Cila është struktura varietore e rekomanduar?
Kultivarët e angjinarit më të përshtatshëm për kultivim në vendin tonë janë:
Këta kultivarë kryesisht të ardhur nga seleksionimi Izraelit dhe Francez, kanë njëtrajtshmëri të lartë të bimëve. Mund të mbillen drejtpërsëdrejt me farë, në fushë ose me fidanë të parapërgatitur në tava polisteroli. Këtu futen kultivarë një dhe shumëvjeçarë, me “koka” mesatare, me formë konike, deri sferike, me ngjyra nga ajo e gjelbër, deri në violet, të cilët japin prodhim vjeshtor dhe pranveror. Në këtë grup tek ne mund të kultivohet me sukses:
REKOMANDIM!
FERMERI QË VENDOS TË MBJELLË ANGJINAR, DUHET TË KETË PARASYSH KËTO VEÇORI TË TIJ:
Cilët afate dhe distanca mbjelljeje rekomandohen në fushë?
Angjinari mbillet me këmbëza të rrënjëzuara më parë në vllaja ose drejtpërdrejt me farë.
Për kultivarët me shtim vegjetativisht, sikurse “Romanesco”, “Castellmmare”, “Campagnano”, “Etrusco” etj, këmbëzat e rrënjëzuara, të shkulura, në ngastrat e prodhimit ose në ato të përcaktuara për prodhim materiali mbjellës, pasi u shkurtohet pjesa gjethore, ruhen për 1-2 javë në mjedise të hijezuara e me lagështi ajrore dhe mbillen gjatë gjysmës së dytë të gushtit e deri në fillim të tetorit në vendin e përhershëm.
Për këtë grup kultivarësh mbjellje mund të kryhen edhe herët në pranverë. Përdoren këmbëza të vjela në vjeshtë ose rishtas në pranverë. Mbjellja kryhet sipas skemave (180+60)x60, 180x40, 120x60 cm.
Studimet tregojnë se dendësia më e mirë e mbjelljes për “Castellammare” është 0.93 bimë/m2, sipas skemës 120x90 cm. Kjo skemë dhe dendësi mbjelljeje siguron prodhim më të lartë dhe “koka” me karakteristika më cilësore.
Në toka ranore dhe skeletike, të varfëra ose mesatarisht të pasura në lëndë organike, mund të mbillet edhe me dendësi më të lartë, deri në 1.4 bimë/m2, me skemat 120x60 ose 180x40cm.
Në tokat rano-argjilore, të thella, të kulluara mirë e të pasura me lëndë organike, prodhimi i përgjithshëm, në mbjelljet me dendësi 1.4 bimë/m2 është më i lartë se në mbjelljet me dendësi 0.93 bimë/m2, por me efekte negative në cilësinë e “kokave”.
Për kultivarin “Etrusco”, “Campagnano”, “Moro di Corneto”, dendësia më e mirë e mbjelljes është rreth 0.7 bimë/m2, sipas skemës 150-160 cm midis rreshtave dhe 80-90 cm midis bimëve në rresht.
Për kultivarët që shtohen me “farë”, sikurse kultivari “Talpiot”, dendësia më e mirë e mbjelljes është 1.2 bimë/m2, të realizuar me skemat (180+60)x70 dhe 120x70 cm. Këta kultivarë mund të mbillen nga fundi i muajit korrik drejtpësërdrejtë me “farë” në fushë duke përdorur 4-5 “fara” për fole.
Pas mbirjes, kur bimët kanë formuar 3-4 gjethe, bëhet rrallimi i tyre duke lënë një bimë për fole. Për këtë grup kultivarësh mund të zbatohet edhe metoda e mbjelljes me fidanë të parapërgatitur. Për këtë qëllim gjatë dekadës së dytë dhe të tretë të korrikut mbillet “fara” në tava polisteroli dhe fidanët në fushë, në fillim të shtatorit. Mbjellja bëhet me rreshta çift (180+60)x70 cm pasi rezulton me prodhim më të lartë se mbjellja me rreshta tek (120x70 cm) dhe pa efekte negative, në cilësinë e kokave. Mbjellja kryhet me dorë (në sipërfaqe të vogla) ose me makinë në sipërfaqe më të mëdha.
