VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I BARBUNJËS NË FUSHË TË HAPUR




Cila është struktura varietore e rekomanduar për barbunjën?

Midis kultivarëve të barbunjës, për prodhim frutash cilësorë, më të përhapura tek ne janë: 

Plloçakë e verdhë
Plloçakë e gjelbërt
Nikos
Montdor
Aishe
Belidor
Costanza
The prince
Farcybel

Cila është Teknologjia e Kultivimit të Barbunjës?

Barbunja kultivohet me mbjellje me rreshta dhe kultivarë të shkurtër, por nuk përjashtohen edhe rastet e kultivimit të atyre kacavjerrës, me mbështetje në hunj e që mbillen me fole. Pas përgatitjes së një shtrati sa më të mirë për farën dhe sistemimit sipërfaqësor të tokës, bëhet mbjellja e cila realizohet me makinë mbjellëse. 

Kur duhet të bëhet mbjellja e barbunjës?

Fara në varësi të zonave të kultivimit mbillet në dekadën e tretë të Marsit dhe në fillim të Prillit për zonën e ngrohtë dhe një muaj më vonë për zonën e ftohtë. 

Për prodhim vjeshtor mbillet 15-30 Korrik.

Mbas një përgatitjeje të mirë të tokës dhe sistemimit sipërfaqësor të saj, bëhet mbjellja e farës me makinë mbjellëse ose me dorë në sipërfaqe të vogla. 

Kujdes! Nuk duhet të kryhet mbjellje, nëse në thellësinë e vendosjes së farës, nuk është stabilizuar temperatura 13-15°C.

Cilat distanca mbjelljeje zbatohen për barbunjën në fushë?

Distanca e mbjelljes së barbunjës ndryshon në varësi të varietetit. Mbjellja bëhet me distanca ndërmjet rreshtave 45-60cm për kultivarët e shkurtër duke siguruar 40 bimë /m2 . 

Për këta kultivarë përdoret 10-12 kg/dyn farë.

Kultivarët kacavjerrës mbillen me fole; rreshti nga rreshti 70 cm dhe midis foleve në rresht, 30 cm me tre bimë / fole, duke siguruar rreth 14-15 bimë/ m2

Për këta kultivarë përdoret 6-8 kg/dyn farë.

Çfarë shërbimesh agroteknike kryhen për barbunjën?

Shërbimet agroteknike për barbunjën konsistojnë; 

Prishja e kores është masë teknike me rëndësi për prodhimin, në veçanti në tokat që formojnë kore. Më shpesh ky proces kryhet me lesa, por mund të realizohet edhe me ujitje të shpeshta e sasi të ulëta uji.

Pas mbirjes kryhet kontrolli i ngastrës dhe plotësimi i boshllëqeve.

Kujdes! Pas mbirjes dhe rrallimit( kur në fole mbijnë mbi tre fara) rëndësi ka luftimi i barërave të këqija dhe shkriftimi i tokës, masa këto që krijojnë mundësi për rritje dhe zhvillim normal të bimëve.

Shkriftimi kryhet me kultivatorë ose me shatë në sipërfaqe të kufizuara.

Në ngastrat e mbjella me kultivarë kacavjerrës, pas mbirjes dhe para fillimit të prashitjeve, vendoset sistemi mbështetës si hunj ose kallama.

Ujitjet duhet të sigurojnë pandërprerje lagështirën e nevojshme të tokës e cila duhet të mbetet gjithmonë 60-70% të kapacitetit ujëmbajtës të saj.

Kërkesat më të mëdha për ujë janë nga lulëzimi deri në lidhjen masive të bishtajave.

Kujdes! Tepricat e ujit janë të dëmshme në të gjitha fazat e zhvillimit të bimëve.

Plehërimet plotësuese gjatë periudhës bimore kryhen me kujdes, në kohë e pa teprime.

Ritmi i përvetësimit të lëndëve ushqyese është më i lartë në periudhën nga lulëzimi e deri në vjelje masive të bishtajave.

Azoti rrit prodhimin dhe peshën mesatare të frutave; fosfori favorizon hershmërinë, kurse potasi shton dhe përmirëson cilësinë e bishtajave.

70% e plehrave azotike dhe potasike hidhet deri në fillim të lulëzimit me prashitjet. Pjesa tjetër hidhet në varësi me gjendjen e bimëve.

CILAT JANË SËMUNDJET DHE DËMTUESIT E BARBUNJËS NË FUSHË TË HAPUR?

Bimët e barbunjës preken nga një numër relativisht i vogël sëmundjesh dhe dëmtuesish. 

Pse përbëjnë problem sëmundjet dhe dëmtuesit?

  • Shkaktojnë ulje të ndjeshme të prodhimit.
  • Ulet vlera tregtare
  • Ulen të ardhurat për njësi prodhimi

 

  • Antraknoza 

Dëmton pjesët mbitokësore të bimës. Mbi gjethe formohen njolla të rrumbullakta që duke filluar nga zona qendrore në periferi marrin ngjyrë nga e kuqërremta në të zezë. Efekt të mirë parandalues të dëmtimit jep qarkullimi bujqësor, farë e pastër, ujitje të lokalizuara si dhe trajtimi me t’u shfaqur shenjat e para të sëmundjes ku më i miri është lëngu bordolez.

  • Bakterioza

Është një sëmundje që shkakton zverdhjen e gjetheve dhe pengon rritjen e bimëve.

Efekt të mirë për luftimin e kësaj sëmundjeje jep qarkullimi bujqësor shumëvjeçar, mbjellja e kultivarëve të qëndrueshëm, përdorimi i farës së dezinfektuar.

  • Afidet

Në fazat e para të zhvillimit por dhe në vegjetacion, barbunja mund të preket nga disa dëmtues sikurse janë afidet.

Luftohen me insekticide me veprim kontakti ose sistemik.

Masë luftimi me rëndësi është zhdukja e barërave të këqija, të cilat janë strehuese të afideve. 

VJELJA DHE RUAJTJA E PRODHIMIT TË BARBUNJËS 

Vjelja e prodhimit të barbunjës bëhet në pjekjen teknike kur:

  • Bishtajat kanë arritur madhësinë dhe ngjyrën tipike të kultivarit, që përcaktohet në standartet shtetërore.
  • Vonesa në vjelje ul cilësinë e bishtajave dhe vlerën tregtare e ushqimore të tyre.
  • Edhe vjelja e parakohshme çon në uljen e cilësisë së prodhimit. 

Frutat e vjela shtrohen në arka 3-5 kg, por mbasi të jenë pastruar më parë nga gjethet dhe lëndët e huaja. 

Ruajtja e prodhimit të freskët mund të bëhet për jo më shumë se 2-3 ditë, ndërsa në mjedise me klimë të kontrolluar, në temperaturën 3-5 °C dhe lagështi relative të ajrit 95% për 7-10 ditë dhe në ngrirje për më shumë se 6-9 muaj. 

Data e publikimit: 12/05/2025


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË BARBUNJËS NË FUSHË TË HAPUR

Më poshtë do të lexoni të gjitha përfitimet shëndetësore të sjella nga përdorimi i barbunjave:

Lexo më shumë