Normat e cilësisë të BE-së për tregtimin e lulelakrës




Sipas botimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e mbështetur nga Ministria Federale Gjermane e Bashkëpunimit Ekonomik

Përkufizimi i nocionit 

Kjo normë është e vlefshme për lulelakrën e “brassica oleracea L. convar. Botrytis (L) Alef. Var. botrytis”, kur ajo lëvrohet në gjendje të freskët tek konsumatori. Lulelakra për përdorim industrial nuk është pjesë e kësaj norme.

Lulelakra që është destinuar për përpunim të mëtejshëm, nuk është e detyrueshme të përgatitet dhe emërtohet sipas normave të cilësisë. Kjo nuk përjashton faktin, që industria përpunuese të vendosë në kontratë lëvrimin sipas normës. Në këto raste, kur emërtimi i mallit bëhet sipas normës, atëherë malli duhet t’i përgjigjet kërkesave të normës pavarësisht nga qëllimi i mëvonshëm i përdorimit.

Cilat janë normat në lidhje me karakteristikat e cilësisë ?

Norma përcakton karakteristikat e cilësisë, të cilat duhet të ketë lulelakra pas përpunimit për treg apo paketimit.

Rregullat e kësaj norme gjejnë zbatim sipas Rreg. (KE) Nr. 2200/96 në të gjitha shkallët e e tregtimit.

  1. Vetitë minimale

Në të gjitha klasat lulelakra duhet, me përjashtim të rregullave të veçanta për çdo klasë dhe tolerancë të lejuar, të jetë:

  • E plotë

Nuk duhet të mungojnë pjesë apo të ketë vende të dëmtuara në mënyrë të tillë, që e bëjnë atë jo të plotë. Dëmtime të kurorës, të cilat mund të krijohen gjatë vjeljes, janë të palejueshme. Normat në lidhje me dizenjon e paketimit p.sh.: “me gjethe”, “e qethur”, apo “pa fletë” nuk vijnë në kundërshtim me vetitë minimale. 

  • E shëndetshme

Përjashtohen produkte të prekura nga myku apo mangësitë tjera që e bëjnë produktin të papërshtatshëm për konsum. Lulelakra nuk duhet të jetë e prekur nga sëmundje apo dëmtime serioze, të cilat ndikojnë në mënyrë të theksuar në pamjen e jashtme, vlerën e tregut apo atë ushqyese, me përjashtim të rasteve kur ato lejohen në kuadrin e klasave dhe tolerancave të caktuara.

Veçanërisht nuk lejohen lulelakra që kanë mangësitë e mëposhtme:

  • Prekje nga kërpudhat apo sëmundjet fiziologjike (si myku, kalbja, alternaria),
  • Shtypje të dukshme,
  • Dëmtime nga ngricat,
  • Dëmtime të mëdha nga dielli
  • Të pastra, pa mbeturina të huaja

Lulelakra nuk duhet të ketë papastërti të tilla si dhe, ndotje nga vesa, apo lëndë të tjera të huaja si p.sh mbeturina nga plehrat apo lëndët kimike.

  • Pamje të freskët

Lulelakra duhet të paketohet sa më shpejt që të jetë e mundur pas vjeljes. Është e rekomandueshme një paraftohje. Gjatë përgatitjes apo paketimit lulelakra nuk duhet të ketë asnjë shenjë vyshkjeje.

  • E paprekur nga dëmtuesit

Dëmtuesit ndikojnë negativisht në vlerën e tregut të produkteve si dhe pranueshmërinë e tyre nga konsumatori. Ekzistenca aty këtu e disa morrave në pak lulelakra nuk duhet të çojë në kthimin e partisë. Duhet të mbahen parasysh normat e veçanta dhe tolerancat e klasës së II.

  • Të mos ketë dëmtime nga dëmtuesit

Dëmtime të shkaktuara nga dëmtues të ndryshëm, mund të ndikojnë negativisht në pamjen e jashtme, qëndrueshmërinë dhe vlerat ushqyese të produkteve. Duhet të mbahen parasysh normat e veçanta dhe tolerancat e klasës së II.

