Një mëshqerrë e shëndetshme është fillesa e tufës suaj të ardhshme. Kosto e remontit në një fermë qumështi është e rëndësishme, duke u renditur menjëherë pas kostos së ushqimit dhe asaj të fuqisë punëtore. Kjo kërkon që mëshqerrat të arrijnë madhësinë e duhur në ndërzim e pjellje, me qëllim që të sigurohet efiçenca e remontit. Sigurimi i dinamikës së duhur në rritje është i lidhur me të ushqyerit, sipas fazave të rritjes së viçit deri në moshën e përshtatshme të mëshqerrës për inseminimin e parë barrësues. Por, natyrisht shtesa e peshës duhet të sjellë zmadhimin trupor dhe jo shtim të masës së dhjamit.
Bëni kujdes! Mëshqerrat mbi peshë dhe të dhjamosuara shfaqin një shkallë më të ulët barrsmërie, më shumë probleme në pjellje, si dhe më shumë sëmundje pas pjelljes. Mbani parasysh se rritja e mëshqerrës fillon që me trajtimin e viçit të porsalindur, e veçanërisht me të ushqyerit e tij. Për të arritur peshën dhe moshën e synuar për ndërzimin e parë të mëshqerrave, pra peshë rreth 350 kg në moshën 14 muajshe, ju duhet:
Por, cili është protokolli i të ushqyerit për arritjen e peshës së duhur në moshën e duhur për të realizuar inseminimin e parë barrësues.
Ofrimi i kulloshtrës: Kulloshtra duhet të jetë sa 1/8 e peshës trupore të viçit, pra nëse një viç në lindje peshon 40 kg, i duhen ofruar 40/8, ose 5 litra kulloshtër gjatë 24 orëve të para. Gjatë dites së 2-të, 3-të dhe 4-t nevojitet të konsumohen 6 litra qumësht tranzitor dy herë në ditë. Mbani parasysh që temperatura e kulloshtrës dhe qumështit tranzitor duhet të jetë sa temperatura e trupit 38-39°C.
Të ushqyerit me qumësht deri në shkëputje:
Nga dita e 4t – 14të vazhdoni ushqimin vetëm me qumësht 2 herë /ditë. Sasia 5-6 litra
Në javën e 3-të filloni të stimuloni stomakun me pak bar të thatë rreth 100 gram në ditë krahas 5-6 litër qumësht.
Në javën e 4-t, rrisni gradualisht sasinë e ushqimeve, ku krahas 5-6 litër qumësht shtoni 50 gram hime gruri si dhe 200 gram bar të thatë.
Në javën e 5-të krahas 5-6 litër qumësht, rrisni gradualisht ushqimet e tjera duke ofruar 50 gram hime, 300 gram bar të thatë si dhe 50 gram miell misri.
Pas javës së 5-të deri në shkëputje (2.5-3 muaj) ulni gradualisht sasinë e qumështit dhe rrisni gradualisht sasinë e barit të thatë dhe koncentratës.
Të ushqyerit nga shkëputja deri në moshën 9 muajshe
Gjatë kësaj faze siguroni një rritje pa dhjamosje (pra, muskuj dhe skelet) duke synuar që në moshën 6 muajshe të kenë arritur 30% të peshës së lopës së rritur.
Për shembull, nëse një lopë e rritur ka peshë 600 kg x 30% = 180 kg peshë. 180 kg/6 muaj (ose 180 ditë) e barabartë me rreth 1 kg shtesë peshe në ditë.
Për këtë qëllim dieta duhet të jetë e pasur me energji dhe proteinë.
Në periudhën nga 9 muajsh deri në 12-13 muajsh (ose 1 apo 2 muaj para inseminimit barrësues) mëshqerra duhet të arrijë 43-47% të peshës së lopës së rritur.
Pra, nëse pesha e lopës së rritur është 600 kg x 43% = 258 kg deri në 600 kg x 47% = 282 kg.
