MBJELLJA DHE KULTIVIMI I GOJY BERRY




Para mbjelljes së fidanëve të Gojit në fushë të hapur, rekomandohet që në gropën e hapur të përgatitet një përzierje në përmasa të barabarta, duke kombinuar humus, rërë lumi si dhe për të rritur pjellorinë, është e nevojshme të shtoni një sasi plehrash në to: 200-300 g superfosfat, hi nga djegia e drurit të zjarrit, 300 g sulfat kaliumi

REKOMANDIM! FERMERI QË VENDOS TË MBJELLË GOJY, DUHET TË KETË PARASYSH KËTA VEÇORI TË TIJ:

  • Fidanët e Gojy duhen zgjedhur, të fortë dhe të shëndetshëm. Nuk duhet të ketë shenja të sëmundjes në sistemin rrënjor.
  • Bimët e para pas mbjelljes së farës për prodhimin e fidanëve, fillojnë të shfaqen rreth 2 javë pas mbjelljes, kohë në të cilën fidanët e dobëta duhet të mbrohen nga rrezet direkte të diellit.
  • Nëse kokrra e kuqe ende nuk është pjekur, përdorimi i saj mund të shkaktojë helmim serioz toksik. Pjekuria tregohet nga ngjyra, duhet të jetë e kuqe e ndezur.

CILA ËSHTË TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË GOJY?

Kur dhe si të mbillni gojy për fidanë?

Gojy kultivohet me fidanë të parapërgatitur. Farërat para mbjelljes, është mirë që të zhyten në një tretësirë të stimuluesve të rritjes, edhe pse farërat e reja, kanë një shkallë mbirjeje mjaft të lartë, deri në 90%. Pas njomjes, ato thahen dhe vendosen në sipërfaqen e farishtes të lagur më parë.

Farat e shpërndara në mënyrë uniforme mbulohen me shtresë humusi rreth 1 cm dhe lagen përsëri. Pastaj bëhet mbulimi me plasmas për të siguruar nxehtësinë e nevojshme.

Mbirja mund të zgjasë 2 deri në 4 javë. Fidanët e sapo mbirë kanë nevojë menjëherë për ndriçim të mirë, por duhet të mbrohen nga rrezet direkte të diellit.

Në fazën e formimit të gjetheve të vërteta, e rëndësishme është mbajtja e një niveli lagështie optimale duke mos e tepruar me ujitje të tepërta.

Kur fidanët e rinj kanë formuar 3-4 gjethe të vërteta, bimët duhet të mbillen në vazo të veçanta.

Fidanët e rinj nuk kanë nevojë për ushqim plotësues gjatë vitit të parë. Gjëja kryesore është t'u sigurohet atyre dritë, temperaturë dhe lagështi. Bima nuk kërkon ndonjë kujdes të veçantë.

Mbjellja në fushë të hapur. 

Fidanët mbillen në gropa të veçanta, të cilat hapen në një distancë deri në 2m nga njëra-tjetra. Dimensionet e gropës janë 50x50x40cm (për fidanë të vegjël), 60x60x40cm për fidanë më të rritur. Dheu i nxjerrë nga gropa përzihet me torfë, humus, hi zjarri dhe superfosfat, në një raport (pesha në kg) 5: 5: 0,04: 0,2 ose një shtresë ushqyese të përbërë nga komposto, 15g superfosfat, 10 g sulfat kaliumi dhe 15 g nitrat amoni. Pasi i pastrojmë rrënjët e fidanit nga dheu, e trajtojmë me tretësirë 1% permenganat kaliumi.

Menjëherë pas mbjelljes së fidanëve të rinj, bëhet ngjeshja e tokës pranë fidanit, ujitje e bollshme dhe vendoset një mbështetje për lidhjen e degëve.

Çfarë shërbimesh agroteknike kryhen për Gojy në fushë?