  • Të mos ketë lagështi të jashtme jo normale

Kjo do të thotë që lulelakra e lagur është e papranueshme. Lulelakrat e lagura nga shiu apo spërkatja me ujë (për efekt pastrimi apo ruajteje në gjendje të freskët) duhet të thahen në mënyrë të mjaftueshme. Lagështia nga vesa apo krijimi i kondensimeve (p.sh. nga ndryshimi i temperaturës pas largimit nga frigoriferi apo lulelakrat e paketuara në qese) janë të lejueshëm.

  • Pa erë dhe/apo shije tjetër

Ambientet e magazinës, materiali paketues apo mjetet e transportit duhet të jenë të pastra dhe neutral përsa i përket erërave. Lulelakra nuk duhet të bjerë në kontakt me lëndë të cilat ndikojnë në shijen apo aromën e saj.

Nga gabime të caktuara të kulturës, lulelakra mund të marrë një erë apo shije jo-tipike. Në rrethana të caktuara kjo aromë apo shije mund të përcaktohet nëpërmjet provës së zierjes.

Zhvillimi dhe gjendja e lulelakrës duhet të jetë e tillë që: 

-Të përballojë  transportin dhe manipulimet;

-Të mbërrijë në destinacion në gjendje të kënaqshme.

Detyrimi për kujdes nuk duhet të shtrihet vetëm gjatë vjeljes, por edhe gjatë manipulimeve të mëtejshme si p.sh seleksionim, paketim, magazinim dhe transport.

  • Ndarja në klasa

Lulelakra ndahet në tre klasa të përkufizuara si më poshtë:

Klasa “Ekstra”

Lulelakra e kësaj klase duhet të jetë e cilësisë më të lartë. Ajo duhet të ketë formën, zhvillimin dhe ngjyrën tipike të llojit.

Vetitë karakteristike të llojit si p.sh. vetitë e formës, ngjyrës dhe zhvillimit janë kusht për futjen e lulelakrës në klasën ekstra.

-Kurora (koka) duhet të jetë me formë të mirë, e fortë dhe kompakte.

-Koka duhet të ketë një formë të njëtrajtshme që i përgjigjet llojit si dhe një sipërfaqe të ngjeshur tipike për llojin.

-Lulet të jenë të dendura

Lulet duhet të jenë të dendura dhe t’i përgjigjen sipërfaqes përkatëse të llojit.

-Njëtrajtshmëri të ngjyrës së bardhë ose ngjyrë kremi të lehtë.

Tek lulelakra e bardhë ngjyra e gjithë sipërfaqes duhet të jetë e bardhë deri në ngjyrë kremi të lehtë. Tek lulelakra e llojeve me ngjyrë tjetër lejohet ngjyra tipike e llojit.

Lulelakra nuk duhet të ketë mangësi, me përjashtim të difekteve shumë të lehta sipërfaqësore, kur ato nuk prishin pamjen e përgjithshme të produkteve, cilësinë e tyre, qëndrueshmërinë dhe dizenjon e paketimit.

Kur lulelakra hidhet në treg “me gjethe” apo e “qethur”, atëherë gjethet duhet të jenë të freskëta. Në llojet e ndryshme të dizenjos së paketimit gjethet e lulelakrës nuk duhet të kenë zverdhje.

Klasa e I

Lulelakra e kësaj klase duhet të jetë e një cilësie të mirë. Ajo duhet të ruajë cilësitë tipike të llojit.

Edhe pse kërkesat e cilësisë së klasës së I janë më të ulëta se klasa ekstra, lulelakra duhet seleksionuar me kujdes për këtë klasë. Ajo duhet të ketë pamjen normale të llojit dhe një cilësi të brendshme dhe të jashtme të mirë.

Koka e lulelakrës duhet të jetë:

  • Kompakte

Koka duhet të ketë një sipërfaqe të ngjeshur tipike për llojin.

  • E dendur

Lulet duhet të formojnë një sipërfaqe të dendur tipike për llojin.

