Teknologjia e kultivimit të borzilokut në fushë të hapur




Borziloku është bimë perimore që ka prodhim gjithëvjetor, me origjinë nga Azia (Irani) dhe Afrika subtropikale. Borziloku është një barishte aromatike nga familja e nenexhikëve, ndonjëherë referuar si 'barishte mbretërore'. Emri i saj rrjedh nga fjala greke "mbret" - “basileios”. Njihet shkencërisht si Ocinum basilicum. Në vendin tonë përdoret gjerësisht.

Përse borziloku meriton të përhapet më shumë në vendin tonë?

Kjo sepse: 

  • Borziloku ka shumë përdorime në gatim dhe përfitime për shëndetin. Përdorimi më i zakonshëm i borzilokut është aromatizimi i ushqimeve si pesto dhe salca të tjera, megjithëse mund të përdoret për një larmi të madhe në kuzhinë.
  • Rekomanduesit shëndetësorë të borzilokut flasin për vetitë antioksiduese, anti-inflamatore dhe anti bakteriale të borzilokut. Nga ana ushqimore, është plot me vitaminë K, A dhe flavonoide.
  • Gjethet e tij dallohen për përmbajtjen e këtyre përbërësve veprues: estragol, eugenol, lineol, linalol, të cilët kanë veti antibakterore dhe antikërpudhore.
  • Acidet e kësaj bime nxisin tretjen, përmirësojnë qarkullimin e gjakut dhe forcojnë muret e enëve të gjakut, në saj të flavonoide që përmban.

Cilat janë kërkesat e borzilokut për klimën, tokën dhe parabimën?
Borziloku është bimë e klimës së ngrohtë. 

  • Temperatura më e ulët për mbirje të farës është 15°C
  • Temperatura e përshtatshme është 20-25°C. Kjo temperaturë konsiderohet temperaturë e përshtatshme edhe për rritjen dhe zhvillimin e bimës.

Kujtesë për kultivuesit e borzilokut!
Gjatësia e periudhës bimore, në varësi të kultivarëve, teknikës së kultivimit dhe veçanërisht, kushteve klimatike të mjedisit të kultivimit, shkon nga 50-70 ditë.

Në cilat toka shkon më mirë borziloku?
Borziloku kërkon toka të lehta, të kulluara mirë, të pasura me lëndë organike e me pH 6.5-7.5.

Cilët nga parabimët i përshtaten më shumë borzilokut? 
Borziloku mbillet mirë mbas të gjitha kulturave bujqësore. Pas vetvetes, duhet të shmanget mbjellja në toka me infeksione të ndryshme, ndaj sëmundjeve të sistemit rrënjor.  

Si duhet të përgatitet toka për mbjelljen e borzilokut ? 
Për përgatitjen e tokës për mbjelljen e borzilokut duhet të kemi parasysh këto specifika të tij:

Punimi i tokës
Punimi i tokës 26-30 cm është mirë të kryhet herët. Pas tij në përputhje me periudhën e mbjelljes, kryhen punime përgatitore, gjatë të cilave bëhen trajtime për luftimin e barërave të këqija. 

Kanalet kulluese dhe vaditëse
Pas punimit dhe frezimit të sipërfaqes së tokës, është e domosdoshme të përgatitet i gjithë sistemi i kanaleve kulluese dhe vaditëse. Për të siguruar kullim të përsosur, gjë të cilën e kërkon borziloku.

Plehërimi i tokës
Për shkak të periudhës bimore relativisht të shkurtër, kërkesat e borzilokut për lëndë ushqyese nuk janë shumë të larta. Në krahasim me perimet e tjera, ka nevojë për sasi të pakët të lëndëve ushqyese, por tokat i kërkon të plehëruara mirë. Në punimet përgatitore duhet të shpërndahen të gjithë llojet e plehërave organike dhe ato kimike, kryesisht fosforike, potasike.

Sasia dhe raporti i plehërimit
Si përcaktohet sasia e plehërave që duhen përdorur tek sallata? 
Për një sipërfaqe prej 1 dynym borzilok kërkohet 30-50 kv pleh organik i kalbur mirë, 8-10 kg azot (N); 5-10 kg fosfor (P2O5)-; 10-15 kg potas (K2O). Në plehërim, raporti midis elementëve ushqyes duhet ruajtur në vlera 1: 0.5: 1.5.