Gjatë viteve të para, lastarët e bimës janë të hollë dhe mund të bien për tokë. Për të shmangur këtë, vendosim një sistem mbështetje.

Plehrimi plotësues nuk është i nevojshëm të kryhet shpejt.

Ujitja kryhet vetëm në kushtet e motit të nxehtë dhe mungesës së gjatë të reshjeve. Zakonisht ujitja duhet të bëhet jo më shumë se dy herë në shtatë ditë.

Për të marrë prodhim të kënaqshëm, kryhet krasitja. Nëse nuk i shkurtojmë degët, shkurre mund të rriten mbi 3m, dhe frutat do të jenë të vegjël. Është më mirë të formohet një bimë e ulët, në të cilën do të ketë fruta më të mëdha. Hiqni degët e tepërta të skeletit, duke lënë vetëm më të fortat në drejtime të ndryshme. Mbi to do të formohen degëzime të cilat prodhojnë fruta, të cilat duhet të priten çdo vit, duke lënë jo më shumë se katër sytha.

Krasitja bëhet në vjeshtë dhe kryhet në dy mënyra: në formën e një peme ose në mënyrën klasike.

Krasitja klasike fillon që në vitin e parë të jetës së bimës. Gjatë tre viteve të para (çdo vit) është e nevojshme që bimët shkurre të mbahen nën kontroll dhe të zgjedhim degët më të forta dhe më të gjata (mund të jenë rreth pesë), dhe të heqim të gjithë pjesën tjetër pa hezitim. Pas tre vjetësh, në secilën degë të tillë, duhet të lihen një (ose dy) lastarë me një gjatësi mesatare prej 30-40 cm. Në sezonin e ardhshëm, këto lastarë do të lëshojnë degë të reja frutore, tre prej të cilave (më të fortat) duhet të lihen, dhe pjesa tjetër duhet të pritet.

Mund të formohet një shkurre në një kërcell. Kjo metodë përdoret që në vitin e dytë të jetës së bimës. Absolutisht të gjitha degët i nënshtrohen krasitjes, përveç njërës më e forta dhe më e gjata. Krasitja e tillë kryhet rregullisht (çdo vit) derisa dega e vetme të rritet deri në një metër e gjysmë lartësi. Të gjitha krasitjet e mëtejshme kryhen sipas metodës klasike për të formuar degë frutore.

E rëndësishme është krasitja "përmirësuese". Është e nevojshme të pastrohet bima nga degët e dëmtuara dhe të thara në kohë. Shkurret gojy, nuk kanë nevojë për degë të vendosura në një lartësi deri në 40 cm nga toka, si dhe degë që nuk japin fruta.

Shkurret Gojy jo vetëm nuk kërkojnë shumë përkujdesje dhe shërbime gjatë vegjetacionit, por janë dhe rezistente ndaj sëmundjeve të ndryshme dhe dëmtuesve. Filizat e rinj mund të dëmtohen rrallë nga afidet.

VJELJA E PRODHIMIT TË GOJY BERRY

Megjithë praninë e gjembave në degët bimëve, është shumë e lehtë të mblidhen frutat goji. Mënyra më e mirë e vjeljes së prodhimit të gojy, është të shtrihen rrjeta poshtë shkurreve dhe ta tundim atë nga degët. Frutat e pjekur bien dhe lehtësisht mblidhen dhe vendosen në enë. Pasi të kemi mbledhur kokrrat, është mirë t'i lëmë të thahen në një vend të ngrohtë, me dritë minimale, por në një temperaturë jo më të madhe se 50°C. Më pas futen për ruajtje në kavanoza qelqi ose kuti kartoni. Ruatja e frutave goji duhet bërë në një vend të freskët dhe të thatë.

Data e publikimit: 19/09/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË GOJY BERRYT NË FUSHË TË HAPUR

Përse ka rëndësi përhapja e Gojy berry në vendin tonë ?

Lexo më shumë