  • E bardhë, ngjyrë fildishi deri në krem të lehtë

Tek lulelakra e bardhë ngjyra duhet të jetë e bardhë , ngjyrë fildishi deri në krem të lehtë në të gjithë sipërfaqen. Në lulelakrat e tjera lejohet një ngjyrë e normuar tipike për llojin.

-Të mos ketë difekte si njolla, fletë ndërmjet luleve, gjurmë nga ngrica dhe shtypje. Dëmtime të lehta nga dëmtuesit apo sëmundje (si p.sh. alternaria) gjurmë nga ngricat ose shtypje nuk janë të lejuara.

Kokat e lulelakrës lejohet të kenë difekte të lehta, kur ato nuk ndikojnë negativisht në pamjen e jashtme të produkteve në cilësinë e tyre, qëndrueshmërinë dhe dizenjon e paketimit.

-Një difekt të lehtë të formës apo zhvillimit

Nuk duhet të lejohen parregullsi të lehta në pjesën e sipërme të kokës. Duhen mbajtur parasysh ndryshimet tipike të llojit në formën e kokës.

-Një difekt të lehtë në ngjyrë 

Duke marrë parasysh llojin lejohet një difekt i lehtë i ngjyrës.

Një push shumë të lehtë

Pushi i lehtë nuk duhet të ndikojë negativisht pamjen e jashtme të përgjithshme të produktit.

Kur lulelakra hidhet në treg me “fletë” ose e “qethur”, fletët duhet të kenë një pamje të freskët.

Në llojet e përmendura të dizenjos së paketimit gjethet e lulelakrës nuk duhet të jenë të zverdhura.

Klasa e II

Në këtë klasë bën pjesë lulelakra, e cila nuk mund të hyjë në dy klasat e mësipërme, por që i përgjigjet vetive minimale të mëposhtme.

Lulelakra e kësaj klase duhet të jetë e një cilësie të përshtatshme për tregtim.

Kokat e lulelakrës lejohet të jenë:

-Me ndryshime të lehta të formës

Lejohen parregullsi të lehta në pjesën e sipërme të kokës. Këtu duhen mbajtur parasysh ndryshimet tipike në lidhje me formën e lulelakrës.

-Lulet lejohen pak më të lira

Lulet lejohen të jenë më të lira. Lulet me që kanë dukuri vyshkjeje nuk janë të pranueshme.

-Me ngjyrë të verdhë

Tek lulelakra e “bardhë” ngjyra mund të jetë e verdhë. Lulelakrat me ngjyrë tjetër lejohet të kenë ngjyrë tjetër.

Ato lejohet të kenë:

-Gjurmë të lehta të djegies nga dielli, 

Rrezatimi intensiv diellor shkakton në lulelakrën e pambrojtur djegie nga dielli. Shtresa e prekur nuk duhet të jetë e shkatërruar dhe të jetë e përshtatshme për ushqim.

-Dalje gjethesh ndërmjet luleve, por jo më shumë se 5 fletë të vogla ngjyrë të gjelbër të hapur.

Këto gjethe nuk duhet të jenë të hequra në asnjë mënyrë.

-Një push të lehtë (me përjashtim të pushit që është i lagësht dhe me yndyrë.

Pushi i lehtë nuk duhet të të prishë pamjen e përgjithshme të produktit.

Lejohen gjithashtu maksimalisht edhe dy nga difektet e mëposhtme, kur lulelakra ruan vetitë e saj kryesore në lidhje me cilësinë , qëndrueshmërinë dhe dizenjon e paketimit:

-Gjurmë të lehta të prekjes nga sëmundjet ose dëmtuesit

Si prekje e lehtë do të konsiderohen deri në tre njolla të alternarias të mëdha sa koka e një gjilpëre me kokë.

-Dëmtime të lehta nga ngricat

Një dëmtim i lehtë i shkaktuar gjatë periudhës së vegjetacionit, i cili mund të hiqet pa shkaktuar ndonjë dëmtim të mëvonshëm të tulit të lules, është i lejueshëm. Dëmtime më të forta nga ngricat dëmtojnë indet e lulelakrës, çojnë në ndryshime të shijes dhe si pasojë nuk janë të lejueshme.

-Shtypje të lehta

Lejohen të preken vetëm disa pjesë të lules.