Çfarë shërbimesh agroteknike kryhen për angjinarin në fushë?
Në varësi të tipit të tokës dhe gjendjes së saj, 1-2 ditë para mbjelljes, bëhet paraujitja e ngastrës. Një masë e tillë ndikon pozitivisht në koefiçientin e zënies së fidanëve. Mbjellja e fidanëve këshillohet të bëhet herët në mëngjes ose pasdite vonë, në orët më pak të nxehta të ditës. Menjëherë pas mbjelljes kryhet përsëri ujitja, për të siguruar zënie sa më të mirë të fidanëve.
Cilat janë shërbimet agroteknike më të rëndësishme për angjinarin?
Ato janë ujitja, plehërimi, luftimi i barërave të këqija, sëmundjeve dhe dëmtuesve.
Angjinari, gjatë gjithë periudhës së kultivimit, kërkon lagështi të njëjtë në tokë. Në fazat e para të vegjetacionit është e nevojshme që, për çdo javë, të sigurohen të paktën 20-30 mm ujë. Më tej kërkesat për ujë janë më të mëdha. Gjatë dimrit dhe në pranverë, nevojat për ujë plotësohen nga reshjet.
Gjatë ujitjeve tregohet kujdes, që në ngastër të mos krijohen pellgje e vatra ujëmbajtëse, ndërsa gjatë vjeshtës dhe dimrit kujdesi tregohet për mbajten në gadishmëri të plotë të sistemit të kullimit.
Shkrifërimi i tokës është shërbim shumë i rëndësishëm për angjinarin, në mënyrë që të sigurohet ajrim i plotë i saj për zhvillimin normal të sistemit rrënjor, përvetësimin sa më të mirë të lëndëve ushqyese si dhe shmangien e mundësisë së prekjes së bimëve nga sëmundjet, që prekin sistemin rrënjor të bimëve të angjinarit. Shkrifërimi realizohet me prashitje dhe kultivime të mekanizuara, masë e cila bën të mundur edhe luftimin e barërave të këqija.
Masë teknike me interes është mbathja e bimëve, mbas mbjelljes së fidanëve në fushë dhe rrënjëzimit të tyre.
Plehërimet gjatë vegjetacionit kryhen me kujdes, në kohë e pa teprime.
Plehrat azotike normalisht përdoren 2-3 duar, e para në prashitjen 7-8 ditë mbas mbjelljes së fidanit (me nitrat amoni më mirë), e dyta rreth 15-20 ditë pas të parës, dora e tretë përdoret rreth një muaj më vonë, kur kemi të bëjmë me kultivarë të hershëm, ose më vonë, kur kultivarët janë me pjekje të vonshme (më mirë të përdoret ure).
Si rregull, pas dy javëve të para të nëntorit, para hyrjes në dimër, angjinarit nuk i jepet azot, por plehërohet me një dorë të rëndë gjatë shkurt-marsit.
Për plehërimin potasik, nevojat më të mëdha bima i ka gjatë rritjes së masës gjethore dhe diferencimit të “kokave”.
Plehrat potasike zakonisht përdoren në punimet përgatitore të tokës , para mbjelljes së tyre në vendin e përhershëm, në të cilin hidhet 60-70 % e sasisë së planifikuar, pjesa tjetër jepet në pranverë, para diferencimit të kokave, me plehërimin plotësues, herët në pranverë, para diferencimit të kokave.
Plehërimi potasik këshillohet të kryhet, me doza relativisht të ulëta, rreth 20 -30 kg/dyn duke qenë se tokat e vendit tonë rezultojnë të jenë me përmbajtje të mjaftueshme me potas. Në tokat e varfëra me potas përdoren doza deri dy herë më të larta me sulfat potasi.
Përsa i përket fosforit janë të mjaftueshme 15-20 kg/dy fosfor.(P2O5).
