Menta vilet dy herë gjatë sezonit të verës. Rekomandohet që kositja të kryhet mundësisht në orët e para të ditës. Sa i përket mënyrës së korrjes ajo mund të bëhet me dorë dhe me mënyrë të mekanizuar në varësi nga madhësitë e sipërfaqeve për korrje. Kositja kryhet 5 cm mbi sipërfaqen e tokës dhe duhet të kryhet në kohë të thatë. Nëse bima e mentës është e lagësht nga shiu dhe bryma, gjethet e bimës shpejt marrin ngjyrën e zezë dhe fillojnë të kalben. Në këto raste, gjethet e thata tek menta nuk kanë më ngjyrë të bukur të gjelbër, kështu që i humb vlera tregtare.
Afati dhe mënyra e vjeljes ndryshon sipas destinacionit të produktit, vaj eterik apo herbë ose gjethe. Sidoqoftë, koha optimale është kur kërcejtë kryesorë janë në lulëzim të plotë, ndërsa lastarët anësore kanë nisur të lulëzojnë. Si bimë e ditës së gjatë, menta lulëzon vetëm në Korrik – Shtator. Një kulturë e mirë e mentës mund të prodhojë, si shumë e dy vjeljeve, një sasi biomase të njomë prej 25 – 30 t/ha dhe 25% të kësaj sasie si produkt i thatë. Vjelja e parë siguron rreth 65% të prodhimit. Vjelja për prodhimin e herbës në sipërfaqe të mëdha mund të mekanizohet me makineri kositëse – ngarkuese dhe masa e vjelë duhet të transportohet sa më shpejt.
Tharja dhe ruajtja e produktit
Tharja gjithashtu bëhet në varësi nga vëllimi i masës së korrur për tu tharë. Tharja mund të bëhet në kushte natyrale, tharëse diellore (serra të mbuluara me foli të zezë plastike) apo furra komerciale.
Nëse tharja bëhet në mënyrë natyrale është mirë që tharja të realizohet në hije, duke ruajtur në vlera maksimale përmbajtjen e produktit dhe ngjyrën.
Tharja në serra diellore bëhet po ashtu me një kujdes dhe ajrosje të mirë me qëllim të ruajtjes së ngjyrës dhe cilësisë së produktit.
Gjethet dhe bima e mentës mund të thahen edhe në tharëse. Në 3 orët e para temperatura duhet të jetë 50-55°C dhe pastaj temperaturat zbriten nga 40 – 45°C dhe në këtë formë të tharjes arrihet cilësia më e lartë prodhimit (mentës).
Lagështia maksimale e produktit të tharë është 8%.
Ndarja e gjetheve nga kërcejtë mund të kryhet në disa mënyra. Ajo mund të bëhet me rrjeta ose me shkundje të rëndomtë. Sot ka makina qe i thyejnë gjethet dhe pastaj me ajër i largojnë ato nga masa e kërcejve. Në fund bima e mentës duhet të jetë në tërësi e tharë, e pastër, pa shtesa nga bimët tjera, me ngjyrë të gjelbër natyrore, gjethe pa njolla dhe jo me gjethe që kanë marr ngjyrë të zezë.
Paketimi dhe ruajtja – gjethet e thara të mentës nuk duhet të ruhen gjatë sepse janë shumë higroskopike, kështu që e thithin lagështinë e ambientit. Gjethet me lagështi e humbin shumë lehtë ngjyrën e gjelbër duke prishur cilësinë sa i përket pamjes. Bima e thatë duhet të paketohet në thasë letre me shumë shtresa. Masa e tharë ruhet në hapësira të ftohta, të thara dhe errëta.
Rendimenti – Menta jep rendiment 1500 – 2000 kg/ha gjethe të thara. Rendimenti i pjesës mbitokësore të bimës është 3000 – 5000 kg/ha. Për një hektar të mentës së kultivuar nxirren 25 – 40 kg vaj eterik.
Menta kultivohet kryesisht për gjethet (Mentha piperitae folium) dhe kërcej me gjethe (Mentha piperitae herba) si dhe vajin eterik (Mentha piperitae aetheroleum). Bima përmban rreth 1.25 % vaj eterik dhe nga kjo përqindje 50 deri 90% është mentol dhe 5 deri 20% menton. Vaji eterik përfitohet nga masa mbitokësore (gjethe së bashku me kërcejtë) ose vetëm nga gjethet e mentës.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Cilësia e prodhimit varet kryesisht nga kushtet e tharjes. Në asnjë rast tharja nuk mund të bëhet në dritë të madhe apo në diell.
Lexo më shumëKur është koha e korrjes së rozmarinës?
Lexo më shumëÇfarë duhet të bëni me farat e lulediellit pas korrjes?
Lexo më shumëVjelja bëhet me dorë ose me makineri korrëse e cila e realizon prerjen e bimës në mënyrë që të mos komprometojë cilësinë e saj. Në përgjithësi, vjelja kryhet në lartësinë 5-8 cm mbi sipërfaqen e tokës.
Lexo më shumë