 

CILAT JANË RREGULLAT NË LIDHJE ME SELEKSIONIMIN E MADHËSISË ?

Madhësia përcaktohet nga diametri tërthor më i madh. Diametri minimal është 11 cm; ndryshimi ndërmjet kokës më të vogël dhe asaj më të madhe në një paketim nuk duhet të kalojë 4 cm.

Cilat janë rregullat në lidhje me tolerancat ?

Toleranca të cilësisë dhe madhësisë lejohen në çdo paketim për produkte, të cilat nuk i përgjigjen kërkesave të klasës së dhënë. Fjala është për shmangie, të cilat me gjithë punën e kujdesshme dhe të specializuar janë të pashmangshme teknikisht gjatë sistemimit në klasa. Nga ana tjetër është e palejueshme, që gjatë seleksionimit të lejosh me qëllim ose pa treguar kujdesin e duhur, gabime edhe kur nuk tejkalohet toleranca.

Tolerancat janë kufinj maksimalë, të cilët nuk lejohen të tejkalohen, por si rregull edhe nuk duhen arritur, në mënyrë që edhe ndryshimet në produkt, të cilat mund të shfaqen gjatë përpunimit në treg, të mos çojnë në tejkalimin e tyre.

Tolerancat përcaktohen duke marrë si provë çdo paketim dhe duke marrë për bazë mesataren e çdo pakoje të kontrolluar. Tolerancat shprehen në përqindje sipas numrit të kokave të lulelakrës, të cilat nuk i përgjigjen cilësisë dhe madhësisë, në raport me numrin e përgjithshëm.

Cilat janë tolerancat e cilësisë ? 

  • Klasa ekstra

5% e numrit të lulelakrave apo peshës, të cilat nuk i përgjigjen vetive të klasës, por që të paktën janë të mjaftueshme për klasën e I dhe në raste të veçanta edhe për toleranca të klasës së I.

  • Klasa e I

10% e numrit të lulelakrave apo të peshës, të cilat nuk i përgjigjen vetive të klasës, por të paktën janë të mjaftueshme për klasën e II dhe në raste të veçanta edhe tolerancave të klasës së II.

  • Klasa e II

10% e numrit të lulelakrave apo të peshës, të cilat nuk i përgjigjen cilësive të klasës dhe as vetive minimale, por gjithsesi përjashtohen produkte që i ka zënë kalbja ose me mangësi të tjera që i bëjnë ato të papërshtatshme për konsum.

Cilat janë tolerancat e madhësisë ?

Për të gjitha klasat: 10 të numrit të lulelakrave të cilat nuk ipërgjigjen kërkesave në lidhje me seleksionimin e madhësisë dhe/ose madhësisë së dhënë, por i përgjigjen madhësisë së një shkalle më të lartë apo më të ulët nga ajo që është deklaruar në paketim, ku diametri minimal për kokën më të vogël të lulelakrës të jetë 10 cm.

Cilat janë rregullat në lidhje me paketimin ?

  • Njëtrajtshmëria

Përmbajtja e çdo paketimi duhet të jetë unike dhe duhet të përmbajë lulelakër me origjinë, cilësi, tip tregëtar dhe madhësi të njëjtë. Përveç kësaj në klasën ekstra lulelakrat e një paketimi duhet të jenë unike edhe përsa i përket ngjyrës.

Pjesa e dukshme e përmbajtes së një paketimi duhet të jetë përfaqësuese për gjithë përmbajtjen e paketimit.

Kujdes i veçantë duhet treguar për të shmangur paketimet “pasqyrë”. Kjo do të thotë që në shtresat e mëposhtme të paketimit nuk duhet të ketë produkte me cilësi më të ulët dhe madhësi tjetër nga shtresa e sipërme apo në ndryshim nga etiketimi i dhënë.

  • Paketimi

Lulelakra duhet të paketohet në mënyrë të tillë, që të jetë e mbrojtur në mënyrë të përshtatshme.

Paketimi duhet të mbrojë produktet gjatë transportit dhe manipulimeve dhe për këtë duhet të ketë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e duhur.