Në momentin e inseminimit barrësues në moshën 14 muajshe pesha optimale duhet të jetë sa 55%-60% e peshës së lopës së rritur, pra 600 kg x 55% = 330 kg deri në 600 kg x 60% = 360 kg
Në momentin para pjelljes pesha ideale e mëshqerrës duhet të jetë sa 95% e peshës së lopës së rritur, ose 600 kg x 95% ose 570 kg.
Pas pjelljes së parë pesha e lopës duhet të arrijë 85% të peshës së lopës së rritur, pra 600 x 85%, ose 510 kg
Pas pjelljes së dytë pesha e lopës duhet të arrijë 92% të peshës së lopës së rritur, pra 600 X 92%, ose 552 kg
Pas pjelljes së tretë arrihet pesha optimale e lopës së rritur pra 100% ose 600 kg.
Mbani parasysh, ushqimi që ju ofrohet mëshqerrave duhet të jetë sa më cilësor dhe të synojë zhvillimin e stomakut si dhe shtesën e duhur të peshës. Mos neglizhoni ujin. Ai duhet të sigurohet si pirje e lirë gjatë të gjithë kohës, të jetë i pastërt, i freskët dhe të ofrohet në enë të pastërta.
Pra, me qëllim që mëshqerrat të arrijnë në moshën e inseminimit barrësues 14 muaj një peshë prej rreth 350 kg, ato duhet të maten/peshohen çdo 2 muaj dhe në bazë të peshës adoptohet edhe dieta ushqimore me qëllim që ato të shtojnë rreth 0.7-1.0 kg në ditë, kjo edhe në varësi të rracës.
Krahas ushqimit cilësor, mineralet dhe vitaminat janë të rëndësishëm për të arritur suksesin në riprodhim.
Të ushqyerit luan një rol të rëndësishëm në prodhimin dhe riprodhimin e tufës. Bazuar në vlerësimet në terren, ju rekomandojmë:
Silazhi i misrit duhet të jetë ushqim gjithëvjetor dhe jo të përdoret vetëm gjatë gjashtë muajve të vitit siç edhe u konstatua në disa raste. Sasia e tij ndryshon sipas fazave të laktacionit nga 10 kg/krerë në ditë gjatë periudhës së tharjes në 15 kg/krerë gajtë fazës së pjelljes, në 20 kg/krerë në ditë tre javë pas pjelljes, ruhet në këtë nivel gjatë fazës së parë të laktacionit (pra deri në muajin e pestë pas pjelljes) dhe gradualisht zbret në 10 kg/krerë në ditë në fillim të periudhës së tharjes.
Bëni kujdes! Nëse do të përdorni premikse ato duhen përdorur sipas fazave të laktacionit, pra premiksi për tharje duhet përdorur gjatë përuidhës së tharjes dhe premiksi për qumësht duhet përdorur gjatë periudhës së laktacionit. Mos shkëpusni përdorimin e premiksit, pasi kjo ju shkakton probleme si me prodhimin ashtu edhe me riprodhimin e tufës. Ushqimi duhet të jetë i pranishëm gjatë të gjithë kohës në grazhd.
Bëni kujdes! Nëse lopët konkurojnë me njëra-tjetrën për ushqim ose nëse ato e përzgjedhin ushqimin, këto janë shenja të një ushqimi të pamjaftueshëm, si dhe të një cilësie të dobët. Pirja e ujit është një element i rëndësishëm që duhet të mbani parasysh. Nuk është e rëndësishme vetëm sasia, cilësia dhe freskia e ujit, por një rëndësi të veçantë merr pastrëtia e enëve të ujit. Në disa raste u konstatua se ato ishin të papastruara dhe për pasojë bartëse të ngarkesave bakteriale të cilat transmetohen edhe në cilësinë e qumështit.
