SHËRBIMET AGROTEKNIKE TEK FTOI




Disa nga shërbimet kryesore janë punimi i tokë, ujitja, plehërimi, krasitja, kontrolli i sëmundjeve dhe dëmtuesve, etj.

Punimi i tokës, ujitja dhe plehërimi

Punimi. Te ftonjtë sistemi rrënjor rritet afër sipërfaqes së tokës. Kështu që nëse sipërfaqja e tokës punohet thellë, dëmtohet mjaft sistemi rrënjor. Prandaj, këshillohet që sipërfaqja e tokës të mbahet e pa punuar dhe e mbuluar me barishte (tapet). Në këto raste, për eliminimin e barërave të këqija rreth bimëve, rekomandohet trajtimi me herbicide të tipit total në të dy anët e rreshtit të pemëve (në formë brezi). 

Në rastet kur toka mbahet e punuar, punimi duhet të jetë i cekët dhe nuk duhet të kalojë thellësinë 15 – 18 cm, toka mbahet e shkrifët nëpërmjet frezimeve të herë pas hershme sipas nevojës. Edhe në këto raste barërat e këqija, rreth pemës, eliminohen me spërkatje me herbicide të tipit total ose me mulçërim (mbulim) të tokës me mbeturina të ndryshme organike (byk, tallash etj.). Punimi aplikohet zakonisht në toka fushore dhe të ujitshme. 

Ujitja. Ftoi megjithëse i reziston thatësirës, ujitja stimulon aparatin vegjetativ dhe ndikon drejtpërdrejtë në rritjen e frutave dhe në diferencimin e sythave frutore për vitin e ardhshëm. Llogaritet që bimët gjatë periudhës së verës të kenë nevojë për 1800-2500m3/ha ujë ose 180 – 250 mm. Koha më e mirë e ujitjeve është deri në 2 muaj pas lulëzimit dhe ndër sistemet e ujitjes preferohet ai i ujitjes me pika. Nëpërmjet tij mund të shpërndahen edhe plehrat e ndryshme kimike.

Plehërimi. Llogaritet që ftoi të ketë nevojë më shumë për elementë ushqimore në krahasim me mollën apo dardhën. Për një prodhim prej 200 kv/ha fruta, sasia e nevojshme e azotit duhet të jetë 80-100 kg/ha lëndë aktive, e fosforit rreth 15-20 kg/ha lëndë aktive dhe ajo e potasit 80-100 kg/ha lëndë aktive. Plehërimi tek ftoi duhet vlerësuar mirë se kjo masë ndikon drejtpërdrejt në rinovimin e përgjithshëm dhe krijimin e një raporti të drejtë ndërmjet degëzave vegjetative dhe të atyre prodhuese. 

Plehrat fosforike dhe potasike përdoren në plehërimin bazë para punimit të tokës, gjatë vjeshtës dhe dimrit. 

Plehrat azotike këshillohet të hidhen pak ditë sapo ka filluar vegjetacioni. Kjo masë e ndihmon shumë bimën që të aktivizohet sa më mirë dhe të pengojë rrëzimin e frutave në momentin e lidhjes së tyre. 

Në tokat me përmbajtje të lartë të gëlqeres shtohet sasia e  plehrave fosforike ne masën 25-30 % nga ajo normale. 

Krasitja prodhuese tek ftoi

Në krasitjen prodhuese, krahas ruajtjes së formës së kultivimit, synohet edhe në lënien e degëzave prodhuese, të cilat krahas sythave vegjetative kanë edhe sythë frutore. 

Mbani parasysh, karakteristikë e farorëve është se në moshat e para të jetës së tyre, ato kanë më shumë degëza vegjetative dhe më pak degëza të përziera (me sytha frutore dhe vegjetative). Me avancimin e moshës së pemëve vërehet se degëzat vegjetative rrallohen dhe shfaqen më shumë degëzat e përziera të cilat kanë sythë vegjetative si dhe sythë frutore. 

  • Në bimët e moshave të reja, duhet të synoni në rrallimin e degëve vegjetative, por kurrë në largimin e plotë të tyre. Nëse ato hiqen të gjitha, do të thotë që për vitin e ardhshëm nuk do të këtë me sytha frutore dhe prodhimin e dëshiruar. 
  • Nëse në bimët e moshave të reja degët vegjetative janë shumë dhe ato frutore janë shumë pak, aplikoni përkuljen e degëve vegjetative. Ato lidhen me litarë, kallama, hunj druri, fije të ndryshme, etj. dhe përkulën në një kënd afër 90 gradë me qëllim që të stimulohet diferencimi i sythave frutore për vitin e ardhshëm.

Çfarë duhet të keni parasysh në krasitjen prodhuese tek ftoi?

Gjatë krasitjeve prodhuese dimërore te ftoi duhen pasur parasysh disa veçori. Në krasitjen prodhuese duhet të ruani format kryesore të kurorës të cilat mund të jenë ajo kupore dhe piramidale të ulëta. 

Në krasitjen prodhuese dimërore duhet të ndiqen këto rregulla kryesore:

  • Kurrë nuk duhet të hiqen degëzat frutore njëvjeçare dhe të shkurtra, degëzat e holla dhe ato të përziera;
  • Hiqen plotësisht thithakët dhe degët e vjetra apo të thyera dhe të sëmura;
  • Nëse kurora është shumë e dendur, rekomandohet që më mirë të bëhen rrallime degësh skeletore të rendeve të fundit (kateve të poshtme) apo ato veshëse.
  • Hiqen ose rrallohen fundaket sipas gjendjes së kurorës.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Mbrojtjen nga sëmundjet, dëmtuesit dhe vjelja e prodhimit tek ftoi.

Data e publikimit: 25/02/2025


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË FTOIT

Frutat e kësaj peme zënë një vend të rëndësishëm në strukturën e konsumit të frutave. Ato përmbajnë 8-10% lëndë sheqerore, acide organike, lëndë azotike, lëndë minerale, vitaminat më kryesore A, B, C, si dhe lëndë aromatike të cilat ia rrisin më shumë vlerat e frutave të përpunuara në industrinë ushqimore.

Lexo më shumë

MBROJTJA NGA SËMUNDJET, DËMTUESIT DHE VJELJA E PRODHIMIT TEK FTOI

Cilat janë disa nga sëmundjet kryesore të ftoit dhe Masat e parandalimit dhe kontrollit?

Lexo më shumë