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I BORZILOKUT

Cila është struktura varietore e rekomanduar?
Kultivarët e borzilokut më të përshtatshëm për kultivim tek ne janë:

  • Borzilokët me gjethe të mëdha: “Grande Verde”, “Violetto Grande”, “Genovese”.
  • Borzilokët me gjethe të vogël: “Fino Verde”, “Nano Violetto”. Të gjithë janë të përshtatshëm për kultivim edhe në vazo.
  • Borzilokët me gjethe të mëdha, të fryra e me anë të valëzuara: “Afoligia di lattuga, “Napoletano a foglia di lattuga”.

REKOMANDIM! FERMERI QË VENDOS TË MBJELLË BORZILOK, DUHET TË KETË PARASYSH KËTO VEÇORI TË TIJ:

  • Borziloku zhvillohet në kushtet e ndriçimit të plotë.
  • Kërkesat ujore janë të larta, prandaj dhe është e nevojshme të sigurohen kushte të mira lagështie gjatë gjithë fazave të rritjes dhe zhvillimit të bimëve.
  • Borziloku ,për shkak të ciklit bimor jo shumë të gjatë, kërkesat për lëndë ushqyese nuk i ka të larta.

Cila është Teknologjia e Kultivimit të Borzilokut ?
Borziloku mbillet gjatë gjithë vitit në dy mënyra:                                                                                 

  • Me farë; zbatohet kryesisht në mjedise të mbrojtura, por edhe në fushë të hapur, si në pranverë ashtu edhe gjatë periudhës vjeshtë-dimër. E rëndësishme është përgatitja e tokës sa më mirë para saj, shpërndarja e të gjitha plehrave kimike dhe organike, në varësi të pjellorisë së tokës dhe nevojave të bimës, për të siguruar prodhim cilësor. Mbjellja e farës kryhet me dorë ose mekanikë në thellësi 0.5 cm, duke shpërndarë 3-5 kg farë për dynym. Në kushtet e temperaturës së përshtatshme, mbirja e farës realizohet brenda javës,
  • Me fidanë të parapërgatitur; më parë përgatiten ato në vllajaose në sera. Fara për mbjelljet e hershme të pranverës mbillet në farishte me ngrohje. Koha e nevojshme për përgatitjen e fidanëve, në varësi të periudhës së përgatitjes, është 35-45 ditë. Fidanët janë të gatshëm për t’u mbjellë në fushë, kur të kenë formuar 4-5 gjethe të vërteta. Një ose dy ditë para mbjelljes, kryhet ujitja. Kjo siguron zënie më të mirë. Mbjellja këshillohet të bëhet herët në mëngjes ose pasdite vonë.

Sa duhet të jenë distancat e mbjelljes?
Mbjellja në fushë, bëhet në rreshta me largësi 30 cm dhe midis bimëve 20 cm, me dendësi 16.6 bimë/m². 

Çfarë shërbimesh agroteknike kryhen për borzilokun në fushë?
Shërbimet agroteknike më të rëndësishme për borzilokun janë: 

  • Mbajtja e tokës së shkrifët, e cila realizohet nëpërmjet prashitjes.
  • Plehërimi plotësues i bimëve. Plehërimet kryhen në varësi të nevojave të bimës. Plehrat azotike, në sasinë 5-8 kg/dyn, çdo 10-15 ditë, së bashku me prashitjet . Gjatë rritjes mund të ndërhyhet sipas nevojave, me plehërim të lëngshëm çdo 15 ditë, duke përdorur plehra komplekse, me përqëndrim 2%.
  • Ujitjet. 
  • Luftimi i barërave të këqija. 

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë mbi sëmundjet dhe dëmtuesit e borzilokut në fushë të hapur.

Data e publikimit: 30/09/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

CILAT JANË SËMUNDJET DHE DËMTUESIT E BORZILOKUT NË FUSHË TË HAPUR?

Pse përbëjnë problem sëmundjet dhe dëmtuesit?

Lexo më shumë