Në Libofshë me Genc Budon, një fermer i suksesshëm me rrushin në serë, praktikë që po gjen zgjerim edhe në vendin tonë.
Në vitin 2002 Genci emigron në Itali, ku punon në një serë të tillë dhe pas disa vitesh vendos të kthehet dhe përvojën e fituar atje ta zbatojë në tokat e tij. Punën e nis me 4 dynym serë dhe për shkak të ecurisë pozitive të punës së tij, pati nevojë për mbështetje financiare, që e gjeti nga FED invest, për shtimin e sipërfaqes dhe sot zotëron 3 hektarë serë.
Fillimet, thotë Genci, ishin të vështira për shkak të mungesës së tregut, ndërsa sot me pikat e grumbullimit gjendja është më mirë.
Megjithatë, Genci nuk rri pa folur edhe për shqetësimin e ditës që është ngarkesa me pesticide e produkteve që dëmton shumë fermerët dhe imazhin e bujqësisë në përgjithësi.
“Personalisht, ndjek me vëmendje këshillat e ekspertit të Qendrës ABA për luftimin dhe trajtimin e sëmundjeve në kohën e duhur dhe i kushtoj shumë rëndësi karencës, kujdes që ja këshilloj të gjithë fermerëve sepse ne dëmtohemi në fund të ditës, por duhet edhe një bashkëveprim me agronomët e zonës dhe më shumë kontroll nga shteti. Unë dua dhe mirëpres që malli im të dali me “vulë nga agronomi” sikur del mishi në treg me vulën e veterinerit.”
Ndahemi me të, pasi ishte në ditë vjelje produkti, duke i uruar suksese dhe arritjen e objektivit të tij për shtimin e sipërfaqes së serave.

Shpërndaj në rrjetet sociale: