distanca të gjata në kërkim të ujit, ajo humbet energjinë e fituar përmes ushqimit dhe për pasojë do të ulë rezistencën e saj, si dhe prodhimin. Ndaj, ndërtimi i lerave, lugjeve të ujit, rehabilitimi dhe përkujdesi për to është një detyrë e rëndësishme e çdo përdoruesi të këtyre burimeve nga tufat që zotëron. Kujdes, krijoni sisteme qe mundësojnë pirjen e ujit duke mos i lejuar kafshët të futen brenda në lera, kjo do të dëmtonte lerën, por më e rëndësishmja do të ndoste ujin duke e bërë atë të pa dobishëm për tufën tuaj.  

Së treti, mbjellja e bimësisë së nevojshme, duke hedhur farëra të bimësisë së dobishme në zonat e zhveshura apo të mbi kullotura. Sipërfaqe të tilla me potencial vegjetativ duhet ti lini të pa kullotura deri në zhvillimin e duhur të masës vegjetative. 

Së katërti, ofrimi i kriprave minerale dhe suplementeve, duke i vendosur ato në zona të caktuara të kullotës, duke krijuar kështu dhe një mundësi uniforme të kullotjes.  Zakonisht këto burime suplementare ju rekomandojmë ti vendosni larg burimeve ujore. (1-2 km largësi).

Së pesti, pastrami i gurëve është një operacion i cili ju mundëson çlirimin e sipërfaqeve të shfrytëzueshme nga blegtoria dhe nga ana tjetër shfrytëzimin e gurëve të grumbulluar për qëllime mbrojtëse si krijimi i brezave mbrojtës anti erosion, mbrojtjen nga rrëshqitja e dherave, apo ngadalësimin e shpejtësisë së rrjedhave ujore.  

Së gjashti, rrethimet zakonisht ju shërbejnë për të kontrolluar lëvizjen e kafshëve, për kontrollin dhe qarkullimin e kullotjes, për të ndarë parcela të caktuara për meanxhim të veçantë, sikurse pse jo edhe për mbrojtjen e tufës nga grabitqarët.

 

Por, cilët janë sistemet e duhura të kullotjes që mundësojnë ruajtjen e vlerave të tyre?

Natyrisht që kullotja e lirë ndonëse mënyra më e vjetër e kullotjes, është forma më pak ekonomike, kjo pasi është një mënyrë tërësisht e pa kontrolluar ku kafshët janë të lira të konsumojnë në kullotë vetëm barërat e sipërfaqet e dëshiruara, konsumi i të cilave sjell edhe zhdukjen e këtyre barërave. Sidoqoftë, është mënyra e duhur e kullotjes në rastin kur keni sipërfaqe të mëdha kullote me numër të ulët të kafshëve për kullotje, gjë e cila nuk shkakton mbi kullotje dhe për pasojë ju siguron kafshëve barërat e dëshiruara dhe më efiçente për prodhim. 

Kullotja gjysëm e lirë përbën një kombinim ndërmjet kullotjes së lirë dhe asaj të kontrolluar. Kafshët komandohen në lëvizjen e tyre, por edhe në këtë rast kemi dëmtime dhe konsum të bimësisë cilësore. 

Kullotja me rotacion përbën një mënyrë të kontrolluar të kullotjes, ku kullota shfrytëzohet mbi bazën e një plani të para përgatitur. Kjo mënyrë kullotje siguron njëtrajtshmëri, rritje dhe rigjenerim të barërave të dëshiruara, si dhe një shkallë të ulët infeksioni të tyre si nga parazitët ashtu edhe nga bimësia e pa dëshiruar. Ajo mundësohet në rastet kur kemi të pranishme disa sipërfaqe me kullota (dy ose më shumë) të cilat shfrytëzohen në mënyrë sezonale e duke e bërë shfryrëzimin me rotacion.

Rotacioni me pushime përfshin lënien e një sipërfaqe kullote në gjendje qetësie për një periudhë 1 vjeçare ku e gjithë kullotja ndodh në pjesën tjetër të kullotës. Kjo mënyrë është më e përshtatshme në rastet e një kullote uniforme, ruan uniformitetin në prodhim dhe cilësinë e kullotës.

Kullotja me intensitet të lartë ndodh me përfshirjen e disa kullotave ku periudha e kullotjes shkon përgjithësisht në 1 javë. Kjo mënyrë ju mundëson kafshëve një shfrytëzim më uniform të kullotës, por kujdes ajo aplikohet në zona me potencial të lartë rigjenerues të vegjetacionit.    

Data e publikimit: 30/09/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

ÇFARË ËSHTË E RËNDËSISHME TË DINI NDËRSA SHKOJMË DREJT ANËTARËSIMIT TË VENDIT NË BASHKIMIN EUROPIAN

Çfarë duhet mbajtur parasysh gjatë hyrjes së kafshëve, materialeve riprodhuese si dhe produkteve me origjinë shtazore në vendet e BE-së nga vendet jashtë tij.

Lexo më shumë

MEDIKAMENTET VETERINARE DHE USHQIMET ME PËRMBAJTJE MEDIKAMENTESH

Për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, Parlamenti Europian dhe Këshilli kanë përgatitur rregulla uniform për të siguruar mbrojtjen e konsumatorëve nga efektet potenciale të këtyre mbetjeve.

Lexo më shumë

ÇFARË ËSHTË KOMPOSTIMI DHE VLERAT E TIJ

Keni hasur në vështirësi për depozitimin e bimëve pasi është vjelur produkti në sera? Ju shqetëson prania e jashtëqitjeve të kafshëve të fermës të papërpunuara?

Lexo më shumë

ÇFARË MUND TË KOMPOSTOHET DHE KËRKESAT PËR CILËSINË E MATERIALEVE TË KOMPOSTUESHME

Pothuajse çdo lëndë organike në parcelat e mbjella, në stalla, në kopshtet tuaja, në anë të rrugëve të fshatit, mund të jetë një burim i mirë lëndësh për kompostim.

Lexo më shumë