Në parcelat e mbjella me angjinar të vitit të dytë e më tej, masë teknike me interes është rizgjimi i bimëve në gjysmën e korrikut, nëpërmjet ujitjeve me ujë të bollshëm, pastaj gjatë gushtit vijohet me punim të tokës duke përmbysur në të 12-15 kg/dyn fosfor .(P2O5), 8-10 kg/dyn potas (K2O) dhe 6-8 kg/dyn azot(N).
Gjatë periudhës bimore, më mirë në vjeshtë, çdo vit, bëhet dy-tre herë pastrimi prej lastarëve fundorë, duke lënë një të tillë për bimë. Më tej bëhen prashitje dhe mbathja e bimëve.
Mulçërimi
Rezultate të mira për prodhimin e angjinarit po merren me kultivimin e angjinarit në kushte të mulçëruara me fletë plastike.
Për këtë qëllim, pas përgatitjes së mirë të tokës dhe shpërndarjes së plehrave të përllogaritura për plehërimin bazë, ndërtimit të leheve (vllajave) me gjerësi 1.2 m dhe lartësi 15-20 cm, bëhet mulçërimi i sipërfaqes me fletë plastike të zezë ose transparente. Më pas vijohet me mbjelljen e fidanëve në të njëjtën mënyrë si dhe në mbjelljen e zakonshme. Më shpesh zbatohet mbjellja me lente, me rreshta çift (180+60)x70 cm.
CILAT JANË SËMUNDJET DHE DËMTUESIT E ANGJINARIT NË FUSHË TË HAPUR,
Bimët e angjinarit preken nga disa sëmundje e dëmtues si Hiri (Leveillula taurca), Vrug (Bremia lactucae), Antraknoza (Ascohytahortorum), Verticilioza (Verticilium alboatrum) si dhe dëmtuesit si afidet, minjtë e arave, kërminjtë etj.
Angjinari preket gjithashtu nga sëmundje virale, të cilat më së shumti përhapen nga insektet dhe materiali mbjellës i infektuar. Pse përbëjnë problem sëmundjet dhe dëmtuesit ?
Menaxhimi i sëmundjeve dhe dëmtuesve tek angjinari ka të bëjë shumë me zbatimin e masave agroteknike si:
Për sa i përket luftës kimike duhet të bëhet me kujdes dhe të ngelet si masa e fundit në rradhë. Kundra hirit përdoren preparate me bazë squfuri. Kundra vrugut përdoren preparate me bazë bakri. Afidet luftohen me insekticide me veprim kontakti ose sistemik.
VJELJA DHE RUAJTJA E PRODHIMIT TË ANGJINARIT
Vjelja e angjinarit bëhet duar duar, me pjekjen e “kokave”. “Kokat” vilen kur janë formuar plotësisht, por gjithmonë para se të forcohen braktet mbështjellëse të lulërisë.
Vonesa në vjelje të “kokave”, krahas dëmtimit të cilësisë tregtare të tyre, ngadalëson formimin dhe rritjen e “kokave” të rendit të parë, të dytë, tretë etj.
Ato priten me gërshërë, me 2-3 cm bisht. “Kokat” ndahen në cilësi, sipas peshës mesatare të tyre:
Nisur nga diametri i “kokave” të angjinarit, i klasifikojmë; (4.5-6 cm; 6.1-7.5 cm; 7.6-9 cm ; 9.1-11 cm dhe mbi 11 cm)
Angjinari, pas vjeljes së prodhimit mund të ruhet për më shumë se 30 ditë në mjedise të ftohta, me mikroklimë të kontrolluar, temperaturë 0-1°C, lagështi ajrore 90-95%, oksigjen(O2)ë 2-3% dhe dioksid carboni(CO2) 4-6%.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Përse angjinari meriton të ketë më shumë përhapje në vendin tonë?
Lexo më shumë
Më shërbeu informacioni juaj Flm Unë desha të di se si mund ti marr farat angjinarit. Ju lutem më thoni
-Piro Shkaba
Përshëndetje. Ku mund të gjejmë fidan për kultivimin e agjinares
-Ardian davidhi