Është i lejueshëm çdo lloj paketimi, por kusht është, që lulelakrat të jenë stabël në paketim dhe pa ushtruar shtypje të madhe mbi to.

Mjetet e transportit dhe materiali i paketimit duhet të jenë të tillë që të lejojnë qarkullimin e ajrit, në mënyrë që të shmangen uljet e cilësisë.

Materiali i përdorur në brendësi të partisë që paketohet duhet të jetë i ri, i pastër dhe të ketë përbërje të tillë, që të mos shkaktojë ndryshime të jashtme apo të brendshme tek produktet. Lejohet përdorimi i materialit, veçanërisht letrës dhe fletëve ngjitëse me të dhënat e firmës, kur shkrimi apo etiketimi përmbajnë ngjyra apo lëndë ngjitëse pa përmbajtje helmesh.

Nëpërmjet këtij rregulli sigurohet një mbrojtje e përshtatshme e produktit nga përdorimi i materialeve paketuese të reja dhe të pastra.

Paketimet nuk duhet të përmbajnë asnjë lloj mbeturine tjetër.

Ky rregull vlen për pastërtinë e gjithë përmbajtjes së paketuar. Qëllimi është të garantohet që mbeturinat e huaja si gjethe, rërë apo dhe të mos prishin dizenjon e paketimit. Duhet bërë dallim ndërmjet gabimeve të rastësishme dhe papastërtisë sistematike, e cila në çdo rast çon në kthim të mallit.

Veshja e pjesshme e fundit të kutisë me një shtresë gjethesh të freskëta të lulelakrës është e lejueshme, pasi këto gjethe nuk përbëjnë mbeturina të huaja në kuptimin e kësaj norme.

  • Dizenjo e paketimit

Cilat janë rregullat në lidhje me etiketimin (emërtimin)?

Lulelakra mund të ketë dizenjon e mëposhtme të paketimit:

  1. “Me gjethe”; lulelakër me gjethe të freskëta (të gjelbëra) dhe të shëndetshme, të cilat janë të mjaftueshme për nga gjatësia dhe numri, për ta mbështjellë dhe mbrojtur plotësisht kokën. Kërcelli duhet të pritet shkurt nën nivelin e gjetheve mbrojtëse.
  2. “Pa gjethe”; lulelakër pa asnjë lloj gjetheje si dhe pa pjesën e kërcellit që nuk përdoret për ushqim. Janë të lejueshme vetëm deri në pesë gjethe të plota, të njoma me ngjyrë të gjebër të hapët, që gjenden ngjitur pas kokës.
  3. “E qethur”; lulelakër e mbështjellë nga një numër gjethesh, të mjaftueshme për të mbrojtur kokën. Gjethet duhet të jenë ngjyrë të gjelbër, të freskëta dhe të jenë prerë maksimumi 3 cm më poshtë se kulmi i harkut të kokës. Kërcelli duhet të jetë i prerë shkurt pak nën nivelin e gjetheve.

Cilat janë rregullat në lidhje me emërtimin (Etiketimin)?

Çdo paketim duhet të ketë nga njëra anë të dhënat e mëposhtme të shkruara me gërma të lexueshme, të dukshme dhe që nuk fshihen.

Rregullat e kapitullit VI i referohen emërtimit të pakos dhe kur është e lejueshme edhe të dhënave të fletës së shoqërimit të mallit në mjetin e transportit.

Emërtimi mund të bëhet në çdo gjuhë zyrtare të KE. Është i lejueshëm gjithashtu përdorimi i disa gjuhëve. Nuk ka rregulla për madhësinë e shkrimit.

Të gjitha të dhënat duhet të jenë të lexueshme qartë.

Të gjitha të dhënat e kërkuara duhet të jenë nga njëra anë e paketimit.

Të dhënat suplementare duhet të jenë veçmas nga të dhënat e detyrueshme.

Në rastin e ripërdorimit të materialeve të paketimit, duhet të hiqen me kujdes të gjitha etiketat e mëparshme dhe të bëhen të padallueshme informacionet e mëparshme.

