VJELJA DHE THARJA E AGULIÇES




Vjelja: Vjelja këshillohet të kryhet herët në paraverë, gjatë muajit prill, kur dhe sapo kanë çelur lulëritë. Lulëritë këputen pa bisht. Vjelja bëhet kryesisht me dorë. Vjelja me makineri paraqet vështirësi sepse rrallë herë mund të ndodhë që të gjitha lulet të çelin njëherësh. Gjithashtu, vjelja me makineri mund të komprometojë cilësinë e saj. Për të marrë maksimumin e rendimentit të vajit esencial, vjelja realizohet sapo lulet kanë çelur. Ndërsa, për vjeljen për gjethe procesi realizohet gjatë muajit maj e mbas korrjes së luleve. Nuk paraqet leverdi ekonomike vjelja e rrënjëve mbasi është bimë shumëvjeçare dhe ngritja e një fushe me aguliçe kërkon investime. Në rastet kur bëjmë vjelje të rrënjëve, nxjerrja e tyre bëhet vonë në vjeshtë ose herët në pranverë.

Tharja: Tharja e luleve dhe gjetheve bëhet në vende të ajrosur, pa lagështirë, që janë të mbrojtur nga pluhurat, nga ndotjet e kafshëve e të shpendëve, vazhdimisht në hije. Për shtrojë  përdoret vetëm bezë e pastër. Shtresa e luleve që hapen për tharje nuk duhet ta kalojë trashësinë 2 cm. Ato përzihen çdo 6 orë me një krehër druri me bisht të gjatë. Në rastin e tharjes së tyre në pajisjet diellore, shtresa e luleve në sirtarë bëhet 4 cm e trashë. Cilësia e prodhimit varet kryesisht nga kushtet e tharjes. Në asnjë rast tharja nuk mund të bëhet në dritë të madhe apo në diell. Për të ruajtur vlerat, cilësinë dhe vajin esencial duhet që tharja të bëhet në vende të hijezuara.

Prodhimi i njomë luhatet në mes 3 - 5 ton/ha. Raporti masë e njomë me të thatë është 1:5. Rendimenti i masës së thatë luhatet 0.5 -1 ton/ha

Në raste kur për prodhim do të marrim rrënjët menjëherë mbas vjeljes së tyre duhet të bëhet tharja në temperaturat 40 – 45°C. 

Pas tharjes lulet pastrohen nga fijet e barishteve, apo nga lëndët e huaja. Ato ambalazhohen në thasë bezeje të cilët vendosen në rafte. Materialet e paketuara ruhen në vende të pastra, pa lagështirë dhe pa dëmtues deri në dorëzimin e tyre tek grumbullues-përpunuesit.

Data e publikimit: 30/09/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

VJELJA DHE TRAJTIMI PAS VJELJES I ROZMARINËS

Kur është koha e korrjes së rozmarinës?

Lexo më shumë