Riprodhimi dhe përmirësimi racor marrin një vlerë të rëndësishme kur fermeri bëhet pjesë e procesit të vendim-marrjes. Ju rekomadojmë të kërkoni nga inseminatori informacion më të hollësishëm mbi materialin gjenetik, si rracën, katalogun e demit, emrin dhe numrin e rregjistrimit të demit. U konstatua se në disa raste servis-perioda (periudha nga pjellja në inseminimin fekondues – barrësues) është e tejzgjatur mbi 90 ditë duke sjellë humbje të konsiderueshme për fermën, gjë e cila mund të jetë rezultat si i keq ushqyerjes, i mos-zhvillimit të vezoreve, mos lëvizjes, punës së dobët të inseminatorit, ose edhe cilësisë së dobët të materialit gjenetik.
Ndaj, ju rekomandojmë të mbani shënime të sakta lidhur me riprodhimin si përsa i përket zbulimit të afshit, datës së inseminimit, datës së pritshme të kontrollit të barrsmërisë, datës së pritshme të pjelljes, problemet që hasni gjatë pjelljes. Një kalendar i thjeshtë siç paraqitet më poshtë është i duhuri në këtë rast.
E DIELE | E HENE | E MARTE | E MERKURE | E ENJTE | E PREMTE | E SHTUNE |
Lopa 5 në afsh | Lopa 10 inseminuar | |||||
Lopa 7 rrjedhje gjaku | ||||||
Kontrollo lopën 5 për afsh | Kontrollo lopën 10 për afsh | |||||
Kontrollo lopën 7 për afsh |
Higjiena. Ndonëse ka përmirësime në drejtim të higjenës në përgjithësi, vëmendja ndaj detajeve që janë shumë të rëndësishme akoma nuk është në nivelin e duhur. Ndaj, krahas protokollit që kemi trajtuar deri më sot lidhur me higjienën në mjelje, duhet t'i kushtoni një rëndësi të veçantë përdorimit të makinës mjelëse. Në përgjithësi në makinat mjelëse u konstatua prani e mbetjeve të qumështit nga mjeljet e mëparshme, gjë e cila bëhet vatër për praninë e ngarkesave bakteriale. Bëni kujdes të vëzhgoni me vëmendje pastërtinë e gotave të mjeljes, tubave të mjeljes, rezervuarit.
Siguroni në mënyrë të veçantë që kanalinat e gotave të mjeljes të jenë të mirë pastruara. Pas mjeljes, në një enë me ujë të pastërt, hidhni detergjent enësh dhe vendosni gotat e mjeljes në pozicionin që mundëson thithjen e solucionit. Ndizni makinën mjelëse dhe mundësoni kalimin e solucionit në të gjithë pjesët e saj. Përsëriteni këtë veprim për shpëlarje duke përdorur ujë të pastërt. Më pas gotat e mjeljes vendosini në qeska të pastërta për të mos lejuar depërtimin e papastërtive në to.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Duke ndarë me ju një përmbledhëse të tillë të situatave që hasin fermerë të ndyshëm me tufat e tyre, ju mund ti paraprini ngjarjeve në fermën tuaj dhe të jeni të përgatitur për t'i përballuar ato në kohë.
Lexo më shumëIndeksi i Përfitimit nga Shëndetësimi i Tufës (PShT) është nga indekset më gjithëpërfshirës dhe me tregues ekonomikë të matshëm, kjo pasi përfitimi ekonomik i nje ferme vjen vetëm nga një tufë e shëndetshme.
Lexo më shumëNe të gjithë duam të kemi një tufë të shëndetshme, por a keni menduar ndonjëherë, se cila është vlera e vërtetë e një tufe të shëndetshme?
Lexo më shumëNdjeshmëria dhe reagimi ndaj ndriçimit ndodh kudo dhe ka ndikim mbi çdo specie, ndërsa në botën e kafshëve kjo ndjeshmëri është më e theksuar në gjedhë, të imta dhe një-thundrakë.
Lexo më shumë