Identifikimi

“Paketuesi dhe/apo dërguesi”: Emri dhe adresa apo një kod i dhënë dhe i zyrtarizuar nga organi përkatës. Kur përdoret kodi, duhet që kodi të vendoset direkt pas “paketuesit dhe/ose dërguesit”.

Me paketues apo dërgues duhet kuptuar personi juridik apo firma që hedh në treg për herë të parë produktin. Kur përdoret kodi, atëherë përpara tij vendoset shkurtimi i dhënë nga organi përkatës, ose cilësimi “prodhues” apo një cilësim tjetër i shkurtuar.

Lloji i Produktit

-“Lulelakër”, kur përmbajtja nuk duket së jashtmi. 

Origjina e Produktit

-Vendi i origjinës dhe sipas dëshirës rajoni ku është mbjellë, ose cilësimi nacional, rajonal apo lokal.

Karakteristikat tregtare

-Klasa

-Madhësia e shprehur në diametrin minimal ose numri i copëve.

Vula Zyrtare e Kontrollit

Përdorimi i një vule zyrtare kontrolli nuk është normuar deri më sot nga ligjvënësi në Gjermani. Megjithatë është në dëshirën e organeve të kontrollit, në se do të vënë vulën zyrtare të kontrollit të partive të kontrolluara prej tyre.

SËMUNDJET, DËMTUESIT DHE MANGËSI TË TJERA TEK LULELAKRA

Sëmundjet 
Alternaria sspShoqërohet me njolla dhe në formë të rrumbullakët tek gjethet, të cilat kur kanë lagështirë të madhe, mbushen me spore në ngjyrë të zezë. Tek lulelakrat edhe gjatë tregëtimit shfaqen fillimisht njolla të lëngshme dhe me ngjyrë kafe të çelët dhe më pas në ngjyrë kafe të errët deri në të zezë. 
Sëmundja e brymës (Peronospora parasitica)Njolla të gjelbëra në pjesën e sipërme të gjetheve dhe më pas spore me ngjyrë gri në pjesën e poshtme të tyre. Në kushte ekstreme atmosferike gjatë pranverës, por veçanërisht në vjeshtë, shoqërohet me kalbjen e lules. Në to krijohen fillimisht disa pika të zeza, të cilat zhvillohen dhe çngjyrosin lulelakrën.
Dëmtuesit 
Krimba të llojeve të ndryshmeGjethe të ngrëna (vrima, dritare, që ruajnë cipën e sipërme të gjethes) si dhe lule të ngrëna, ndotje nga jashtëqitja e krimbave.
Morri i gjetheve (morri i lakrës dhe lloje të tjera)Morra shpesh në ngjyrë të gjelbër dhe të pudrosur nëpër gjethe. Ndotje nga jashtqitjet.
Thrips (thrips tabaci)Flluska në formë nishanesh me ngjyrë kafe, të cilat shfaqen edhe poshtë fletëve.
Mangësi të tjera 
Mangësi nga lëndët ushqyese të bimës (mungesa të B, Mo, K, Ca, P)Lulet janë jo të ngjeshura, pjesërisht me ngjyrë kafe ose violet, kanë hapësira boshe dhe janë të qelqta.
Djegia nga dielliLulet pas një rrezatimi intensiv kanë një ngjyrë kafe të lehtë, rozë dhe violet.
ShpërbërjaLulet nuk krijojnë një sipërfaqe të mbyllur, por janë të ndara në grupe lulesh. Shkaku është ndryshimi i temperaturave të ulëta në të larta gjatë zhvillimit të bimës.

Data e publikimit: 06/12/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

NORMAT E CILËSISË TË BE-SË PËR TREGTIMIN E KARROTËS

Normë e detyrueshme për të gjitha nivelet e tregtimit. Sipas botimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e mbështetur nga Ministria Federale Gjermane e Bashkëpunimit Ekonomik

Lexo më shumë

NORMAT E CILËSISË SË BE-SË PËR TREGTIMIN E LAKRËS

(Normat e detyrueshme të cilësisë për lakrën në të gjitha shkallët e tregëtisë). Sipas botimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e mbështetur nga Ministria Federale Gjermane e Bashkëpunimit Ekonomik

Lexo më shumë